Joni Shanaj: “Pharmakon”, sfida shqiptare drejt botës “Oscar”
Kinemaja shqiptare
është një grimcë e vogël në mes të garës “Oscar”. Mendoni se është një sfidë në
radhë të parë për kinemanë shqiptare dhe në radhë të dytë për ju si regjisor i
këtij filmi?
Filmi “Pharmakon” nuk është filmi i parë që shkon në këtë
garë apo konkurrim! Kemi patur edhe disa filma të tjerë vitet e shkuara dhe
besoj kjo do të vlejë edhe për të ardhmen, rëndësi ka të prezantohemi me
dinjitet.
Çfarë pritet dhe sa e
mundur të duket prekja e kësaj ëndrre për ty si regjisor dhe skenarist i ri?
Po flasim shumë për këtë punë që nuk përbën më lajm në kohën
kur, si regjisor dhe skenarist i ri jam bërë copë në të gjithë frontet të sjell
diçka tek kjo shoqëri ku jetoj dhe kam një pozicionim të qartë të cilin e kam
shprehur. Çfarë ne thamë atje, si unë dhe aktori Niko Kanxheri janë më të rëndësishme
për ne sesa një diskutim spekulativ për punën e “Oscarit” i cili është një
aktivitet që zhvillohet nga të tjerë njerëz jo unë. Ajo për çfarë unë mund të
flas, është për punën që kam bërë të tjerat janë çështje teknike.
Nuk ka shumë tema “Pharmakon” përkundrazi. E gjithë kritika
e specializuar botërore që nga Montreali në Tokyo, nga Berlini, Kana etj, ku
filmi ka qenë dhe ka marrë vlerësime maksimale, flas këtu për kritikën jo për
konjukturat e tjera, e vlerësojnë filmin sepse nuk ka shumë tema, por një.
Sa vend zë femra dhe
realiteti shqiptarë ku ajo jeton. Keni dashur të jepni ndonjë mesazh specifik?
Patjetër! Më ka ardhur sinqerisht keq që ka patur ndonjë
gazetare kulture këtu që ndoshta për fatkeqësi të vet e ka gjetur veten të
pajtuar me atë që unë përpiqem të luftoj. Ndoshta ka disa njerëz që janë
pajtuar me fatkeqësinë e tyre dhe të gjithë vendit tonë në forma nga më të errëtat.
Sidoqoftë “Pharmakon” është një film që në radhë të parë i dedikohet vajzave
dhe grave të këtij vendi të cilat në çdo rrethanë të jenë heroina në këtë vend
cinik dhe patriarkal ku ato goditen më shumë se kushdo tjetër. Me gjithë këtë,
në rast se në këto vjet kemi arritur ndonjë zhvillim, jam i bindur se kjo është
fal sakrificave dhe dashurisë së tyre.
“Pharmakon” pati
kritikat e tij si një film i realizuar deri diku në skenar dhe hapësirë
interpretuese, në rolet e personazheve apo të rejat që solli. Po cilët janë ato
element që e bënë të veçantë këtë film?
Për këtë do të ishte mirë të intervistonit Mark Cousins, anëtarin
më të kualifikuar të jurisë që ishte në Tiranë. Marku, të cilin nuk e kisha
takuar kurrë më parë e as përpara shfaqjes së filmit, sapo filmi përfundoi më
tregoi një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Të njëjtën gjë mund ta tregoj dhe
Qendra Kombëtare e Kinematografisë mbi
përshtypjet e ekspertëve të “Cannes” apo “Berlinit” ku filmi ynë u përzgjodh si
i vetmi film ndër 40 të tjerë nga të gjithë vendet e Ballkanit. Pra, vetëm “Pharmakon”
ka kaluar fazën e pre-selektimit në Festivalin e Berlinit dhe Kanës 2012 ndër
30 filma të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi,
Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Filmi është më shumë
i gjinisë psiko-analitike....?
Nuk mund të them se është i një gjinie të tillë, por është e
vërtetë që një nga qëllimet e mia është të ndikoj shikuesin në formë koshiente
dhe subkoshiente për ta nxitur drejt progresit dhe emancipimit në tërësi. Këtu
mbase kemi një pikë takimi me psiko-analizën.
Pas kritikave
pozitive filmi është ftuar të marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare. Ju
thoni se keni refuzuar disa. Pse?
Ka disa rregulla në këto kompeticione. Festivalet e mëdha kërkojnë
në përgjithësi eksluzivitet, pra të paktën premierë ndërkombëtare. Tani jemi të
konfirmuar dhe jemi ftuar zyrtarisht të marrim pjesë në festivalin e “Goteborgut”
që është festivali më i rëndësishëm në botë për mua. Sidoqoftë, më parë sic jua
thashë kemi qenë në diskutimin final për pjesëmarrje në Berlin, Kanë dhe se
fundmi në Tokyo. Për të respektuar pjesëmarrjen në këto festivale jemi detyruar
të refuzojmë disa më të vegjël, jo se nuk i respektojmë, por do të kishim
djegur shanset e pjesëmarrjeve në festivalet kryesore. Deri tani prej
festivalit të Lucerne kemi një “Award of Merit” edhe pse nuk morëm pjesë në
festival. Jemi ftuar nga festivali i Montrealit që është një nga festivalet më
të mëdhenj në Amerikën veriore direkt pas Torontos, por u detyruam të refuzonim
pasi ishin në negociate me një festival tjetër që kërkonte ekskluzivitet. Në
botë ka rreth 2000 festivale dhe nuk është e rëndësishme në sa shkon me numër,
por në cilët shkon në raport me cilësinë.
“Pharmakon” ju solli fat, momentalisht keni
menduar të punoni për ndonjë projekt të ri?
Nuk di nëse më ka sjellë fat ende, por shpresoj të punoj së
shpejti me një film të ri.
Izaura Ndoj
Comments
Post a Comment