Mbreti Zog, 51 vjet më pas prehet në atdhe
Eshtrat e Ahmet Zogut tashmë prehen në Shqipëri, 51 vjet nga
vdekja e tij. Pas pritjes zyrtare të eshtrave të tij në aeroportin “Nënë
Tereza” në Rinas, dje janë zhvilluar homazhet në mjediset e Pallatit të
Brigadave në Tiranë. Ndërsa më tej është bërë rivarrosja në mauzoleumin e
familjes mbretërore. Në ceremoni ndër të tjerë ishin të pranishëm Presidenti i
Republikës, Bujar Nishani, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri
Sali Berisha, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Gjendej gjithashtu
edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ceremonia e homazheve ka nisur në
orët e para të paradites për t’u mbyllur me darkën që u shtrua në mjediset e
Pallatit të Brigadave nga Presidenti i Republikës.
Presidenti Nishani
Duke e vlerësuar si një detyrim moral prehjen e eshtrave të
Mbretit Zog në Shqipëri, Presidenti Nishani gjatë fjalës së tij tha se Mbreti
Zog ka luajtur rolin e tij të rëndësishëm në forcimin e shtetit shqiptar. “Historinë
mund ta harrosh, deformosh, por edhe kjo është afatshkurtër dhe për të keqen e
atij që e beson. Mund të duket se me historinë mund të bësh ç’të duash, por nuk
është ashtu, se nuk të lë historia ty ta shpërfillësh, pa të ndëshkuar për
gabimet dhe pa të shpërblyer për të mirat”, u shpreh z.Nishani. Më tej ai
theksoi faktin se, historia jonë ka nxjerrë jo pak njerëz të shquar, luftëtarë,
princër, mbretër, madje edhe perandorë. Një numër prej këtyre, - shtoi ai, - qenë
të tillë kur Shqipëria nuk ishte ende shtet, dhe shumica e tyre në atdhe të
huaj. “I pari dhe i vetmi mbret i Shqipërisë shtet është Ahmet Zogu, eshtrat e
të cilit po rivarrosim sot. Për një periudhë kohe, vendi pati një mbret real.
Mbret i një Shqipërie që aspironte, por nuk kishte vetëdije politike, rend dhe
praktikisht asnjë infrastrukturë, mbreti ynë shtetin e bëri vetë. Ahmet Zogu ka
lënë pas një diskutim të gjerë mes palëve, por ai është një prej figurave
kryesore të historisë shqiptare. Ai premtoi të sjellë rendin dhe progresin,
këtë synoi dhe nisi të bënte, ai nisi ta bënte Shqipërinë shtet me atributet e
një shoqërie ku sundonte qytetërimi. I dha shtetit shqiptar Kodin Civil dhe
Penal që mungonin, krijoi administratë të efektshme gjyqësor të besueshëm,
luftoi fanatizmin, krijoi kushtet për lirinë e shtypit, forcoi monedhën, shtroi
premisat për një shtet modern”, vuri në dukje në fjalën e tij Presidenti. Kurse
përmendi dhe një fakt: “Rivarrimi i tij sot aty ku shteti-parti i Diktatorit
hodhi në erë varrin e nënës së tij, Nanës Mbretneshë, është simbolika e
Shqipërisë që nuk urren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që
meriton
kryetari i shtetit kërkoi rishikimin e historisë, në mënyrë
që të vlerësohen figurat historike pa ngjyrime politike. Për z.Nishani, sot në
prag të 100 vjetorit të Pavarësisë, është xhest fisnik, detyrim moral dhe
patriotik që eshtrat të prehen në vendin të cilit Zogu i kushtoi vitet më të
mira të jetës, në vendin ku pati edhe kundërshtarë, por ku kujtesa e popullit
do ta mbante gjallë emrin e tij.
Kryeministri Berisha
Pas kryerjes së homazheve për nder të Mbretit Zog,
kryeministri Berisha u shpreh se shqiptarët në të gjitha trojet etnike e kudo
që ndodhen, nderojnë veprën dhe kontributin e Mbretit Zog I. “Ahmet Zogu do të
nderohet gjithnjë nga shqiptarët, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm
historik në zhvillimin e konsolidimin e vokacionit perëndimor të kombit
shqiptar, të shoqërisë shqiptare. Në periudhën e mbretërisë së tij, ai bëri
përpjekjet më të jashtëzakonshme për zhvillimin e infrastrukturës së një vendi
që dukej se vinte nga gjysma e errët e hënës. Ai bëri përpjekje të
jashtëzakonshme për zhvillimin e arsimit, të kulturës, të bujqësisë, të
biznesit dhe konturoi diplomacinë shqiptare, si një diplomaci aktive”, -
përmendi z.Berisha. Sipas tij, Mbreti Zog, sikundër shumica e monarkëve të
Europës pas pushtimit, u largua nga Shqipëria, por u largua për të vazhduar
betejën në të gjitha frontet, në krahun e koalicionit antifashist botëror. “Natyrisht,
në historinë tonë kombëtare, - vijoi z.Berisha, - ne shqiptarët nuk kemi figura
eterike, nuk kemi pasur, nuk kemi e nuk do të kemi të pagabueshëm, por kjo nuk
është specifikë vetëm e jona. Ata që studiojnë historinë e kombeve më të
zhvilluara gjejnë aty të njëjtën gjë, njerëz që kanë bërë gabime, njerëz me
kontribute të mëdha”. “Në këtë kontekst, - theksoi Berisha, nëse do të bënim
një vlerësim në raport me rrethanat, në të cilat mbretëroi, përpjekjet e tij
nuk mund të konsiderohen ndryshe veçse mbinjerëzore, për liri, dinjitet dhe
zhvillimin e shqiptarëve”.
Pjesëmarrja
Jahjaga: Vlerësim dhe respekt për ndërtuesit e shtetit
Në ceremoninë e kthimit të eshtrave të Mbretit Zog në atdhe
me rivarrosjen e tij në Mauzoleumin Mbretëror, ka marrë pjesë edhe Presidentja
e Kosovës Atifete Jahjaga. Gjatë fjalës së saj ajo është shprehur se, kthimi i
eshtrave të tij në atdhe simbolizon drejtësinë hyjnore dhe paqen politike.
“Prehja në tokën tonë e atyre që u përpoqën për shtet ndërtimin është një
amanet i mbetur peng që ne duhet ta kryejmë me nder e krenari. Me këtë
dëshmojmë urtësinë duke fituar qetësinë shpirtërore si njerëz dhe komb, duke
pasur respekt për punën e prijësve tanë. Shqipëria në udhëheqjen e
naltmadhërisë nga një vend i varfër e i pazhvilluar, fisnor e i përçarë u bë
një vend modern i kohës, me shtrirje të pushtetit dhe administratës në secilin
cep, me tolerancë fetare, shembull për vendet e tjera. Me qeverisjen e tij
ndërlidhjen datat më të rëndësishme, që nga shpallja e pavarësisë në Vlorë,
luftën në mbrojtje të Shkodrës, duke përzënë trupat malazeze, serbe, greke,
italiane dhe trupat e tjerë të huaj nga territori i shtetit, në zbatim të
vendimeve të kongresit të Lushnjes”, u shpreh Presidentja Jahjaga. Gjithashtu
ajo theksoi se, Zogu dhe gjithë populli i pritën me gjithë zemër kosovarët e
përzënë nga vendi i tyre, respektoi tolerancën fetare.
Largimi i Mbretit Zog dhe kthimi i eshtrave
Mbreti Zog u largua nga Shqipëria në prill të 1939, ditën e
pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Pas përfundimit të luftës së dytë
botërore regjimi komunist i ndaloi atij dhe familjes mbretërore rikthimin në
atdhe. Mbreti Zog jetoi në mërgim deri sa u nda nga jeta në prill të 1961, në
Paris. Pas varrimit në Paris, eshtrat e mbretit Zog u kthyen në Tiranë pas 51
vitesh dhe u pritën në një ceremoni zyrtare shtetërore në aeroportin
ndërkombëtar “Nënë Tereza” në praninë e familjes mbretërore dhe ministrit të
brendshëm Flamur Noka, ministrit të mbrojtjes Arben Imami, ministrit të
Turizmit kulturës rinisë dhe sporteve Aldo Bumçi, kryetarit të Partisë Lëvizja
e Legalitetit Ekrem Spahiu, miqve dhe familjarëve të familjes Mbretërore.
Comments
Post a Comment