Tinka Kurti, aktorja që ngjit vitet pa zbritur nga skena
Ajo nuk ka të ndalur. Rolet e saj vazhdojnë të jenë gjithnjë
befasuese. Me zemër dhe me shpirtë ajo është aty në skenë, pa vendosur ende të
zbresë edhe pse vitet e kanë ngjitur atë në 80-tëshe. Portreti i saj është një
muz e stampuar në përjetës si imazhi i nënës. Brazdat dhe sytë që struken nuk
ja ndalin shkëlqimin. Ajo na magjeps. Çfarë është arti për të? “Është ushqimi
im. Oksigjeni. Unë kam mësuar shumë nga mësuesit e mi, nga paraardhësit e mi.
Arti është kolektiv, nuk është individual. Është autori i dramës, komedisë,
është regjisori, aktorët, skenografi, grimi, kostumografi, muzika etj… Pra në
çdo dramë suksesi nuk është individual, por kolektiv”, shprehet Kurti. Tinka
Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë. U ngjit për herë të parë në skenë
kur ishte vetëm 14 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në
Shkodër. Më 1947-n u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori
asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e
madhe. Që viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni”
të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e
forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role
protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në
fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Si
rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar
në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të
gjatë, “Tana”, më 1958-n. Të paharruar kanë mbetur Nënë Pashako tek “Yjet e
netëve të gjata” (1972), halla te “Çifti i lumtur” (1975), sinjorina Mançini te
“Vajzat me kordele të kuqe” (1978), gjyshja te “Zemra e nënës”. Rolet e arrira
i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe
ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat.
Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja
“Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Comments
Post a Comment