Xhamadani vija-vija perfshihet ne nje beteje mediatike
Lajmi i censurimit të tekstit të këngës patriotike "Xhamadani vija-vija" nga Ansambli i Ushtrisë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes ka shkaktuar dje bujë të madhe. Fakti që këngës himn të festimeve të 100-vjetorit e Pavarësisë i ishte hequr vargu "Sa e madhe është Shqipëria" ka lënduar jo pak një pjesë të mirë të opinionit publik, që u duk se nuk e kapërdinte dot faktin që një institucion shtetëror censuron këngën, e cila bashkon shqiptarët.
"Gazeta Shqiptare" ka kontaktuar dje dy krijuesit
e këtij hiti, kompozitorin Zef Çoba dhe tekatshkruesin Alfred Çapaliku.
Të dy ata, në prononcimet e tyre, bëjnë me dije se versioni
origjinal i këngës është ai i vitit 1993. Nga ana tjetër, nuk harrojnë të
shtojnë se përgjatë këtyre 20 viteve versionet e saj kanë qenë të shumta, çka
nënkupton se edhe vetë teksti ka pasur ndryshime. Nga deklaratat e tyre
saktësojmë se kënga e krijuar rreth dy dekada më parë, në fillimet e saj nuk
shprehej "Sa e madhe është Shqipëria"...
Autorët
Çapaliku, studiues i njohur, thotë jo pak i irrituar nga
debatet rreth çështjes se nuk mban përgjegjësi për këto që ndodhin. "E kam
shkruar para 20 vitesh dhe mund të mos e kujtoj si duhet. Mund të them vetëm se
versioni origjinal i këngës është ai i interpretuar nga Shkurte Fejza në vitin
1993", - deklaron tekstshkruesi. Sipas tij, çdo interpretim i mëvonshëm që
i është bërë kësaj kënge nga artistë të ndryshëm i kanë sjellë asaj diçka të
re. "Unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi për ndryshimet që i janë bërë here pas
here, sepse kushdo që e ka interpretuar i ka shtuar ndonjë element, i ka
ndryshuar ndonjë gjë".
I të njëjtit qëndrim është edhe kompozitori Zef Çoba.
"Kam qenë unë që i kam dërguar Ansamblit të Ushtrisë partiturën dhe
tekstin origjinal të këngës 'Xhamadani vija-vija'. As ansambli, as Ministria e
Mbrojtjes nuk e ka censuruar këngën sikundër po thuhet", sqaron Çoba. Për
ta vërtetuar këtë, ai këshillon që kushdo që ka dyshime mund të kërkojë në
"Youtube", versionin e parë të 'himnit' interpretuar nga Shkurte
Fejza. "Në 'YouTube' gjendet videoja e këngës si është kënduar ajo para 20
vitesh. Në të nuk thuhet, 'Sa e madhe është Shqipëria' në refren, por thuhet
'është Kosova, është Shqipëria'. Së fundmi versionet në të cilat ajo këndohet
janë të ndryshme, thuhet 'është Kosova, është Çamëria', por ne e krijuam
ndryshe. Dua të them se kënga nuk është censuruar, përkundrazi ajo u
interpretua në versionin origjinal", shprehet kompozitori Zef Çoba. Ai
shton se, në atë kohë nuk qe parë e arsyeshme të thuhej sa e madhe është
Shqipëria, sepse dihej sa ishte ajo. "Kënga ka etnos, vlerëson çiftelinë,
lahutën, pra trashëgiminë tonë. Shqipëri nuk është vetëm toka, janë vlerat,
janë traditat dhe këto kanë një rëndësi të madhe. Ndjej dhimbje kur shoh se ka
kësi lloj mediokritetesh. Vargu 'sa e madhe është Shqipëria' është shumë
provokues dhe ne nuk kemi nevojë për provokime, por për vlera". Koncerti
në fjalë titullohej "Një shekull këngë dhe marshe patriotike" është
organizuar nën kujdesin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Të pranishëm në
këtë veprimtari ishin ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të
Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ministri i Kulturës, Aldo
Bumçi, deputetë, gjeneralë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në
vendin tonë, ushtarakë dhe punonjës të FA, përfaqësues të komuniteteve fetare,
si dhe qytetarë të kryeqytetit.
Ngjarja
Gjatë ditës së djeshme u publikua në media lajmi se Ansambli
i Ushtrisë Shqiptare ka censuruar këngën patriotike "Xhamadani
vija-vija", duke i hequr një nga pjesët më emblematike të saj, pikërisht:
"Sa e madhe është Shqipëria". "Gjithçka ka ndodhur në fund të
dhjetorit të vitit të kaluar, në një koncert zyrtar për nder të themelimit të
100-vjetorit të ushtrisë, në sallën e Pallatit të Kongreseve. Ky fakt, kaloi pa
u vënë re, por gjithçka bëri bujë falë internetit, pasi videoja është
shpërndarë në 'YouTube' dhe ka bërë xhiron e botës", thuhej në media.
Teksa u konsiderua si tronditëse, sqarohej se këngës së kompozuar nga Zef Çoba,
me tekst të Alfred Çapalikut, i qe ndryshuar fraza e refrenit: "Xhamadani
vija-vija, sa e madhe është Shqipëria" me vargun "Xhamdani vija-vija,
është Kosova, është Shqipëria".
Nje nga versionet e tekstit te kenges
Xhamadani vija-vija
e kam një lot pikon si ar
se me shekuj jam shqiptar
e kur malet mi mloj bora
për atdhe kangës ja mora
e kur malet mi mloj bora
për atdhe kangës ja mora
Ref:
Xhamadani vija vija
ësht Kosova o ësht Shqipnia
rreh si zemër qiftelia
oh sa e madhe esht shqipnia
osht një qiell që na bashkon
e një diell që na burrnon
ësht një gjuhë që flasim tane
e një tok që th'rrasim nane
ësht një gjuhë që flasim tane
e një tok që th'rrasim nane
Ref:
Xhamadani vija vija
ësht Kosova o ësht Shqipnia
rreh si zemër qiftelia
oh sa e madhe ësht shqipnia
rrugës sime për shqipri
m'ka përcjell një drin i zi
dhe u nisa për me ardhe
por si vala e drinit t'bardhe
dhe u nisa për me ardhe
por si vala e drinit t'bardhe
Ref(x5):
Xhamadani vija vija
ësht Kosova o ësht Shqipnia
rreh si zemër qiftelia
oh sa e madhe ësht shqipnia
Comments
Post a Comment