Oazet e lirisë së Alush Shimës në komunizëm
Piktori 1 milion dollarësh rikthehet me ekspozitën
“Territore të vogla lirie”, që rrok punën e artistit nga alush shima alush
shima1 alush shimaaaavitet 1968-1973, me rastin e 70-vjetorit të lindjes
Në vitin 1967 piktori Alush Shima realizon tablonë me titull
“Mbreti Skënderbe”, për ta paraqitur në ekspozitën kombëtare të 500-vjetorit të
përkujtimit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Vepra e
tij refuzohet nga komisioni organizator i ekspozitës. Tabloja “Mbreti
Skënderbe” ishte një tablo e veçantë për kanonet e artit të realizmit
socialist, pasi Shima për herë të parë e çmitizoi figurën e këtij heroi, duke e
paraqitur si hero-njeri-princ me veshjen e kohës (shek. XV), i pikturuar në
moment meditimi, i ulur në fronin mbretëror. Është ky një moment shumë i
rëndësishëm në karrierën e artistit, një moment që jo rrallë herë merret si një
pikënisje për piktorin Alush Shima në shumë shkrime e studime rreth tij. Kjo
është dhe pikënisja e ekspozitës që do të çelet nesër në Galerinë Kombëtare të
Arteve me rastin e 70-vjetorit të lindjes së piktorit, titulluar “Territore të
vogla lirie”, që rrok punën e artistit nga vitet 1968-1973. Kjo ekspozitë është
realizuar në bashkëpunim me dy kuratorët dhe kritikët italianë, profesorët
Vanja Strukelj dhe Arturo Calzona, të cilët janë përqendruar në vitet e hershme
të punës së piktorit, sepse këto vite janë të një rëndësie të dyfishtë. Së
pari, në ato vite kultura shqiptare
kaloi nëpër një periudhë të shkurtër lirie për të eksperimentuar dhe së dyti,
janë vitet e formimit artistik të Shimës. Ekspozita do të sjellë punë në të
cilat ndihet influenca dhe dialogu i artistit me pikturën moderniste
perëndimore dhe me autorët kryesorë të saj. “Sipas kritikëve Strukelj e
Calzona, të cilët fillimisht marrin në shqyrtim formimin e shëndoshë akademik
të artistit, Shima e ndërton identitetin e tij në përballje me mjeshtrit e
mëdhenj të artit të së shkuarës dhe sidomos në një marrëdhënie të ngushtë me
pikturën e Braque-ut dhe të Mattisse-it, vepra e të cilëve bëhet për piktorin
shqiptar një terren për t’u eksploruar. Piktura e Alush Shimës është një
sintezë e botëkuptimit modernist me botën e tij individuale dhe familjare. I
ekspozuar fare pak gjatë viteve të regjimit socialist, Shima punoi në
fshehtësi, duke e zhvilluar veprën e tij larg syve të të tjerëve. Veprat në
këtë ekspozitë janë të rëndësishme pasi vijnë për herë të parë para publikut,
duke treguar një mikrobotë të fshehur e shumë interesante që ka ekzistuar
brenda botës së ngurtë kulturore të Shqipërisë socialiste.”- shkruhet në
prezantimin e kësaj ekspozite. Prej vitesh piktori bënte një jetë të tërhequr,
larg vëmendjes mediatike, por dhe ekspozitave, për t’u rikthyer në Galerinë
Kombëtare, që jo rastësisht drejtohet nga pasardhësi i tij Ruben Shima. Disa
vite më parë Alush Shima iu prezantua publikut shqiptar me të parën monografi
shkruar për veprën e tij, pjesën më të madhe të së cilës e krijoi fshehtas në
mes të viteve 1965-1990. Mbi 500 piktura, nga rreth 5 mijë sa janë prodhuar në
atë kohë, janë pjesë e monografisë për veprën e tij, të cilën artisti 70-vjeçar
e ka shkruar vetë. Alush Shima është piktori i parë që hapi ekspozitë personale
në zgrip të komunizmit, në vitin 1989 me 230 vepra të ekspozuara, që mbetet dhe
sot ekspozita më e madhe e çelur ndonjëherë (përsa i përket veprave të
prezantuara) nga një piktor shqiptar. Në monografinë e tij piktori është
shprehur: “Është një periudhë të cilën unë e kam jetuar në një diktaturë ndër
më të tmerrshmet që ka ekzistuar në botë, e cila vazhdoi për 46 vjet. Libri flet
për krijimtarinë time nga viti 1965-1990. Janë përjetimet e mia direkte të
marra nga natyra.” Por Shima ka hyrë në historinë e pikturës shqiptare dhe si
piktori i shitur më shtrenjtë në Perëndim. Një nga natyrat e qeta të piktorit
Shima, me titull “Lulet e shpresës”, 1984, vaj mbi kanavacë, e shitur në vitin
1994 nga piktori me çmimin 17 000 USD, në ankandin e veprave të artit në ShBA,
u rishit me çmimin 1 000 000 USD.
Mapo
Comments
Post a Comment