Beb Shiroka, aktori i roleve të skalitura në kujtesën e kohës

80-vjetori i lindjes

Nga Albert Vataj
Beb Shiroka, padyshim është aktori i roleve të skalitura në kujtesën e kohës, simboli i mishërimit të karaktereve dhe personazheve. Beb Shiroka është më emblematiku i teatrit dhe kinemasë, jo vetëm shkodran por gjithëshqiptare. Rolet dhe karakteret që pasurojnë galerinë e krijimtarisë së tij, mbeten rrezellitëse. Ai mishëroi vetveten, dha pa kursim prej saj gjithçka pati, i’u mëtua nevojës për vlerën skenike me mish e me shpirtë. Edhe në rolet episodike, ai spikat. Dallon prania e Beb Shirokës, magjia me të cilën ai mbushi personazhet që luajti në teatër dhe kinema. Loja virtuoze shëmbëllen aktorin e kultivuar që gjallon rol pas roli nën peshën e vetvetes që reinkarnoi Shiroka. Duke rrëmuar në treguesit e veprimtarisë së tij qëmtojmë se Beb Shiroka pas disa vjet aktivizimi në trupat amatore në vitin 1960 thirret të aktivizohet në Trupën Profesioniste të Teatrit “Migjeni” prej regjisorit asokohshëm, Tefik Duka. Roli i tij i parë do të jetë një rol i dytë në dramën “Nora e Kelmendit”, ku ai do të interpretojë shkëlqyer dhe do ta justifikonte këtë besim.
Kësisoj do të merrte në dorë dhe të injektonte me përgjegjësinë profesionale solin kryesor në dramën “Histori Irkutase”. Rrugëtimin e tij aktorial do të lëshohej hovshëm në kaplimin shumëpjesëmarrës rolesh dhe tipizimesh, karakteresh dhe identitetesh skenike. Plot 150 rolet që skaliti me përgjegjësi të lartë si aktor, do ta bëjnë atë të dashur jo vetëm për publikun shkodran por edhe për atë mbarëshqiptar. Këtu mund të veçojmë interpretimet e tij në komedinë “Çifti i lumtur”, në dramën “Dasëm me Flamur” të dhënë para shqiptarëve në Maqedoni, dramën “Franku i V-të” e shumë të tjera. Në vitin 1998 pasi del në pension shkëputet nga teatri për t’u rikthyer 10 vjet më vonë në vitin 2008 me rolin e Rezarit në dramën “Putargat e thata” të Stefan Çapalikut.
Në mbamëndje duke riardhur kujtojmë se roli i tij i parë në kinema do të jetë ai i Ram Sokolit në vitin 1970 në filmin “Lugina e pushkatarëve”, por roli që do ta bëj atë të pavdekshëm para gjithë artdashësve do të ishte ai i babait fanatik në filmin “Çifti i Lumtur”, në vitin 1975. Më tej do të vazhdonin edhe më se 30 role të tjera të interpretuar me shumë mjeshtëri. Këtu mund të përmendim rolin e xhandar Veselit në filmin “Koncert në vitin 1936” në vitin 1978, rolin e Bajraktarit në filmin “Besa e Kuqe” në vitin 1982, rolin e babait të Bardhylit në filmin “Kur hapen dyert e jetës” në vitin 1986 etj. Roli i tij më i fundit do të jetë ai i Shefit të sigurimit, në filmin shqiptaro-kanadez “Gruaja pa flatra”. Në karrierën e gjatë të tij nuk mund të lemë pa përmendur edhe rolin e tij si skenograf në Teatrin “Migjeni” e lidhur kjo me pasionin e tij për pikturën, duke realizuar për këtë teatër mbi 30 skenografi për shfaqje të ndryshme. Një nga shfaqjet që më shumë lidhet me profesionin e tij si skenograf është komedia “Çifti i lumtur". Për meritat e tij artistike Bep Shiroka është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”. Jo vetëm në skenë por edhe në përditshmërinë e tij, ai shndrit me hiret dhe shtatin, mirësinë dhe kumtin shprehës të një përçuesi energjishë pozitive.                  

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk