Guximi intelektual në kohën e utopisë reale
Libri më i ri “Utopia reale” i publicistit dhe sociologut
Ibrahim Berisha, është ndër librat më interesantë i botuar kohëve të fundit,
për faktin se autori në objektiv të përmbajtjes së tij sjell retrospektivën e
dekadës së rëndë të okupimit serb në Kosovë dhe atë na e risjell suksesshëm në
realitetin e sotëm. Togfjalëshi utopi reale, edhe si realitet, edhe si
paradoks, çuditërisht gjason me të sotmin.
Në këtë libër, Ibrahim Berisha na i fakton të gjitha sfidat
dhe realitetet e skenës politike në Kosovën e viteve 1989-1999, kur shqiptarët
për herë të parë me zërin e tyre autentik dhe institucional “tradhtuan” Lindjen
dhe u orientuan kah Perëndimi, por që në rrugëtimin e tyre për të ndërtuar një
shtet të lirë e demokratik dolën në pah sfida e paradokse nga më të ndryshmet
dhe nga më intrigueset.
Berisha padyshim është njohësi më i mirë i rrethanave
politike në Kosovën e dekadave të fundit. Ai është njëri nga nismëtarët
kryesorë të themelimit të partisë së parë pluraliste, Lidhjes Demokratike të
Kosovës. Ai nuk pranon që të identifikohet si njëri nga themeluesit e saj, pasi
sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka themelues por është themeluar
nga vetë koha dhe fryma kur lindi ajo.
Berisha jo vetëm që pretendon, por edhe fakton se Lidhja
Demokratike e Kosovës si organizatë politike ka frymën dhe origjinën nga
Lëvizja Nacionaldemokratike Shqiptare (LNDSH) e themeluar gjatë Luftës së Dytë
Botërore, e cila edhe sot konsiderohet si njëra nga organizatat më të
konsoliduara politike shqiptare në historinë e pluralizmit politik shqiptar.
Fusnotat që
kanë peshën e teksteve
Personaliteti i autorit të librit “Utopia reale” gjatë gjithë
viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar mbetet i pakontestueshëm, pasi ai
përveç që ishte nismëtari kryesor në themelimin e Lidhjes Demokratike të
Kosovës, është edhe themeluesi i Qendrës për Informim të Kosovës. Edhe pas
tërheqjes së tij të drejtpëdrejtë nga organizimi politik, edhe më tej vazhdoi
të mbetet si njëri ndër personalitetet më të besueshme të Presidentit të
Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe ndër njohësit më të mirë të
filozofisë së tij politike.
Është gabim të besojmë se në këtë libër, autori flet vetëm
për dekadën e okupimit serb në Kosovë. Në fokus të ngjarjeve, autori shtrin
interesat e tij që nga viti 1913 e më pas, kur hija e Perandorisë Osmane i
lëshon hapësirë mbretërisë serbe për të vazhduar dhunën dhe gjenocidin serb
kundër shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë. Fusnotat që i përdor autori në këtë
libër, janë po aq interesante sa vet tekstet. Ai shquhet për guxim intelektual
duke i shprehur opinionet e tij për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur para dhe
gjatë kësaj periudhe.
Berisha nuk mbetet vetëm kronisti besnik i ngjarjeve. Ai nuk
është peng i kontradiktave të së djeshmes, por mbetet ideator i alternativave
politike për daljen e shqiptarëve nga robëria serbe.
Duke tërhequr paralele midis gjendjes së rëndë të shqiptarëve
të Kosovës së viteve nëntëdhjetë, Berisha në të njëjtën kohë tërheqë paralele
edhe për gjendjen e rëndë të shqiptarëve që nga viti 1913, pastaj vrojton të
gjitha pasojat e shqiptarëve nga Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore e në
veçanti nga viti 1947 e deri sot. Duke tërhequr paralelizma interesante, ai
rrënon idetë e autonomistëve të mëvonshëm se rikthimi i Autonomisë së vitit
1974, do të ishte rikthimi i “lirisë” për shqiptarët e Kosovës.
Ibrahim Berisha në librin “Utopia reale” fakton ngjarje e
situata duke krahasuar aksionin e armëve të kryepolicit serb Aleksandar
Rankoviq në vitet pesëdhjeta të shekullit të kaluar dhe bën analogji me
pasardhësin e tij Millosheviq në vitet nëntëdhjeta. Flet për organizatën më të
fuqishme politike të shqiptarëve, Lëvizjen Nacionaldemokrate Shqiptare (1943),
që si për nga programi ashtu edhe nga fryma, sipas tij, ishte identike me
Lidhjen Demokratike të Kosovës (1989).
Ai flet edhe për intelektualin e zventuar shqiptar ndërmjet
hakmarrjes dhe etikës dhe elaboratet serbe për zhdukjen e shqiptarëve, për
helmimin e nxënësve shqiptarë në shkolla dhe vrasjet e dhjetëra ushtarëve
shqiptarë në kazermat e ish-armatës jugosllave, për saltomortalet politike në
Kosovë dhe udhëheqësit e posteve vakante, për alternativat dhe diktaturat, për
disidencën intelektuale dhe organizimin politik, për lirinë dhe humbjen, për
pensionpolitikën dhe alternativat politike, për patriotizmin dhe qytetërimin,
për shqiptarët e paqes dhe të luftës, për fillimin e luftës dhe masakrën serbe
kundër familjes Jashari dhe krejt në fund për Konferencën e Rambujesë dhe
fillimin e sulmit të Aleancës veriatlantike kundër caqeve serbe…
Origjina, idealiteti dhe diskursi politik i Berishës vjen nga
fryma e Lëvizjes Nacionaldemokrate Shqiptare, pjesë e së cilës ishte edhe
familja e tij. Duke tërhequr paralele interesante që nga fundi i Luftës së Dytë
Botërore, ai na i risjell pasojat e kryepolicit famëkeq serb Aleksandar
Rankoviq dhe aksionin për grumbullimin e armëve, të cilin model e instalon edhe
pasardhësi i tij Milosheviq në vitet nëntëdhjeta në Kosovë.
Duke i ikur skemave të tejkaluara, ai i fakton me shifra
dëmet e milicisë serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, të cilat janë njësoj të
dëmshme dhe po aq goditëse në vitet nëntëdhjeta nga pasardhësi i tij
Milosheviq. Në esetë politike të Ibrahim Berishës nuk del në pah vetëm projekti
serb për zhdukjen e qenies shqiptare në Kosovë, por esenca është; të zhduket
inteligjencia shqiptare, pastaj të ndodhë spastrimi etnik.
Dilema e të qenit patriot te popujt e robëruar!
Në këtë libër ka tabllo reale të jetës sociopolitike të
shqiptarëve në Kosovë. Autori tërheq paralele edhe për rrethanat politike të
Kosovës së kësaj kohe, pastaj për raportet e acaruara shqiptaro-serbe, por edhe
për nismat fillestare të shqiptarëve në ndërtimin e marrëdhënieve politike e
diplomatike me faktorin ndërkombëtar në një realitet të ri. Në “Utopia reale”,
faktohen aq mirë injoranca e intrigat, papërgjegjësia dhe nonshalanca
shqiptare. Ndodhin këto edhe në momentet më kritike kur vet shqiptarëve u
rrezikohet ekzistenca fizike.
Strumbullar i zgjidhjes së konfliktit në këtë libër mbetet
organizata më e madhe politike Lidhja Demokratike e Kosovës. Pavarësisht
mangësive dhe përparësive të saj, ai zgjidhë shumë nyja të konfliktit, me të
gjithë aktorët që ishin brenda teatrit të saj, por edhe me të gjithë ata që
ishin mbrapa kulisave. Rrëmuja e krijuar nga vet aktorët e këtij teatri të çon
drejt bindjes tash të argumentuar mirë se këta aktorë jo rrallë kanë dalë nga
rolet e tyre pa dashjen e regjisorit, përkatësisht shefit të organizatës më të
madhe politike shqiptare në Kosovën e viteve nëntëdhjeta.
Duke i lexuar esetë sociopolitike të këtij libri, lexuesi
krijon ndjesinë sikur është duke lexuar ditarin e jetës, por tash në rrethana
të tjera dhe nga një distancë e caktuar kohore. Secili që ka jetuar në Kosovën
e viteve nëntëdhjeta, në një mënyrë gjen veten e tij, më saktë ka mundësinë që
të rikujtojë pozicionin e tij nën kushtet dhe rrethanat e Kosovës së okupuar.
Si edhe në gjithë krijimtarinë e tij e veçanërisht në atë të publicistikës,
Berishën e shquan paanshmëria dhe guximi intelektual, për t’u përballur më
fenomene e sfida dhe pikërisht për këtë ai vazhdon të mbetet autoriteti më i
rëndësishëm i publicistikës shqiptare.
Dilemat në librin “Utopia reale” janë të mëdha dhe ato shtohen
nga pasojat e improvizimeve dhe mjegullnajës politike brendashqiptare dhe
kështu shtrohet “ekstremi i pyetjes: a jam edhe unë patriot”, që siç thotë
autori që “veçmas ashpërsohet te popujt e robëruar…”.
Viteve të fundit janë botuar dhjetëra libra pa vlerë, autorët
e të cilave duke pretenduar se po e faktojnë të vërtetën për lëvizjen paqësore
dhe krahun ushtarak në Kosovë, si dhe të yshtur nga skemat e politikës ditore,
jo rrallë dhe me qëllim e kanë bërë të kundërtën. Shumica nuk e kishin mision
të vërtetën historike, por për mision kishin rrënimin e skelave të ngritura
rreth projektit të pavarësisë së Kosovës.
Libri “Utopia reale” është i rëndësishëm, pasi të imponon të
lexuarit me një frymë dhe kjo vjen si rezultat i guximit intelektual të
shprehur në kohën e utopisë reale.
Comments
Post a Comment