“Hana e Janarit” ndez artdashësit shkodranë



Autori dhe interpretuesi kryesor i dramës, “Hana e Janarit”, Lisander Kola, ka marrë përgëzimet më të shumta nga ana e artdashësve shkodranë, të cilët për të dytën natë me radhë ndoqën shfaqjen e përcjellë në skenën e Teatrit “Migjeni” ne Shkoder.
Jo vetëm gjatë momenteve të interpretimit, por më së shumti, pas saj, Kola, është ndeshur më një sërë vlerësimesh nga më pozitivet, të ardhura këto nga spektatori, por edhe nga pjesëtarët e trupës profesioniste të teatrit Migjeni të Shkodrës.
E veçanta e kësaj drame, siç transmeton BW, është se veta autori që e ka shkruar, Lisander Kola, ndonëse nuk është aktivizuar asnjëherë në skenë, vendosi ta luajë vetë ai personazhin kryesor. Dhe, meritë për një gjë të tillë, në një farë mënyre, ka edhe regjisori i shfaqjes, Fatbardh Smaja, i cili duke dalluar tek Lisandri, elementet perfektë të një aktori, ia kërkoi atij ta merrte përsipër një gjë të tillë.
Dhe, shkrimtari, i cili në karrierën e tij dallohet për nivelin e tij letraro-artistik, e ka kaluar me shumë sukses proven e parë të ngjitjes së tij në skenë, që ndonëse pa diplomën zyrtare, ka spikatur si një aktor me shumë vlera, gjë e cila ka nxjerrë atë dhe regjisorin Smaja të kërkojë për aventura të tjera të këtij lloji në të ardhmen.
Drama në fjalë, në sajë të një skenografie të përgatitur me shumë kujdes nga Hysni Halili, ngjarjet e saj i zhvillon në një mizanskenë duke pasur si të veçantë edhe vendosjen e publikut shumë afër skenes.
Autori aktor, Lisander Kola, që luan rolin e Lukës, duke pasur në krah një aktor të ri të teatrit Migjeni, Emiliano Pali, në rolin e Gjonit, ia arrijnë me sukses të përcjellin tek spektatori një histori të jetes së tyre personale, e cila me zigzaget e saj, përjetohet me emocion nga ana e spektatorit.
“Drama “Hana e Janarit”, është shkruar në variantin gegë, një punë e cila më ka marrë kohë mbi një vit kalendarik”, thotë për ATSH-në, autori-aktor, Lisander Kola.
Sipas tij, mesazhi i kësaj pjese të shkruar prej tij është vendosja e raportit të drejtë në mes individëve, në mënyrë që të emancipohet shoqëria në të gjitha aspektet.
Ndërsa, për regjisorin Fatbardh Smaja, shumë emocionuese është pritja që i bëri publiku kësaj drame dhe në veçanti, Lisandrit, i cili, përkundër vlerave të njohura si shkrimtar dhe dramaturg, tashmë provon edhe rolin e aktorit, të cilin e kreu në mënyrën më të mirë.
Smaja, thotë se ajo që kishin për qëllim që të bënin publikun pjesë të shfaqjes, u arrit në masën e duhur, duke vendosur një bashkëpunim të heshtur të aktorit me publikun. Duke folur në veçanti për Lisandrin, regjisori Smaja, shprehet, se në këtë rol që ai luan, Lisandri i duket si ato autorët e lashtësisë greke të cilët i deklamonin vetë pjesët e tyre në skenë. Dhe, kështu që Alendendra më duket se na sjellë atë kohë në skenën e teatrit Migjeni, jo vetëm me interpretimin, por edhe me portretin e tij, me shkrimin e tij, aq dramatik dhe poetik, si një prozë poetike, të cilën ai e mbarti shumë mirë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk