Thomas Eliot, poeti që farkëtoi brezin
Nga Albert Vataj
Poeti, dramaturgu dhe kritiku amerikan Thomas Stearns Eliot mbush
plot 125 vjet nga lindja. Gjurmët që la në letërsi janë të njëjta që ai la në
botkuptimin e brezit të tij. Vetëm nëpërmjet vetmohimit dhe një pune këmbëngulëse,
ai ka mundur t’ia shkul veten përditshmërisë rutinore për ta bashkuar atë më vërshimin
uturitës të mendimit dhe kumtit krijues.
Thomas Stearns Eliot ka lindur në Misuri, më 26 shtator të
vitit 1888. Ka jetuar në St. Louis gjatë 18 viteve të para të jetës së tij. Gjeografia
dhe ethet universitare do të zhvendosnin atë në Harvardit. Më 1910 u largua nga
Amerika për të shkuar në Sorbornë. Prej atje u vendos në Paris ku qëndroi jo më
shumë se 1 vit. U rikthye në Harvard për të ndjekur doktoraturën në filozofi. Gjatë
qëndimit në Londër u ndikua shumë nga bashkëkohësi i tij Ezra Pound, i cili i
pranoi poezitë e tij dhe arriti t’i botonte në disa revista më 1915. Libri i
tij i parë me poema titullohet “Prufrock dhe vëzhgime të tjera”, i cili pa
dritën e botimit më 1917. Me publikimin e “Tokës së humbur” më 1922, tashmë të
konsideruar nga shumë studiues si vepra më poetike e shekullit të 21,
reputacioni i Eliotit nisi të rritej jashtëzakonisht. Më 1930 dhe për 30 vitet
e ardhshme, ishte figura më dominuese në poezi dhe kritikës letrare, sidomos të
vendeve anglishtfolëse. Si poet, transmetoi tërheqjen e tij për poetët anglezë
të shekullit 17, veçnarisht John Donne dhe poetët simbolistë francezë ku përfshihen
Baudelaire dhe Laforgue.
Poemat që la, në të shumtën e herëve lidhnin zhgënjimin e
brezit të pasluftës me vlerat dhe traditën. Si kritik letrar, Thomas Stearns
Eliot kishte padyshim një ndikim të madh në shijen letrare, duke parashtruar
këndvështrime që bazoheshin në konservatorizmin shoqëror dhe fetar.
Poemat më të rëndësishme të Thomas Eliot përfshijnë
“Frashëri i së mërkurës” (1930) dhe “4 kuartetet” (1943); librat e tij letrarë
dhe shoqërorë përfshijnë “Druri i shenjtë” (1920), “Dobia e poezisë dhe e
kritikës” (1933), “Pas perëndive të habitshme” (1934) dhe “Shënime drejt një
kulture të përcaktuar (1940). Eliot ishte gjithashtu edhe një krijues dramash,
si “Vrasësi në Katedrale”, “Ribashkimi i familjes” dhe “Festa e koktejit”. Ai u
bë qytetar anglez më 1927; në shtëpinë botuese Faber@Faber botoi mjaft nga
veprat e tij dhe më pas u bë drejtor i saj. Pas një martese të palumtur, Eliot
u divorcua nga gruaja e tij e parë më 1933 dhe më pas u martua me Valerie Fletcher,
më 1956. Tomas Eliot ka marrë çmimin Nobel për Letërsi më 1948. Vdiq në Londër
më 1965. Tre vjet përpara se poeti të ndërronte jetë “The New York Times” do ta
intervistonte atë në apartamentin e një të afërmi. Gjatë këtij rrëfimi thellësisht
të çiltr, Tomas Eliot kumton se të shkruante poezi kishte nisur që në moshën 14
vjeçare, nën frymëzimin e Omar Khajam. Krijimtari e cila mbeti vetanake dhe personale.
Mund të themi se këto strofa të zymta dhe ateiste ikën bashkë me adoleshëncën. Tentativa
të këtilla do të vijonin edhe më pas, por vetëm përvoja e Harvardit do të behnin
tek ai nëpërmjet “shpërthimeve të viteve të rinisë”. Megjithatë, për të nuk
ishte e lehtë të ecje, të shënjoje. Ai rrëmoi dhe konsumoi shumë letërsi dhe
shumë poetë, përvoja dhe tradita, shkolla dhe tendenca të ndryshme. Kësisoj po
ndjente nevojën se po rendte, po rritej, por kumtonte Eliotin që do të njihte
shumë shpejt gjithë letërsia, kryesisht ajo e vendeve anglishtfolëse. Miqtë dhe
të njohurit, këmbëngulja e tij dhe puna vetmohuese, do të ndikonin në farkëtimin
e personalitetit krijues.
Nga personat që do të hynin pa trokitur në jetën dhe
botkuptimin krijues, që do të dirigjonin këtë harbim emocional krijues, ishte
Ezra Pound, i cili i’a kishte lejuar vetes të vinte dorë mbi poemat e Eliot,
duke e përligjur këtë me: “Nuk ka kuptim të përpiqesh të bësh diçka që e ka krijuar
dikush tjetër. Bëj diçka ndryshe më mirë”. Është fjala për poemën “Toka e
humbur”. Eliot qartësoi më vonë rreth këtij episodi, por më shumë rreth kësaj
poeme, për të cilën u shigjetua nga kritika e asokohëshme, duke u cilësuar si “zhgënjimin
e një brezi të tërë”. Ai e kishte mohuar të ketë qënë qëllim në vetvete kjo
trajtesë. “Kam folur për qëllimet negative më shumë se për ato pozitive, për të
thënë se nuk ishte qëllimi im ky. Pyes veten se çfarë do të thotë “qëllim”,
kishte kumtuar. Njeriu kërkon të heqë nga kraharori diçka që e pengon. Ai nuk e
di mirë se çfarë është ajo që dëshiron të heqë nga kraharori, derisa e heq më
në fund. Por nuk mund të përdorja fjalën “qëllim” pozitivisht te ndonjë nga
poemat e mia”, shtoi Eliot gjatë intervistës.
Tomas Eliot shquhet njëherash për injektimin e poemës në
teknikën e vargjeve të lira, çliruar nga metrika, nga përkufizimet dhe
precizioni, vrastare të rrjedhshmërisë së impresionit dhe vërshimit emocional.
Ai e shpëtoi shpirtin e tij krijues nga kufizimi. Tatpjetën e këtij vërshimi
uturitës e la të lirë, pra i dha me pash atë që rregullat dhe normat i’a kishin
mohuar në pafundësi.
Një nga metodat e punës krijuese, ndoshta e veçme përnga
dialektika e praktimit ishte se ai poemat i krijonte të copëzuara, për t’i trupëzuar
më pas në një të vetme. “Burri i rremë” është një syresh i këtillë, sendërtuar
kësisoj.
Makina e shkrimit do të ishte bashkëudhëtare në pjesën më të
madhe të punës, por kjo nuk do të thotë se ai la mënjanë laps e letër. Jo, një
pjesë e madhe e dramës sime “Burri i moshuar i shtetit” është krijuar me laps
dhe letër, pa finesë, tregonte ai. Për ta hedhur më pas në makinë shkrimi, para
se bashkëshortja t’i hidhte një sy. Ky proces natyrisht që shoqërohej me
ripunim të një pjese të rëndësishme të tekstit. Kohëzgjatja prej 10 orëve të
punës në ditë për të është optimale, por Eliot mbetet te kufizimi i këtij
limiti kohorë në 3 orë, e mjaftuesh kjo për të nxjerr prej vetes diçka të bukur.
Ndërmjet poemës dhe dramës, Eliot konstaton mjaft pika të përbashkëta.
“Në një poemë mund të thuash “I mora ndjesitë te fjalët brenda vetvetes. Tashmë
kam barazinë e fjalëve brenda zërit tim, që është shumë e rëndësishme. Në dramë
mendon për fillimin, kur arrin ta realizosh atë, kur përgatit diçka që do të
shkojë në duart e një tjetri, që ti nuk e njeh kur je duke shkruar. Sigurisht
që këto nuk janë momente kur të dyja afrimet mund të mos puqen, kur them se
ideale do të ishte po të qaseshin. Të dyja janë në vetvete një” parashtronte Thomas
Eliot.
Në rrugëtimin e përsosjes së punës krijuese në dramë ai ia lë
në dorë precedentit. Për të ishte rëndësishme të kishe një të tillë. Për të gjëja
më e rëndësishme është të kishe një producent që ka ndjesinë e vargut dhe mund
t’i udhëheqësh ato në rrugën e duhur, që t’ia nisësh nga proza dhe t’i
ndërlidhësh së bashku në qasjet e tyre.
Gjithsesi ai ishte dhe mbeti poet. Ngado që hodhi vështrimin
dhe la gjurmë, nuk u nda nga fjala poetike, si në kritikë ashtu edhe në dramë,
si në botkuptim ashtu edhe në mëmuar, të cilin shfletojmë sot. Për të
prioritare e një poeti ishte të kritikojë në detaje krijimin fillestar, dhe s’andejmi
të hidhje vështrimin tej në një horizont që e shquan kjartësisht dhe në një të
përditshme që e ndjek në çdo hap dhe e përgjon në krejt frymëmarrjet e saj.
Megjithatë për të nuk kishte gjë më të keqe sesa të përpiqeshe të formoje
njerëzit nga ana kulturore, sipas imazhit tënd. Poetët nuk thirren në kushtrim
nëpërmjet një formule, një perimetri të përcaktuar sipas një mëtimit të
personalizuar. Krejçka është në lëvizje, vërshuese dhe e pandalshme, mendimet
dhe kumtimet duhet të jenë gjithashtu përshkuese të këtij rrugëtimi rrapëllitës,
ligjëronte ai.
Comments
Post a Comment