KOLOSËT E RREMË BRENDA VETES


Mark SIMONI

1. Nëpër rrugicat me kalldrëm të qytetit tim të lindjes, gjithë fëmijërisë sime mbaj mend të sillej një njeri i çuditshëm që s’do ta harroj kurrë. Me mjekër të gjatë deri në brez, me një palë rroba allosoj që s’dihej se nga ç’kohë vinin, ngarkuar me trasta të rënda plot gurë, me shpatë të ndryshkur ngjeshur, vetmitar, i brengosur, gjithë trishtim, ndrysh nga gjithë njerëzit e kësaj bote. Por ajo që vazhdon të më çudisë dhe sot e kësaj dite nga ai njeri nuk janë as petkat e tij, as mjekra e gjatë dhe shpata e vjetër. Mbaj mend se, kur kalimtarët e fyenin apo e merrnin nëpër këmbë, ai krejt i bindur bërtiste me zë të lartë se qe “Mbreti i Arabisë”. Nuk e di se ç’mund të ketë qenë ajo dallgë, ajo krisje, ai rreng, ajo dalldi, që ka prishur zemrekët në kokën e tij, që ia ka mbrapshtuar dhe bërë rrokopujë gjithë inventarin e memories. Ç’imazh influent i është sjellë përfytyrimeve të tija të sëmura për t’i mbushur mendjen se ai s’qe gjë tjetër veçse “Mbreti i Arabisë”. Cila përrallë e ka marrë në qafë, ç’kalorës ka kaluar turravrap në përfytyrimin e tij dhe e ka thirrur për në vende të largëta e toka të panjohura.
Servantesi ka pesë shekuj që na e ka dhënë matricën për të kuptuar dallditë kalorësiake. Don Kishoti i tij është më klasiku që rend pas aspiratave të mëdha, misioneve të papara, figurave. Dhe nuk kam asnjë dyshim që personazhin e fëmijërisë sime e kanë marrë në qafë dhe e kanë luajtur mëndësh pikërisht fantazia dhe dëliri, Madje, jam i bindur se vetëm e vetëm ata kanë qenë mallkimi i tij nga të cilët ka ardhur çmendimi.
Një patologji e tillë e rëndë ka mundësinë më të madhe të dëmtojë, së pari, krijuesit e dobët, me fantazi të sëmurë dhe mitomani të fortë. Realiteti paralel i jetës së tyre virtuale pushtohet nga modelet që ato do të kishin dëshirë të ishin (shkrimtarë të mëdhenj, artistë me zë, krijues të famshëm). Dhe vjen pastaj një çasti (dekiku fatal) kur ata i besojnë sindromit të tyre, nisin të sillen si të rëndësishëm, krejt të bindur se janë pikërisht ata që e bëjnë letërsinë e artin dhe askush tjetër.
2. Moti dhe kontinenti qe i ftohtë, bënte dimër. Me një makinë të vogël e rrangalle, që gulçonte vazhdimisht, me ca miq po shkonim për në Lindje. Anash rrugës iknin qytete e peizazhe vendesh që i patëm lexuar vetëm nëpër libra. Bullgaria dukej bosh, rrugët e saj qenë shkretëtirë. Pas qindra e qindra kilometrash udhë, më në fund, në një shesh të Sofjes, diku pranë kishës Shën Sofi na zunë sytë njerëz. Megjithëse kruspulluar e mbledhur nën kapotat e tyre, ata silleshin e bubërronin si në rit rreth ca tezgash garravaçe e mjerane. Mbi to, sistemuar e palosur me rregull, stema, distinktivë, medalje të vjetra. O Zot, po shiteshin. Për herë të parë kuptova se edhe stemat e medaljet mund të shiteshin. Në sfond të këtyre stemave padyshim që kishte ngjarje e histori të ndryshme, (të lavdishme apo dhe mizore). Në ato tezga të vogla shiteshin e bliheshin histori njerëzish, ngjarje gjithfarëlloj. Kujtesa kolektive pati dalë në treg. U mundova të krijoja një ide se ku kishin përfunduar njerëzit që i patën mbajtur mbi gjoks këto dekorata. Ndoshta të vdekur, harruar, mbase lëngonin në shtretër të ftohtë, vetmuar në qoshe pavijonesh, rënë në luftëra të lavdishme, ashtu si dhe mundej, të vdekur për gazep si vetë krimet që patën bërë ndaj të tjerëve. Qe e lodhshme të shkoje me imagjinatë pas historisë së secilës prej dekoratave.
Mes tërë atyre kureshtarëve që silleshin në të ftohtë rreth tezgave kishte turistë që vizitonin për të parën herë Lindjen, koleksionistë, studiues të heraldikës, modelistë, blerës antikuarësh, piktorë që punonin instalacione, rekuizitierë filmash e teatrosh, nostalgjikë, heronj në tentativë që mendonin se për pak kishin mbetur pa marrë a fituar medalje, të tjerë që mendonin se i kishin merituar medaljet dhe tashmë pati ardhur koha që ëndrra e tyre të realizohej, ta kishin të varur në gjoks lavdinë e mohuar.
Ndenjëm gjatë aty përreth, deri sa mbërritën valë-valë mitomanët. Erdhën dhe i blenë të gjitha, edhe stemat, edhe medaljet, edhe distinktivët, bashkë me historitë e ngjarjet, dhe, pasi i futën nëpër qese, ikën. Jam i sigurt se të nesërmen nëpër rrugët e qytetit duhet të kenë vërshuar gjithë krekosje blerësit e medaljeve, mbushur gjokset e tyre me lavditë e të tjerëve. Miti pati gllabëruar ndërgjegjen e blerësve, sindromi i modelit se si ata kishin dëshirë të ishin, i pati pushtuar.
Mirë thotë Jungu, kur flet për imazhet e paqena, (por që shikohen njëherësh nga të gjithë), duke na përmendur e kujtuar “halucinacionet kolektive”.
3. Në një këngë elegante labe, me një stil fin, me një ekonomi dhe kursim fjalësh, me në humor inteligjent thuhej:

“Halil Shanoja prej Dorave,
Na qave kokën, na qave,
Edhe një gjerman që vrave,
Qe i vrarë, Pa ti e vrarë.”

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk