Shpallen çmimet letrare “Penda e argjendtë”



Shkrimtari Ylljet Aliçka është vlerësuar me Çmimin Kombëtar Letrar ne Shqiperi “Penda e Argjendë ”, për veprën e tij “Valsi i lumturisë”, në gjininë e romanit. Ndërkohë, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, ka paralajmëruar se nga viti i ardhshëm nuk do të ndahen çmime në shumë gjini por të jepet vetëm një çmim për veprën letare më të mirë shqipe të vitit, që do të përzgjidhet nga një juri kritike profesioniste, e pavarur nga zyrtarët e Ministrisë.
Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka mbajtur sot ceremoninë e ndarjes së çmimeve kombëtare letrare 2012. Veprat fituese të Çmimeve Letrare “Penda e argjendtë” për vitin 2012 janë ndarë në tetë kategori.
Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për romanin në vitin 2012 është shpallur autori Ylljet Aliçka për botimin “Valsi i lumturisë” .

Ylljet Aliçka duke pranuar çmimin 
Ky çmim i është dhënë me arsyetimin për ironinë e spikatur dhe përsosjen e saj deri në grotesk dhe imazhet e gjalla në rrëfim të kapërcyellit të kohërave.

Fitues i çmimit për tregimin më të mirë i është dhënë autorit Ardian-Christian Kyçyku për vëllimin me tregime “Perla” me motivacionin për kërkimin, guximin dhe përputhjen e kënaqësisë së shkrimit me kënaqësinë e leximit.

Fitues i çmimit për poezinë në vitin 2012 ka shkuar për vëllimin poetik “Një ballkanas në Londër”, i autorit Rudolf Marku për për imazhet e gjalla dhe të veçanta, për ironinë dhe humanizmin e thellë.

Për veprën debutuese fitues është shpallur Darien Levani me romanin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”. Juria ka vlerësuarsë në këtë roman autori ka bërë rrëfim elegant.

“Penda e argjendtë” për veprën më të mirë të përkthyer ka shkuar për vëllimin “Delfini” të autorit Robert Lowell, të përkthyer në shqip nga Parid Teferiçi. Ky vëllim është çmuar për mjeshtërinë e sjelljes në shqip të poetikës së një prej autorëve më të rëndësishëm amerikanë të shek. XX.”

Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për kritikën në vitin 2012 është shpallur vepra kritike “Don Kishoti shqiptar”, e autorit Ali Aliu për aventurën e një leximi të ri të letërsisë shqipe.”

Për esenë më të mirë është vlerësuar autori Uran Butka për veprën eseistike “Kristo Kirka” . Ai është vlerësuar për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare.
Në fushën e Letërsisë për fëmijë është vlerësuar autori Thanas Jorgji për 12 romanet “Unë jam Kronosi-mbreti i kohës” ku autori ngërthen aventurat , gëzimin dhe mençurinë fëmijërore.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, gjatë fjalimit në këtë ceremoni, ka paralajmëruar se nga viti i ardhshëm nuk do të ndahen çmime në shumë gjini
"Duke filluar nga viti tjetër jemi të mendimit që me fondet publike dhe në emër të një politike kulturore që duhet të nxisë cilësinë letrare, do të jepet vetëm një çmim për veprën letare më të mirë shqipe të vitit, që do të përzgjidhet nga një juri kritike profesioniste, e pavarur nga zyrtarët e Ministrisë", ka thënë Kumbaro-Furxhi.

Mirela Kumbaro-Furxhi, ministre e Kulturës e Shqipërisë 
Ajo ka shtuar se vlerësime stimuluese të fushave të ndryshme të krijimtarisë dhe kritikës letrare dhe nisma nxitëse do të shtjellohen gjatë vitit në një kalendar letrar që do të shenjojë momente të ndryshme siç është dita botërore e librit, dita botërore e përkthimit, Panairi i librit.
Kumbaro ka paralajmëruar se viti 2014 do të jetë padyshim një vit me risi dhe politika nxitëse për krijuesit e letrave, autorët dhe përkthyesit. Ajo ka shtuar se në një vend të vogël, artistët dhe krijuesit nuk mund të lihen të përballen vetëm me lojën e tregut, ata nuk mund të mbijetojnë në një treg pa rregulla loje për artin.
Juria e përbërë nga kryetari Visar Zhiti dhe anëtarët Dhurata Shehri, Bardhyl Londo, Flutura Açka dhe Romeo Çollaku më herët kishte publikuar kandidaturat për çmimet kombëtare letrare për vitin 2012 duke marrë në shqyrtim prurjet letrare të vitit të shkuar, përmes bashkëpunimit me Bibliotekën Kombëtare, me libraritë, botuesit duke ndjekur Panairin e Librit, mediet, por edhe nga komunikimi me lexuesit.
Në bazë të rregullores së çmimeve letrare dhe dispozitave të saj të përgjithshme në këtë garë kanë pasur të drejtë të përfshihen vetëm veprat e autorëve shqiptarë brenda Republikës së Shqipërisë.
Gjatë këtij shqyrtimi është konstatuar se gjinia e romanit nuk ka pasur kulme për vitin 2012, madje rënie, po kështu dhe letërsia për fëmijë, kurse përkthimi i letërsisë botërore në gjuhën shqipe ka njohur zhvillime dhe larmi të admirueshme. /KultPlus.com

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk