Ard Islami: "O sa mirë", seriali që po i bashkon shqiptarët
Ard Islami
Seriali “O sa mirë”, që është duke u prezantuar në kanalin T, deri më tash ka xhiruar 12 episode dhe 12 të tjera pritet t ë xhirohen gjatë muajit nëntor. Ard Islami, njëri nga skenaristët ka thënë për “KultPlus”, se janë duke shqyrtuar mundësinë e futjes së personazheve nga Mali i Zi, Presheva dhe Çamëria, pasi që ky serial ka thyer kufijtë ekzistues për ti mbledhur shqiptarët nga të gjitha anët në një serial të vetëm
Ardianë PajazitiKultPlus: Jeni një ndër skenaristët e serialit “O sa mirë”, që është duke u transmetuar në “DigitAlb”, prej nga ideja që në një seri të mblidhet pothuajse i gjithë kombi shqiptarë?
Ard Islami: Në fakt, ideja ishte e producentit Fisnik Vejsa. Unë isha i pari që ai kontaktoi. Më kujtohet kur tha "Duhet të shkruajmë një projekt për “DigitAlb". Unë shkrova disa ide dhe së bashku erdhëm në përfundim që definitivisht duhet të shkruajmë një serial. Unë fillova të mendoj për një serial me staf më të vogël, gjithmonë për shkak të kostove, mirëpo Fisniku në bashkëpunim me drejtorin e programeve të DigitAlb , Agim Poçarin erdhën në përfundim që stafi duhet të zgjerohet, pa marrë parasysh koston e projektit, dhe kështu fillova të shkruaj një serial të bazuar në një përrallë imagjinare e cila sot është realitet dhe zë një vend të veçantë në kanalin T.
KultPlus: E keni pas vështirë deri te finalizimi i konceptit, qoftë me idenë, qoftë anën regjisoriale e deri te transmetimi?
Ard Islami: Katër episodet e parë i kam shkruar gjatë qëndrimit tim në Holandë për një specializim për Kompozim të Muzikës Klasike, dhe kjo më mori vëmendjen thuajse plotësisht dhe njëherësh e vështirësonte procesin. Ngase të shkruash nga një vend tjetër, e të mos jesh prezent në proces, me të vërtetë është një gjë e vështirë. Ndërsa sa i përket regjisë, në këtë drejtim ishim rehat, sepse tani më kisha punuar mjaftueshëm me regjisorin Ilir Bokshi dhe ky ishte i vetmi regjisor tek i cili mund të besonim.
KultPlus: Është edhe një bashkëskenarist i këtij seriali, si i keni ndarë punët, me troje apo me ide?
Ard Islami: Po, ai është Erijon Kame. Unë shkruaj episodin në tërësi dhe ia dërgoj Erionit. Ai më pas intervenon tek pjesa e personazheve të Shqipërisë, dhe krejt në fund ma dërgon mua përsëri dhe nëse gjithçka është në rregull vazhdojmë me atë episod, mirëpo, ka momente ku ndihma e aktorëve mund ta ndryshoj komplet skenën.
KultPlus: A është e vështirë të fusësh në një episod të vetëm dialektet dhe batutat e rajoneve?
Ard Islami: Është e vështirë, mirëpo në të njëjtën kohë është po aq e lehtë. Shembull, gjatë procesit të provave ne njihemi me karakteristikat e personazhit dhe vetëm veprojmë në bazë të atyre karakteristikave. Ne shkruajmë në gjuhën standarde dhe aktorët i kthejnë në zhargonet e tyre.
KultPlus: Keni pas konsulta më të hershme me persona të vendeve të ndryshme për tu pasuruar me fjalor, apo si ia dilni kësaj përmbledhjeje?
Ard Islami: Kryesisht ky serial është ndryshe nga serialet vendore, ngase nuk është i bazuar në përçmimin e stereotipeve nga fshati, apo perçmimeve të ndonjë personi me aftësi të kufizuara, qofshin ato psikike apo fizike. Është serial me humor të lehtë, i bazuar në jetën e përditshme dhe herë pas here në keqkuptime. Pra, është serial i bazuar në komedinë e situatës.
KultPlus: Deri më tashti, cili personazh del të jetë më i këndshmi, duke u bazuar në gjuhën dhe sjelljet e tij?
Ard Islami: Definitivisht Olta Daku ( profesoreshë e Fizikes), Jeton Zogjani (Drenicaku) Kushtrim Qerimi (Llapjani) dhe Xhevdet Jashari (Tetovari) duke mos iu futur ne hak të tjerëve.
KultPlus: Ju sapo keni filluar me këtë serial, e keni të kontraktuar se deri në sa episode do të transmetohet?
Ard Islami: Nuk besoj se do të ndalet. Jo së shpejti.
KultPlus: Kanë përfunduar xhirimet, apo janë në vazhdim e sipër?
Ard Islami: Dymbëdhjetë episodet e para kanë përfunduar. Tani po shkruaj dymbëdhjetë të tjera që do të fillojnë të xhirohen nga mesi i nëntorit.
KultPlus: Ju njiheni si aktorë, cila punë është më e lodhshme, të jesh para apo prapa kamerave?
Ard Islami: Vështirë të përgjigjem.
KultPlus: Ju keni qenë shumë i këndshëm me rolin e Ukshinit në “Tre Gjermanët e trashë”, pse nuk e pa vetën në serinë “O sa mirë”?
Ard Islami: Po ia qëndise vetit një rol solid. Mirëpo më primare e kemi futjen e disa personazheve të tjerë siç janë nga : Mali i zi, Presheva pse jo edhe ndonjë çam.
KultPlus: Dhe për fund, nëse do të bëje një krahasim me serialet e deritanishme dhe këtij të fundit “O sa mirë”, si do ta rangoje këtë të fundit?
Ard Islami: Është serial që ka për qëllim bashkimin e shqiptarëve në një vend. Dhe nuk ka vend më të mirë se DigitAlb dhe si i tillë është seriali i vetëm në të cilin ndihem shumë më mirë se në çdo projekt tjetër. Edhe pse seriali “Tre Gjermanët e Trashë” ishte diçka shumë i veçantë për mua./KultPlus.com
Comments
Post a Comment