Molieri, komediani heretik
Jean-Baptiste Poquelin-Molier (15 Janar 1622 - 17 shkurt
1673)
392 vjet më parë lindi Molieri, themeltari i komedisë
franceze, mendimtari dhe humanisti, dalzotësi i atributeve të shëmbëllimit të
vlerës, doktrinës teatrore të cilën ai e ushqe me pasion të shpenguar dhe
vullnet flakadan. Formëzimi i zanafillon në të ashtuquajturin “shekull i artë”.
Me disa të tjerë që njëmendeshin me mendimin, filozofinë dhe botëkuptimin e tij,
vuri themelet “Teatrit mbretëror”. Në këtë ndërkohje ai u vetëpagëzua me atë emër,
me të cilin e njohim edhe ne sot, Molier. Në atëkohje ushtronte në të njëjtën
kohë detyrën e aktorit, regjisorit, drejtuesit të trupës dhe autorit të teksteve.
Të gjallët e tij nuk nënkuptohej tjetërkund veç teatrit, më të cilin u lidh
mish e shpirt. Ai kishte behur jo si një rastësi në botën e komedisë, në
shtjellën përpirëse të një epoke që përkundej në grahmat e agonisë dhe
shterrimit. Hovi vetëtimthi dhe brofi ndryshimtar dhe fillimues. Shkallmoi
muret e larta të rregullave dhe u lëshua plot energji dhe zell, harbueshëm. Duke
i shpërthyer rregullat e ngurta të doktrinës klasiciste autor-aktor-regjisor,
në emër të arsyes e të logjikës së shëndoshë, krijoi komedi, e cila godiste çdo
ves ose shfaqje negative të kohës dhe të njeriut në përgjithësi. Përmbledhazi
ai ishte një dalzotës i pashoq i fateve të udhëkryqta dhe vlerave të zhgitura nëpër
kthinat e mykura të kohës në agoni. Temat delikate që trajtonte, i nxirrnin
shumë telashe në jetë. Për shembull, vënia në dukje e hipokrizisë së klerit tek
Tartufi, e detyroi ta përpunonte tri herë tekstin për ta shpëtuar nga censura,
ndërkaq guximin për ta shfaqur me çdo kusht para publikut, e pagoi me
shkishërim.
Teatri i Molierit është i veçantë, origjinal dhe krejt i
ndryshëm nga ai i bashkëkohësve të vet, Kornejit e Rasinit. Molierin nuk e
shqetësonte shumë ideja e respektimit të rregullave të ngurta të klasiscizmit.
Para se gjithash, ai dëshironte “t’i pëlqente publikut” dhe për të “kjo është
rregulla e madhe e të gjitha rregullave”. Sipas tij komedia duhet ta bëjë
spektatorin të vetëkorrigjohet duke qeshur. Kjo cilësi u quajt katarsis komik.
(d.m.th. të pastohesh shpirtërisht nëpërmjet së qeshurës).
Veprimi komik në veprat e tij rrjedh natyrshëm, shpejt dhe
me tensionime. Kjo karakterizohet jo vetëm me situatat e freskëta komike,
kthesat e papritura dhe kontrastet e ashpra, por edhe me dialogun e gjallë e
shumë dinamik. Me mjeshtëri Molieri krijon atmodferë të nxehtë, të shkaktuar
nga veprimet dhe pasionet e personazheve sipas mënyrës së të folurit dhe
pasioneve të tyre i nënshtrohen plotësisht idesë kryesore: përqeshja dhe
demskimi i ashpër i së keqes shoqërore dhe triumfi i drejtësisë. Veprat më të
njohura të Molierit mbahen: Tartufi, Don Zhuani, Mizantropi, Kopraci dhe
Borgjezi fisnik.
Molieri mbetet një krijues i madh i ndërtimit të
karaktereve. Një pjesë e mirë e tyre jo vetëm që i kanë qëndruar kohës, por
janë shndërruar në emra simbolikë. Dhe kjo është një arritje e madhe e artit të
Molierit, i cili atë që mori nga jeta, ia riktheu asaj me gjenialitetin e vet.
Së bashku me Shekspirin, Molieri është pa dyshim një nga dramaturgët më të
mëdhenj e më popullor botërorë.
Kopraci: Në komedinë Kopraci Molieri demaskon me forcë të
madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet kopracinë, që ishte tipar
karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja
shumë negative. Herpagoni koprac e fajdexhi jeton në ethen e parave. Ai ka
humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të
fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Herpagoni mbetet një nga
figurat më negativë, antipatikë e qesharake njëkohësisht, që ka krijuar pena e
Molierit.
Albert Vataj
Comments
Post a Comment