12 tiranët më të mëdhenj të historisë
E mërkurë, 23 Prill 2014 11:58
Dionisi i Sirakuzës (430-367 para Krishtit)
“Njeriu
më i mjerë që qeveris shtetin më të trishtë”, kështu e përshkruan
filozofi Platon, pasi e ka njohur personalisht (dhe pasi ishte shitur
nga ai si skllav), Dionisin e Sirakuzës, tiranin më të fuqishëm të botës
greke. Ishte kaq i pamëshirshëm sa që, Aristidhi i Lokrit, të cilit
tirani i kishte kërkuar dorën e së bijës, ishte përgjigjur që do të kish
preferuar më mirë ta shihte të vdekur. Dionisi, si reagim urdhëroi që
të vriteshin të gjithë bijtë e tij, por përsëri Aristidhi nuk pranoi t’i
japë të bijën.Dionisi i Sirakuzës është konsideruar prototipi i tiranisë, (si kundërvënie ndaj demokracisë). Ishte gjithashtu një prej të parëve viktima të dokumentuar të të ashtuquajturës “paranojë e pushtetit”: thuhet që nuk lejonte askënd, as edhe fëmijët e tij, që të hynin në dhomën e tij pa u kontrolluar më parë, as edhe të përdoreshin gërshërët për të prerë flokët: majat e flokëve i digjte me qymyr të ndezur.
Perandori i devijuar Commodo (161-192)
Aq sa babai Mark Aureli ishte bujar dhe shpirtmadh, aq edhe i biri Commodo ishte mizor. Shumë shpejt filluan të qarkullojnë zëra që ai ishte bir i një gladiatori. Një prej gjërave që dëshironte të bënte më shpesh, në fakt, ishte të zbriste në arenë i veshur si gladiator, e të vriste aty kafshë të llojeve të ndryshme, por edhe njerëz (të cilët i përzgjidhte më parë mes calamanëve, më të dobtëve apo më pak të stërviturve) si dhe të detyronte senatorët të thërrisnin “Ti je padroni, i pari, më fatlumi i të gjithëve. Ti fiton dhe do të fitosh”.
I pëlqente ta krahasonin me heroin legjendar Herkulin, aq sa bëri që të shfaqej në monedha dhe në statuja me pamjen e gjysmëperëndisë. I pakënaqur, ndërroi emrin e Romës në Kolonia Commodiane dhe përdori epitetet e tij për t’u vënë emrat muajve të kalendarit. E kalonte kohën mes tavernave dhe bordellove (thuhet se kishte një bordello me 300 gra dhe 300 të rinj) dhe vriste këdo që i ngjallte antipati. Mbi të gjitha mes senatorëve.
Mizori Selimi I (1465-1520)
Nëse i biri, Sulejmani, ishte për të gjithë “I Madhërishmi”, babai i tij Selimi hyri në histori si Mizori. Aq i dhunshëm, sidomos me funksionarët e tij, saqë mallkimi më i zakonshëm mes turqve ishte “u bëfsh Vezir i Selimit!” Në fakt, gjatë mbretërimit të tij Sulltani ndërroi shtatë vezirë të mëdhenj, duke ua prerë kokën njëri pas tjetrit. Nga pikëpamja e pushtetit të tij, mizoria e shfaqur e ndihmoi: në fakt ai arriti të pushtojë më shumë toka se çdo paraardhës i tij, duke e bërë perandorinë otomane një fuqi botërore. E nisi me dëbimin e babait, Bajazitit dhe vrasjen e dy vëllezërve, Ahmetit dhe Korkutit, të dy më të mëdhenj se ai. Veç kësaj, ftoi në Stamboll të afërmit meshkuj që i kishin mbetur dhe i mbyti. Pasi e pastroi terrenin nga familjarët, iu kushtua armiqve: duke u shpallur mbrojtës i ortodoksisë fetare, vrau me dhjetëra-mijëra, duke iu kundërvënë sidomos safavidëve të sheikut Ismail, që konsideroheshin pasardhës të Muhamedit.
Meri gjakatarja Meri I e Anglisë (1516-1558)
Në emër të ortodoksisë katolike urdhëroi djegien në turrën e druve të 283 “heretikëve”. Deri kur në vitin 1556 urdhëroi djegien të gjallë të peshkopit Cranmer, fajtor se kish lejuar divorcin e të atit, Henriku VIII. Një ashpërsi që nuk pajtohej aspak me mëshirën kristiane. Por me historinë personale të Meri Tudor, trashëgimtare e fronit të Anglisë, ndoshta po. Bijë e vetme e Henrikut VIII dhe Katerinës së Aragonës, ajo u zbrit nga rangu i princesësh në atë të Zonjës për arsye se babai donte një trashëgimtar mashkull. Megjithatë, në moshën 37-vjeçare arriti të hipë në fron dhe të martohej me Filipin II, mbreti i ardhshëm i Spanjës, shumë më i ri, një njeri i dhënë pas femrave dhe shumë pak i tërhequr prej saj. Mbeti dy herë shtatzënë por bëhej fjalë për shtatzëni histerike. Atëherë iu dedikua rivendosjes së fesë katolike, duke adoptuar metodat e inkuizicionit spanjoll, që i kishte të njohura për shkak të të shoqit, por krejt të papranueshme për anglezët: që në fund u bënë vendosmërisht protestantë.
Kalifi Al-Hakim (985-1021)
Kalif i Egjiptit kur ishte vetëm 11 vjeç, e rrezoi shumë shpejt paraardhësin e tij, eunukun Barjuvan, duke e vrarë. Ishte i pari i një serie të pafundme “spastrimesh” me anë të të cilëve vendosi pushtetin e tij absolut dhe arbitrar. Duke qenë shiit, ai persekutoi të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët sunnitë duke shkatërruar kisha, konfiskuar toka, ndaluar rite heterodoksë dhe duke arrestuar këdo që nuk falej ashtu si thoshte ai. Arriti deri aty sa në 1009 shkatërroi Kishën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, simbol i krishterimit.
Ndaloi birrën, mjaltin, bastet, muzikën dhe shahun dhe u ndaloi grave të dilnin nga shtëpia, madje edhe të shfaqeshin në dritare. Kush nuk zbatonte dënohej me vdekje. Veç kësaj, u vetëshpall perëndi dhe shfuqizoi sharian, Ligjin e bazuar në Kur’anin, duke zëvendësuar praktikisht Allahun: kjo ishte shumë për myslimanët. U zhduk në mënyrë misterioze, por mendohet që ndoshta e ka vrarë e motra.
Kamzhiku aziatik Tamberlani i Madh (1336-1405)
Timur-i Leng, domethënë Timuri i Calë (për shkak të një plage që kish marrë i vogël, teksa përpiqej të vidhte një dele) konsiderohej trashëgimtar i Genghis Khanit dhe ndërmori pushtimin e tokave të Azisë Qendrore me metoda të pamëshirshme: në qytetet që pushtonte urdhëronte ngritjen e piramidave me kokat e armiqve të vrarë. E bëri këtë në Herat (Afganistani i sotëm), pasi vendasit ishin rebeluar ndaj pushtimit: fytyrat e të vrarëve duhej të ktheheshin nga rruga për të treguar se çfarë i priste ata që i kundërviheshin dominimit të tij. Dhe e bëri në Bagdad, ku urdhëroi çdo ushtar që t’i sillte koka armiqsh, me të cilat ndërtoi 120 kulla.
Si mbrojtës i Islamit sulmoi Indinë, por këtu pësoi një pritë. Tamberlani reagoi në mënyrë të pamëshirshme dhe urdhëroi vrasjen e të gjithë të burgosurve hindu: 50 mijë viktima. Ngriti në të katër skajet e Delhit piramida me koka njerëzish: njëra me burrat, tjetra me gratë, tjetra me të moshuarit dhe tjetra me fëmijët.
Cari sovjetik Stalini (1878-1953)
Emri i tij i vërtetë ishte Josif Visarionovic Zhukashvili, ai ishte një prej krerëve të revolucionit bolshevik dhe mori pushtetin pas vdekjes së Leninit. Emri i betejës ishte Stalin (i hekurt). I gjithë drejtimi i pushtetit prej tij u shenjua vetëm nga eliminimi politik dhe shpesh herë fizik i kundërshtarëve. Mes viktimave të famshme ishin udhëheqësi Trocki, i mërguar në Meksikë dhe i eliminuar nga një vrasës me pagesë. Por, çmimin më të lartë e paguan vetë qytetarët sovjetikë. Stalini ndërtoi një sistem pushteti të bazuar në dyshimin, spiunimin dhe eliminimin e disidentëve apo armiqve të mundshëm. Në vitet tridhjetë urdhëroi vrasje dhe internime në masë drejt Siberisë si dhe organizoi procese farsë që shkaktuan, në vitet 1935-1950, 700 mijë të vdekur. Kujdesej personalisht për statistikat e të vdekurve dhe të internuarve dhe u besonte torturat dhe marrjet në pyetje njerëzve të tij më besnikë. Por ishte pikërisht frika se mos tradhtohej që ushqente terrorin e tij.
Fyhreri i Rajhut Adolf Hitleri (1889-1945)
Emri i tij është sinonim i shfarosjes, luftës, represionit. Por edhe i paranojës. Pas grushtit të shtetit të dështuar në vitin 1923, dhjetë vjet më vonë fitoi zgjedhjet me një program antikomunist, antisemit dhe nacionalist. Në vitin 1933 mori detyrën e krijimit të një qeverie të re nga presidenti i Republikës. I ardhur pra në pushtet me miratimin e shumicës së gjermanëve (partia naziste mori 37.8% të votave), Hitleri nuk i mbajti asnjëherë të fshehta idetë e tij, të cilat i vuri në zbatim në mënyrë sistematike. Fillimisht duke u lënë dorë të lirë fanatikëve që (nën shembullin e këmishëzinjve të Musolinit), përdornin dhunën kundër kundërshtarëve. Më pas duke planifikuar shfarosjen e hebrenjve, romëve, homoseksualëve dhe kujtdo që nuk hynte në kategorinë e “racës ariane”. Vetëm genocidi i hebrenjve u mori jetën 6 milionë vetëve, të vrarë në kampet e përqendrimit.
Papa Doc Francois Duvallier (1907-1971)
E vështirë të mendosh që Doktor Duvalier, aq shumë i dashur nga pacientët e tij, do të shndërrohej në tiranin më të pamëshirshëm të një vendi, Haitit, që diktatorë kishte njohur shumë tashmë. Ndërsa Papa Doc, populist dhe filoamerikan (propozohej si ledh mbrojtës antikomunist) ia arriti në 1957, duke mbetur i mbërthyer pas pushtetit deri në vdekjen e tij. Natyra e tij e vërtetë u zbulua shumë shpejt. Dëshironte të shfaqej si hyj (vishej me të zeza si Baroni Samedi, ruajtësi i varreve vudu) dhe rrethohej nga Tontons macoutes (milicia vullnetare për sigurinë kombëtare) të frymëzuar nga figura popullore e gjigantit që fut në një thes fëmijët e këqij. Skuadronet e tij të vdekjes vranë dhe torturuan 30 mijë vetë. Por kulti i tij i personalitetit anohej edhe nga krishterimi: shfaqej në postera në krah të Jezusit që, me një dorë në supin e tij thoshte: “Këtë kam zgjedhur”.
Shfarosësi i kuq Pol Poti (1925-1998)
“T’i mbash nuk ka asnjë dobi, t’i eliminosh nuk sjell asnjë humbje”: me këtë moto, sipas të cilës për të realizuar shoqërinë komuniste ishin të mjaftueshëm një apo dy milionë persona, kamboxhiani Pol Pot, “Shoku numër 1” i Kmerëve të kuq (forcat luftarake komuniste), kryeministër me pushtet absolut eliminoi mes viteve 1975 dhe 1979 të paktën një milionë e gjysmë bashkëkombës (mbi të gjitha gra dhe të moshuar), afro një e treta e popullsisë së Kamboxhias. Vdiste kush nuk punonte mjaftueshëm, kush lutej, pasi feja ndalohej, kush nuk zbatonte rregullat dhe të gjithë intelektualët, që njiheshin sepse mbanin syze. Këtyre u shtoheshin edhe eksponentët e partisë që dyshoheshin për tradhti. Mizoria e torturave nuk kishte kufi: Kmerët e kuq detyronin të burgosurit e tyre që të hanin gjymtyrët e tyre dhe i vrisnin me shkopinj të burgosurit për të “mos çuar dëm plumbat”.
Gjenerali argjentinas Jorge Rafael Videla
Janë quajtur desaparecidos (të humburit), pasi nga ata nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Se si u eliminuan mbi 30 mijë vetë, përfshirë shumë studentë, të dyshuar se kryenin veprimtari pak të pëlqyeshme për juntën ushtarake që ishte vendosur në Argjentinë në vitin 1976, kryesuar nga gjenerali Videla, nuk dihet me siguri. Dihet që shumë prej tyre u hodhën në oqean nga avionë në fluturim, dhe se të gjithë pësuan tortura të cdo lloji (shkarkime elektrike në organet gjenitalë, përdhunime, thyerje kockash) aq sa programi i represionit që përdoret për të eliminuar çdo formë kundërshtimi quhet në spanjisht guerra sucia “luftë e pistë”.
Pas rënies së regjimit, në 1985 Videla u gjykua për zhdukjen e mijëra qytetarëve gjatë presidencës së tij. Pavarësisht një faljeje në 1990 ai është sot sërish në burg.
Raisi iraken Sadam Huseini (1937-2006)
Ishte padroni absolut i Irakut që nga 1979 deri në 2003 (kur u rrëzua nga koalicioni anglo-amerikan). Në ndërkohë bëri gjithçka që ta kishin frikë, por edhe ta urrenin. Sapo mori pushtetin, Sadami burgosi dhe ekzekutoi 66 funksionarë të partisë. Vazhdoi duke pushkatuar çdo kundërshtar, në një valë paranoje në rritje (mbante gjithmonë një jelek antiplumb dhe rekrutonte sozi që ta zëvendësonin në takime publikë). Për të siguruar supremacinë në Gjirin Persik sulmoi Iranin e ajatollahut Khomeini, ndërkohë që në 1988 bombardoi me gaz shumë fshatra kurdë, duke dëbuar gjysmë milion vetë që banonin aty. Kur në 1990 vendosi të pushtojë Kuvaitin ishte tashmë i urryer nga të gjithë. U kap në 2003 dhe u ekzekutua me varje në 2006, pas një dënimi të një gjykate speciale irakene.
Comments
Post a Comment