Uilliam Shekspir, shkreptimta më dritëlëshuese në qiellin e dramaturgjisë
Nga Albert Vataj
Më i madhi i të mëdhenjve të dramës
Letërsia pa Shekspiri është si një akuariumi pa peshq. Edhe
pse të kjo letërsi do të kishte të gjithë adhurimet, ajo do të ishte e pajetë,
në të munguar të tij. Krijimtaria e Shekspirit është përkthyer në një numër
rekord gjuhësh, duke e bërë atë të përbotshëm në miklimin e sedrës estetike dhe
kungimin e shpirtit artistik. Një harlisje e këtillë krijimtarie u kërcënua
disa herë, pas vdekjes. Gjithashtu mungon ose hallakatet mes pasaktësishë
informacioni për lindjen dhe vdekjen e Shekspirit. Dijenxënja dhe kaplimi
befasues letrar, babziti orekset e një armate dashakëqinjshë, e një morie
përfituesish prej anatemimit të këtij mendimtari gjenial, duke vënë në dyshim
autorësinë e kryeveprës që skaliti me kaq pasion dhe përkushtim.
Përgjatë karrierës krijuese, ky gjeni i letrave pjesëmerr në
zhanre të ndryshme të dramaturgjisë, duke përfshirë komedinë, romancën,
tragjedinë dhe historinë. Ai qëndron në portat e shekujve si kremtuesi i vetëm
i botkuptimit të njeriut dhe pushtetit, i pasionit dhe besimit, i këndimit dhe
kushtrimit, i forcës së jetës dhe filozofisë së vetflijimit. Askush nuk ka
depërtuar me thëllë në vetëdijen e gjeneratave, kulturave dhe botkuptimeve, sa
ai.
Shkëlqimtari i botës viktoriane
Shekspiri mbamendet të jetë një nga shkrimtarët më të
mëdhenj të Rilindjes evropiane dhe një nga viganët mendimtarë më të fuqishëm që
lindi kjo epokë. Shekspiri ka rrëmbyer skeptrin e sundimtarit në botën e
dramaturgjisë dhe letërsisë të të gjithë kohëve. Krijimtaria e Shekspirit
karakterizohet nga madhështia e dimensioneve të saj, me gamën e mendimeve dhe
gjerësinë e pazakonshme të mesazheve. Dramat e tij dallohen për
shumëllojshmërinë e tipave, situatave, personazheve, epokave, popujve,
mjediseve shoqërore dhe skutave më të thella të personalitetit dhe karakterit
të njeriut të sekushëm në këtë botëjetim. Kjo begati e imagjinatës, tempi i
shpejtë i veprimit, forca e pasioneve të paraqitura dhe tensioni i personazheve
të caktuara, janë tipike për epokën e Rilindjes.
Burimet e frymëzimeve të Shekspirit janë larushitëse në kohë
dhë në perimetër, në shtresëzime dhe në shëmbëllime. E nëse ka diçka të
huajtur, ai e ka përvetësuar duke rijetësuar në atë kurm krejçka mendja dhe
pasioni i tij orvateshin të përsosnin në aktin sublim të krijimit.
Artin antik grek dhe ai romak, Rilindjen italiane dhe
traditën popullore të dramaturgjisë angleze ishin zgafellat e thella ku ai
rrëmoi ngadhnjyeshëm për të nxjerrë së andejmi diamantet magjike të tragjikes
dhe komedisë, të romancës dhe historisë. Janë këto diamante, gurët më shndritës
në gjerdanin e visareve estetike të njerëzimit.
Shekspiri është origjinal dhe i vetmi për sa i përket
përdorimit të gjuhës, lloj-llojet dhe pasurimet e ligjërimit artistik. Begatia
e jashtëzakonshme e gjuhës së përdorur nuk qëndron vetëm në numrin tejet të madh
të fjalëve dhe të shprehjeve, por edhe në llojshmërinë e nuancave shprehëse. Në
veprat e tij gjejmë një shumësi shprehjesh, proverbash dhe fragmentesh të
këngëve popullore, sikundër s'mungojnë rrekje të vezëllimta të kujtesës magjike
të klasikëve.
Ajo që e përshkon si një fill kreçfarë përbën veprën e
Uilliam Shekspir është karakteri demokratik dhe humanist. Me një realizëm të
mprehtë dhe kritik ai trajtoi idetë përparimtare të Rilindjes dhe ushtroi një
ndikim të pamohueshëm në letërsinë evropiane. Dishepuj dhe shëmbulltarë të
Shekspirit behin të shumë në dalldinë e solemnitetit, ku u përkund kjo përvojë
befasuese. Krijues të vendeve të tjera, të cilët kungojnë këtë shpirt në
shtatin e dramaturgjisë së vendeve të tyre, do të vënë si gurëthemelet e dramaturgjive
të veta kombëtare, siç bënë Lesingu, Gëte, Shileri, Hygoi, Pushkini etj.
Keqtrajtimi dhe anatemimi
Një kapërcim kaq i hovshëm në qiejt e famës dhe sundimin e
kreut nuk mund të kishte dakordësi dhe të rrokte admirim te rivalët, ashti si
tek artdashësit. Andaj priremi të hamendim se ky kolos, në pamundësi për tu
mbërritur, të goditej me qëllesë dhe anatemë.
Të shumta janë vragët në të vdekur të tij, por përplasja e
një gjeniu mes pasaktësisë së datëlindjes dhe datëvdekjes, është një nga
çorollepsjet që kanë qëlluar me gurë diellin e tij, kujtojmë saora,
hamendësimet anatemuese, se ai nuk është autori autentik i veprës që la në
fondin e artë të letërsisë botërore.
Informacione të ndryshme që orvaten të dritëlëshojnë një
panoramim të jetës dhe veprës së Ulliam Shekspirit, ngecin në baltën e
pasaktësive, pa mundur të shkojnë larg me "vërtetësitë" e tyre.
Kësisoj, datëlindja e dramaturgut në burime të shumta është 26 prill 1564. Kjo
datë është e pagëzimit, sipas regjistrave të kishës. Burime të tjera mbeten të
ngulmëta për datën 23 prill, si datëlindja e saktë e poetit dhe dramaturgut të
madh. Datëvdekja gjithashtu është e pasaktë. Ceremonia mortore e kishës ku i'u
dha lamtumira mjeshtrit të madh, është 5 prill 1616, ndërsa ne na është
servirur 23 prilli si datëvdekje. Nuk duam të besojmë se janë të qëllimta,
sikundër e papajtueshme mbetet ecejaket në këtë qorrsokak.
Krijimtaria në zanafill
Është ende e turbullt deri m'tash se kur ka filluar
Shekspiri të shkruaj. Ndërkohë që radhitja e veprave të shkruara njihet vetëm
përafërsisht. Sa ishte gjallë mjeshtri i madh, publikoi vetëm 8 nga 37 dramat
që sot njihen si testamenti i tij krijues. Po ashtu ekzistojnë ndarje të
ndryshme të krijimtarisë së Shekspirit. Më e shpeshtë është ajo që klasifikon
në tri peridha: faze e hershme, që njëherit është edhe faza më e frutshme e
veprimtarisë së tij, e mesmja dhe e vonshmja.
Për herë të parë Sonetet e Shekspirit u publikuan më 1609,
edhe pse disa prej tyre ishin shkruar shumë më herët, para vitit 1598. Kjo
është një nga përmbledhjet më të mira me sonete të Rilindjes dhe përmban 154
poezi. Motivi themelor që përshkon tërë përmbledhjen është ai i kalueshmërisë
së kohës, e cila fluturon pamëshirshëm dhe merr me vete shumësinë e gjërave të
mira dhe të bukura, duke shkatërruar e brejtur gjithçka dhe duke sjellë
pleqërinë. Shekspiri i cili gjatë jetës së vet ishte i njohur sa si poet, aq
edhe si dramaturg, famën e tij të mëvonshme e përftoi ekskluzivisht falë
dramave të tij gjeniale.
Galërinë e këtij shërbestari të patëdytë të letërsisë e
përbëjnë: "Hamleti", "Romeo dhe Xhuljeta", "Henriku
IV", "Makbeth", "Shumë zhurmë për asgjë", "Nata e
dymbëdhjetë", "Mundimet e kota të dashurisë",
"Othello", "Antoni e Kleopatra", "Simberlini",
"Përralla dimërore" dhe "Stuhia". Askush nuk ka mundur të
rrënjëzohet kaq harlisur në kujtesën e njerëzimit sa veprat monumentale të
këtij kolosi, të mendimit dhe kumtimit.
37 janë veprat që përplotësojnë kolanën e tij, prej të cilave, 13 tragjedi, 10
drama dhe 14 komedi.
Shekspiri përdori rreth 20 mijë unitete gjuhësore ndërkohe
qe fjalori aktiv i njeriut te epokës nuk përmbante me shume se 1500 fjalë.
Kishte një gjuhë jashtëzakonisht te gjallë dhe te pasur. Përdorte neologjizmat,
lojërat e fjalëve dhe fjale me shum kuptime.
Tragjeditë e Shekspirit
Në tragjeditë e tij Shekspiri krijoi një galeri të pasur dhe
të larmishme me karaktere e personazhe, komplekse, të gjalla, vepruese dhe
bindëse për të gjitha shtresat e shoqërisë. Autori hyn thellë nën botën e tyre
të brendshme, duke bërë analiza psikologjike të jashtëzakonshme të veprimeve, e
të sjelljeve të tyre. Të gjitha këto ai i jep me një larmi të madhe mjetesh
kompozicionale dhe stilistike, me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur, me rreth
njëzetë mijë fjalë, plot me proverba e shprehje popullore. Një nga emblemat e
tij ne tragjedi është "Romeo dhe Zhulieta" (1595).
Për herë të parë në një tekst dramatik paraqiten personazhe
plotësisht të individualizuara dhe të gjalla, në zhvillim shpirtëror fizik. Kjo
është një dramë me një përmbajtje të theksuar lirike.
Subjekti i veprës është shumë i thjeshtë dhe në qendër të
tij vendoset dashuria e dy të rinjve, të cilët iu takojnë familjeve Kapulet e
Montag që janë në hasmëri me njëra tjetrën. Për shkak të këtij dashuria e tyre
pengohet dhe ndalohet. Por është dashuria forca kryesore lëvizëse e intrigës
dhe pasioni kryesor që i ndërlidh ndjenjat. Skenat kur dialogojnë dy të
dashuruarit janë shprehje të fuqishme dashurie, me pasazhe të mrekullueshme
lirike, të cilat e bëjnë Romeon e Zhulietën të thuhet se është himni më i madh
kushtuar dashurisë rinore. Vdekjen e tyre në fund të tragjedisë është një
kambanë e zëshme kundër botës së mykur mesjetare dhe alarm për mbrojtjen e
dashurisë, si forcë jetëdhënëse.
Kapërthimi i epërm i gjenialitetit
Në përputhje me ndryshimet e mëdha shoqërore në kapërcyll të
shekujve, rreth vitit 1600, vjen një kthesë e madhe në krijimtarinë e
Shekspirit dhe ai kthehet të ashtuquajturave "drama problemeore"
Tragjedia e parë e kësaj periudhe, Hamleti, është shprehje e atmosferës së re
intelektuale e shpirtërore të kohës, një lloj refleksi i dëshpërimit politik
dhe i frikës nga e ardhmja e shtetit në prag të vdekjes së mbretëreshës
Elizabetë.
Tragjedia Makbethi: për shumëçka nuk është dramë e
zakonshme: personazh kryesor është kriminel, ngjarja pothuaj e tëra ndodh
natën, elementet mbinatyrore kanë një rol mjaft të madh, dhe është një tragjedi
më e shkurtër e shkruar nga Shekspiri. Tema e saj është fitorja e së keqes mbi
njerëzimin, e shprehur përmes veprimesh të motivuara nga ecja për pushtet dhe
nga frika. Makbethi dhe gruaja e tij me vetëdije zgjedhin të keqen dhe kryejnë
aktin që drejton gjithë rrjedhën e mëtejme të jetës së tyre: nga dëshira për
t'u ngjitur në fron, vendosin ta vrasin mbretin e ligjshëm, Dunkanin. Krimi e
izolon shpirtërisht Makbethin nga rrethi i tij. Mbetet i braktisur, i vetmuar
dhe gjithnjë ndjen shkretëtirën në shpirt. Ai ka vrarë, por jo në fushën e
betejës. Subkoshienca e tij tronditet në themel dhe ai s'mund të jetë ai më që
ka qenë. "Makbethi vrau gjumin e pafajshëm" Kjo është fraza që dëgjon
ai nga nënvetëdija dhe që e çon atë në çmenduri. Ndërsa Ledi Makbethi,
mishërohet natyra e gruas egoiste, e pamëshirshme për pasuri e lavdi dhe për
fronin mbretëror. Është ajo e para që e shtyn në krim të shoqin duke e bërë
vegël e ambicies së vet të sëmurë. Fillimisht shfaqet tepër gjakftohtë, por
deri kur? Njëlloj si i shoqi fillon të vuajë nga vegimet e krimit, që i shfaqen
në formën e njollave të gjakut. Ideja e fuqishme e kësaj tragjedie është se
etja për pushtet e shtyn njeriun humbjen e çdo virtyti dhe vlere morale, për të
cilën një ditë ai merr shpagimin e merituar. Uilliam Shekspir, ky ishte, është
dhe do përjetëjetojë si më e epërmja gjendje shëmbëllimi dhe përjetimi,
frymëmarrja e densitetit të lartë dhe vërshimi i limfës.
Comments
Post a Comment