Albert Vataj: Poezia, njajo goditje, njajo gjendje e amullt ku gjegjesh i përhumbun me e kap njeriun në toksoren e tij t'hyjshme
Albert Vataj
Ju ka ndodh me u gjind i shtangun, ndërsa rrekesh me
shëmbëlly gjithçka e gjithkah që shpërfaqet para andjes tande rastësore, si një
përfytyrim i vagullt, si një përsiatje në jetësimin e cakut ku pahesh tjetërsi
me vedin. Si pa kuptu ke humbun drejtpeshimin me realitetin dhe turravrap e
kërkoni atë në një dimension etern. Rrahjet e zemrës kanë shtu revanin, tue u
kredh në yshtjen e një hazdije t’ndërkryme. Limfa ju vërshon nëpër vena si
llava në damarët e tokës, tue gatit nji shpërthim të mnershëm.
Nuk ngihesh me frymë, anipse ballas të është ngasun nji
horizont, përmasat e të cilit vetëm dëshirimi i zotnimit mundet me i vu nën
fre. Mendimet t'uturijnë në autostradat e stuhishme të nervurave trunore,
sinjale drite dhe zjarrin marrin e japin në këtë ngulm për të përshku çastin e
andje, si përshkimin e galaskive ende të pazbulume.
Nga buzet, prej shpuzës që përflaken, zvargen tinguj dhe
pëshpërima të nënzëshme, t’cilat vetëm n'shfrimin e nji puthje pasiononte
munden me u shu zjarmie që i djeg. Nëpër gishta, rrufe mendimesh mprehin
shigjetimet që shpërndajnë terrin e ngurimit. Prej syve t'shkëndijnë dritëza
magjepsëse ku përthyhet një gjendje meditative që eshket prej densitetit dhe
kërkon sumbulla vese me shue etjen.
Asht një përhumbje qi guxon me depërtu thellë në pranin
tande mish e shpirtë, si magjë e ngjizjes së shkreptimave krijuese, për me
nxjerr prej adej shkulme drite përfytyrimesh hyjnore, qi kaplon njaja gjendje e
vetvetishme, e cila mbytet prej hezitimit dhe rutinores.
Je gjend picak kësaj mësymje ti zotkrijues. Ju ka goditun
një ndjenjë, e cila tue t’përshku me një rrymë t’tanin gjithsi je, mundet me u
kthy n’nji shndritje që s’pahet po ndihet, n’nji melodi qi t’përkund si ninull
n’prehna t’ngroht e miklime amësore sysh, qi t’kotin n’paqtim e tamëltat t'i
bajnë krejt çastet ku cyt.
Asht poezia, njajo goditje, njajo gjendje e amullt ku
gjegjesh i përhumbun me e kap njeriun në toksoren e tij t'hyjshme. Asht
gjithçka qi vjen me t'mrekullu, me t'dhan t'tjer sy me pa botën, tjetër zemër
me ndi ritmin e dëshirës që t'bulon në buzë si nji puthje tinzare.
Albert Vataj
Comments
Post a Comment