Jeronim De Rada, poeti i kumbimeve profetike
Nga Albert Vataj
Jeronim De Rada ishte poeti i kumbimeve
profetike brenda panteonittë letërsisë botërore, shqipkumtuesi i zëshëm i
vlerave evropiane, dritëlëshuesi mbi terrin e kahershëm të kumteve shpirtërore
të arbrit. Pak ditë të shkuara kaluam një kremte të shënuar për letërsinë
shqiptare, për arbëreshët dhe gjithçfarë ka skalitur në historinë tonë periudha
e Rilindjes, përfaqësues i së cilës ai mbetet më i spikaturi. Ishte 200-vjetori
i lindjes së Jeronim de Radës (Girolamo de Rada), poeti, publicisti,
folkloristi, filologu dhe mësuesi, themeluesi i letërsisë dhe i kulturës
arbëreshe. Ai lindi më 19 nëntor 1814 dhe vdiq më 1903.
"Mësues i Popullit" jetoi dhe
kontribuoi kësisoj. Rrugëtimi i gjatë iveprimtarsë së tij të paepur pikënisi në
vitin 1834, asokohe kur De Rada ndodhej në Napoli me studime. Më 1848, nxori të
parën gazetë shqiptare, të titulluar "L'Albanese d'Italia". Kjo
gazetë u bë tribun i mendimit dhe pikëpamjeve të tij për ngjarjet e kohës.
Dështimi i revolucionit më 1848, shënon një krisje të thellë në themelet e
kësaj shtatoreje të idealeve të mëdha. Asokohe mbyll "L'Albanese
d'Italia". Me një barrë të rëndë zhgënjimi u tërhoq në fshatin e tij të
lindjes, deri në fillim të viteve ‘60 të shek. XIX. Një erë e re për De Radën
nis më 1861, periudhë kur ai shfaqet i përtërirë dhe me energji të mëdha, një
zë jehues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pas traktatit "Parimet e
estetikës" më 1861, ai rivjen me një vepër po kaq të zëshme,
"Lashtësia e kombit shqiptar", 1864 dhe "Rapsodi të një poeme
arbëreshe" 1866, kumte të cilat luajtën një rol të rëndësishëm për
propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me
patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirës të
Shqipërisë dhe vlerave të saj të patëdyta. Ndoqi me interes të gjallë ngjarjet
në Shqipëri. Pikë kulmore për rolin e këtij veprimtari atdhetar është përkrahja
që ai i dha më 1878-ën Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke ngritur zërin
fuqishëm kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar
gjithashtu mëtoi për interesat e epërme të çështjes kombëtare nëpërmjet
revistës "Flamuri Arbrit", botuar prej tij në jetësimin ndërvitas,
1883-1885. Në "Testamentin politik" të 1902-it shprehu optimizmin për
të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës së Italisë ndaj
atdheut të të parëve.
De Rada gjithashtu ka një kontribut të çmuar
në fushën e studimeve gjuhësore. Gjurmët e tij janë të plazmuara fuqishëm në
mendimin e kohës për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke
kumtuar dhe mbrojtur energjikisht zanafillën e lashtë të tyre. Jeronim De Rada
është nga të parët studiues vendas të strukturës gramatikore të shqipes. Në të
dyja veprat gramatikore që hartoi më 1870 dhe 1894 vuri në dukje aspekte të
patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore
të pastudiuara ose të panjohura deri asokohe. Në veprat e tij gjuhësore jepen
të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për
një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe
të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja
diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Radës duhet përmendur edhe
organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari 1895 në Koriliano
Kalabro, i dyti 1897 në Lungro. Dha me vetëmohim mësimin e shqipes në Kolegjin
arbëresh të Shën-Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë, gjersa vdiq u shua
për të mbetur një "Mësues i Popullit, një Rilindas i madh i çështjes
Kombëtare Shqiptare.
Mjaft e gjerë është edhe veprimtaria poetike e
De Radës. Nisi të botojë që herët, por shkrimi që i solli famën si poet me
talent të shquar është poema lirike-epike “Këngët e Milosaos” (1836), vepra e
parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës është
historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Autori nuk
kufizohet me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të rinjve;
në vepër kumboi ideja e detyrës ndaj atdheut dhe e gatishmërisë për të luftuar
për mbrojtjen e tij. Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga
rrethet aristokratike të Shqipërisë së shekullit XV është edhe në qendër të
poemës “Serafina Topia”, mbi të cilën poeti punoi në vitet 1839-1843. I
pakënaqur nga puna e tij, De Rada këtë subjekt e rimori në poemën “Pasqyra e
një jete njerëzore” (1898) duke e zgjeruar dhe duke trajtuar në të një
problematikë më aktuale për kohën, luftën kundër pushtuesit otoman. Vepra më e
rëndësishme e De Radës është “Skënderbeu i pafan”, të cilën e mbajti në duar
një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe
poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të
qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës. Ndonëse nuk ka
njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në
shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë
të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të
egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve,
dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen
nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse. Heroi kombëtar
shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me
mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare
të pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe
trimëria e shqiptarëve. “Skënderbeu i pafan” është kryevepra e De Radës dhe në
të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër
i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme
të heronjve, të mendimeve e të ndjenjave më të thella e më të fshehta të
njeriut. Si poet, sidomos në “Këngët e Milosaos”, De Rada u çmua lart edhe nga
rrethet letrare evropiane.
Jeronim De Rada luajti gjithpoaq një rol
dritonjës në historinë e letërsisë shqiptare. Ishte nistori i veprës letrare me
frymë kombëtare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i
madh. Tradita poetike e shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në
letërsinë e sotme arbëreshe.
Fundi i tij i trishtë
Jeronim De Rada, njëri prej përfaqësuesve
kryesorë të elitës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, inspiruesi kryesor e
autoritar i intelektualëve arbëreshë të kohës, kumtohet se u nda nga jeta
trishtueshëm në një varfëri që "guxoi" ta persekutonte në vitet e tij
të vështira të moshës së thyer. Mbamendet se atij i erdhi vdekja duke e gjetur
të mbërthyer përbindshëm nga një skamje lemerisëse. Ai mbylli sytë si një
virtuoz i mendimit dhe kontributit atdhetar, anipse nën hijen e mrrylët të asaj
skamje që duket se ia afroi më shumë varrin shtratit ku tretej ai kurm i
shterrun mishi, por zemërzjarr e pendëmprehtë.
Njerëzit që iu ndodhën më pranë ditën që iu
“shua qiriu i jetës”, shtangën të habitur kur në xhepat e këtij intelektuali të
spikatur, në vend të të hollave, u gjet vetëm një cironkë e tharë në tym. Një
absurditet që mund të matet vetëm me vetveten, sepse me personalitete si De
Rada mund të nderohet e krenohet çdo komb, në mos për patriotizmin e kulluar që
ai shpalosi, së paku për majat e larta që arriti si poet, si gjuhëtar, si
pedagog e jurist. Tash në 200-vjetorin e lindjes iu dedikua një çmim me emrin e
tij nga organizatorët e Panaritit të 17 të Librit "Tirana 2014",
trofe që e meritoi shqipshkruesi më i qenësishëm, Ismail Kadare. Një mirënjohje
dinjitoze dhe ftesë për ridimensionim të vlerave të këtij atdhetari dhe gjuhëtari,
poeti dhe publicisti, folkloristi dhe filologu, mësuesi e themeluesi i
letërsisë dhe kulturës arbëreshe, vjen nëpërmjet botimit të kolanës së plotë të
veprës së tij. Gjithkjo, për të ardhur dhe mbetur për gjeneratën një figurë e
pasqyruar dritës së dijes. “Ishte një profet i të ardhmes së Shqipërisë” mëton
për De Radën, Ismail Kadare. Shqipja dhe e hershmja e shqiptarëve të rizbuluar
prej tij i detyrohen këtij predikuesi të pashoq të vlerave evropiane të tharmit
Arbënor.
Comments
Post a Comment