Kuteli dhe shkollat e verifikimit të letrares




Nga Behar Gjoka
Kapërcimi i sprovës së rileximit të prozës kuteliane, në kohë dhe këndvështrime të ndryshme, jep shtysë për të ndjerë dhe përthithur ngjizjen e veçantë letrare të saj. Nëse proza e këtij shkrimtari do të interpretohej me një të rënë të lapsit, pra lehtësisht, atëherë me siguri rrezikohet që magjia shkrimore e tij, si prani e letraritetit dhe si esencë unike,  do të shkërmoqej dhe pluhurëzohej. Dihet, gjithnjë simbas teorive letrare, se paprajshmëria e leximit, interpretimit, shqyrtimeve disaplanore, ka jo pak gjasime receptimesh, pa të cilat është e vështirë që të dekodohet dhe shijohet si vlerë artistike. Ndërmjet gurgullimave përthithëse, nisur nga teoria e parashtrimeve dhe përshtypjeve të mësipërme, mund të përveçohen disa qasje:
E para: Ta largojë vlerësimin e prozës, përfundimisht dhe pa pikën e drojës, deri në skajshmëri prej botës fluide dhe marroke, çfarë plazmon autori si mesazh dhe parafytyrim, në shkrimin letrar, e sidomos me prozëshkrimin, ku lëvrohen të gjitha llojet letrarë.
E dyta: Ta prishë dhe shkatërrojë, përgjithësisht të gjithë realitetin e projektuar letrar, në mënyrë të veçantë dhe në varësi të rrethanave jashtëletrare, të cilat megjithatë e bëjnë edhe më të domosdoshëm komunikimin me artin e Kutelit.
E treta: Ta dhunojë përvojën shkrimore, pamëdyshje veprën letrare, me njollat e shumta biografike, e bindur se po kryen një verifikim normal, bazuar kryesisht në tipologjinë e vështrimit monografik, kinse përmbyllës të qëndrimit ndaj një vepre apo një shkrimtari të caktuar.
E katërta: T'i avitesh përngjitas dhe tepër ngushtësisht, ndërkaq me ftohtësinë dhe akullësinë e shkencëtarit dogmatik, gjithsesi me kundrim të dukshëm akademik, kinse po ia nxjerr bakrin principeve letrare.
E pesta: T'i qasesh tekstit letrar vetëm si realitet letrar i vetvetishëm, të strukturës dhe formës, stilit dhe shprehësisë letrare, që pamëdyshje në këtë hapësirë nënkupton edhe vështrimet kulturologjike apo eseistike.
Mëkatet e pamatshme të teorisë (së gjithë kohërave), nëse mundet të emërtohen kështu, padyshim letrare në shpjegimin e natyralitetit specifik të artit, (e cila ka jo pak raste që edhe e shkatërron letraren, siç shprehet pak më herët, Xh. Culler), janë të vetëkuptueshme, madje ka gjasa të jenë vetë thelbi i ekzistencës së letrares. Pashpjegueshmëria, e artit dhe e letërsisë ka më shumë mundësi të jetë vetë kufiri i ekzistencës së magjisë së fjalës letrare. Nëse do të shpjegohej magjia, pra tërësinë e elementëve të thadrimit të artit të fjalës, atëhere ajo do zhbëhej, mbase edhe do të fshihej fare si ekzistencë.
Teoria letrare, klasike dhe moderne, megjithatë është e vetmja tejqyrë që na e mundëson shansin për ta shijuar, ndjerë dhe prekur vlerën artistike, por kurrsesi ajo nuk mundet që të përdoret, për ta zhveshur përfundimisht atë nga lëvozhga mrekullibërëse, emocionale dhe shprehëse, që përjetohet mëvetësishëm nga qenia.
 Pra, duket se letërsia dhe teoria letrare janë dy realitete të mëvetësishme, që në asnjë rast nuk përputhen, madje as nuk është e nevojshme të ngjasë diçka e tillë, çka nuk do të thotë se midis tyre nuk kanë asnjë pikë takimi. Letërsia, simbas vetëdijes së shkrimit dhe të përjetimit të saj, është një realitet fundekrye specifik dhe unik. Teoria letrare, është një realitet tjetër dhe më vete, që në fakt shenjon ligjësoritë e letërsisë. Teoria letrare  është shkenca, e cila përfshin historinë e letërsisë dhe kritikën letrare, që duhet të ndikojnë për të përndritur vlerat e pranishme letrare.
Këndshikimet teorike, vetë Kuteli nëpërmjet krijimtarisë së larme letrare, sidomos përmes shkrimit të  prozës së shkurtër, i ka shijuar dhe shpalosur me kaq tepri. Nëpër të gjitha shqyrtimet, botëperceptimore të gjertashme, tërthorazi dhe hapur, përgjithësisht lihet të nënkuptohet se proza e tij, sidomos në lavrimin e tregimit dhe novelës, është krejt e veçantë. Madje, ngahera në studimtarinë e shqipes, Kuteli shenjohet edhe si gjeniu i rrëfimit në letrat shqipe dhe si mjeshtër i rrallë i artit të fjalës.
Ka të vërteta në këto pohime dhe gjykime, të hedhura kohë pas kohe, natyrisht të thëna vetëm pas ndarjes nga jeta e shkrimtarit. Në shumicën e rasteve ka edhe tepri zelli për ta lexuar vetëm nëpërmjet teoritikës sociologjike, që në fakt e pamundëson komunikimin real me magjikën shkrimore të Kutelit dhe të secilit autor. Vetëkuptohet, se leximtaria e tillë, deri në vitet '90 dhe më vonë, përgjithësisht e ka shartuar e futur në ujë veprën e tij letrare, veçanërisht prozën e autorit, jo se i mungon tërësisht ky tipar, porse në semantikën letrare, socialja dhe socialiteti, dihet se nuk janë thelbësore. Paqartësia dhe deformimi qëllimor, enkas apo rastësor, letrar dhe jashtëletrar, përpos të tjerash do kërkuar në sqarimin e dy momenteve esencialë:
 A - Cilës periudhë letrare i përket Mitrush Kuteli? Pandarazi me të, pra edhe prozëshkrimi i tij unik? Gjithashtu, në mbështetje të kthjellimit të momenteve shkrimore, po në këtë rrafsh, jetik dhe estetik, si do të trajtohen shqyrtimet kritike dhe sprovat e pranishme në lëmin e poezisë? Kjo problematikë kaq e gjerë, patjetër e shoqëruar edhe me nyjëtime të tjera letrare, do të gjenin shpjegimin e natyrshëm, duke e vendosur figurën e shkrimtarit pikërisht në kontekstin e rrethanave shkrimore. Shkurt, në cilën hark kohor u realizua Kuteli si shkrimtar, prozator e poet, mandej edhe si lëvrues i kritikës letrare? Fakti kokëfortë, që megjithatë pjesën dërrmuese të krijimtarisë autoriale dhe po ashtu të vështrimeve kritike, autori i ka botuar para viteve 1944, flet vetë, më mirë se sa çdo koment tjetër. Autorë dhe vepra të kësaj periudhe janë: Poeti Lasgush Poradeci -1937, Netë shqiptare -1938, Ago Jakupi e të tjera rrëfime -1943, Sulm e lotë me një fjalë prej Dr. Pas. -1943, alias Dhimitër Pasko, Havadan më havadan -pamflete 1943, Këngë e britma nga qyteti i djegur -këngë popullore 1943, Kapllan Aga i Shaban Shpatës -1944, dhe Shënime letrare -kritikë 1944. Siç shihet, edhe nga ky vështrim shkurtimor dhe panoramik, nisur kryesisht prej vitbotimeve të veprave të autorit, ndihmon vetiu që të dalin në fokus tiparet më përfaqësuese shkrimore të autorit, që pa asnjë dyshim e mbërriti zenitin e vetë shumë herët, me gjasë në fillim të viteve '40 të shekullit të kaluar. Rasti Kutelit na shtyn të mendojmë se kemi të bëjmë me një kritik të talentuar, përderisa shqyrtimi i poezive të Poradecit, Nolit, Emineskut etj. , realizuar prej tij me rastin e botimit të secilit prej këtyre autorëve, ka vlerë edhe sot si interpretim, brenda tipologjisë së kritikës afirmative. Ai është njëri nga lëvruesit më cilësorë të pasurimit prozës shqipe ku krahas tregimit dhe novelës, romanit dhe përrallës, në trashëgiminë letrare të autorit hasim edhe rrëfenjën dhe rrëfimin.  Mitrush Kuteli ishte  njëri nga publicistët më të shquar të asaj kohe dhe shquhej për sensin e hollë të kritikës ndaj kohës dhe dukurive të ndryshme. Vështrimi i tij, krejt i veçantë shpaloset edhe me krijimtarinë gojore, sidomos si mbledhës i zellshëm, ai radhitet në folkloristët më të shquar. Cilësitë e shpërfaqura, në librat e botuar deri në vitin 1944, në pikëpamje të llojeve dhe tipologjisë shkrimore dhe të rrafsheve të shprehësisë shenjojnë pamëdyshje një personalitet të formuar dhe me ndikim të rrokshëm në të gjitha përmasat e shkrimit letrar të shkruar aso kohe në letrat shqipe. Fushat e lëvruara, si dhe vetitë e dëshmuara ndihmojnë për të përcaktuar vendin, kohën dhe përmasat e shkrimtarisë:
Së pari: Kuteli si figurë shumëplanëshe, madje me kontribute të vyera në shumicën e realizimit të tyre shënon kulmime në shkrimin e tregimit dhe novelës, si gjurmë dhe dëshmi e shkrimit letrar. Ai, më tepër, i përket letërsisë midis dy luftërave botërore, pa nxjerrë mendësh këtu edhe ndihmesën e dhënë prej tij në lëmin e përkthimit të jo pak autorëve, në ritregimin e legjendave të epikës shqipe, ose në përpjekjen serioze të lëvrimit e romanit, të cilat përplotësojnë konturet e kësaj figure të shquar të letërsisë shqipe, që shtrin ndikimin e vet në të gjithë hapësirat dhe në të dyja periudhat, para dhe mbas Luftës së Dytë Botërore.
Së dyti: Mitrush Kuteli faktikisht, nisur vetëm nga titujt e librave të botuar, është autori më i botuar gjatë viteve '30-40. Megjithëse, tashmë do të duhet qartësuar ky moment.
Fillesat e prozës kuteliane hidhen në vitet njëzet, posaçërisht si e dorëshkruar më 1926, dhe përkitazi viti 1929, shënon kohën e botimit në shtypin e kohës të novelës Vjeshta e Xheladin Beut. Bëhet fjalë për  njërën prej krijesave të rëndësishme të autorit, ku shfaqen farfurimat dhe vrundujt e parë të prozës magjike, madje të një realizmi mirëfilli të magjishëm. Gjurmët e shprehësisë artistike, në lëmin e prozës, në lëvrimin e rrëfenjave dhe rrëfimeve, tregimeve dhe novelave, po ashtu shenjohen prej asokohe. Në aspektin e sendërtimit të prozës prej Kutelit, në distancë kohore, mund të nxirret përfundimi se ai krijoi shkollë të mirëfilltë letrare si askush tjetër në historinë e letërsisë shqipe, duke u bazuar në dy tregues:
- Në lëvrimin e të gjitha tipeve, llojeve dhe nënllojve të prozës, ku pra shkëlqen edhe në pasurimin e tipologjisë së prozëshkrimit, me tipet e rrëfenjave, rrëfimeve dhe të ritregimit të epikës shqiptare, por që shënon një nivel më të ngritur në lëvrimin e tregimit dhe të novelës.
- Në ndikimin e rrokshëm në shkrimin e mëpastajmë të prozës shqipe, ku edhe ndeshim në pasuesë apo në shkrimtarë, që e parapëlqejnë shkrimin e prozës kuteliane, duke e përcjellë këtë fakt në shumë autorë të periudhës. Gjurmët e këtilla bëhen të prekshme, veçmas në tekstet e shumicës së autorëve, që kanë si bazë e variantin e toskërishtes, që nga D. Agolli, K. Trebeshina, I. Kadare, J. Xoxe, S. Andoni, T. Laço, N. Lera etj. , e në pjesën më të madhe te autorët që janë marrë më shkrimin e prozës së shkurtër.
Prandaj, piskama letrare e Kutelit, bashkë me veprën e thukër letrare të Ernest Koliqit, shfaqet me rol ndikues qysh në fillesat e veta. Ajo duket se paralajmëronte se letrat shqipe kishin hyrë në hullinë e lëvrimit të prozës moderne. Në kuptimin e personalitetit të formuar gjerësisht, të mjeshtrit të tregimit, përgjithësisht të prozës, kritikut të sprovuar letrar, të botuesit serioz, (çka vërtetohet nga shkalla e përkujdesjes së treguar ndaj krijimtarisë poetike të Poradecit e Nolit). Ky fakt nga më themelorët si jetëshkrim, ose përmendet shkarazi ose gati anashkalohet nga studimtaria zyrtare e shqipes, posaçërsisht e njohësve të natyrës së përveçme letrare të Kutelit. Duke vepruar kështu, madje për një periudhë të tejzgjatur, Kuteli dhe vepra letrare tërësore, padyshim edhe proza e larmisë, nuk vendosen në kontekstin e rrethanave, që u përket më së shumti, pra të harkut të viteve '30-'40 të shekullit të kaluar. Ajo atmosferë letrare unike dhe e mëvetësishme, përplot laryshi, që nxori në pah figura të shquara si Konica, prozator e kritik i rrallë; Fishta, shkrimtar gjithplanësh, prozator, dramaturg, kritik, poet lirik, satirik e mbi të gjitha epik me kryeveprën e tij Lahuta e Malcisë; Poradeci, poet thinosh të natyrës, dashurisë dhe atdhesisë; Haxhiademi, dramaturg i shquar; Nolin, përkthyes dhe Migjeni, poeti dhe prozatori i sprovave moderne. Në brendësi të atij mjedisi trëndafilor, letrar dhe kulturor, i harkut të pavarësisë, (ndërkohë që ende shkruanin Mjedja, Çajupi, Santori e Asdreni) gjendet, pa më të voglin dyshim,  edhe Dhimitër Pasko. Kjo aureolë lëbyrëse letrariteti, përbën më së parmi kontekstin thelbësor dhe real të ngjizjes dhe mëkimit të Kutelit si shkrimtar, por edhe të shpërfaqjes së pranisë së tij.
Sprovat e modernitetit të letrave shqipe, qoftë në poezi, qoftë në prozë apo në kritikën letrare, kanë edhe ndihmesën e Kutelit, veçanërisht në fibrimet e befta të lëvrimit të prozës, ku spikatet veças të tjerëve për realizmin e tregimit dhe të novelës. Krahazi dhe paralelisht, Kuteli dhe Koliqi, (dyshe kjo fatlume e letrave shqipe) jo vetëm se hodhën themelet e prozës moderne por, me formatin shprehës, koloritin narrativ dhe ngjyresat leksikore, shenjëzuan kulmime ligjërimore në lëmin e prozës shqipe.
 Pas viteve '44, Kuteli vinte si një krijues i pjekur, me personalitet të kristalizuar dhe të shpërfaqur, në disa lami të kulturës. Megjithatë, veçmas viti '47 shënon, (a diçka më herët se kaq, ngaqë edhe historiografia nuk ka mbërritur ta përcaktojë ende) krijimtarinë e Kutelit pasi barten një shenja të veçanta nga letrarja e ngjizur prej tij. Gjatë kësaj kohe shkrimtari realizon novelën E madhe është gjëma e mëkatit, me gjasë kryevepra e tij letrare në të gjitha pikëpamjet estetike. Në semantikën e përfundimit, të mënyrës shkrimore vetanake, personaliteti i Kutelit shtrihet natyrshëm  edhe më përtej periudhës së mbarimit të luftës. Gjithashtu,  sprovat poetike, aq të thukta në shpalimin e ndjesive të holla, por edhe atdhetare, çka na kulmon me Poemin Kosovar, si një lami shprehje e parapëlqyer nga autori. Mitrush Kuteli ishte  njëri nga publicistët më të shquar të asaj kohe dhe shquhej për sensin e hollë të kritikës ndaj kohës dhe dukurive të ndryshme.Të kësaj kohe janë librat: Dashuria e barbarit Artan -1945; Pylli i gështenjave, poezi për fëmijë 1958; Xinxifillua-përralla 1962; Tregime të moçme shqiptare-ritregime 1965, si edhe ripunimet e prozës, në nivelin e varianteve dhe variacioneve letrare. Gjithashtu, një faqe më vete, përbëjnë edhe përkthimet e veprave të veçanta të Gogolit, Turgenjevit, Shçedrinit, Ostrovskit, etj. , që na zbulojnë një anë tjetër të dimensioneve madhore të figurës së Kutelit, e sidomos të pranisë së tij na kaq shumë lami të kulturës shqipe. Pas këtij vështrimi të rrethanave që e mbruajtën si krijues i shumëplanësisë, krejt natyrshëm vjen në fokus çështja tjetër esenciale:
B - Cilës metodë, drejtim, rrymë apo shkolle letrare i përket veçmas proza e tij? Cilat janë tiparet karakteristike shkrimore që bart si tharm estetik trashëgimia letrare e autorit? Ku dallohet poetika e prozës kuteliane, në përqasje me bashkëkohësit dhe prozatorët e mëvonshëm të letrave shqipe dhe më gjerë se sa kaq?
Përcaktimet e gjertanishme, sa i përket metodës letrare të ligjëruar, e fiksojnë shkrimin e prozës së Kutelit në pesë cilësi të gjasshme:
- Faktura realiste: Përcaktime të tilla janë shënuar nga Frida Idrizi, Nasho Jorgaqi, e ndonjë tjetër. Pikë referimi për ta shenjuar si të tillë, përgjithësisht është verifikimi i tematikës dhe i brendisë, pra duke e parë prozëshkrimin si mënyrë leximi sociologjik. Madje, në shumicën e rasteve, interpretimi i kësollojshëm zbret deri në përcaktime, thellësisht të ndara të grupit të personazheve: vegjëlia nga njëra anë dhe bejlerët e agallarët në tjetrën anë.
- Atribute romantike: por e pranvënë me tipin e romantikës revolucionare, sipas Idrizit dhe Jorgaqit. Për të mbërritur në këtë përcaktim, ndërkaq ka gjasa të mjafta që shqyrtimi të jetë lidhur ngushtësisht edhe me praninë e miteve, legjendave dhe gojëdhanave, pra me fundekrye me materien orale. Megjithatë, romantika e prozës së shkrimtarit, herë vështrohet si vlerë, herë tjetër si dobësi. Në fakt, dihet se shkolla romantike adhurimin ndaj folklorit e shpërndërroi natyrshëm deri në kult dhe adhurim për të. Veçse, siç e parasheh teoritika letrare dhe praktika shkrimore, për mitet dhe mitologjinë, po kaq interes dhe kërshëri kanë treguar dhe ende vijojnë në këtë linjë edhe shkrimtarët modernë e pasmodernë.
- Tharm fantastik, (një pohim i mbrojtur nga A. Plasari, S. Bashota etj.)  Ky tipar shkrimor dhe ngjyrues i krijimtarisë letrare të autorit, shenjëzohet nisur mbase nga hapësira që zë e mbinatyrshmja, sidomos nga prania e pikëpjekjes së të gjallit me të vdekurin, esencë bazale kjo dhe tepër e vlertë në disa krijime autoriale, por e shpërfaqur me fuqi artistike, sidomos në faqet e tregim-rrëfenjës Rinë Katerinëza dhe po ashtu edhe tek novela E madhe është gjëma e mëkatit. Sugjerimi i teorive letrare se animizimi prozopope, domethënë shpirtëzimi i të vdekurit, është vetëm njëri nga elementët e mbinatyrores, me prani të rrokshme në përrallat e autorit, do të duhet të merrej në shqyrtim, për të shijuar ndërlidhjen e prozës së Kutelit me fantastiken, por edhe për të kuptuar  mungesën e saj në disa nga prozat e mrekullishme që ka realizuar. Në principin e prozës fantastike, tashmë edhe për lëndën dhe adresimin, mbeten përrallat e librit Xinxifillua, që pamëdyshje përfaqësojnë një nga shenjëzimet e përfillshme letrare të realizuar prej Kutelit.
- Prani e realizmit grotesk: (një situatë që e merr përsipër ta mbrojë Alfred Uçi). Në këtë përpjekje të vonë, përveç faktit të një tentative, për ta kundruar në caqet e realizmit kritik, në fakt vihet re edhe një ndërthurje e pagjashme dhe e pamundshme konceptesh, si lidhje dhe pranvënie. Grotesku si mënyrë shprehje, madje si një formë e ngritur e saj, përpos pranisë në krijimtarinë gojore, faktohet qysh në antikitet me Aristofanin dhe në fakt kulmon me veprën e Rabëlesë, në klasicizmin francez. Ndërsa realizmi, si metodë pasqyrimi dhe sendërtimi të letërsisë, që është pakasa me i ri, me zanafillë diku në shekullin e 19-të, dhe gjithnjë dhe vetëm simbas teorive letrare, ekziston në tre forma: realizëm kritik, realizëm socialist dhe realizëm magjik, dhe dihet se në të tri rastet shënon metodën, rrymën ose drejtimin letrar dhe në asnjërin rast shprehësinë në kuptimin më të ngushtë të groteskut, si shkalla sipërore e satirës.
- Elemente të realizmit magjik:  Ky pohim mbrohet fillimisht nga Aurel Plasari, pastaj i merret në shqyrtim nga Sali Bashota,  Kujtim Shala etj. Në fakt lidhja e prozëshkrimit të autorit me realizmin magjik, gjithnjë sipas mendimit tim, as nuk është zhvilluar deri në fund, as nuk është hedhur poshtë përfundimisht për të na dhënë një përgjigje më shtjelluese dhe verifikuese mbi krijimtarinë, që  bart dhe përçon këtë ngjyresë magjike. Vendi që zë dhe sidomos marrëdhëniet e ndërlikuara në mes reales dhe ireales, të përkohshmes dhe përjetësisë, por pak të lëvruar në letrat shqipe, deri tek proza e Kutelit, ka bërë që të shihet edhe si teksturë e këtij rrafshi. Madje, verifikimi i tillë plazmohet si përqasje e ndërmjetme me autorët më të shquar që e çuan në zenit realizmin magjik, pra edhe me letraren e Bogres-it, ngandonjëherë edhe si realitet letrar i mëvetësishëm. Ka më tepër arsye të mendosh se qëndron këndshikimi i dytë, pra, si një univers letrar i vetvetishëm, sepse lëvrimi i prozës me përcëllima magjike nga ana e Kutelit faktohet më herët; me fillesa aty nga viti 1926, kohë kur shkruan Vjeshta e Xheladin Beut.
Këto shenja të pranishme në prozën e shkrimtarit, qofshin realiste, romantike, fantastike, groteske apo të realizmit magjik, pamëdyshje që feksin nëpër gjithë materien letrare, porse ato lëshojnë hije rrezatimesh të gërshetuara, çka e shndërron përpjekjen për të përcaktuar drejtimin ose shkollën letrare që në njëfarë mënyrë e materializoi Kuteli.
Në veprën e shkrimtarit, veçmas në prozën e tij, është krejt e prekshme lënda sociale. Po ashtu, nëpër hemisferat e tekstit, si romantikë apo grotesk, vetvetiu ndërfutet edhe krijimtaria gojore. Rreth qarkëzimeve, të qëmtuara prej historiografisë letrare, pështillet dhe shpështillet prania e sociales, në mënyrën shkrimore kuteliane. Mbase, kjo dëshmi shkrimtarie, shenjon një përvojë personale, ku shkrihen burimet e hamenduara dhe të pashmangshme; Ndoshta, një përvojë tjetër të ndryshme nga bashkëkohësit, natyrshëm të komplikuar, në kuptimin e marrëdhënies speciale me lexuesin model (Umberto Eco[1]) që shënon shenjat e strukturës e jo semantikën. Madje, një raportim detyrimor jo vetëm si lëçitës i vëmendshëm, por edhe si një dëgjues i përqëndruar, sepse rrëfimtari ngahera ndërron vend, por gjithherët gjellin krejt i dorëzuar në substancën e mirëfilltë tekstologjike. Duke u bërë kësisoj pjesë integrale e lojës autoriale magjike, ka gjasa të lodrimit të njohur dhe të panjohur, ku mundësohet qartaz ndërkomunikimi me tekstet dhe estetikën, që bartin dhe veçmas mënjanohen çfarëdo shkas moskuptimi keqkuptimor të shkrimit letrar.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk