Molieri, komediani heretik i shpirtrave të shëlbyer nga e qeshura



Albert Vataj

Sot 393 vjet më parë lindi Jean-Baptiste Poquelin-Molier (15 Janar 1622 - 17 shkurt 1673), themeltari i komedisë franceze, mendimtari dhe humanisti, dalzotësi i atributeve të shëmbëllimit të vlerës, doktrinës teatrore, të cilën ai e ushqeu me pasione të shpenguara dhe vullnete flakatare. Formëzimi i këtij shëmbëllimi, ngjizja e këtij fenomeni u mbrujt prej tharmit që zanafillon në të ashtuquajturin “shekull i artë”. Me disa të tjerë ngadhënjimtar e të dalldisur prej pasioneve kumtuese, që njëmendeshin me mendimin, filozofinë dhe botëkuptimin e tij, ai hodhi themelet e “Teatrit mbretëror”. Në këtë ndërkohje Molier u vetëpagëzua me atë emër, shkurtimë me të cilin e njohim edhe ne sot. Në atëkohje ushtronte njiherash zelltarin e aktorit, regjisorit, drejtuesit të trupës dhe autorit të teksteve. Të gjallët e tij nuk nënkuptohej tjetërkund veçse    në teatrit, më të cilin u lidh mish e shpirt. Ai kishte behur jo si një rastësi në botën e komedisë, në shtjellën përpirëse të një epoke që përkundej në grahmat e agonisë dhe shterrimit. Erdhi si një vullnesë e epërme për të ndryshuar, për të mëtuar. Hovi vetëtimthi dhe brofi ndryshimtar dhe fillimues i rrëmetshëm dhe kandashumë. Shkallmoi muret e larta të rregullave dhe u lëshua plot energji dhe zell, harbueshëm dhe shkallëmues mbi çdo pengim e mëdyshje. Duke i shpërthyer rregullat e ngurta të doktrinës klasiciste autor-aktor-regjisor, në emër të arsyes e të logjikës së shëndoshë, krijoi komedi, e cila godiste çdo ves ose shfaqje negative të kohës dhe të njeriut në përgjithësi. Përmbledhazi ai ishte një dalzotës i pashoq i fateve të udhëkryqta dhe vlerave të zhagitura nëpër kthinat e mykura të kohës që dergjej duke u hequr zvarrë në baltën e agonisë. Temat delikate që trajtonte, i nxirrnin shumë telashe në jetë, por pa mundur ta zmrapsin këtë vërshim rrapëllitës si një përrua i mbarsur prej rrëmetit dhe zemëratës së motit. Vënia në dukje e hipokrizisë së klerit tek Tartufi, e detyroi ta përpunonte tri herë tekstin për ta shpëtuar nga censura, ndërkaq guximin për ta shfaqur me çdo kusht para publikut, e pagoi me shkishërim. Por ai ishte vetë zot e çdo mallkim kacarritej dëshpërueshëm drejt pamundësisë për ta shkatërruar.
Teatri i Molierit është i veçantë, origjinal dhe krejt i ndryshëm nga ai i bashkëkohësve të vet, Kornejit e Rasinit. Molierin nuk e shqetësonte shumë ideja e respektimit të rregullave të ngurta të klasiscizmit. Para se gjithash, ai dëshironte “t’i pëlqente publikut” dhe për të “kjo është rregulla e madhe e të gjitha rregullave”. Sipas tij komedia duhet ta bëjë spektatorin të vetëkorrigjohet duke qeshur. Kjo cilësi u quajt katarsis komik. (d.m.th. të pastohesh shpirtërisht nëpërmjet së qeshurës).
Veprimi komik në veprat e tij rrjedh natyrshëm, shpejt dhe me tensionime. Kjo karakterizohet jo vetëm me situatat e freskëta komike, kthesat e papritura dhe kontrastet e ashpra, por edhe me dialogun e gjallë e shumë dinamik. Me mjeshtëri Molieri krijon atmodferë të nxehtë, të shkaktuar nga veprimet dhe pasionet e personazheve sipas mënyrës së të folurit dhe pasioneve të tyre i nënshtrohen plotësisht idesë kryesore: përqeshja dhe demskimi i ashpër i së keqes shoqërore dhe triumfi i drejtësisë. Veprat më të njohura të Molierit mbahen: Tartufi, Don Zhuani, Mizantropi, Kopraci dhe Borgjezi fisnik.
Molieri mbetet një krijues i madh i ndërtimit të karaktereve. Një pjesë e mirë e tyre jo vetëm që i kanë qëndruar kohës, por janë shndërruar në emra simbolikë. Dhe kjo është një arritje e madhe e artit të Molierit, i cili atë që mori nga jeta, ia riktheu asaj me gjenialitetin e vet. Së bashku me Shekspirin, Molieri është pa dyshim një nga dramaturgët më të mëdhenj e më popullor botërorë.
Kopraci: Në komedinë Kopraci Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet kopracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negative. Herpagoni koprac e fajdexhi jeton në ethen e parave. Ai ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Herpagoni mbetet një nga figurat më negativë, antipatikë e qesharake njëkohësisht, që ka krijuar pena e Molierit.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk