Gustav Klimt, pasioni në penelin e këtij bohemi të pikturës
Albert Vataj, publicist dhe gazetar |
Nga Albert Vataj
Gustav Klimt do të mbamendet në historinë e
artit ndër më të kurajshmit bohem të pikturës. Biri i një argjendari të pafat
do të qëndiste me ar dhe zjarr penelatash të epshme përvojat dhe përjetimet më
të zellshme të gjakut dhe kurmit. Klimt ndryshoi simbolikën tradicionale të
deriatëhershme, ose më saktë e pasuroi atë duke e përjetësuar seksin dhe epshin
me elementë dhe shprehës më cytës, gjithnjë brendandjesor dhe shpërthyes. E
lartësoi si pakkush tjetër deri asokohe femrën, duke e zhndërruar atë në një simbolikë
qëndore të universales. Ai e ngërthen në themel të gjithçkasë dhe e pjesëmerr
në çdo ngjizje amshimi. Depërton brenda saj jo vetëm seksualisht. Rrëmon në
fundin e kësaj qënie dhe gjen kuptimin e shumëçkasë dhe nuk druhet t’ia kumtojë
botës si një zbulim. Në një shumësi punësh ai i'u kushtua trupit të gruas,
spariherë si energji përtëritëse dhe si mjet komunikimi estetik. Kjo epërsi, ky
dominim i femrës, nuk kridhet në tablonë e piktorit në mënyrë rastësore. Ajo vendoset si element
shprehës, si nevojë e mjeshtrit për ta orjentuar shpërthimin kumtues përnga
gufojnë përjetimet dhe jetësimet në tablotë e tij monumentale. Shpirti i këtij
gjahtari gjendjesh të epshme priret të dëshmojë njëherash dhe botëkumtimin që
ngas në këtë lojë të prushtë përjetimi dhe krijimi.
Gustav Klimt, siç dhe mëton në një perifrazë
të tij, se "I gjithë arti është erotik", në veprën që la, dëshifrojmë
huazimin e marrëdhënieve mashkull-femër nga gjuha simbolike e ëndrrave. Një
terren parafrojdian shtresohej prej humusit së tij kumtues. Në tablo, një
hapësirë e zbrazët e ndjek si një domosdo për ta mbushur me ngjyrën që ai i jep
ofsheve. Shpesh ky bosh i ngjan një jehone të frikshme, e mbushur me makth dhe
panik. Sepse ai jeton tokësoren e konsumimit të këtij akti të hyjshëm. Jeton
krisjen dhe thyerjen. Sprovon, ndalet dhe riniste sërish më me zjarr. Femra që
ka marrë në dorë frerët e zotërimit të mashkullit e ngjeth piktorin dhe ai e
dëshmon hera-herë.
Sfida e tij erotike është një përleshje me
kohën dhe vetveten si vullnesë çliruese. Forca gllabëruese e femrës në pikturën
e Klimt, e ka të përcaktuar qartë pozitat e saj, atë të dominimit, dhe e nis ta
bëjë këtë duke sfiduar që nga tabloja. Klimt është i paparashikueshëm, te
"Judith ose Salome" ai e gozhdon publikun para një "orgazme
vrasëse" në praninë e një joshje fatale, në vend të portretit të një
gruaje të virtytshme. Te "Frizën Beethoven", një shpërthim estetik i
jashtëzakonshëm i Klimt, parajsa është një nga motivet më të rëndësishme që
shpërfaqet nën dominimin e një të arte diellore. Për të kulmuar te "The
Kiss", e cila është nga emblemat e Gustav Klimt. Një dashuri në ekstazë,
të cilës i hidhet mbi lakuriqsi të epshme një mantel i florinjtë, stolisur me
një gjuhë simbolike, thellësisht erotike. Thua se ka rrëmuar të gjitha kulturat
dhe ka nxjerr së andejmi mëtimet abstrakte të simbolizmit që kumtojnë pasionin
e zanafillës, elementin bazë të krijimit, seksin. Trupat i përthyen në
densitetin e përqafimit. I mbërthen me gishtërinjë të stërgjatë e trupa që i
zgjat joshja. Burri në ngulmin për të dominuar, e ka vënë parfundi objektin e
joshjes së tij të epërme. Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë
dhe gadishmërinë për tu dhënë. Shkrehja e saj lexohet në portretin që është
fikur në zjarrin e brendisë ku ajo po tretet. Në ngulme që nuk e ndalën, Gustav
Klimtin, dallon prej tjetërkujt, teksa bashkon disa figura, të cilat i trajton
po aq shkujdesshëm në telajon e bollshme sa dhe simbolet. Ai i vendos
personazhet në hapsira që zbraztësinë e lëmojnë me një ngulm të rrafshët si
jehonë e errët dhe boshe.
Një ngasje që të përfshihet stuhishëm në një
gjëndje, gjithnjë të mbarsura me pasioni dhe pjesëmarrje të vetvetishme në atë
shtjellë çuçuritëse ndjenjash dhe afshesh, nënshtrimi dhe dominimi seksual. Ky
është sinopsi i gjithë çfarë mbërtheu në sëmbim krijues, Gustav Klimt. Ai është
në të gjithmonshmen e pranisë artistike, vetëm brenda kësaj vorbulle, këtij
shugurimi të epërm, të domosdosë së njeriut për të guxuar dhe për të dëshmuar,
se në jetën e tij, seksi dhe femrat, janë të rëndësishme. Arti dhe familja
gjithashtu, ishin dhe mbeten deri në fund për mjeshtrin e madh, një domethënie
botkuptimi dhe shëmbëllimi sublim. Marrëdhëniet poligame, 14 fëmijet me
bashkëshorten, një yshtje kjo në shumë prej kryeveprave që la pas, janë dëshmitar
të asaj që përcaktojnë veçorinë dalluese të këtij kolosi të brendisë së emëtuar
në pikturë.
Në galerinë e pamatë të piktorit, është e
kudogjendur ajo që do ta bënte këtë penel, një admirim i gjithmonshëm, një
kurth ku shkrehet çdo andje, joshja. Koloriti i zgjedhur, teknika e përdorur,
përmasat dhe kumti i ligjërimit, ofrojnë bashkë me personazhin femër, universin
e koduar të marrëdhënieve. Fillimisht të vet Klimt, e në vijimsi të femrës më
realitetin seksual, me filozofinë e funksionimit të marrëdhënieve me meshkujt.
Ai përgjon brenda vetes, si të mjaftueshme rrëmetin e përvojave, duke i
vendosur ato kudo, si subjekt, ngjyrë, linjë, dritëhije a sfond.
Vetvetja i duket e mjaftueshme, dhe ashtu e
lexojmë në punët e tij, në marrëdhënie me femrat, pasionin, seksualitetin,
epshin dhe ndjesinë e dominimit prej këtij dimesionin ekzistencial. Klimt, me
gjasë, s'kishte shumë më shumë se të tjerët për të thënë për seksin, për
marrëdhëniet me femrat, për magjinë që kumton pasioni i shkulmeve uturitëse të
gjakut dhe kurmit. Ai "guxoi" që tabutë ti kthente në shprehje
estetike, në marrëdhënie artistike, një dimesion të ri komunikimi për
botkuptimin e atëhershëm e të mëpasshëm. Dalldia seksuale duket se pasi ka
mbushur deri në buzë pasionet babëzitëse të tij, pjesa që derdhët është jo më
pak zjarrvënëse, ndjellëse, ngasëse, përjetuese, se e gjithë ajo masë që mbush
e çmbush papushim atë. Duke e mëtuar kohës gjënë që kishte më të shtrenjtë, dhe
duke e bërë këtë si kurrkush tjetër derimtash, jo vetëm guxoi dhe e pësoi, por
ngulmoi dhe mbërriti. Po, përnjimend mbërriti në atë pjedestal që as ai vetë
nuk e bluante në hamendjen e qasjeve për lavdi, që kaq të qëllimshme mbarteshin
asokohe.
Femra një tipar joshës u përfshi në subjekt
dhe impresion, mesazh dhe dekodim, në sfond e në kënd, në ngjyrë e në formë. Ai
vetëm sa konstatoi atë qe ishim, jemi dhe do të mbetemi të njëmendtë. Femrë,
dhe gjithçka që ajo është e destinuar të ofrojë e transformoi në një nocione
soditëse. E gjitha kjo, që magjia të mos mbete një trill, një vegim, por një
realitet.
Ajo është aty para nesh e gatshme të ofrohet
dhe sejcili ndër ne të jepet. Në
pikturën e Klimt, veshjet nuk mbulojnë, ato përdoren qëllimisht për të zbuluar,
për të dramatizuar situatën, për të kallur misterin e joshjes. Dhe këtë e bën
duke e ndërfutur lakuriqsinë nën poren e delikate të qëmtesave simboliste.
Kulturave të ndryshme, Klimt u merr elementet, si bima tokës, për t'i derdhur
jo dhe aq shkujdesur mbi tablo si stoli, si ojna, si ornamente. Stolitë që i
nderen përqark atij kurmi, janë pjesë nga armatura e kahershme e mashkullit të
destinuar, e partnerit, të cilit nuk i mjafton vetëm prania. Etja prehistorike,
që e djeg përbrenda, që e ysht ngutaz, kërkon gjuhë të shprehet, simbolikë të
komunikojë, të dëshmojë tash, atë që u tha dhe mbase nuk e dëgjuan prej
Egjiptit deri në Bizant. Tash kur mbetemi soditës, muzat e Klimtit i kanë hequr
bashkë me petkat dhe mëdyshjet, dhe po presin. Këtë pritje e lexon sekush në
sytë që shohin përmbytaz. Mrekullia grua është e aty, e gatshme për t'iu dhënë
çdo soditjeje.
Ndërsa kureshtia dhe ama e adhurimit shkulmon
prej dritës dhe zbraztësisë, abstraksionit dhe formave të tendosura në
simbolizëm, ndjehet një frymëmarrje që shtërzen, një gulç që copëzohet e merr
formë të avullt që rrethon subjektin. Kjo duket se ka lidhje me një ankth të
brendshëm të artistit. Frika nga rreziku i tërheqjes seksuale, nga ana
shkatërrimtare e një femre dhe mbi të gjitha, vuajtjen në sensin frojdian.
Gjithëpoaq, Klimt s'ndalet. Gjithnjë e bukura ka diçka tjetërqysh pa thënë,
epshi të tjera shkulme premton, yje pafund që i ndrijnë vagullt, në natën që i
varet mbi, si një mantel.
Comments
Post a Comment