Puthja është i pari akt komunikimi jetësor



Sot 6 Korrik është Dita Ndërkombëtare e Puthjes, kremtja e një prej akteve më delikate të komunikimit ndjesor, një prej urave më të hyjshme të njerëzores në marrëdhënien dashurore, respektin dhe mirënjohjeje që në ushqejmë me këtë copë të prushtë të kurmit tonë.
Puthja është i pari akt komunikimi jetësor, është marrëdhënia fillimore e jetës sonë, me ndjesinë dhe perceptimin. Eshtë e para dhe e vetmja udhë prejnga ne tretemi në universin e gjendjes, këmbejmë lëndën e gjithçkasë sonë të përtëritjes.
Ne të gjithë jepemi pas puthjes si pas një nevoje të pashpjegueshme dhe të parezistueshme. Përfshihemi në të si në një magjepsjeje. Na kaplon ajo si një magji duke na yshtur në përcikjen e tulit të buzëve me buzët e diku tjetër, më ballin e një shenjtërimi, me dorën e një finese, më kurmin e një dalldie epshi. Ne puthim dhe ndërsa buzët lëshojmë në puthje kemi nënshkruar sakaq aktin më të hyjshëm njerëzor atë të dashurisë dhe respektit, afrisë dhe bashkëjetesës në një botë të gjithëve, në një të tashme të nevojës për tu ndjerë afër dikujt, i puthur nga dikush, larg vetmisë, larg kafshimit të buzëve, larg pendimi, larg lotit që djeg këtë copë kurmi, këtë piktakim të taksores me qielloren
Ëorld Kiss Day (Dita Botërore e Puthjes), festë e lindur në Britaninë e Madhe në vitin 1990 dhe e përhapur kudo në botë. Kjo ditë i kushtohet emocioneve dhe ndjenjave.
Jo vetëm puthje mes të dashurve, por edhe mes miqsh dhe të afërmish. Veçse duhet të jenë të vërtetë, të mbushur me pasion dhe përkushtim, një puthje që transmeton energji, një puthje që rikthen komunikimin ku urat ishin shembur, një puthje që kthen besimin ky ngjyrat kishin shteruar, një puthje që ndez një trup duke e kthyer atë në një shandan që shndrin, në një fanar që tregon brigjet dallgëve dhe marinarëve.
Ekzistojnë mendime dhe teori të ndryshme rreth funksioneve të puthjes dhe lidhjes së saj me sferën motive dhe sociale të njeriut, por aktualisht ekspertët e filematologisë (shkencës që merret me studimin e puthjes), këmbëngulin se kjo lidhet me nevojën për të kërkuar partner me sistem imunitar të ndryshëm nga yni. E thënë me terma evolutiv, të favorizojmë rregullimin gjenetik dhe shtojmë probabilitetin e mbijetesës së pasardhësve.
Nëpërmjet puthjes një femër dhe një mashkull shkëmbejnë një sërë mikrobesh (rreth 300) dhe informacione të përputhshmërisë gjenetike. Puthja lejon të digjen 12 kalori, kështu që mund të përdoret dhe si mënyrë për tu dobësuar. Në të njëjtën kohë fal puthjes stimulohen shumë muskuj, duke u bërë një stërvitje e shëndetshme për organizmin.
Sot, jo vetëm sot, por çdo ditë ushtroje shpirtin tënd, shtegtoje zemrën tënde, ndez tulin e buzëve të tua dhe lëshoju një puthje, një ritual që do të ishte më magjik se çdo urim, më i mrekullueshëm se çdo prekje.
Puth siç bëjnë gjethet kur era ladron me ta. Puth siç bëjnë petalet e luleve kur poleni pllenon. Puth siç bën çdo mëngjes diellin në zgjimin e tij jetëdhënës. Puth dhe duke puthur dëshmo para vetes, pa nevojën për ta bërë këtë para botës se ti je një qenie e mbushur me ndjesi, e mbushur me energji, një qenie që dashuron jetën dhe duke e dashuruar atë jeton me gjithë energjinë që jep një puthje duke pjesmarrë në këtë akt kumtimi përtëritjen, rilindjen, rikrijimin.
Ti mund të rilindësh në çdo puthje, mjafton që ajo të jetë një puthje që është ngjyer në zjarrin e ndjenjave tuaja, në llavën e pasioneve, në diellin e mirënjohjes.
Puth dhe mos resht duke puthur dhe do të ndjehesh i mrekulluar prej magjisë së jetës që të rrëfen puthja.
Albert Vataj





Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk