Politika, arti i llafollogjisë
Teknikat - Dy nga teknikat e përdorura për të ndaluar
miratimin e ligjeve të padëshiruara kur nuk ke shumicën për t’i rrëzuar ato,
janë: a) fjalimet tepër të gjata dhe të pakuptimta dhe b) propozimi i mijëra
amendamenteve për ligjin në diskutim, gjë që e bën thuajse të pamundur
përfundimin e procedurës, pasi vetëm leximi i amendamenteve të propozuara
kërkon shumë kohë. Këto teknika përdoren në vende normale. Në Shqipëri, në një
rast është përdorur një teknikë më pak normale, kur opozita ia doli me dhunë të
bllokojë foltoren e Parlamentit gjatë diskutimeve për reformën zgjedhore disa
vite më parë. Mazhoranca i mblodhi deputetët e vet në një sallë tjetër dhe e
konsideroi ligjin të miratuar.
Deputetët që arritën të flasin 24 orë pa ndërprerje
Fjalimet për të humbur kohën, të njohura si filibaster,
ndoshta do të kthehen një herë në politikën amerikane. Po si mund t’ia dalë
dikush të flasë gjithë ditën?
Ti ngrihesh para kolegëve tuaj, kruan fytin dhe përgatitesh
për të folur. Përgjatë të gjithë natës, pa pushim. Ndoshta ke sjellë ushqim me
vete, ose ke ndonjë adresar telefonik, të cilin e lexon me zë të lartë, në rast
se nuk të vijnë më ide se çfarë mund të thuash. Dhe nuk ke mundësi të shkosh në
banjë, nëse ke nevojë, duhet të vijosh të flasësh. Filibastering – një taktikë
që synon të harxhojë qëllimisht kohën e Parlamentit, përdoret zakonisht nga
ligjvënësit për të mos lejuar zhvillimin e një votimi për një çështje që
ligjvënësi e di se e ka të humbur. Kjo metodë është përdorur në sistemet
demokratike që nga kohët që nuk mbahen mend. Parlamentarë të dalluar e kanë
përdorur shpesh këtë taktikë duke realizuar sipërmarrje mbinjerëzore, vetëm me
synimin për të humbur kohë, ngadalësuar apo bllokuar miratimin e një ligji.
Shembujt më spektakolarë janë hasur në Senatin e Shteteve të
Bashkuara. Më 1935, një demokrat nga Luiziana, Huey Long, u përpoq të ndalonte
një ligj duke folur për më shumë se pesëmbëdhjetë orë, duke recituar mes të
tjerash, edhe receta për garniturë sallate dhe duke diskutuar në detaje si të
fërgohen më mirë gocat e detit. Njëzet e dy vjet më vonë, një senator veteran
nga Karolina e Jugut, Strom Thurmond, vendosi një rekord në llafollogji duke
ndaluar miratimin e një ligji për të drejtat, duke folur për 24 orë e 18
minuta, duke lexuar me zë të lartë ligjet e votimit të secilit shtet të SHBA-së
dhe duke cituar fjalën e lamtumirës së George Washinton në mënyrë integrale.
Filibaster është një fjalë me rrënjë holandeze,
“vrijbuiter”, dhe në kuptimin origjinal do të thotë “pirat”. Kjo është një
taktikë kaq e rëndësishme në sistemin politik amerikan sa filmi i vitit 1939 i
Frank Capra, “Zoti Smith shkon në Uashington”, paraqet heroin James Stewart,
duke mbajtur një fjalim llafollogjik të stërgjatë në Senat, gjë që shpëton
Amerikën përmes ekspozimit të korrupsionit politik.
Gjatë viteve të fundit, anëtarët e senatit amerikan kanë
qenë në gjendje të kryejnë një teknikë që quhet “filibasteri i heshtur”. Në
këtë rast, ata thjesht sinjalizojnë synimin për të bllokuar një ligj për sa
kohë mbështetësit e ligjit nuk janë në gjendje të sigurojnë tri të pestat e
senatit. Por Harry Reid, udhëheqësi i shumicës demokrate, i cili vetë mbajti
foltoren për gati nëntë orë në vitin 2003, tashmë kërkon që çdokush që ka një
kundërshti të ngrihet dhe të deklarojë kundërshtinë ndaj në ligj në rast se
dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo nënkupton një kthim në debatet e
viteve 1950 dhe 1960, kur politikanët e jugut si Strom Thurmond dhe Robert Byrd
flisnin përgjatë të gjithë natës për të mos lejuar miratimin e ligjeve që u
jepnin të drejta të barabarta njerëzve me ngjyrë.
Në rast se kjo ndodh, një gjeneratë e re ligjvënësish do të
duhet të thërrasin në ndihmë rezervat e pashfrytëzuara të qëndresës fizike –
megjithëse ka gjasa që nuk do t’u pëlqejë t’i krahasojnë me llafollogjinë
rekordthyese të Thurmond, i cili me këtë teknikë synoi të ruajë segregacionin
racor në SHBA. Sipas biografit të Thurmond, Joseph Crespino, një profesor
historie në Universitetin Emory, politikani mbrojtës i segregacionit – i cili
vdiq në zyrën e tij në vitin 2003 në moshën 100 vjeç – qe jashtëzakonisht i
përgatitur fizikisht për një sipërmarrje të tillë.
Thurmond kishte marrë me vete furnizime – përfshirë një copë
të madhe bukë elbi, një copë mishi kundërfiletë, tableta qetësimi, lëng frutash
e ujë, thotë Crespino. Senatori foli në një mënyrë të qetë dhe monotone për të
kursyer zërin e tij nga mekja. Me përjashtim të një pushimi gjysmë ore në
fillim, kur rregullat i lejonin atij t’i linte vendin senatorit tjetër, Barry
Goldwater, Thurmond qëndroi në këmbë në foltoren e Senatit përgjatë të gjithë
kohës. Për historianët, aspekti më habitës i kësaj sipërmarrjeje është se si ia
doli të shmangë vajtjen në tualet për kaq shumë kohë. “Kjo është një lloj
misteri urologjik se si ai ia doli ta bëjë një gjë të tillë”, thotë Crespino. “Pas
fjalimit, pyetja e parë që i bënë gazetarët qe se si ia doli të mbajë urinën pa
i shpëtuar.” Thurmond u tha atyre se kishte vizituar dhomën e avullit të
senatit para fjalimit për të dehidratuar veten, në mënyrë që trupi i tij të qe
në gjendje të absorbonte lëngje si një “sfungjer”. Por thashethemet qenë të
shumta dhe thoshin se kishte përdorur një metodë shumë më praktike dhe
hileqare. Një punonjës i senatit afro-amerikan, me emrin Bertie Browman
deklaroi në kujtimet e veta se në fakt senatori qe pajisur me një tub dhe një qese.
Ndërsa në SHBA mund të jetë vendosur rekordi botëror për
llafollogji gjatë shekullit të njëzetë, praktika ka një histori të gjerë në të
gjithë botën. Në Romën e Lashtë, Kato i Riu, arrinte të irritonte Senatin në
rastet e diskutimit të ligjeve që ai nuk i pëlqente, duke vijuar të flasë
derisa binte nata. Në Senatin e Romës qe e ndaluar me ligj që Senati të merrte
vendime pas Perëndimit të diellit, në mënyrë që të shmangeshin tentativat për
komplote, apo organizim seancash pa dijeninë e të gjithë senatorëve. Fjalimi më
i gjatë në dhomën e ulët të Parlamentit të Anglisë, qe një maratonë që zgjati
për gjashtë orë nga Henry Brougham, më 1828. Por kjo në fakt nuk qe një
filibaster për të harxhuar kohë e për të ndaluar miratimin e një ligji. Në anën
tjetër, Charles Stewart Parnell i Partisë Parlamentare Irlandeze, e përdori
rregullisht këtë taktikë në Uestminster gjatë viteve 1880 në përpjekje për të
fituar autonominë dhe për të futur në axhendën e Parlamentit vetëqeverisjen në
Irlandë.
Fjalimi më i gjatë në dhomën e ulët të Parlamentit të
Anglisë gjatë shekullit të njëzetë qe një fjalim i mbajtur nga deputeti
konservator, Sër Ivan Lawrence, i cili foli për katër orë e 23 minuta kundër
një ligji në vitin 1985. Sër Ivani qe një avokat dhe kishte eksperiencën e
mjaftueshme për fjalime publike për të mbajtur fjalët e tij brenda temës, por
përpjekjet e tij nuk e ndaluan dot miratimin e ligjit që po kundërshtonte. “Nuk
mendoj se kisha as një shishe ujë me vete”, kujton ai. “Qe me të vërtetë
adrenalina që më mbajti të vijoja. Për fat të keq, gjithkush mendoi se kjo qe
një hile”. Deputetët e tjerë ndërhynin ta ndërprisnin me shaka herë pas here.
“A është miku im i nderuar i vetëdijshëm se më ofroi të më dërgojë me makinë në
shtëpi sot”, tha njëri prej tyre. Një mik i tij, më vonë i tha Sër Ivanit se
atë natë kishte mbajtur një kopje të transkriptit të fjalimit te koka e
krevatit për të vënë veten në gjumë, sepse vijonin i vinin në mendje orët e
kaluara në Parlament.
Ndryshimet në procedurat parlamentare tashmë e kanë bërë
shumë të vështirë për përdorimin e teknikës së filibasterit kundër ligjeve të
mbështetura nga qeveria në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, megjithëse
disa deputetë laburistë u akuzuan se po përpiqeshin të bënin diçka të tillë në
një debat të kohëve të fundit. Me raste, ligjet e propozuara nga deputetët
dytësorë, ndalohen përmes diskutimeve të gjata. Në vitin 2005 një deputet
laburist, Andrew Dismore, foli për 197 minuta kundër një propozimi ligjor që
synonte të qartësonte se deri në çfarë mase pronari i një shtëpie kishte të
drejtë të reagonte me dhunë ndaj një dhunuesi të banesës së tij.
Por jo të gjitha filibasterat kërkojnë fjalime të gjata. Një
deputet në Zelandën e Re, bllokoi reformën për qeverisjen vendore në vitin
2009, duke propozuar një mijë amendamente – shumë prej të cilave qenë në gjuhën
e indigjenëve vendës Maori. Këto të fundit do të duhej të përktheheshin në
anglisht, rrjedhimisht u humb kohë. Gjithsesi, shumë parlamente – përfshirë të
dy dhomat e parlamentit të Australisë, si dhe Dhomën e Përfaqësuesve
(kongresit) në Shtetet e Bashkuara, – kanë rregulla të qarta mbi kohën që i
lejohet një kongresmeni të flasë. Senati i SHBA-së nuk e ka një rregull të
tillë dhe 60 nga 100 senatorë mund të votojnë për hapjen e një debati para
votimit. Rritja e armiqësisë mes palëve gjatë kohëve të fundit është akuzuar si
shkaktare e rritjes së rasteve të përdorimit të filibasterave të heshtur. Por
në rast se plani i Reid ecën përpara dhe ndryshon rregullat, fjalimet maratonë
mund të rikthehen në dhomën e Senatit. Çështja nëse opinioni publik do t’i
tolerojë këto hile, gjithsesi është një diskutim tjetër.
Në epokën e lajmeve 24 orëshe, politikanët mund të mos jenë
shumë të gatshëm të bëhen shaka publike përmes fjalimeve të gjata për të humbur
kohën, siç qenë paraardhësit e tyre, argumenton Gregory J Wawro, profesor i
politikës në universitetin Cornell dhe bashkautor i librit “Filibasteri:
pengimi i ligjvënies në Senatin e Shteteve të Bashkuara.” “Në kohën e
filibasterave të mëdhenj kundër të drejtave civile dhe në ditët e Huey Long,
diçka e tillë nuk shfaqej në televizor”, thotë Wawro. “Mbetet për t’u parë nëse
senatorët do të jenë të gatshëm të shikohen nga të gjithë amerikanët duke
lexuar nga një adresar telefonik apo duke recituar receta kulinarike”. Dhe
përveç pajisjes së bollshme me ujë e ushqim, ata do të duhet të mendojnë se si
do ta marrin votuesit e tyre një tentativë kaq të qartë humbje kohe. Frika nga
votuesit që shohin televizor është e mjaftueshme për ta bërë edhe fjalimin më
serioz, por gjithsesi të gjatë, të tepërt për çdo politikan.
Llafollogët e mëdhenj të Amerikës
Një nga filibasterat më të gjatë në histori ndodhi kur
senatori i SHBA-së, Strom Thurmond foli për 20 orë e 54 minuta në 28 gusht 1957
deri në orën 21:12 minuta të mbrëmjes së nesërme kundër reformës për të drejtat
civile. Senatori Alfonse D’Amato nga Nju Jorku, vijoi të flasë për 23 orë e 30
minuta në një përpjekje për të ndaluar një ligj mbi ushtrinë në vitin 1986. Robert
Byrd nga Virxhinia Perëndimore foli kundër Aktit të Lirive Civile më 1964 për
14 orë e 13 minuta. Huey Long i Luizianës diskutoi cilësitë e recetave të
ndryshme kulinarike më 15 orë në vitin 1935.
Llafollogjia nëpër botë
Në dhjetor 2010, deputeti nga Partia e Gjelbër e Austrisë,
Werner Kogler, mbajti një fjalim që zgjati 12 orë dhe 42 minuta. Deputeti
konservator i Kanadasë, Tom Lukiwski, foli për gjashtë orë në një komision
parlamentar në vitin 2008. Në Britaninë e Madhe, në shkurt 1983, laburisti John
Golding foli për 11 orë mbi ligjin mbi telekomunikacionet, por për shkak se
fjalimi u mbajt në një komision dhe jo në sallën e Parlamentit, ai kishte të
drejtë të bënte pushime. Më 1936, deputeti Tommy Henderson nga partia e
Unionistëve të Pavarur në Parlamentin e Irlandës së Veriut, foli për dhjetë orë
rresht.
Comments
Post a Comment