Posts

Showing posts from June 8, 2013

Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes (1919)

Image
Gjergj Fishta në Paris Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie ; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve te historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i Ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëz