Posts

Showing posts from May 30, 2012

Elementi irracional në poezi – Wallace Stevens

Image
I Të fillojmë me frazën: elementi irracional në poezi është tepër i përgjithshëm që të mund të përdoret. Sapo dikush mendon një grimë për të, ai menjëherë shpërhapet. Pastaj në këtë moment ne jemi aq shumë të mbytur nga zhurma që bëjnë surrealistët dhe aq të zënë me leximet për ta, sa mund të ngatërrohemi nga këta shkollarë romantikë dhe t’i mendojmë si shembujt e vetëm të irracionales sot. Sigurisht që ata janë shembull i njerit aspekt. Sidoqoftë ajo ç’kam unë në mendje kur flas për elementin irracional në poezi vjen nga ndërthurja mes realitetit dhe ndjeshmërisë së poetit prej nga lind dhe poezia. II Unë nuk jam i aftë të diskutoj për realitetin si filozof. Të gjithë e kuptojmë çdo të thotë shndërrim i një realiteti objektiv në një realitet subjektiv. Ndërthurja mes realitetit dhe ndjeshmërisë së poetit është pikërisht ky. Një a dy ditë para Ditës së Falenderimit ne Hartford ra një borë e lehtë. Ajo u shkri pakëz gjatë ditës, pastaj natën ngriu sërish duke krijuar mbi

Libri – Horhe Luis Borhes

Image
Ndërmjet veglave të ndryshme që përdor njeriu, vegla më e çuditshme është libri. Të gjitha të tjerat mund t’i quash zgjatime të tij fizike. Mikroskopi dhe teleskopi janë vazhdimësi e syrit, telefoni – vazhdim i zërit, plugu dhe shpata – i duarve. Por libri është një punë krejt tjetër, libri është   vazhdim i kujtesës dhe i imagjinatës. Kur në dramën e Shout “Cezari dhe Kleopatra” bie   fjala për Bibliotekën e Aleksandrisë, atë e quajnë kujtesën e njerëzimit. Po, libri është kujtesa jonë. Por libri është diçka tjetër, ai është dhe imagjinatë. Se, çfarë është e shkuara jonë, përpos se një radhë ëndrrash? Çfarë e dallon kujtesën e ëndrrave nga kujtesa për të kaluarën? Edhe kujtesa, edhe imagjinata, gjenden në libër. Dikur kam menduar të shkruaj një histori të librit. Por jo nga pikëpamja materiale. Librat nuk më interesojnë si objekte fizike (në radhë të parë kjo u takon librave të bibliofilëve, që mblidhen zakonisht në sasira gjigande), mua më interesojnë thëniet mbi librat.

Mbi dashurinë, misteret e rrëfimit dhe të tjera – Ridvan Dibra

Image
Mbi dashurinë, misteret e rrëfimit dhe të tjera Heroi Ynë, profesor dhe shkrimtar i lakuar, vuan mungesën e një FABULE për romanin e tij të ardhshëm! Fjala është për një fabul joshëse e përplot INTRIGË, me një SUBJEKT ku të integrohen sa më natyrshëm dy-tri LINJA RRËFIMORE me kahje vetiake e sociale dhe ku NARRATORI, sipas rastit e sipas një plani të hartuar me kujdes që më parë, mund të futet nën lëkurën e ngrohtë të personazhit kryesor, ose mund të marrë pozicionin aspak komod të rrëfimtarit të painteresuar; çka, me siguri, kishte për të zgjuar interesin jo vetëm të publikut të gjërë, por edhe të kritikës elitare, duke ia krijuar mundësinë asaj që ta kundrojë tekstin në këndvështrime të specializuara e të larmishme të natyrës simboliste e semiotike, minimaliste e fenomenologjike, psikanalitike e formaliste, pozitiviste e strukturaliste, dekonstruktiviste e feministo – maskiliste etj. etj. Nga përvojat, por edhe nga leximet, Heroi Ynë e di se rrugët kryesore për ta kërkuar f