Tradita që krijoi në muzikën klasike shqiptare, Çesk Zadeja
Salla e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes (ish-SHQUP-i), u “kthye” në ministudion e Çesk Zadejës paraditen e djeshme. Për 85-vjetorin e lindjes, për herë të parë familja nxori nga arkivi partiturat e muzikës së filmit “Skënderbeu” (1952) dhe i prezantoi në një ekspozitë. Studiues të muzikës mbajtën për një orë kumtesa mbi pasurinë e krijimtarisë 50-vjeçare të Zadejës, u përqendruan te roli i krijuesit në muzikën profesioniste shqiptare dhe te lidhja që ai kërkonte të mbante me zhvillimet europiane të muzikës. U fol për një kompozitor të frymëzuar, sidomos te baleti “Delina” dhe “Para stuhisë”, për frymën e re që përcillte në krijime, për kontributin në shkollën kombëtare, profesionalizmin në pedagogji, mbështetjen që u jepte të rinjve krijues dhe prurjet në fushën e botimeve mbi muzikën. Në sallë u shpërnda nga familjarët edhe “Vetparja e procesit”, botim i vitit 1997, me shkrime mbi kompozicionin që kompozitori i shkroi qysh në fillimet e karrierës së