Letërsia dhe vdekja
Në të njëjtën mënyrë si erosi, vdekja është një nga temat e privilegjuara të letërsisë, e cila e përshkruan, e vendos në një sistem të ndërlikuar, e mvesh me vlera etike dhe simbolike. Ajo ngarkohet nga njeriu me aq shumë domethënie (më gjasë, edhe më shumë se erosi) sa do të ishte e pamundur të përmendeshin të gjitha, domethënie që e kanë prejardhjen nga kultura dhe ndërgjegjja kolektive. Në letërsi, “erashka” simbolike që e shoqëron mbushet ndoshta edhe me më shumë ngarkesë. Thanatos Në mitologjinë greke, Thanatos është hyu i vdekjes dhe shfaqet si një plakush mjekërmadh e me flatra, ose i mbuluar nga një mantel i zi. Thanatos përmendet pothuajse përherë bashkë me Erosin, hyun e dashurisë. Që të dy janë polet e një mekanizmi që rregullon mbarë ekzistencën, atë që Frojdi më vonë e quajti “parimi i vdekjes” dhe “parimi i kënaqësisë”. Erosi krijon jetën, Thanatosi e shkatërron; Erosi afron, Thanatosi largon; Erosi bashkon, Thanatosi ndan përgjithmonë.