Ardian Ndreca_Komunizëm pa marksista
Para pak ditësh vdiq filozofi Eric Hobsbawm e shumica e gazetave shqiptare theksuen faktin që ka qenë deri në fund të jetës marksist; ky nënvizim u ba pa vetëdijen e qartë se të qenit marksist i Hobsbawm-it nuk kishte asgja të përbashkët me kuptimin që ai term ka pasë tek ne. Shqipnia pati fatin e mjerë me pasë nji surrogato komunizmit pa baza të mirëfillta marksiste. Enver Hoxha vetë nuk njihte dhe nuk zotnonte asgja prej filozofisë së Marksit. E gjithë shujta (ushqimi) e zhganit të tij vinte prej do përkthimeve të këqija prej rusishtes ku terminologjia hegeliane e Marksit ishte kthye në nji rebus të pakuptueshëm. Baza teorike e ideologjisë së Enver Hoxhës ishte dogmatizmi engelsian, Lenini e Stalini, këta të fundit, të mjerë si mendimtarë, por të zot si xhelatë. Në fakt për atë plan që kishte në mend me vue në jetë Enver Hoxha nuk kishte aspak nevojë për mendimtarë, atij i mjaftonin metodat kriminale që ishin zbatue me sukses në Rusinë sovjetike qysh prej vitit 1917