Trishtimi që na përqafon me mall
Nga Albert Vataj Valët vijnë dhe ikin. Pas përherë nderet në vështrimin e përhumbur pamja e një malli që përflak buzët nga kujtimi i puthjes, që porsi valët, vijnë dhe ikin, për të lënë trishtim që e ngjyn perëndimi me dritën që rrëzohet, buzët që i kris pritja dhe zemra që thyhen si valët. Trishtimi që na përqafon me mall është ngasja e shkumëzuar që vjen e përplaset përgjatë bregut duke shuar kujtime dhe hapa që lamë në kundrinë tonë melankolike. Ky ag ka shëmbëllimin e të gjithë perëndimeve. Të gjithë ndarjet shihen në pasqyrimin e trishtë, penelatat e shkujdesuara që dergjen ashpër mbi syprinën e një malli që dot se gërmëzuan fjalët. Ti je tej, atje ku pamja terron e shikimi shëmbet në pamundësinë e rrokjes së horizontit, hapsinës që i mbledh krahët si një zog që ulet.