Antonio Vivaldi, dishepulli që u bë Hy i barokut në muzikë
335 vjet nga lindja e kompozitorit të madh italian Nga Albert Vataj Muzika asht e vetmja gja hyjnore që ka zbrit nga qielli. Kësisoj, jo tjetërqysh, mundena me e shiju Vivaldi e krejt atë kolanë të pambarimtë dishëpujsh të hyjnores në muzikën klasike. Tekështu mundet me u përjetu këtë mjeshtra të muzikës, këto magjistar të ndjenjave delikate, këto ngadhnjimtar të shpirtit estetik, këto ngjyresa të paarritshme prej kurrfar dritimi që ka mujt me lëshu ndonjë përshkënditje që ka prek tokën. Antonio Vivaldi, është padyshim një personalitet i spikatur i muzikës italiane, një tokësor që predikoi fjalën e shenjtë dhe kungoi vullnesën hyjnore në shpirtin e sekujt, atëmot e në amshim. Nëpërmjet muzikës së tij, Vivaldi ka prek puhizshëm shpërthimin magjepsës të pranverave, gufimin e një sythi e syprinën dehëse të një lumi, valën lojcake të bregdetit e vetminë e hapave të një hutimi, prarimin e një pafajësie e adhën e perëndimeve që kridhen në kurmin dalldisës të dëshirave shpuese.