Geti, ky sinonim i hip hopit-Nga Arnolld Korenica
Getoar Selimi, anëtar i grupit Tingulli 3nt dhe një prej figurave kryesore të hip hop ‘labelit’ Babastars së fundmi ka goditur fuqishëm skenën e muzikës shqiptare. Pas albumit super të suksesshëm “Ma I Madhi N’Ven”, si i tillë Geti u kthye me imazhin e ri në kuadër të BabaStars. Përkundër angazhimeve të shumta me koncerte dhe me projektet e reja në studio, ai ka pranuar që në disa pyetje t’i përgigjet ekskluzivisht Telegrafit.
Telegrafi: Babastars, një brend tejet i suksesshëm i cili ka kohë që është lansuar. Pos këngëve dhe produksionit të gjerë si ‘label’, ju keni avansuar edhe në shitjen e veshjeve me logo të juaja që janë bërë shumë të shitura anë e mbanë trojeve shqiptare. Si e komentoni këtë?
Geti: Babastars është një fabrikë e shoubizit dhe në standardet tona ne po mundohemi të sjellim frymë të re të shoubizit, një mënyrë të punës në hap me kohën me praktikë që në të ardhmen të ketë disa kompani tjera si Babastars që mund të ndikojnë në rritjen e nivelit. Kjo vlen edhe për bluzat ose gjërat tjera që shiten si produkt i joni. Ka qenë një provë e jonë që rezultoi me sukses. Falë kësaj tani edhe artistë tjerë kanë produktet e tyre.
Telegrafi: A jeni bos apo lider i Babastars, pasi shumë herë ju jemi referuar si të tillë?
Geti: Ndoshta është dashur të pyetem para se të më quani ashtu... ne Babastars unë jam drejtues, jemi disa aksionarë dhe “Na Jena Bossa” ky ëshë emri i këngës së re të Babastars që do të dalë pak më vonë...
Telegrafi: Kush dhe kush janë pjesë të Babastars?
Geti: Babastars mund të jetë kush do që ka dëshirë. Artistët që janë tani për tani në ‘label’ dihet cilët janë dhe mund të ketë hyrje dalje, por me këtë pjesë shumë pak merrem unë...
Telegrafi: Kënga e re “Po T’Shoh Përmas” ka thyer rekorde të shikueshmërisë në YouTube brenda pak kohësh. Sa jeni i kënaqur me këtë këngë?
Geti: Sukseset e këngëve tona kanë qenë gjithmonë në klikime, koncerte në shoubiz dhe në përgjithësi në skenën muzikore. Por, kjo ka qenë një këngë speciale, e cila është lansuar në kohën e duhur dhe pa dyshim ky sukses është më se i pritshëm.
Telegrafi: Rivalët kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për t’iu sulmuar pas lansimit të këngës “Po T’Shoh Përmas”. Pas gjithë këtyre reagimeve, a mund të themi se kjo këngë është një ‘diss’ apo është mesazh për dikë?
Geti: E kam thënë edhe më parë që unë kam vepra e jo fjalë. Tingulli 3nt është një grup që është i pranishëm në skenën muzikore që nga viti 1997. Deri tani kemi pasur shumë këngë e hite dhe asnjëherë nuk kemi pasur një diss ose këngë me një dedikim të caktuar dhe nuk e besoj që do ta ketë dikush atë privilegj.
Telegrafi: Si e shihni skenën e hip hopit shqiptar pas kalimit nga ‘old school’ në ‘new school’. Sipas jush, a kemi ngritje të cilësisë?
Geti: Gjithmonë gjërat shkojnë me kohën, deshtëm apo jo gjithmonë duhet t’i përshtatemi. Secila kohë e ka të mirën e vet. Lum ata që i kanë përjetuar të gjithë këto kohëra...haha hajgare. (qesh)
Telegrafi: A jeni duke punuar në projekte të reja, a mund të zbuloni ndonjë prej tyre për fansat tuaj?
Geti: Ne punojmë vazhdimisht në projekte të reja, disa nga këngët e Babastars janë të përfunduara ndërsa tjera priten të përfundojnë pasi që kohëve të fundit kemi punuar edhe projekte individuale, që pritet të dalin së shpejti si për shembull Skivi me këngën e re “E Di Që M’Don”, Cozman dhe Tuna, Albumi i TDS dhe një këngë e re nga vet unë si Ghetto Geasy.
Telegrafi: A jeni të angazhuar gjatë verës nëpër koncerte dhe cilat janë destinacionet e juaja?
Geti: Angazhimet janë pjesë e punës dhe e jetës tonë. Në këtë punë kemi të parën dhe të fundit. Jemi gjithmonë prezentn në viset ku ka shqiptarë – në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë etj.
Telegrafi: Ju faleminderit shumë që gjetët kohë t’i përgjigjeni pyetjeve tona. Ju dëshirojmë suksese të tjera të mëdha në të ardhmen.
Geti: Gjithashtu ju faleminderit dhe suksese.
Telegrafi
Comments
Post a Comment