Deti nxjerr në breg antikulturën qytetare



Nga Albert Vataj

Ishmi nxjerr në breg dëshminë e një krimi ekologjik dhe antikulturën qytetare. Aty ku duhet të të përcjellë syri shëtitësit e parë të bregut të detit, ndërsa sezoni i pushimeve përpëlitet mes mëdyshjes së kushteve atmosferike, të trokasë, një panoramë e trishtë të shpërfaqet para kandës joshëse që përcjell bregdeti në një ditë të bruztë, të trazuar dhe një qiell me re. Si për ironi të fatit, shëtitësit e kësaj joshje romantike, të mbetur në memuare, i zëvendësojnë disa banorë, ndoshta të zonave përreth, të cilët rrëmojnë mes pirgjeve të hedhurinave të bregut, për të gjetur diçka që mund ta konvertojnë në para, apo të rifaktorizohet. Kjo mbartje kushtruese dhe britme ambientalizmi nxjerr zemëratën e vet në Ishëm, fare pranë kryeqendrës, Tiranë, aty ku vegjetojnë me dhjetëra organizata, shoqata, OJF, në programin e të cilëve është higjiena, mbrojtja e natyrës, ekonologjia, ambientalizmi e turli emërtesash, pas të cilave vërshojnë projekte e mijëra euro të taksapaguesve. Për kujtesë gjeografike dhe ndërmendje administrative, Ishmi shtrihet në ultësirën perëndimore, në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Kepi i Rodonit. Ai ka një vijë bregdetare afërsisht 26 km, ku përfshihen Gjiri i Lalësit dhe Gjiri i Ramshpatit, në këtë gjatësi përfshihet dhe Kepi i Rodonit.
Në këtë kuadër, mëtojmë gjithashtu se kjo epiqendër katastrofe ambientalizmi dhe harbutërie qytetare, lumi Ishëm, sipas një studimi të paradokohshëm të kryer nga një institut zviceran, rezulton të jetë lumi më i ndotur në shkallë vendi. Ky lumë është i gjatë 74 km dhe formohet nga bashkimi i lumit të Tiranës me përroin e Tërkuzës dhe atë të Zezës. Kjo prurje derdhet pranë fshatit Drac të komunës së Ishmit, në atë pjesë që njihet edhe si plazhi me të njëjtin emër. Përgjatë shtegtimit të tij, ai përshkon disa qendra të banuara derisa përfundon në det, aty ku ngre “përmendoren” e antikulturës civilizuese, të cilën soditim ne sot. Kjo formëzon dhe dëshminë më të pakontestueshme se vullneti për të ruajtur ambientin, për të trashëguar vlerat e patjetërsueshme natyrale të kësaj zone, është një pamundësi, një marrëveshje që kemi bërë me shkatërrimin.
Tonelata e mbetjeve që shtrihen si një përbindësh në gjatësinë e bregdetit të Ishmit, me tendencë mësymjen e plazhit të Durrësit, dhe kaplimin e tërë të tij, u behu nga zemërata e pakohë e shirave dhe rrymat detare. Larmia e këtyre "mysafirëve të paftuar" është njiherash dhe pasqyrë e ambicies së statusit social dhe ngulmit për të dëshmuar se sa dhe si funksionojnë politikat e pastrimit publik, për zbatimin e të cilit ekzistojnë mekanizma, struktura, mjete njerëzore dhe financiare. E të gjitha këto, kurrsesi nuk mund të jenë në funksion të shndërrimit të lumenjve në kosha hedhurinash.
Rëra nën peshën e këtyre mbetjeve urbane e industriale është një mesazh, një kushtrim, një ndërmendje qytetare. Sot kur bregun e mbulojnë hedhurinat, e valët e detit vijnë dhe ikin, duke plotësuar këtë dekor tragjik, i cili mundet të jetë vetëm se shqiptar. Ato plehra, sigurisht që nuk ranë nga qielli, sikurse as nga përtej brigjet shqiptare nuk erdhën, as deti nga barku i tij nuk i nxori. Natyrisht, ata janë vepër e kontributit tonë të njëzëshëm, solidaritetit tonë absurd, akt i asaj qytetarie, petk të cilin e përdorim vetëm si dëshmi e egoizmit tonë të sëmurë, dhe kurrsesi si një ndjesi, një yshtje e brendshme promovuese dhe mëtuese. Modeli jonë i qytetarisë, i asaj qytetarie që flakëron plehrat nga kati x dhe i plas në rrugë apo në trotuar, asaj vetëdije civilizuese, që nguron të bëjë ca hapa për të mbërritur tek vendi i duhur, dhe thërret një arsye nga brenda vetes, për t'i lënë poshtë një peme, apo në kthinë të rrugës. Për të mbërritur në finalizimin e kësaj maskarade, këtij terrorizmi ekologjik, shndërrimin e lumenjve në përcjellës të hedhurinave dhe pafytyrësisë sonë. Dhe më pas gjithçka finalizohet në këtë breg deti, në këtë prehër që ende nuk ka vendosur të çelë bujarinë e saj të verës, por të batërdisë ambientalistët që veç retorikave dhe pasioneve mediatike, nuk kumtojnë gjësend tjetër.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk