Ezel, triumfi oriental i Konti Monte Kristos

Nga Albert Vataj

Hakmarrja si trill dhe metamorfoza si sfidë
Shkrimi origjinal është publikuar në formë serie në "Débats des Journal" më 1844, Paris. Carlos Javier Villafane Mercado ka përshkruar efektin që kishte në Europë, kjo kryevepër e njëmendtë. Shkrimet e njëpasnjëshme në formë episodesh kishin një audiencë të madhe, njerëzit ishin të magjepsur. Padurimi për të ndjekur shtypin dhe për të mësuar mbi ecurinë e një zemër të thyer që kërkon të mbledhë copat dhe formësuar mozaikun e hakmarrjes, shkruhej qartë në kronikat e kohës. Ato rreshta ishin ndryshe nga çdo përvojë tjetër leximi e deriasokohshme. Interesimin që rrëmbeu nuk kishte të ngjarë t'i qasej diçkaje tjetër. Ditë pas dite, mëngjeseve, në punë apo në rrugë, njerëzit flisnin vetëm për këtë histori. George Saintsbury (1845-1933), shkrimtar, historian, studiues dhe kritik deklaroi: "Ka qenë libri më popullor në Europë. Ndoshta ishte romani që do të mbante rekordin për një kohë të gjatë për nga interesimi, në shumë vende të ndryshme ku ai arriti të joshte admirimin e lexuesve". Ky popullaritet është shtrirë edhe në kohët moderne, duke e cilësuar atë si libri më i përkthyer në botë në pothuajse të gjitha gjuhët moderne. Ka pasur të paktën 29 filma mbi bazë të tij, si edhe disa seriale televizive.
Ai është romani i Aleksandër Dyma, "Le Comte de Monte-Cristo", autor i cili plazmon në memorien e vetëdijes kulturore dhe tekstshkruese edhe me romanin "Tre Musketeers".
A nuk është korniza e kësaj panorame, ajo, brenda të cilës është e mbishkruar fama e serialit turk, "Ezel". Ai tashmë nuk është thjesht një serial, është një fenomen kulturor, anipse i përqarkuar nga një armatë ngrehaluce, kundërshtarësh dhe kritizerësh, groteskësh dhe vulgarësh, që përpiqen të anatemojnë interesimin publik, dhe të kryqëzojnë një sipërmarrje, e cila veç adhurimit nga publiku, ka marrë dhe vlerësime të jurive dhe institucioneve ndërkombëtare. E megjithatë, ai vazhdon të ndiqet, vazhdon të rrëmbejë, të magjepsë interesimin e teleshikuesit, sot "Ezel", si atëherë "Le Comte de Monte-Cristo". "Ezel" është jo vetëm për "gratë e dëshpëruara", por edhe për burrat e "Kont Monte Kristos". Profil fizik dhe psikologjik, sentimental dhe emotiv i Ezel, është një model në të cilin e gjejnë veten të konturuar shumë meshkuj, dhe jo vetëm. Por ajo që e bën këtë serial, një ngasje ndryshe nga krejt tjetërçka, që ekrani i vogël mëton për kohën e lirë, është instinkti i hakmarrjes, intriga, lënda e tekstit, fotografia, muzika, loja e aktorëve dhe krejt tjetërçka që përplotëson këtë serial. Është tek çdonjëri ngulmues, padurimi i fundit të hakmarrjes, terreni sentimental, nëpër të cilin lëviz një makinë e përbindshme drejtësie dhe vrastare, krimi dhe dashurie, mëdyshjeje dhe vendosmërie, për të çmbushur helmin e viteve të fajit të pakryer. Gjithkush në përvojën e tij jetësore është ndjerë i tradhtuar, është viktimë e një makinacioni dashakeq të personave, të cilët duke penetruar lehtësisht përmes dashurisë, mirëbesimit, mirësisë dhe naivitetit, kanë mundur të mbërrijnë lehtësisht në kreshtën e qëllimeve të tyre të errëta, ashtu siç i ka ndodhur edhe tek "Ezel",  sikurse edhe tek "Le Comte de Monte-Cristo". Vetë jeta, shpesh e udhërrefen individin nëpër situata të tilla. Dhe është vetë ajo që, e merr për dore për ta nxjerrë. Ky është, "tamam" thelbi i gjithë këtij pasioni, kësaj ngasjeje, këtij tërbimi, këtij ngulmi për të qëmtuar hap pas hapi fundin e hakmarrjes. I tillë ishte  "Le Comte de Monte-Cristo", i tillë është edhe "Ezel". Që nga fillimi, vazhdimi dhe deri në fund ai është padurimi ynë për të mbushur hendekun që ka hapur padrejtësia, zemërthyerja. Përmbysja në mënyrë të beftë e ngjarjeve dhe loja me të mundshmen në rrethanat e befasisë, i propozon këtij seriali gjithnjë e më shumë admirues.
Anatema
Shumë hamendësime janë orvatur të dalin në konkluzione mbi rrjedhojat patogjene dhe manirat që kanë molepsur shoqërinë, e cila e gjen veten të përfshirë thekshëm në këtë lojë trillesh. Turravrap për të trazuar syprinën e qetë ku noton kjo marrëdhënie mes ekranit dhe individit, mendoj se hyn në mëvetësinë që kërkojnë të përvetësojnë një kategori e shoqërisë dhe një lloj integriteti sipëror shijesh etike dhe estetike. Tendenca për ta vendosur veten jashtë "tufës" nuk merr përsipër të vlerësojë aksh person, i cili duke mos konsumuar "Ezel", ai përfshihet në të tjera forma artpërftuese më elitare. Përcjellja në mënyrë përbuzëse dhe trajtimi i asaj kategorie teleshikuesish në një rend të ulët botëkuptimi, është më shumë një diferencë, sesa një analizë e mirëmenduar. Përfshirja në perceptimin kolektiv të shijeve estetike, një lloj arti apo një mënyrë argëtimi i jep asaj vlerë. Nuk mendoj se edhe shoqëria parisiane e viteve kur i publikua pjesë pas pjese në "Débats des Journal", "Le Comte de Monte-Cristo", duhet të përballej më ushtat e helmatisura të penave majëmprehtë të atyre që përbënin njëmend kritikën. E megjithatë, ai libër mbetej një magji që ata nuk ia falën asnjë përmendje ndryshe, por e lexuan deri në fund dhe e mbajtën për një kohë të gjatë në kryeradhën e veprave më të përkthyera dhe më të lexuara.
Mëtimi
Duke komentuar atë joshje që ka gozhduar para televizorit miliona teleshikues, do të përpiqem të dekodoj  këtë sjellje, t'i jap formë këtij ngulmi. "Ezel" është një serial dhe duke qenë i tillë atij i është dashur të sfidojë gojët e liga dhe të provojë të kundërtën atyre që këtë dimension kinemaje, duan ta trajtojnë jo si një njësi shprehëse shumëformëshe, po si një përsiatje konsumi. "Ezel", në kryeherën e vet, shquhet për lojën aktoriale. Tipat dhe karakteret janë përzgjedhur mjeshtërisht. Kamera dhe fotografia si rrallë kanë aftësinë të depërtojnë në brendinë e personazheve, duke e bërë atë më lexueshëm dhe më përjetues. Plastika e mimikave dhe loja me figurën dhe dritën, e cila e gjen veten të harmonizuar nga veprimi i aktorëve, janë gjithashtu elemente që bëjnë diferencën. Fjalori dhe kodet e sjelljes së mirëpërcaktuara për secilin nga personazhet, dëshmojnë për një tipar tjetër që do ta vendoste me të drejtë "Ezel" në majën e preferencave të deritashme.
Ndonëse seriali është ende një gjysmën e parë të së tërës së saj dhe impresionet e para duket se kanë konsumuar dhe nuk pritet ndonjë gjë e re, ndonjë rrjedhojë dhe tension tjetër zhvillimesh, përnjëherësh përmbyset gjithçka. Seriali nuk ka pranuar të ulë densitetin e papriturave, kurtheve, intrigave, raportet kohërendëse, zjarrin e dashurisë, ethet për dominim dhe padyshim dhe ngulmit për të mbledhë me dhimbje dhe metamorfozë të gjithë copat e mozaikut të hakmarrjes.
Ajo që e ka bërë për vete teleshikuesin dhe që do të qëndrojë gjatë në mbamendjen e shqiptarëve, mendoj se është përkimi dhe ngjashmëria i dominuese së ngjarjeve. Individi duke parë këtë film përcjell realitetin në gjendje transi. Atij i kalon para syve e gjithë ajo që është, dëshiron të jetë dhe mundet. Asnjë situatë, apo fragment i këtij seriali nuk e dëbon shikuesin, përkundrazi, forca tërheqëse e ka bërë atë më preferuar.
Përshtypje
Një veçori tjetër që ka bërë Ezel të përfshihet në rrjetet sociale është kasta e personazheve dhe transmetimi i atypëratyshëm i impresionit viziv. Unë nuk do të isha i njëmendtë me ata që kërkojnë që gjithë meritat t'ia atribuojnë personazhit kryesor, dhe kjo referuar aparencës, hireve të tij mashkullore, botës së tij. Ai vërtetë mishëron shumëçka nga suksesi që mbart në vetvete ky serial, por do të ishte i mangët shkëlqimi i tij, pa pasqyrimin në dritëpërçues. Me fjalë të tjera "Ezel" nuk mund të ishte kaq tërheqës, nuk mund të reflektonte kaq joshje mashkullore, nëse do t'ia hiqnim portretit dhe personazhit të tij atë forcë lëvizëse të hakmarrjes, atë vërshimë stuhishëm ndjenjash dhe dyzimesh. Ai do të ishte i paplotë pa Daja Ramiz dhe rolin që ka ky i fundit, jo dhe aq në thurjen e planeve dhe intrigave, kumtimit të urtësisë dhe maturisë, por dhe mëtimit të një pozite atërore që kultivon në të shkuarën, të tashmen dhe të mëtejshmen e personazhit Ezel. Pa Ejshanin gjithashtu, që mbetet dhe zanafilla dhe përfundimi i kësaj drame modern, Ezel do të ishte absolutisht i paplotë. Xhengisi, Aliu dhe Tefo e përplotësojnë personazhin Ezel. Intriganti dhe njeriu i kulisave, krimineli gjakftohtë dhe fisnik, ushtari besnik dhe … Për të vazhduar me lojën e retrospektivës, të djeshmen që vjen e rivjen si për ta ushqyer me energji vazhdimin, një tjetër çelës suksesi nga skenaristët.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk