Salvador Dali, kumtues i kurmit të gjakosur të së vërtetës


Nga Albert Vataj
Tash në përvjetorin e vdekjes së Salvador Dalisë, përulemi si nën peshën e një besimi dhe ndërsejmë në memorien e të tashmes këtë rrufe krijimi. Në fillimtarin e kësaj qëmtese mëtoj nji prej  “predikimeve” të tij, që munet me ken dhe nervi i kësaj shtjelle rrapëllitëse: “Inteligjenca na bën të çlirojmë nëpër mjegull disa nuanca të skepticizmit, që kanë mbi të gjitha për efekt kryesor të zvogëlojnë për ne në disa koeficientë të një pasigurie gastronomike dhe superxhelatinoze, prustiane, të një loje parimisht të lartë. Për këto arsye është mirë dhe njëkohësisht e nevojshme që kohë pas kohe, spanjollët si Picasso dhe unë, të vinim në Paris për t’u vënë para syve francezëve një copëz të papjekur dhe të gjakosur të së vërtetës”. Jo vetëm Parisi por bota krejt u përmend nga kjo përpjekje titanësh.

Salvador Dali është një prej majave që ngërthehet ngulmues përnga lartësitë më të epërme të kuadratit të tablosë. Dhe jo vetëm aq, ai ishte dhe mbetet një artist shumëdimensional dhe një njeri i padeshifrueshëm. Nuk ka një fushë të krijimtarisë artistike ku ai të mos ketë dhënë një kontrobut, të mos ketë lënë gjurmë të plazmuara fort. Kurrnji oaz i të qenit mishërisht dhe shpirtërisht i lidhur me krijimin, nuk ka mundur të jetë i palakmuar nga Dali dhe i papërfshirë nga shtjella përpirëse e këtij krijuesi. Por gjithsesi ai ishte dhe mbetet një nga surrealistët më kokëkrisur dhe më përfaqësues. Një pervers dhe model i njeriut të përkushtuar për të bukurën, për mesazhin dhe gjithseçka që përkon me afrinë që arti ngas me artdashësit. Dali padyshim ishte dhe mbeti një ndër personazhet më të spikatur në memorien e arteve figurative. Ishte kreshta e surrealizmit. Ai do të mëtonte kësaj rryme një revulucion botkuptimor dhe ideor, artistik dhe estetik, duke bërë që kohë pas kohe admiruesit e surealizmit të kuptonin në të atë qasje figurash të shndritshme të messhekullit XIX, Dalinë si protagonistin. Sepse i tillë ishte ai. Mbeti as më shumë e as më pak, një shpërthim. Si në tablo edhe në jetë ai ishte një individualitet i patëdytë. Ndoshta edhe nga temperamenti i tij, e pse jo edhe nga një mistikë e përbrenshme që e kudodrejtonte atë, ishte dhe mbeti sot dhe do të rrok pa asnjë mëdyshje edhe shijet e brezave që do të vijnë, si një tipar i rradhë.

Në galerinë botërore të pikturës, Dali është penelata më e jashtëzakonshme. Nuk kanë nguruar ta thonin këtë shumë ekspert, shumë njohës të korpusit të tij artistik. Megjithëse kritika e kohës do ta lëndonte tej mase, duke e ngasur mbase të zgjojnë tek ai atë piktor të përmasave të mëdha që njohim. Në këtë prag dallojmë qartazi se si një forcë rrapëllitëse të deng me pamëshirën e saj, me qëllimin e vetëm të të vërë përfundi. Por ai u rrit nga kjo, u formëzua në stuhitë e forta të kohës dhe nga relievi i thukët ku fati e kishte degdisur, veçojmë këtu në pozitat e tij familjare. Këto pikënisin që me vdekjen e vëllait, të nënës, me divorcin e të atit, me përplasjet që kishte me përfaqësuesit të kampit surrealist.

Shumëdimensionalizmi i formës, mendimit, idesë, mesazhit, e pse jo dhe revoltës qasen përnga një kumt që e tipizon këtë personalitet të niveleve eterne të krijimit. Dali në një masë të kosniderueshme përfshin, gjithrrokë në tansinë e veprimtarisë së tij artistike zhanre që vetë piktura i mbart. Ose më saktë, ajo është ama e tyne, si filmi, fotografia, skulptura, arkitektura, etj. Uni babëzitës tek ai ishte dhe një tipar që rrugëtoi atë drejt shumë theqafjesh, prej të cilave nuk mund të themi se ia doli dhe aq gangull. Ai kishte një tërheqje të pazakontë për pjesëmarrje në sjellje dhe i madhërishëm, në mënyrë për të përthithur vëmendjen ndaj vetes. Në rrapëllimën e tekave, shprehi këto të gjenialiteti që trashëgoi, ai u ndesh me një kritikë që duke e u përpjekur ta anatemonte e bëri më të vëmëndshëm për artdashësit. Kjo në një farë mënyre e himnizoi magjinë e tij të përfaqësimit në art.

Jeta e hershme
Domingo Salvador Felipe Jacinto Dali i Domènech, lindi më 11 maj, 1904, në qytetin e Figueres, në rajonin e Empordà-s, Spanjë. Kishte një vëlla më të madh, që ndërroi jetë, prej të cilit ai trashëgoi emrin. Jo vetëm kaq ai ishte “reinkarnimi” i të vëllait, gjë të cilën do ta besonte dhe që e ndoqi në gjithë galerinë artistike. Madje kjo reflektohet në atë që e tipizon më fort pikturën e Dalisë, si orët që varen, globi në formën e vezës, sende dhe objekte që shndërrohën për të marrë formën e gjënezës, krijimit. Linja hollake këmbësh dhe ngarëndje të mundimshme. Gjithsesi në jetën e tij vëllai është shkak dhe pasojë e këtij gjeniliteti. Askush nuk do të gërmonte të gjente tek ai një Dali, të cilin ne njohim sot pa meridianet e këtij filli të hollë që bashkë me të përqarkoi gjithë universin e tij artistik. Megjithëse për vëllain mësohet të ketë thënë se ngjante me të si dy pika uji, por që kishin të ndryshëm refleksionet. Dali gjithashtu kishte një motër, Ana María, e cili ishte tre vjet më e vogël se ai. Më 1949 ajo ka publikuar një libër rreth vëllait të saj, “Dali siç shihet nga motra e tij”.
Hapin e parë në fushën e artit ai do ta hidhte në vitin 1924 me ilustrimin e librit, “Les bruixes de Llers”, autor i të cilit ishte poeti, Carles Fages de Climent, mik dhe shok shkolle i piktorit. Dali gjithashtu ka eksperimentuar me Dada, i cili ka ndikuar në gjithë punën dhe jetën e tij. Ndër miqt e tij nënvizohen Pepín Bello, Luis Buñuel, dhe poeti Federico García Lorca. Tipi arrogant dhe prepotenca, karakteristike të piktorit edhe në art i kushtoi atij diplomimin, të cilin e humbi në periudhën e provimeve. Ai kishte deklaruar se në akademi (bëhet fjalë për vitin 1926) askush nuk ishte në lartësinë e duhur për të shqyrtuar atë. Po atë vit Dali bëri vizitën e tij të parë në Paris, ku u njoh me Pablo Picasso. Pikaso kishte dëgjuar vlerësime pozitive për Dalinë nga Joan Miro. Puna e tij do të tregonte shënja dalluese mbi tendencat e reja të Dalisë, ç’ka dëshmon në kumtet e tija krijuese një qasje për të përçuar diçka nga Pikasso dhe Miro. Gjithashtu në periudhën e mëvonshme ai do të reflektonte në punët e tija hiret e klasikëve, listën emërore e të cilëve do ta niste Fafaelo, për të vijuar me Bronzino, Zurbaran, Vermeer, deri te Velázquez. Dhe jo vetëm i risolli ata në veprën e tij, por edhe i imitoi në teknikat që ata përdorën, pavarësisht diferencës së kohës. Ekspozitat e tij e parë u hap në Barcelona ku tërhoqi shumë vëmendjen, nxituan sakaq urimet dhe vlerësimet.
Më 1929, Dali bashkëpunoi me surrealistin Luis Buñuel. Kontributi i tij ne filmin “Un chien andalou” ishte ndihma që do të jepte Buñuel për të shkruar skenarin e filmit. Më vona ai luajti në një film, për të cilin ai vetë nuk ka pretenduar se ka bërë diçka për të qenë. Në gusht të vitit 1929, Dali  u takua muzën e ardhshme të frymëzimeve të tij, njëkohësisht bashkëshorten e tij të ardhshme Gala, një emigrante ruse dhe ish gruaja e poetit të madh surrealist Paul Éluar. Një epison shumë interesant dhe që mbetet një nga gurët më të rëndësishëm të mozaikut të korpusit të tij artistik dhe jetësor, ishte konflikti me të atin. Shkak ishte Gala dhe natyrisht një deklaratë e pahishme për nënën e tij. I zemëruar, Don Salvador kërkoi që djalin e tij tërheq mbrapsht fjlalët dhe këtë ta bënte publikisht. Dali, natyrisht refuzoi, ndoshta nga frika e dëbimit nga grupi Surrealist, e pse jo dhe nga të qenit konseguent në marrëzinë e tij. Babai reagoi ashpër dhe deklaroi se do ta përjashtonte atë nga trashëgimia. Për të mos e lënë me kaq, Dali në përgjigje të kësaj anateme i dërgoi babait një prezervativ me spermën e tij duke i thënë: “Merre këtë. Kjo është e vetmja gjë që ju detyrohem.” Në vitin 1931, Dali realizoi një nga veprat e tij më e famshme, vazhdimësia e kujtesës, pikturë e cila futi në surrealizëm imazhin e butë. Dali dhe Gala, kurorzuan në martesë më 1934 bashkëjetesën që kishte zanafillë në vitin 1929. Ndërsa shumica e artistëve surrealistë ishte bërë gjithnjë e më shumë të lidhura me politikën e majtë, Dali mbajtur një pozicion të paqartë mbi subjektin e duhur të marrëdhënieve ndërmjet politikës dhe artit. Një ndër figurat kryesore të surrealizmit, André Breton akuzuar Dali për mbrojtje të të “resë” dhe “të paarsyeshmes” një “dukuri e Hitlerit”, por Dali e hodhi poshtë këtë kërkesë, duke thënë: “Unë s’jam Hitlerian as në fakte as në synime.” Ndërkohë Dali këmbëngul, se surealizmi mund të ekzistojë në një kontekst apolitike, duke refuzuar në mënyrë të qartë për të denoncuar fashizmin. Kjo shënon dhe krisjet e para të grupit. Më 1934, Dali ishte subjekt i një “gjyqi”, në të cilin ai u përjashtua nga grupi surrealist. Për këtë, Dali u përgjigj, “Unë jam vetë surealist.”
Në këtë fazë, Dali u njoh një artdashës shumë të pasur, Edward James, i cili e kishte ndihmuar Salvadore Dali të shfaqej fuqishëm në botën e artit. Dhe kësaj ia arriti me blerjen e shumë vepra dhe duke mbështetur financiarisht atë për dy vjet. Ata u bënë miq të mirë. Më 1940 Lufta e Dytë Botërore sapo ka filluar në Evropë, Dali dhe Gala zhvendosen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë jetuar për tetë vite. Më 1941, Dali bën skenarin e filmit ”Jean Gabin Moontide”. Më 1942, ai boton autobiografinë e tij, “E fshehta e jetës së Salvador Dalisë”. Shkruan gjithashtu katalogjet për ekspozita e tij.
Piktura e Dalis pas Luftës së Dytë Botërore shfaq dukshëm shenja të virtuozitet teknik dhe një interes me qasje nga iluzioni optike, shkenca dhe feja. Ai u bë një katolike gjithnjë e më i devotshëm. Vitet e mëvonshme piktori do të përfshihej në veprimtari të ndryshme deri tek spotet e reklamave. Më 1982, Mbreti i Spanjës, Huan Karlos i dhuron Dalis titullin “Markez i Púbol”. Ai vdiq më 23 janar, 1989 në moshën 84-vjeçare dhe u varron në dhomën e nëndheshme të teatrit Museo në Figueres.
Simbolizëm
Vetë piktura e Dalisë është në tansinë e të qënit si materie dhe si koncept. Dali nuk mund të lexohet ndërsa po dëgjon një bisedë për të cilën shfaq interes anësor apo thellësisht përfshirës. Ai është një një përsonifikim i simbolizmit. Simbolizmi, natyrshëm që ka një vend të kosniderueshëm, për të mos thënë se është sinteza e gjithë veprimtarsë së tij artistike. Tek vazhdimsia e kujtesës gjejmë gjurmët e shprehjes së famshme të Albert Ajnshtajn: “Gjithçka është relative, kjo është absolute”. Gjithashtu një shumëpërdorim në pikturat e Dalis gjen simbolika e orëve që ngjajnë me copa të shkrira djathi në një ditë të nxehtë. Po, edhe elefanti zë një vend të bollshëm dhe spikatës. Këtë element e dallojmë përsiatur në disa punë që janë nga më përfaqësueset e piktorit. Tendencat e tij artistike dallojnë për një finesë dhe zhdërvjelltësi formash dhe linjash. Nga ana tjetër një realizim mëse perfekt i objekteve. Për këtë ai mësohet të ketë thënë  se “Unë jam piktura e fotove të cilat më vdesin nga gëzimi. Unë jam i krijuar me një natyrshmëri absolute, pa shqetësimin më të vogël estetik. Unë jam duke bërë gjëra që të më frymëzojë me një emocion të thellë dhe unë jam duke u përpjekur të bëj më të bukurën.”

Në pikturën e tij ai lidh vezën me paralindjen, krijimin dhe zvargia orvat idenë se ai kërkon që me humbjen e vëllait, prej të cilit trashëgoi emrin, të orjentonte përnga një tjetër forcë graviteti gjithkasë që përbën botën e tij. Gjurmët e thella të kësaj humbjeje, të dashurisë me Galën nga ana tjetër dhe të trazirave me të atin dhe me surrealistët janë evidente, janë vetë piktura e tij. Simbolikën e vezës e përdorur gjithashtu si një figuracion, forcë dhe përcaktueshmëri mendimi dhe impresioni, dëshmon në të njëjten kohë në këtë kontekt simbolikën e shpresës dhe dashurisë. Pikëtakimi me vdekje, shkatërrim, i paanë dhe dëshirën seksuale janë gjithashtu elemente shprehëse në pikturën e Dali. Jo pa shkas kërmilli është i lidhur me kokë të njeriut, orvatje për të simbolizuar mbeturinat dhe frikën, mefshtësinë dhe pamotivimin, karakteristika këto të një njëriu të velur dhe pa një horizon të përcaktuar qartazi. Ai ishte Salvador Dali. Përfaqësuesi i një epoke të garrametshme, i një rryme që lindi me shkas artin dhe me objektiv politikën, por që mori nga gjenialiteti i tij më madhështoren, anipse përplot me ndyrësi dhe luhatje në të qënit mjeshtër.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk