Shkurte Fejza, rrëfimi i ikonës shqiptare të 40 viteve të fundit



Si e ndien veten Shkurta, pas një karriere të gjatë në muzikën tonë të pastër dhe të bukur?
Si dikush që pas një rruge të gjatë e të vështirë arrin në një kodër, pastaj ndalesh dhe klith: Ia arrita. I rikujton sfidat dhe dukesh e lodhur, por kur të shohësh se e ke arritur cakun, atëherë të shtohet fuqia dhe sikur i thua vetes: vazhdo për të pushtuar edhe majat më të larta të artit. E kam ditur se do të jetë rrugë e gjatë, por kur e di çka do nga jeta, mos u frikëso kurrë nga dështimi. Unë, që ta flak për pak modestinë, nuk e njoh dhe nuk e pranoj dështimin, mu sikur vargu i Din Mehmetit: “Fatin, në këtë rast të kundërtën e tij, nuk e nënshkruaj kurrë”.
Shkurte, viti 1978 ishte vit që bëri kthesë në jetën tonë muzikore. Madje, për këtë ju keni meritë të madhe. Keni përcjellë Festivalin e Gjirokastrës, i keni kënduar Mic Sokolit, “Erdha nga Qyteti”, “Moj Syzeza”, etj. Ishin këngë të rënda për kohën, por ju kishit kurajë t’i këndonit?
Vetëm ata që e kanë jetuar atë kohë e dinë. Kënga shqipe dëgjohej rrallë, shumë rrallë. Një pjesë e njerëzve kishin arritur kinse një “nivel të kulturës” dhe dëgjonin muzike sllave, ndërkaq pjesa tjetër dëgjonte fshehtas këngë shqipe nga Radio-Tirana. Në atë kohë mbahej Festivali i Gjirokastrës dhe unë e dëgjoja fshehtas. I mora këngët më të mira dhe me orkestrën e SHKA ”Afërdita” u përgatitëm për t’i kënduar. Vlen të theksoj se instrumentistët dhe aktivistët e kësaj shoqërie ishin njerëzit më idealistë të asaj kohe dhe ishin shumë të përkushtuar për çështjen kombëtare. Me një përkushtim të madh u bë orkestra e parë folklorike në Kosovë.
Ndërkaq, më 1979, TV Prishtina bëri xhirimet e para. Dy emisione nga gjysmë ore u emetuan, kurse dy të tjera asnjëherë nuk i pa publiku?
Pas disa koncerteve erdhi kërkesa nga RTP-ja për xhirimin e emisioneve. Dëshiroj të theksoj se meritë të madhe kanë disa njerëz të RTK-së për afirmimin tim aq të shpejtë dhe të vrullshëm. Dua t’i përmend: i ndjeri Musa Tolaj, pastaj Mehdi Bajri, Nuhi Matoshi, Hamëz Lokaj e të tjerë. Këta e deshën këngën e bukur dhe patën guximin që t’i xhirojnë dhe t’i shfaqin, sepse pushteti i atëhershëm i vlerësonte si këngë nacionaliste.
Por, koncertet më të shpeshta dhe më të dendura filluan rreth vitit 1980. Si u pritët nëpër ato koncerte dhe si ishte atmosfera?
Viti 1980 është vit i kulminacionit dhe i afirmimit tim. Koncerte kemi mbajtur në të gjitha qendrat e Kosovës, por edhe nëpër fshatra. Ovacionet e publikut nuk ndaleshin gjatë tërë kohës. Besoj se askush deri tash nuk kishte arritur ta nxiste atmosferën në nivelin që kisha arritur unë.
Ndërmjet viteve 1981-1983, ishit e detyruar ta ndërprisnit këngën dhe paraqitjen publike, për shkak se këngët tuaja ishin të ndaluara nga regjimi totalitar. Megjithatë, me shumë peripeci arritët që më 1984 t’i nxirrnit katër këngë: “Çohuni djema, shaloni atin”, “Valizake”, “O ky vend i bukur me lule plot”, “Maji i kuq”. Me këngën “O ky vend i bukur me lule plot”, në Radio-Prishtinë e fituat Mikrofonin e artë?
Koncertet e fundit i kemi mbajtur më 17 dhe 19 janar 1981 në Mitrovicë dhe kurrë në jetën time nuk do ta harroj atmosferën që ka mbretëruar gjatë dy ditëve, kur kishte edhe nga 3000-4000 shikues. Pastaj erdhi çasti i rëndë për mua, për anëtarët e “Afërditës” nga Mushtishti, si dhe për të gjithë adhuruesit e këngëve tona: ndërprerja e dhunshme e aktiviteteve tona.
Në harkun kohor 1983-1984 më erdhi ftesa për t’i regjistruar disa këngë popullore, por jo edhe folklorike me orkestrën e RTP-së. Megjithatë, u bë si u bë, dhe i regjistrova ato katër këngë, të cilat bënë një bum artistik, sidomos kënga “Dola ke porte e kalasë” (pastaj, “Maji i kuq”). Po atë vit, në programin e dytë, kënga “O, ky vend i bukur me lule plot” u bë hit i kohës dhe, me votat e dëgjuesve, e fitova Mikrofonin e artë.
Ndonëse znj. Liljana Çavolli më kishte ftuar për ta marrë shpërblimin, ai kurrë nuk m’u dha, sepse dora e pushtetit ishte zgjatur edhe këtu. Nuk e di si e kanë ndier veten ata që e morën çmimin tim.
Keni kënduar edhe në Kërçovë dhe aty keni krijuar një atmosferë shpërthyese. Si ndodhi kjo dasmë madhështore?
Këngët e mia sfidonin muzikën sllave që ishte ngulitur kudo nëpër viset shqiptare në Maqedoni. Në vitin 1986 më ftuan në një dasmë në Kërçovë. Shkova dhe këndova, falë insistimit të profesorit të nderuar, Ukshin Hoti. Dasma u mbajt në një livadh, ku u mblodhën mijëra veta. Më besoni, dasma i ngjasonte një demonstrate me të shtëna dhe me brohoritje.
Duket se kjo atmosferë i tmerroi qarqet politike të Maqedonisë, kështu që derisa më 13 shtator po këndoja në fshatin Stremnicë të Tetovës, erdhi policia dhe vetëm falë presionit të publikut, i shpëtuam arrestimit. Megjithatë, pasi arritëm në Kosovë, nga lajmet kuptuam se gjithë grupin e kishin dënuar me burg.
Për këtë shkak, më 1988 u larguat nga procesi arsimor si e papërshtatshme, por e nxorët albumin, “Oj Kosovë, oj nana ime”, i cili u bë njëfarë lamenti kombëtar?
Po, më larguan arbitrarisht si e papërshtatshme politikisht. Hajrushi (bashkëshorti, v.j.) e vuajti dënimin me burg dhe ndërkohë edhe atë e larguan nga puna më 1989 për shkak të organizimit të grevës së punëtorëve në IGK “Ballkan”, ku ai punonte. Pastaj, edhe na i morën pasaportat.
Por, fundi i vitit 1989, e solla albumin tjetër dhe këngën emblematike “Oj Kosovë, nana ime”, e cila do të bëhej një megahit kombëtar. Në fund të viteve të tetëdhjeta, synoja të depërtoja në Evropë dhe të merrja pjesë në atmosferën kombëtare, që kishte për qëllim ngjalljen dhe forcimin e dashurisë për nënën (Kosovën). Kjo këngë sikur i shkonte përshtati ambientit të krijuar. Njeriu duhet ta dojë nënën e vet dhe ta ngrejë në piedestal. Edhe sot mendoj se më shumë se fjala nënë që i lidh njerëzit, nuk e lidh asnjë tjetër. I hyra tekstit të Nolit, e përshtata, e kompozova muzikën dhe doli kënga “Mbahu nëno, mos ke frikë, se i ke djemtë në Amerikë”. Dhe, ashtu doli.
Keni bashkëpunuar me kompozitorin nga Tropoja, Kolë Susaj, dhe pastaj më 1992, për herë të parë, keni shkuar në Shqipëri, ku e keni regjistruar këngën për rrugëtimin tuaj të parë në Shqipëri? Si e përjetuar këtë vizitë?
Bashkëpunimin me z. Kolë Susaj e kam filluar pa shkuar në Shqipëri. Pas këngës “Oj, Kosovë, oj nana ime”, e kam punuar albumin “Për mëmëdhenë“. Qarqet serbe duket i kishin rënë në gjurmë këtij albumi dhe 30 mijë kaseta na i konfiskuan, por ne e gjetëm formën dhe atë e incizuam sërish dhe, kësisoj, “Për mëmëdhenë” – mori dhenë.
Me një rast, thoni: “Rrugës sime për në Shqipni, më ka përcjell ai Drini i Zi, dhe u nisa për me ardhë, porsi vala e Drinit të Bardhë”. Janë vargje emocionuese këto?
Ishte viti 1992 kur shkova për herë të parë në Shqipëri. Rrugën time artistike doja ta shënoja ashtu siç e ndieja. Tekstin e Capalikut ia besova kompozitorit Zef Qoba, i cili e punoi pikërisht ashtu siç kërkoja: e bukur dhe me mesazh të qartë. Vargun “kam një lot m’pikon si ar”, unë edhe si mall, edhe si brengë, edhe si gëzim... Nuk e di a e keni hasur këtë varg në ndonjë poezi, por në këngë jo se jo. Ky është varg vetëm i imi dhe dua ta ruaj me fanatizëm tërë jetën si diçka të vlefshme.
Pastaj renditen këngët “Çka ka zogu që po qan”, “Vdekje s'ka”, “Të dua Kosovë”, ku, në njëfarë mënyre, ishit në kulmin e shkëlqimit tuaj.
E thash edhe më herët se këngët e mia kanë porosi në momentin e daljes në dritë dhe në çdo kohë mund të dëgjohen. Sot, në këngët e mia nuk do të kisha ndërruar asnjë fjalë, madje asnjë shprehje të vetme. Në këto tekste e gjeni programin tim kombëtar, të shprehur nëpërmjet këngës. Konsideroj se çdo njeri duhet ta kryejë punën ashtu si duhet dhe në të mirë të popullit të vet. Edhe sot le ta kryejë punën e vet me nder dhe profesionalizëm. Tekefundit, Zoti i Madh kur ta jep një dhunti, shfrytëzoje për të mirën e vendit. Pas luftës, kam vazhduar me albumet “Jo nuk ndahet Mitrovica”, pastaj këngën dhe albumin “Të dua Kosovë”, “Shqiptari të dua”, “Guri i Pavarësisë”, e kështu me radhë.
Në harkun kohor 2000-2004, së bashku me Shyhrete Behlulin, Remzije Osmanin, Naxhije Fejzën, motrat Mustafa, Mahmut Feratin, Nikollë Nikprelajn edituat shumë këngë, të cilat, të tubuara nëpër albume, e trandën botën shqiptarë në mërgatë?
Këto vitet e fundit, shumë njerëz me vetëdije apo pa të kanë hequr dorë nga muzika shqipe dhe dëgjojnë një lloj muzike, të cilës as emri nuk i dihet. Dhe, ne, këngëtarët, po incizojmë këngë shqipe që mund të vallëzohet shumë bukur dhe të përdoren nëpër dasma dhe ahengje familjare.
Bashkëpunimin e kemi vazhduar me kompozitorët Naim Gjoshi, Edmond Zhulali, Përparim Topçini, Aleksansër Peçi, Naim Krasniqi, Xhevdet Gashi,Valton Beqiri, Burim Krasniqi,Ylber Asllani, Bekim Bislimi, Demir Krasniqi, kurse tekstet e këngëve i kemi marrë kryesisht nga Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Hamit Alijaj, Naim Plaku, Gjok Beci, Ymer Shkreli, Faruk Tasholli, Naime Beqiraj, Bekim Lumi, Fatmir Muja, etj., por më së shumti më kanë frymëzuar rilindësit tanë, Fishta dhe Naimi.
Dua t’i falënderoj të gjithë këta emra për bashkëpunim korrekt dhe shumë profesional e miqësor.
Duket se juve po ju trashëgon bindshëm vajza, Gresa. Kënga në duet me të, për nënën, është prekëse dhe plot emocione, apo jo?
Po, ka shumë emocione, sidomos për nënat dhe të them të drejtën kam pasur problem me emocionet e mia gjatë këndimit, sidomos gjatë xhirimeve të videoklipit. Ajo ka një vokal të ëmbël dhe shumë të mirë. Shpresoj se me punë do të arrijë shumë.
Dukeni shumë modeste në skenë dhe në jetë. Jeni fjalëpake dhe zë më bollëk?
Paraqitja skenike është art në vete, por gjithmonë jam munduar të jem e natyrshme, të jem vetja, pra të dukem origjinale. Pastaj, zëri, sepse pa zë të bukur nuk ka këndim të bukur. Kurrë nuk e kam kopjuar dikë, por gjithmonë kam qenë Shkurte Fejza.
Megjithatë, duket se kënga ju ka bërë të famshme dhe besa edhe të pasur, së paku shpirtërisht, kurse materialisht mund të vetëkuptohet?
Po. I kam katër fëmijë. I pari është djali, të cilit ia kam vënë emrin nga rrënjët tona, Arbër. E dyta është vajza, e cila e ka emrin nga rrushi ynë, Gresa. I treti lidhet me besën, pra quhet Besiana dhe fëmija i katërt e mban emrin e diçkaje që po agon, pra Agnesa. Secili nga këta emra ka kuptim dhe simbolikë në kohën kur kanë lindur. Jam e lumtur dhe jetoj në harmoni me ta. Të gjithë këta janë pasuria ime më e madhe.
Si ta mbyllim këtë intervistë të shkurtër për karrierën e pasur dhe të gjatë të Shkurte Fejzës?
Për të gjitha të arriturat e mia i falem Zotit, familjes sime dhe të gjithë admiruesve të mi që më përkrahen për gjithë këtë periudhë kaq të gjatë.

“Kur e dëgjoj tek këndon Shkurte Fejza, më bëhet sikur dikush qëndis me mëndafsh. Sa lehtë këndon, të thuash pa i hapur fare buzët dhe pa iu dukur dejtë e qafës"... Ky vlerësim i këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha duket se i thotë të gjitha për këtë këngëtare.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk