Vesa Luma, nje fenomen artistik


Vesa Luma. Emri i saj lidhet me gazetarinë, këngën dhe vallëzimin. Të gjithëve na ka rastisur të paktën një herë, që ta dëgjojmë dhe të ndiejmë energjinë e interpretimeve të saj. Skena e elektrizon Vesën, sa herë që “etheistes” të dikurshme i duhet të interpretojë. Ka nuhatje në përzgjedhjen e këngëve, të cilat bëhen hit i radhës për të….Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Këngët e Vesës mbesin në mendje të publikut një kohë të gjatë, duke kujtuar hitin ‘Jemi dhe s’jemi’. Ajo po përgatitet për albumin e ri duke vazhduar karrierën e saj me hov të madh.
Përtej klipeve që transmetohen dhe çmimeve të fituara, përmes kësaj interviste rrekemi të njohim Vesa Lumen, një këngëtare ambicioze, shumë simpatike, me një zë interesant që vazhdon të jetë tërheqëse, edhe në jetën e përditshme ashtu si në ekran, por ka edhe një gjë që ajo vazhdon ta ruajë me fanatizëm: jetën private.

Me sa nostalgji e kujtoni daljen e parë në skenë?
Kam qenë aq e vogël sa edhe daljen në skenë nuk kam ditur ta përjetoj me emocion të fortë, sepse, thjesht, isha duke e realizuar ëndrrën time dhe nuk më interesonte asgjë tjetër. Por, dëshira shumë e madhe për të kënduar më ka bërë të fortë aq sa ta përballoj skenën me shumë sportivitet dhe, fatmirësisht, daljen e parë në skenë e kam xhiruar dhe ajo video është në youtube... Sa më shumë që kalojnë vitet, aq më shumë emocionohem kur e shoh.

Kënga tek ju ka ardhur natyrshëm, apo ka qenë pasion?
Unë talentin e kam të trashëguar nga nëna e cila ka kënduar një kohë, ndërkohë ishte ambicia ime shumë e madhe që ta shfaqja talentin tim para të tjerëve..së pari para mysafirëve tanë, pastaj në shkollë, në flautë, deri sa arrita në “Akordet e Kosovës”, aty, ku së pari, e herë bashkë me grupin ‘Xixëllonjat’ fillova karrierën time.

Kthehemi pak pas në kohë; si e mban mend hyrjen në “Ethet...”?
Tash u bënë 8 vjet nga ‘Ethet e së premtes’, unë akoma e kujtoj me nostalgji. Isha konkurrentja e parë, ndërkohë me mijëra konkurrent tjerë pritnin jashtë oborrit;  emocion i jashtëzakonshëm që zgjati disa muaj, por ishin te vlefshme për dikë që do të bëhet një këngëtare i mirëfilltë. Jam shumë e privilegjuar që fillova nga ‘Ethet...’ që kishin për qëllim zbulimin e talentëve, ndërsa kushti primar ka qenë zëri.

Emocionet, ndrojtja, mendimet naive të asaj kohe... Nuk të duket vetja pak qesharake kur e mendon?
Jo, përkundrazi, nganjëherë mendoj se kam qenë shumë e fortë, duke marr parasysh se isha shumë e re, konkurrencën e fortë dhe garën e vështirë ku brenda tre ditësh duhej të mësonim këngë nga më të ndryshmet. Por, jam tip garues që më pëlqejnë sfidat,  ndaj mundohem edhe t’i përballoj më lehtë.

Për këtë periudhë, sa dhe si ka ndryshuar stili i jetës suaj?
Jam munduar shumë që të qëndroj në të njëjtin stil jetësor, jam munduar, sepse është gati e pamundur që një personazh publik të bëj një jetë normale dhe pa stres e paragjykime. Por, fatmirësisht, jam e edukuar në atë mënyrë që para së gjithash duhet të jesh njeri i thjeshtë, me këmbë për toke.

Klipi juaj i fundit me titull “Ti po don” ka pasur goxha sukses. Pse mendoni që është pëlqyer kaq shumë?
Kënga “Ti po don” është një këngë ritmike e cila i është përshtatur stinës së verës me një klip fresh dhe, më është bërë shumë qejfi që është vlerësuar si hit veror  duke u klasifikuar në majat e top listave në Kosovë dhe Shqipëri.

Së fundmi, keni deklaruar që po realizoni dy këngë të reja Cila është përmbajtja e tij dhe kur do të jetë gati për publikun? Ç’do të këtë të veçantë ai??
Ndjeva se pas ca kohe ia kam borxh publikut apo adhuruesve të muzikës sime një album ku do të përfshihen disa nga këngët që janë edituar vitet e fundit. Në këtë album, patjetër që do të përfshihen edhe dy këngë të reja që jam duke i përgatitur me shumë kujdes. Shpresoj se do të mirëpriten nga publiku.

"Kënga Magjike" ka qenë një skenë fatsjellëse për ju. Është zgjedhja juaj dhe ç’pritshmëri keni për këtë herë?
Vjet ishte hera e parë e pjesëmarrjes sime në ‘Kënga Magjike’. Ishte ftesa e Arditit, por edhe një dëshirë e imja që të jem pjesë e festivalit. Bashkëpunimi me artistin e madh Pirro Çako më kurorëzoi me një ndër këngët më të bukura dhe më të guximshme që kam realizuar deri tani. Sivjet nuk e di nëse do të jem pjesë e ndonjë festivali, sepse po merrem me albumin, por e kam deklaruar gjithmonë që festivalet më pëlqejnë shumë, janë mënyrë shumë e mirë e promovimit të këngës, ndaj, edhe do të vazhdoj të jem pjesë e tyre edhe për një kohë.
 
Ju keni shumë këngë, të cilat janë tejet të pëlqyera te publiku, po ju vetë, cilën këngë e veçoni dhe çfarë emocionesh ju lidhin me të?
T’i ndajë këngët është sikur të ndajë një gisht nga dora, sepse çdo këngë më kujton një kohë, një emocion. Është si një album fotografish të cilin kur e shfleton, të jep ndjenja të përziera. Por (edhe pse mund të jetë kjo befasi për ata që e lexojnë intervistën), jam adhuruese e madhe e baladave dhe është zhanri që unë pëlqej më së shumti, edhepse, në repertorin tim kam më shumë këngë ritmike.

Përveç këndimit, natyrisht, nevojitet edhe ngritja intelektuale. Cili është niveli i shkollimit tuaj?
Patjetër që ngritja intelektuale ndikon edhe në jetëgjatësinë e karrierës së një këngëtari. Unë kam kryer shkollën e mesme të muzikës, degën e kantos, fakultetin e Komunikimit Masiv si dhe jam duke ndjekur ligjëratat për master në Komunikim Masiv.

Mendon se një këngëtare duhet të jetë patjetër sensuale në skenë?
Çdo këngëtare duhet të ketë diçka të veçantë që të dallohet, por jo patjetër sensualitetin. Edhe pse jo vetëm ne shqiptaret, por edhe në botë, sensualiteti është plus për një këngëtare. Por, nëse marrim shembullin e Lady Gagas e cila është këngëtarja më e paguar, atëherë definitivisht e hedh poshtë këtë teoriJ

Artistët dhe super starët e botës shpeshherë elektrizojnë publikun duke u zhveshur në skenë. Ju mendoni për surpriza të tilla?
Asnjëherë nuk jam zhveshur në skenë, por nuk kam asgjë kundër atyre që kanë bërë gjëra të tilla për shou apo për ndonjë arsye të caktuar. Përderisa tash e ca vjet jam shumë aktive në koncerte edhe pa u zhveshur, nuk mendoj të bëj skena të tilla për momentin.

Të qenit në formë, kërkon angazhim. A mbani dieta strikte dhe sa ushtroni në palestra?
Kërkon shumë angazhim të qenit në formë, megjithëse unë dietë strikte nuk mbaj, por ruhem nga brumërat dhe ushqimet me kalori të tepërt. ‘Dancing with the stars’ më ka ndihmuar shumë që të sensibilizohem akoma më shumë për mirëmbajtjen e trupit në formë.
 
Shumica thonë që fama është shërbëtor i mirë, por zotërues i keq. Pajtoheni ju dhe a është fama juaj shije e ëmbël, ose ndonjëherë ka ditur të jetë edhe e hidhur?
Në shumicën e rasteve, të mos them në 80% të rasteve, ka shije të ëmbël, ndërkohë ai 20% është personaliteti im i ndjeshëm që ndikon në disa raste t’i marr gjërat më afër zemrës.

Cilat janë ambiciet në botën e muzikës, deri ku shkojnë dëshirat e t’ua. Çfarë doni të arrini?
Dua që të jem pranë publikut për aq kohë sa e kam përkrahjen e tyre, të dhuroj këngë të bukura që pëlqehen, këndohen nga publiku duke iu dhuruar gjithmonë emocione, sepse mendoj që secili njeri ka ardhur në këtë botë për një mision të caktuar. Unë, misionin dua ta vazhdoj deri në fund.

Si është klima mes këngëtarëve, kryesisht atyre femra. Ka bërryla, dhe këta bazohen më shumë te talenti apo pamja e jashtme?
Sikur edhe në çdo profesion tjetër, edhe në Kosovë ka xhelozi apo inate mes njëri- tjetrit. Por, për fat të mirë, unë gjithmonë e kam shikuar punën time, nuk jam marrë me askënd sepse kam kuptuar qysh herët që, secili këngëtarë ka publikun e vet dhe është e kotë të mundohesh të bëhesh dikush që nuk mund të jesh. Kam shumë miq këngëtar, por në fakt, shoqëria ime e ngushtë janë njerëz, e jo publik.

Përveç zhanrit që ju përfaqësoni, çfarë lloj muzike ju pëlqen tjetër?
Më pëlqen shumë muzika rok, bile, ajo hard rock që shpesh herë e dëgjoj me zë të lartë në makinë. Ndaj, njëra nga dëshirat e mia është të bëj një këngë rok dhe jam e bindur që do të më shkojë shumë mirë J

Ku i kaluat pushimet dhe me kë?  
Kam pasur vetëm një javë pushim në fund të gushtit dhe i kam kaluar me të afërt të mi. Kam mbledhur shumë energji për të vazhduar me punë.

Ekziston ndonjë mashkull që ta prish gjumin e natës?
Zakonisht natën kur bie në gjumë e mbylli telefonin J.

Të pëlqen më shumë martesa apo bashkëjetesa?
Bashkëjetesa është një mënyrë e mirë për të njohur më shumë personin me të cilin mendon ta kalosh jetën tënde.

Mendoni se dashuria për shumë vajza është kopsht ku rriten trëndafila dhe gjemba?
Jo vetëm për vajza, por edhe për meshkuj dhe për çdokënd që din të dashurojë dhe ka ndjenja, dashuria është kopsht ku ka edhe trëndafila, por edhe gjemba.

Ju i keni propozuar ndonjë mashkulli?
Nuk i kam propozuar unë asnjë mashkulli, por më pëlqejnë femrat të cilat e kanë guximin ta bëjnë. Në fund të fundit, nuk është e rëndësishme kush kënd e propozon,  apo jo..

Ekziston bindja që meshkujt u frikësohen femrave të fuqishme. Sa është e vërtetë kjo?
Në shumë raste meshkujt ndjehen inferior ndaj femrave të fuqishme, por e kam një bindje që femrat e fuqishme janë shumë më të thjeshta dhe më të kuptueshme...dinë të vlerësojnë më shumë një mashkull .

Mendon që meshkujt nuk janë aq të rreptë kur vlerësojnë bukurinë femërore, siç mendojnë dhe besojnë femrat? A e ngarkoni tepër veten me imtësi të cilat, si duket, për meshkujt nuk janë edhe aq të rëndësishme?
Çdo femër ka dëshirë që para një mashkulli çdo detaj të jetë në vend të duhur, kështu ndodh edhe me mua, por pa e tepruar...nuk jam nga ato që çdo 5 minuta ta shikoj veten në pasqyrë.

Për çka në jetë nuk keni pasur guxim, e ndoshta akoma e lakmoni atë?
Nuk e kam menduar një gjë të tillë, sepse çkado që e kam dëshiruar në jete, jam  munduar ta bëj të realizueshme.

Ekziston ndonjë oqean që ndan zemrat ose ëndrrat për Vesën?
Ka ekzistuar, por tashmë, jo. Jam, për momentin, njeriu më i lumtur në botë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk