Shtrëngatë mbi lumë_Dino Buxati
Nga Dino Buxati
Kallamat e ujit, barishtet buzë bregut, kaçubat e vogla prej
shelgu si dhe pemët e larta, panë asaj të diele shtatori një zotëri plak, të
veshur krejt në të bardha.
Shumë e shumë vite më parë, - vetëm trungjet më të moçëm e
mbanin pakëz mend, - një i panjohur nisi të peshkonte aty në atë kthesën e
vetmuar të lumit, ku ujërat rrjedhin më të qeta.
Ai vinte të kremteve, kur bënte mot i mirë.
Një ditë ai nuk erdhi vetëm: bashkë me të ishte një fëmijë,
që dëfrente korijeve dhe kishte një zë të ëmbël. Vitet kaluan si pa u ndierë.
Zotëria plakej e thyhej gjithnjë, ndërsa fëmija rritej e lulëzonte. Më në fund,
një ditë pranvere, zotëria plak s u pa më. Erdhi ai djaloshi, i cili nisi të
peshkonte fillikat.
Pastaj koha bëri punën e vet, - ikte e ndryshonte. Djaloshi,
që me sa dukej nuk harronte të vinte, e humbi atë zërin e ëmbël, sepse edhe ai
filloi të plakej e të gërmuqej. Një ditë edhe ai erdhi vetë i dytë.
Kjo është një rrëfenjë që ska të sosur, pas së cilës tërë
pylli linte kokën. Fëmija i dytë u rrit, mirëpo babait të tij as që ia pamë më
sytë. Më vonë kjo ngjarje u bë lëmsh në kujtesën e pemëve. Ka disa vite që
peshkatarët ndodhen përsëri aty. Muajin e kaluar, bashkë me zotërinë e veshur
në të bardha, erdhi edhe fëmija, që u ul me kallam në dorë e nisi të peshkonte.
Pemët hidhnin vështrimin, të lumtura. Mezi prisnin që të vinin ata, mes asaj
vetmie në lumë. Sa të qetë ndiheshin kur i shihnin që peshkonin! Ato dëgjonin
si fliste fëmija dhe zëri i tij i hollë, që kumbonte nëpër gjethe, u bënte
çudi. Teksa i shikonin ashtu të palëvizur, ulur buzë bregut e të heshtur si
vetë lumi, kënaqeshin, ndërsa lart në qiell kalonin retë.
Një mizë tregoi se baba e bir i ngrysnin ditët në një shtëpi
të madhe, rrëzë shpatit këtu afër. Mirëpo pylli se dinte cilët ishin ata. Dinte
vetëm se ngjarjet kanë rrugën e vet dhe se herët a vonë zotëria sigurisht që
sdo të kthehej më, kësisoj djaloshit do ti duhej të vinte vetëm.
***
Edhe sot, në të njëjtën orë, u dëgjua një fëshfërimë
gjethesh dhe zhurmë hapash, që sa vinin e afroheshin. Po si për çudi zotëria u
shfaq i vetëm, ashtu pakëz i kërrusur, i dobët e i rraskapitur. Pas pak mori
për nga kasollja e vogël, e mbuluar përgjysmë me degët e pemëve, ku ruheshin
takëmet e peshkimit. Kësaj here u vonua ca, duke kërkuar nëpër rrangullat e
vjetra, në atë shtëpi të heshtur.
Tashmë çdo gjë ishte e qetë. Edhe kambana e kishës aty pranë
i kishte pushuar tingujt. Peshkatari hoqi xhaketën. Me kallam në dorë e me fijen
në ujë, i ulur rrëzë një plepi, dukej si një vulë e bardhë mes atij gjelbërimi.
Në qiell u duken dy re të mëdha. Njëra ngjante me turirin e një qeni, ndërsa
tjetra kishte formën e shishes.
Pylli u shqetësua, ngaqë fëmija spo dukej. Bimët e ujit
lëviznin ngaherë enkas, për të trembur peshqit e për tia çuar sa më afër
peshkatarit tonë të vogël. Ai përqendrohet, ndonëse fillikat, me fytyrën të
zbehur e qejfprishur. Po edhe sikur peshqit të mos vinin, zotërisë as që di ti
hynte në sy. Me kallam në dorë vështronte rreth e rrotull, si me përtesë.
Kallamat në breg të lumit tani kanë punë me një trung të
madh. Trungu ishte përzierë me barishtet dhe gjeti rastin të rrëfente një
ngjarje. “Dikur, ia nisi ai, - shërbeja si këmbë ure, po pastaj u lodha nga
pesha dhe e shemba çkisha mbi shpinë.”
Kallamat janë bërë vesh e dëgjojnë, mirëpo seç thonë njëra
me tjetrën, duke shpërndarë përreth një çuçurimë, që merr lëndinën mbarë, gjer
te majat e pemëve, dhe që më pas tretet bashkë me erën.
Peshkatari ngriti kokën, vështroi rrotull, a thua se edhe ai
kishte dëgjuar diçka. Nga kasollja aty afër u dëgjuan nja dy-tre goditje të
thata, me prejardhje të pakuptimtë. Një mizë e madhe kishte mbetur e mbyllur
aty. Qe hutuar për një çast dhe tani sillet më kot nëpër dhomë. I duhet të
ndalte shpesh fluturimin e të mbante vesh. Shoqet e saj kushedi për ku do ta
kenë mbajtur frymën. Disi i çuditshëm ky ajër i rëndë!
Por miza nuk e kuptonte që tani trokiti vjeshta, prandaj
përplasej sa andej-këtej. Dëgjohen pas xhamave goditje të lehta të trupit të
dhjamur. Më në fund e kuptoi që qe e kotë, mbasi mizat e tjera kishin ikur.
Përmes xhamave dukej një re, që paralajmëronte shtrëngatën.
***
Zotëria ndezi një cigare. Nganjëherë ngrihej prej degëve një
valë e kaltër tymi. Fëmija nuk po duket tani, sepse pasditja do shumë kohë të
vijë. Më në fund, pas përpjekjesh të mëdha, miza arriti të dilte nga kasollja.
Ndërkohë dielli qe strukur prapa reve. Pak më parë era largoi nga kallamat
trungun, duke e shtyrë përpara, mes ujërave që rridhnin pa pengesë. Këtu
ngjarja u ndërpre papritur, sdihet pse. Trungu u largua sikur të ishte i dënuar
që udhëtonte drejt detit. Filloi shtrëngata, po ku pyeste peshkatari! Rrinte i
palëvizur, me shpinën mbështetur pas një trungu peme. Prej bishtit të cigares
së hedhur dilte një fijëz tymi, të cilën e thyente era.
Retë erdhën e u nxinë dhe sakaq filluan pikat e para të
shiut. Aty-këtu, mbi sipërfaqen e ujit, formohen disa rrathë të përsosur, që
zgjerohen dora-dorës. Brenda në kasolle goditjet përsëriten më me ngulm, në një
mënyrë të pashpjegueshme. Vallë pse zotëria nuk ngrihet të ikë? Një pikë shiu
ra mu në bishtin e cigares së ndezur. U dëgjua një cijatje e lehtë dhe cigarja
u shua.
Nga një mazgallë në mur, andej nga ana e perëndimit,
vërshonte një dritë e ftohtë, e bardhë. Era përplasej pas pemëve dhe lëshonte
një zë të përvajshëm, madje ajo tundte edhe xhaketën e bardhë, që zotëria e
kishte varur në një gëthep. Pemët e larta, kaçubat prej shelgjesh, barishtet në
breg dhe bimët e tjera të ujit i thirrën mendjes. Dukej sikur peshkatari po
flinte, ndonëse gjëmimet binin që përtej horizontit. Koka i përkulet pak
përpara, ndërsa mjekra i mbështetet lehtë në kraharor.
Barishtet e mbuluara nga uji fillojnë të dridhen, për të
trembur peshqit e për tia afruar peshkatarit, siç bënin përherë. Por kallami, i
pambajtur, ulet lehtë-lehtë. Maja e tij prek ujin. Vala e qetë, teksa përplaset
pas saj, formon një kreshtë që mezi duket.
Përktheu nga origjinali:
Robert ANASTASI
Comments
Post a Comment