Luigj Gurakuqi, përmasat tejshqiptare të një shqiptari të madh
Vetëm pak kohë më parë, për ditë të tëra, media i hapi vend
çështjes së përmasës kombëtare të Luigj Gurakuqit dhe po ashtu shqetësimit se
rolit të tij në historinë tonë i është ngrënë hak. Kjo mangësi, sipas shumicës
së shprehësve, dëshirohej të paktën të mos përsëritej në këtë 100-vjetor.
Tërheqja e vëmendjes publike për këtë temë qe veprim i
admirueshëm, aq më tepër kur sheh se mes mjaft emrave të rizgjuar në këtë
jubile, pjesën e luanit po e konsumon Ahmet Zogu, historikisht një kundërshtar
politik i Luigj Gurakuqit dhe prej një pjese bashkëkohësish i akuzuar si
urdhëruesi i vrasjes së tij. Madje në këtë vit festiv, ndërsa ende nuk ka
ndonjë qëndrim rreth mundësisë së restaurimit të shtëpisë së Gurakuqëve në
Shkodër, jo në shërbim të figurës së Zogut si një politikan mjaft ndikues në
jetën e vendit, por vetëm si mbret, çka është edhe pjesa më e vogël e jetës dhe
e kontributit të tij, si edhe më kontradiktorja dhe më mosbashkuesja mes
shqiptarëve, po i vijnë në ndihmë edhe fonde shtetërore.
Qe fillimisht ish-ambasadori ynë në Vatikan në gjysmën e
parë të viteve nëntëdhjetë, Vili Kamsi, që kushtroi për rigjetjen e vendit të
merituar të Luigj Gurakuqit në Panteonin kombëtar. Më pas edhe i mjaft autorëve
të tjerë. Së fundi dha intervistë edhe një studiues, autor libri për Gurakuqin.
Duke qenë se informacioni real ka rëndësi të madhe, mes gjërave të vyera që ky
shprehu, tha edhe këto fjalë: “Një vlerësim i veçantë i është bërë nga bashkia
e Rajonit të Pulias, e cila më 2 mars 2000 organizoi veprimtari të veçantë për
Gurakuqin.
Sheshit pranë, ku u vra heroi ynë, në Bari, iu dha emri i
tij, duke vendosur edhe një tabelë të shkruar në shqip e në italisht në
përkujtim të tij”.
Duke qenë se kjo është e pasaktë, por ndërkohë ka një
rëndësi të madhe për t’u ngulitur mirë në kujtesën kombëtare e vërteta, i
kërkoj leje lexuesit dhe pas tij opinionit publik të interesuar, të dëshmojë se
cila është kjo.
Historiografia shqiptare, zyrtare ose jo, përfshi të gjitha
librat shkollorë e jo vetëm në periudhën e diktaturës dhe atë të passhembjes së
saj, por edhe gjatë qeverisjes republikane e më pas monarkiste të Ahmet Zogut,
është bërë qartësisht e ditur: vrasja e Luigj Gurakuqit është kryer në qytetin
e Barit. Nuk është mbajtur i fshehur as krimbërësi. Qe i afërmi i tij, djali i
tezes, Baltjon Stambolla. Pastaj përherë në të tri periudhat, jo me të njëjtin
ngulmim, ka vijuar edhe përdorimi politik i këtij episodi tronditës. Dy ditë më
parë nga jetëmarrja e Luigj Gurakuqit, në 28 shkurt 1925, i ndjekur për t’u
kapur ose likuiduar fizikisht, mundi të shpëtojë në fill duke kaluar kufirin
Riza Cerova dhe në 29 mars u vra pranë Shpellës së
Dragobisë, Bajram Curri. Janë tre opozitarë të Ahmet Zogut
të gjuajtur për t’iu marrë jeta brenda vetëm një muaji, ndërsa ky e kishte
rimarrë pushtetin vetëm njëqind ditë më parë.
Duke qenë se është shkruar shumë për të gjitha këto,
habitshëm ka munguar një fakt tepër i rëndësishëm. Pikërisht ky, që studiuesi e
rrëfen aq sa e di: që në qytetin italian të Barit me emrin e Luigj Gurakuqit ka
një rrugë. Kjo përmasë nderimi e tij edhe në një shtet tjetër, është lënë dhe
ende mbetet në heshtje. Nuk ka përse të gjejmë këtu rrënjët e ndonjë komploti,
por indiferenca gjithsesi është e padenjë. Kur në vitin 1985 u botua i pari
Fjalor Enciklopedik Shqiptar, pra e para Enciklopedi e jona, midis 1246 faqeve
të saj, në hapësirën e gjysmë fletës 328, ku ndodhet zëri “Gurakuqi Luigj
(1879-1925)”, për këtë prani të emrit të tij në një rrugë të Barit nuk shkruhet
asnjë fjalë. Atje sigurisht nuk mungon edhe fraza “Pas shtypjes së Revolucionit
të Qershorit shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari prej një agjenti
të shtyrë e të paguar nga klika
zogiste”. Kur pritej që në shoqërinë e hapur të pas vitit
1990 emërtimi i një rruge në një qytet-port të rëndësishëm mesdhetar të vendit
fqinj të mos mungonte, në korpusin me tre vëllime të Fjalorit Enciklopedik
Shqiptar, botim i vitit 2008, në faqen 798 të 872 të tillave të pjesës së parë,
ajo sërish nuk gjendet. Është i njëjti autor që e ka përpiluar, këtë herë edhe
me dy qëndrime të reja të tij.
Për Luigj Gurakuqin ka pothuaj dy herë më pak tekst se
varianti komunist dhe fraza që posaçërisht cituam më sipër është riformuluar
“Pas shtypjes së Revolucionit mërgoi në Itali. U vra në Bari
më 2 mars 1925”. Sa e thjeshtë paska qenë: u vra dhe kaq!
Kjo çështje e emrit të rrugës në kontinent ka të bëjë me
njohjen e përmasës së tij, e cila del jashtë kufijve të vendit tonë dhe për
këtë arsye është një rast tepër i rrallë. Përveç Skënderbeut dhe për karshillëk
politik edhe ndonjë Xoxeje në Beograd, askush tjetër nuk e ka këtë fat.
Studiuesi që morëm me respekt si pikë referimi në intervistën e tij pohon se
emri i Luigj Gurakuqit, si kontribut i të shumëditurit Eqrem Çabej, ndodhet
edhe në Enciklopedinë kroate, por si duket nuk e di që bashkëkombësi ynë
shkëlqimtar ka një zë edhe në Enciklopedinë italiane “Treccani”, ku shqiptarët
e depërtuar deri atje janë vetëm fare pak. I cituar disa herë si Kryeministër
apo kryetar shteti i Shqipërisë, si zë më vete në të mungon edhe vetë Ahmet Zogu.
Megjithatë, të qëndrojmë te çështja nëse emri i rrugës
“Luigj Gurakuqi” është vendosur në 2 mars 2000 apo shumë më parë, me dekada
hershëm. Ka të ngjarë që studiuesi ta ketë marrë informacionin prej një lajmi
të shpërndarë po këtë ditë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, në të cilin
është thënë “Në ditën e 75-vjetorit të vrasjes së patriotit Luigj Gurakuqi, më
2 mars të vitit 1925, Kryeministri Ilir Meta mori pjesë në përurimin e pllakës përkujtimore, në
Bari të Italisë, ku u mblodhën bashkë barezë e shqiptarë. Në fjalën e tij
Kryeministri Ilir Meta theksoi rëndësinë e figurës shumëdimensionale të
patriotit Gurakuqi…Duke u ndalur në raportet e të tashmes e të ardhmes, Meta
theksoi intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike, kulturore enjerëzore…”.
Këtë kohë si nëpunës i shtetit shqiptar pranë përfaqësisë
sonë diplomatike në Romë autorit të këtij shkrimi i është dashur të kryejë
detyrën e tij e të gjejë më pas mbështetjen e plotë të ambasadorit, të
ministrisë së tij eprore dhe qeverisë, si edhe të vetë kryetarit të Bashkisë së
Barit, Simeone Di Kanjo Abresha (Simeone Di Cagno Abbrescia) jo për ta vënë për
herë të parë atë pllakë rruge, por për ta ribërë. Dhe duke qenë se këto çaste
do të qe jashtë çdo etike bërja e ditur e ndonjë kontributi të firmosësit të
këtij artikulli, një emër tjetër nuk është e sjellshme të mos e përmendim.
Quhet Anamaria Çislagi (Annamaria Cislaghi), bijë e një nëpunësi të konsullatës
italiane në Kajro, për katër dekada punonjëse dhe shefe e departamentit të
marrëdhënieve me jashtë të panairit më të madh të Italisë së Jugut, Fiera del
Levante, ku Shqipërinë e ka ndihur me gjithë shpirt. Tani është në pension dhe
mes të tjerash kryen shërbime vullnetare për bashkëkombësit tanë në burgun e
Barit. Për një rastësi në një nga qelitë e këtij e kaloi gati për dy
dhjetëvjeçarë dënimin Baltion Stamolla.
Në tetor të vitit 1999 Anamaria më telefonoi nga qyteti i
Barit dhe më tha se pllaka e rrugës me emrin e Luigj Gurakuqit qe thyer.
Ribërja e saj ishte, që prej këtij çasti, misioni ynë. Rezultati i saj është ai
lajm që ATSH e ka shpërndarë në 75-vjetorin e 2 marsit 1925.
Për fat Anamaria këtë rrugë e ka afër shtëpisë së saj dhe i
gëzohet përditë. Tashmë dikur pllaka e thjeshtë është një tabelë mjaft e bukur,
shumë sugjestionuese. Ngjan me një monument.
E treguam këtë episod përkujdesi për Luigj Gurakuqin nga një
vend tjetër me shpresë që këto ditë vë në sedër në atdheun e vet administratorë
të dëshiruar ta ringrejnë atë shtëpi të rrënuar në Shkodër, ku dashuria për
patriotin e shquar duhet thënë se është e palëkundshme, e shprehur qartë me një
shtatore në mes të qytetit dhe me emrin e universitetit.
Gazeta Shqip
Ylli Polovina
Vehbi Hoti: E turpshme që u shkatërrua shtëpia-muze e
Gurakuqit
Studiuesi i rilindësit, profesor Vehbi Hoti kritikon
mosvlerësimin e patriotit në këtë 100- vjetor të Pavarësisë. Ai bën thirrje për
njohje të kontributit të patjetërsueshëm dhe botimin e plotë të veprës së
Gurakuqit
“Figura e Luigj Gurakuqit është një amanet i historisë”
Oliverta Lila
Ndërsa vazhdon të flitet për rishkrimin e historisë,
rivlerësimin e figurave historike dhe kontributit të tyre, debati më i fundit
është përqendruar rreth figurës së Luigj Gurakuqit dhe njohjes së vlerave të
tij në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Prof. Dr. Vehbi Hoti, një ndër njohësit e
studiuesit e Luigj Gurakuqit, të cilit i ka kushtuar monografinë “Luigj
Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar”, mendon se duhet të bëhet më
shumë për këtë gjigand, rilindës, kontributin e të cilit e quan të
patjetërsueshëm. Sipas tij, është e domosdoshme ringritja e shtëpisë –muze dhe
botimi i veprës së plotë të Gurakuqit.
Profesor, kush ka qenë Luigj Gurakuqi, personaliteti dhe
formimi i tij?
Luigj Gurakuqi (1879-1925) ka qenë një personalitet i
fuqishëm e me formim të gjerë, me peshë të madhe në lëvizjen tonë kombëtare, në
luftën për pavarësi e liri, për ndërtimin e demokratizimin e shtetit të parë
shqiptar, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për ngritjen e zhvillimin e shkollës
shqipe dhe të sistemit arsimor kombëtar. Ai mori një formim arsimor, shkencor
dhe kulturor dhe, që në moshë të re, fitoi një autoritet të padiskutueshëm në
lëvizjen patriotike dhe në botën intelektuale shqiptare. Luigj Gurakuqi ishte
një figurë poliedrike e madhore. Ishte politikan e diplomat, burrë shteti i
shquar, gjuhëtar, poet e prozator, eseist e kritik letrar, pedagog e
tekstikolog, ekonomist, orator, përkthyes, njeri i kulturës e i shkencës, i
fjalës e i veprimit, i pendës dhe i pushkës. Njihte thellë trashëgiminë
kulturore të popullit tonë. Njihte mirë kulturën perëndimore dhe posaçërisht
atë italiane, romake e latine. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes,
zotëronte në mënyrë të shkëlqyer italishten, latinishten, turqishten,
frëngjishten. Përdorte dhe gjermanishten e greqishten. Pra, kishte një kulturë
e formim si radhë kush. Por mbi të gjitha, ai ishte patriot i madh dhe atdhetar
i flakët.
Në kuadrin e 100- vjetorit të Pavarësisë deshëm të theksonim
rolin e kontributin e dhënë nga Gurakuqi, ku konsiston ai?
Fillimisht dua të theksoj faktin se L. Gurakuqi, si rrallë
kush, përjetoi ngjarjet më kulmore të jetës politiko-shoqërore e kulturore e
arsimore të çerekut të parë të shekullit XX. Në shumicën prej tyre ai qe
pjesëmarrës e dëshmitar i drejtpërdrejtë, madje ndër organizatorët e drejtuesit
kryesor të këtyre zhvillimeve. Madje, shumë prej këtyre ngjarjeve na i ka lënë
të fiksuara me dorën e tij. Kudo në ballë, në mos i pari, ndër të parët qe.
Kështu p.sh, ai ishte drejtori i parë i Normales së Elbasanit (1909) dhe
ministër i parë i Arsimit shqiptar (1912). Dora e tij shkroi alfabetet e
miratuara nga Kongresi i Manastirit (1908) dhe i zbuloi para delegatëve. Ai
shkroi Memorandumin e famshëm të Greçës apo ”Librin e kuq” të malësorëve
kryengritës, qershor 1911, zjarri i armëve të të cilëve paralajmëronte
pavarësinë. Luigj Gurakuqi, së bashku me Ismail Qemalin, ishin ndër autorët
kryesorë të hartimit e të përpunimit të programit të luftës së popullit tonë
për liri, autonomi e pavarësi. Ai ishte dora e djathtë e Ismail Qemalit në
ngritjen e flamurit në Vlorë në nëntorin e 1912-ës. Nga ajo dorë u shkrua
vendimi historik i Kuvendit të Vlorës, nëpërmes të cilit mbarë bota mori vesh
se “Shqipëria më sot do të bëhet më vehte, e lirë, e mosvarme”. Si politikan e
burrë shteti, Gurakuqi ka luajtur një rol me rëndësi edhe në funksione të
ndryshme me shumë rëndësi: si drejtor i përgjithshëm i Arsimit në zonën e
pushtimit austro-hungarez (1916-1918); Ministër (Delegat) i Arsimit në qeverinë
e Durrësit (1919); si deputet dhe si ministër në disa kabinete qeveritare në
vitet 1920-1924, që shpesh ndërroheshin në shtetin shqiptar ende të
pastabilizuar. Gurakuqi ka kontribute të shquara në shumë fusha. Ai ishte një
nga diplomatët më të shquar shqiptarë, që përfaqësoi me dinjitet e mbrojti me
zjarr interesat e popullit shqiptar në qendrat më të mëdha të politikës
europiane, si: në Romë, në Vjenë, në Paris, në Londër në Konferencën e Paqes në
Paris (1919) apo në Lidhjen e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë (1924). Në fushën
e gjuhësisë e të arsimit ai mbetet një nga figurat më të shquara të kohës. Ai
dha kontribute thelbësore në lëvrimin e gjuhës shqipe, e në hartimin e
alfabetit të saj, në studimet që bëri, e në veprimtarinë e tij si nënkryetar i
Kongresit të Manastirit e sekretar i komisionit të posaçëm të alfabetit.
Gurakuqi pati meritën se udhëhoqi drejtpërdrejt në shtetin e pavarur shqiptar,
për ndërtimin e shkollës shqipe dhe ngritjen e sistemit arsimor kombëtar
shqiptar. Kështu që luftën për liri e pavarësi, për ndërtimin e demokratizimin
e shtetit të vet, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për ngritjen e shkollës shqipe,
për historinë e arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar janë të pandarë nga
emri i Luigj Gurakuqit dhe veprës së tij.
Kjo figurë me kontribute kaq të mëdha në jetën politike e
patriotike të vendit, a mendoni se ka gjetur vlerësimin e trajtimin e duhur?
Paraprakisht duhet të them se Luigj Gurakuqi ka qenë ndër
figurat më të studiuara e më të vlerësuara të së kaluarës. Gjatë gjithë
kohërave, pavarësisht se ka pasur raste edhe të qëndrimeve dhe të mendimeve të
kundërta, ai është vlerësuar shumë nga opinioni i gjerë shoqëror, nga qarqet
patriotike e shtypi kombëtar edhe sa ishte gjallë. Figura e tij filloi të bëhej
objekt studimi pas vdekjes. Për të është shkruar e folur edhe gjatë qeverisjes
së Ahmet Zogut, gjatë pushtimit fashist, por veçanërisht pas çlirimit. Janë
botuar jo pak artikuj studimorë e përkujtimorë, botime e studime të veçanta në
Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni. Figura e tij është pasqyruar në botimet
akademike për historinë e Shqipërisë, në historinë e letërsisë e të arsimit.
Për Gurakuqin është shkruar edhe jashtë Shqipërisë. Kështu p.sh vëllimi i parë
i enciklopedisë kroate “Hrovatska Enciklopedija” ka një zë kushtuar Gurakuqit,
të shkruar nga prof. Eqerem Çabej. Një vlerësim i veçantë i është bërë nga
bashkia e Rajonit të Pulias, e cila më 2 mars 2000 organizoi veprimtari të
veçantë për Gurakuqin. Sheshit pranë, ku u vra heroi ynë, në Bari, iu dha emri
i tij, duke vendosur edhe një tabelë të shkruar në shqip e në italisht në
përkujtim të tij. Universiteti i Barit botoi një përmbledhje me punë të
studiuesve shqiptarë e italianë kushtuar Gurakuqit. Para viteve 1990, eshtrat e
Luigj Gurakuqit u sollën në Shqipëri dhe u vendosën në varrezat e Shkodrës
(1957). Ai është nderuar me tituj të lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i
Popullit”. Emri i Luigj Gurakuqit i është vënë Normales së Elbasanit (1959) dhe
Universitetit të Shkodrës (1989). Megjithatë dhe një figurë e nderuar dhe kaq e
vlerësuar si Luigj Gurakuqi, nuk i shpëtoi dot, kritereve të kohës së
diktaturës, si censurimet, limimet, modifikimet që bëhej sa më i pranueshëm për
ideologjinë marksiste-leniniste dhe sistemin komunist. Si kufizime mund të
përmendim faktin se ana botëkuptimore filozofike e Gurakuqit është paraqitur në
mënyrë evazive, pa e thënë qartë e prerë pozitën botëkuptimore, idealiste të
tij, u lanë mënjanë idetë e tij mbi rolin e fesë në shoqëri dhe për lirinë e
ndërgjegjes së individit, sipas parimit që ajo propagandonte “Fe e lirë në një
shtet të lirë”. Para viteve 90 janë minimizuar marrëdhëniet e bashkëpunimi i
vyer që ka pasur Gurakuqi për klerin katolik dhe vlerësimi i madh që kishte ai
për të. As qe bërë fjalë për qëndrimet e prera antibolshevike që kishte, për
pikëpamjet e tij mbi pronën si faktor kryesor të përparimit ekonomik dhe të
mirëqenies së individit, etj. Edhe artikuj e punime të caktuara të Gurakuqit
nuk janë të botuara të plota. Janë gjëra të domosdoshme që duhet të rregullohen
e plotësohen nga studiuesit sot për të dalë sa më e plotë, ashtu siç ka qenë
vepra e figura e tij.
Po pas viteve 90, sidomos në këtë vit jubilar të 100-
vjetorit të Pavarësisë a po bëhen përpjekje për ta dhënë sa më të plotë figurën
e Luigj Gurakuqit?
Është bërë diçka, por shumë pak për një figurë kaq madhore
të jetës sonë politike, atdhetare, shkencore, arsimore e kulturore. Ishte një
shenjë ebukur nderimi e vlerësimi vendosja e përmendores së tij në sheshin
kryesor të qytetit të Shkodrës. Por njëherësh ishte tepër e dhimbshme, e
palejueshme dhe e turpshme shkatërrimi i shtëpisë së Luigj Gurakuqit dhe i
muzeut që ishte në mjediset e saj. Ka qenë ndër muzetë më të bukura, e më të
pasura të Shqipërisë. Një institucion i mbrojtur nga ligji e shteti u lejua të
shkatërrohet. Është përgjegjësi para historisë e organeve të pushtetit vendor e
qendror, edhe e opinionit kombëtar, posaçërisht atij shkodran që më shumë
heshtën se sa folën e protestuan. Ka raste që institucione të trashëgimisë
kulturore rindërtohen, restaurohen e ngrihen përsëri në këmbë. Unë vetë kam
parë raste të tilla. Në Shën-Peterburg në periferi ishte Pallati i Pjetrit të
Parë. Tepër madhështor, aty qe selia e shtabit të forcave gjermane gjatë luftës
së dytë botërore. Pas ikjes forcat gjermane e kishin djegur, shkatërruar e
grabitur. Por ai është ribërë nga themelet siç ka qenë, sepse në arkivat ruse
është ruajtur projekti dhe pallati kishte qenë tërësisht i filmuar sipas
kritereve shkencore. Nuk e di nëse në Shqipëri, në arkivat, në qendrat e
monumenteve të Kulturës ekziston projekti i kësaj shtëpie. Nëse po, mendoj se
qeveria jonë të marrë masat e duhura për ta ringritur këtë shtëpi-muze, si një
dhuratë të bukur me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Nuk jam në dijeni se
çfarë përmban programi i veprimtarisë politike, qeveritare shkencore e
kulturore në kuadrin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Kam dëgjuar disa herë
prononcimet e Kryeministrit, por nuk kam ndonjë program veprimtarish të
Akademisë e të institucioneve të ndryshme. Ndoshta nga mungesa e vëmendjes.
Por, lidhur me figurën e Luigj Gurakuqit, mendoj se është detyrë e Akademisë së
Shkencave, institucioneve të tjera studimore, Universitetit të Shkodrës, etj,
që të ndërmerret një studim e botim i tërë trashëgimisë Gurakuqiane. Të bëhet
botimi i plotë i veprës së tij. T’i kushtohet rëndësi epistolarit të tij, që
është tepër i pasur, sepse ai ka pasur marrëdhënie të gjera në fushën e jetës
politike, patriotike, arsimore e kulturore, me shumë prej të cilësive ka pasur
letërkëmbime.
Çfarë përfaqëson sot figura e tij për Shqipërinë e
shqiptarët në këtë 100- vjetor?
Figura e Luigj Gurakuqit është një amanet i historisë. Me
atdhetarizmin e tij, me shpirtin, me luftën për liri dhe pavarësi, për krijimin
e shtetit demokratik shqiptar, me konceptet e tij për ligjin e ligjshmërinë,
lirinë e fjalës, të ndërgjegjes dhe shtypit, me luftën për shkollën shqipe,
shkencën e kulturën kombëtare, Luigj Gurakuqi i shërbeu fuqishëm të sotmes në
përpjekjet tona europianizuese. Rilindësit tanë të mëdhenj iu drejtuan
Perëndimit dhe kulturës europiane për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për
mobilizimin e popullit shqiptar në luftën për liri e pavarësi. Luigj Gurakuqi
është një ndër europianizuesit tonë të hershëm e të mëdhenj. Fan Noli e
cilësonte si pionierin e qytetërimit perëndimor në Shqipëri, si një nga
shqiptarët e pakët që thithi me themele kulturën e Perëndimit dhe si njeriu që
punoi më gjatë e më shumë për ta mbjellë farën e saj në Shqipëri. Figura e tij
mbetet burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët, veçanërisht e tillë duhet të
jetë për brezin e ri. Ai mbetet një shembull i gjallë edhe për pushtetarët e
politikanët shqiptarë të të gjitha rangjeve e kaheve, se si ta duash popullin e
vendin tënd, si të luftohet për përparimin e tij, se si duhet mbrojtur ligji e
ndërtuar shteti ligjor, se si duhet të zhvillohet e të mbrohet demokracia, të
drejtat e liritë e individit, se si duhet të europianizohet e tërë jeta e
vendit me dinjitet e personalitet. Është me vend që në këtë 100- vjetor të
theksohen me forcë meritat e kontributet e Luigj Gurakuqit, si një nga figurat
më madhore e më të spikatura të këtij akti të madh për jetën e historinë e
kombit shqiptar.
Comments
Post a Comment