Angjelin Preljocaj: Shqiptari i madh i koreografisë franceze vjen në Tiranë me “Ajo që unë e quaj harresë”




“Nuk e kam mohuar asnjëherë origjinën time shqiptare dhe në disa prej veprave të mia kam përfshirë motive shqiptare”, është shprehur koreografi francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, përmes një videokonference, me rastin e shfaqjes së veprës së tij në Tiranë.
Si një nga shqiptarët më të famshëm në botë dhe që nuk e fsheh asnjëherë prejardhjen e tij, koreografi Angjelin Preljocaj do të kishte dashur të bëhej pjesë e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Por e pati të pamundur, agjenda e ngjeshur nuk ia mundësoi t’i kthente një përgjigje pozitive ftesës së ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi dhe Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit.
Megjithatë si dhuratë në këtë përvjetor, ai dërgoi një nga krijimet e tij më të reja, një balet me një mesazh shumë të fortë, kundër dhunës dhe për të reflektuar më shumë për vlerën e jetës. Ndërsa premtoi se në rastin më të afërt do të vijë në Shqipëri. Në praninë e ministrit të TKRS-së dhe drejtorit të TKOB, prezantimi i veprës së titulluar “Ajo që unë e quaj harresë” u bë nga vetë koreografi, përmes një videokonference, që u zhvillua në hollin e TKOB.
Drejtpërdrejt nga Franca, ku është duke punuar për një vepër të re, Preljocaj shpjegoi konceptin e tij mbi këtë vepër, por iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve mbi vetëdijen e tij shqiptare, mbi motivet shqiptare që në mënyrë të pavetëdijshme ose jo janë ndërfutur në krijimtarinë e tij, pse jo edhe për krizën financiare që ka përfshirë gjithë botën e nuk ka kursyer as Parisin. “Nuk e kam mohuar asnjëherë origjinën time shqiptare dhe në disa prej veprave të mia kam përfshirë motive shqiptare. Në disa të tjera sigurisht që jo”, thotë Preljocaj, një prej shqiptarëve më të lakuar në botën e artit botëror, për origjinalitetin dhe provokimin që ai shkakton. Por pavarësisht kësaj, duket se edhe ai është përballur me pasojat e krizës. “Kriza financiare ka prekur gjithçka, ndër të tjera edhe kulturën. Tashmë është më e vështirë për të gjetur sponsorë për të financuar veprat tona, ndaj dhe jemi duke realizuar gjithnjë e më pak shfaqje”, thotë Preljocaj.
Siç shpjegon Preljocaj, “Ajo që unë e quaj harresë” bazohet në një histori të vërtetë, të tri viteve më parë, në një supermarket të Lionit, që atë e ka prekur shumë dhe e ka nxitur të reflektojë dhe ta përkthejë në një vepër koreografike. Bëhet fjalë për historinë e një të riu që vjedh një shishe birrë në një supermarket dhe për këtë arsye rrihet për vdekje nga katër roje sigurie. Sipas Preljocajt, i cili flet në gjuhën frënge, kjo vepër është një mesazh kundër dhunës. “A ia vlen të sakrifikosh një jetë për një shishe birrë?!”.
Kjo shfaqje anti-dhunë, e cila do të ngjitet në skenën e TKOB-it në datat 19 dhe 20 tetor, vjen në një kohë kur vendi është tronditur nga disa ngjarje vrasjesh makabre, të cilat kanë ndjekur njëra-tjetrën. Dhe pyetja që ngre Preljocaj është më se me vend dhe kërkon përgjigje nga ne të gjithë. Kjo pjesë ku ndërthuret fjala dhe lëvizja është krijuar për një trupë baleti prej 6 balerinësh (Nicolas Zemmour, Batiste Coissieu, Aurelien Charrier, Carlos Ferreir Da Silva, Liam Warren, Fabrizio Clemente) dhe një aktori (Laurent Cazanavesi), i cili do të lexojë një tekst, që sipas Preljocajt do të përkthehet në lëvizje trupore. Teksti është shkëputur nga romani i shkrimtarit Laurent Mauvignier, “Ce que j’appelle oubli”.
“Forma e tekstit më ka apasionuar menjëherë. Është një fjali e vetme, një fjali e gjatë pa mbarim që përputh lojën e trupave dhe strukturën letrare në një mënyrë radikale. Ky materializim i mishit e bën tekstin shumë sensual. Fizikisht ai është i veshur me teksitura shumë të ndryshme; trup agresiv, i gjallë, i dhunshëm, trup më epshor, sensual, i sëmurë, i dashuruar… Por trupi te Mauvignier është edhe politik. Shumë pyetje janë hedhur, një reflektim i thellë mbi përjashtimin, kufirin, shoqërinë, konsumizmin, e gjithë kjo përmes dialogut të heshtur të trupave. Mendova që vallëzimi mund ta kapte subjektin, duke vënë në perspektivë historinë dhe duke shpalosur një gjuhë koreografike specifike.
Dhe pastaj sigurisht do të duhet të bëjmë të dëgjohet ky tekst jashtëzakonisht i ashpër, i paepur në pashmangshmërinë e tij, në bukurinë e tij dhe në emocionin e tij”, shpjegon Preljocaj. Kjo vepër prej një ore e 35 minutash është shfaqur vetëm në një festival në Lion dhe prezantimi para publikut shqiptar, u mundësua nga Ambasada Franceze në Tiranë, është thuajse një premierë për të. Më tej “Ajo që unë e quaj harresë” do të shfaqet në Paris.





Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk