Ankthi i Nobelit në letërsi



Nga Alfred Beka
Shkrimtari japonez Haruki Murakami vazhdon t’i prijë listës së kandidatëve për çmimin Nobel për letërsi, i cili do të jepet të enjten. Ismail Kadare vazhdon të mbetet shpresa e vetme e shqiptarëve për ta fituar këtë çmim, ndërsa letërsia e Kosovës vazhdon të mbetet e vobektë dhe e izoluar.
Sa herë që afrohet data e dhënies së çmimit Nobel për letërsi shkrimtarët qëndrojnë si në ankth. Kush do të jetë ai fatlum që do të marrë shpërblimin në vlerë prej rreth një milion dollarë, është pyetja më e shpeshtë që bëhet gjatë këtyre ditëve. Përgjigjet janë të ndryshme. Ndokush i beson instinktit dhe shijes së vet e ndokush u beson bastoreve të ndryshme.
Bastorja angleze Ladbrokes e konsideron favorit të këtij viti shkrimtarin japonez Haruki Murakami. Murakamin e konsideron favorit edhe shkrimtari kosovar Halil Matoshi. “Bazuar në atë që shkruan ‘The Guardian’, shkrimtari japonez Haruki Murakami ka ma shumë gjasa. Gazeta britanike ka marrë anën e japonezit. Kam qejf me e fitu shqiptari, por...”, thekson Matoshi. Ai shton se personazhet e Murakamit janë disi më të errët e më absurd se te Kadaresë. Po ashtu Murakami, sipas Matoshit, ka më shumë situatë me humor të mirë. “Personazhi i Kafkes te Murakami, i prirë nga botëkuptimi se fati është i përcaktuar, është më mistik dhe i tejbotshëm, më depërtues në gjëllimin në absurditetet jetësore se sa personazhet kadareane, fati i të cilëve nuk është i parathënë, por i rastësishëm dhe i nënshtruar rrethanave socio-historike të realitetit të dhënë, aktual, për aq sa mund të flitet me gjuhën e shkencave humane për letërsinë dhe së fundi Kadare nuk është aq argëtues, është të thuash vdekshëm serioz. Por Kadare ka më shumë stil se klas!”, sqaron Matoshi.
Poeti Ndue Ukaj thekson se ka një listë emrash të shkrimtarëve të shkëlqyeshëm që favorizohen nga mediat suedeze dhe shtypi kulturor botëror. Sipas tij, autorët që hyjnë në rrethin e ngushtë të komitetit për ndarjen e çmimit Nobel, janë autorë që shquhen për një vepër të rëndësishme dhe domethënëse për kulturën letrare të përbotshme. “Secili nga shkrimtarët që do ta marrë, do ta pasurojë letërsinë e përbotshme dhe do të ndihmojë në krijimin e urave të komunikimit mes artit letrar. Prandaj, ai që do ta marrë sigurisht është një shkrimtar i mirë”, thotë Ukaj.

Kadare, shpresa e vetme e shqiptarëve
Për shqiptarët ky çmim është shndërruar në një garë, në të cilën përfaqësuesi kryesor i letërsisë shqipe, Ismail Kadare, garon që disa vite, pa arritur ta dërgojë në Shqipëri shpërblimin e shumëkërkuar. Si Matoshi ashtu edhe Ukaj shprehin dëshirën se fitues i sivjetshëm i këtij çmimi të jetë Kadare. Në renditjen e Ladbrokes, Kadare ka zbritur nga pozita e katërt, sa ishte në fillim, në vendin e dhjetë. Ai ndodhet mbas shkrimtarit amerikan Thomas Pynchon dhe para atij sirian Adonis. Basti për të është 14/1.
“Dua që të jetë Ismail Kadare, sepse pa asnjë dyshim ai është në majat e letërsisë botërore. Ajo që duket e kuptueshme, është fakti se kësaj herë, çmimi do t’i ndahet një prozatori”, shprehet Ukaj. Ndërkaq, Matoshi thekson se Kadare e ka merituar Nobelin moti, që me ‘Gjeneralin…’, pastaj me ‘Pallati i ëndrrave’ dhe novelën ‘Shkaba’. “Këto tre shtylla letrare mendoj se e mbajnë ngrehun urën estetike, që e lidh Kadarenë me atë që i themi ‘Welt-literature’”, thotë Matoshi.
Kohëve të fundit duket se edhe politika i ka futur hundët në përzgjedhjet e Nobelit. Ky fakt, sipas Matoshit, e disfavorizon Kadarenë për të fituar çmimin pasi, siç u shpreh ai, Kadare shkrimin politik e ka të zbehtë dhe është tepër nacionalist. “Që nga Wislava Szymborska dhe J.M. Coetzze, nuk e ka fituar Nobelin ndonjë shkrimtar duke ia vlerësuar vetëm artin letrar, pra motivin estetik”, shprehet Matoshi. Ai përmend autorë si Franc Kafka apo Horhe Luis Borges që nuk e kanë fituar Nobelin.
Duke folur për këtë aspekt, Ukaj shton se kundër Kadaresë është bërë një fushatë negative pikërisht nga disa shqiptarë. “Ismail Kadare i ka gjasat e plota ta marrë çmimin Nobel. Përkundër një fushate të ndytë që u bë kundër tij, një fushatë amorale dhe absurde nga qarqe të errëta shqiptare, ai është në listën e favoritëve kryesor. Përpjekja amorale dhe qëllimkeqe, për ta dëmtuar Kadarenë është një mizërie morale, që flet po ashtu për mjerimin tonë kulturor”, thotë Ukaj, duke shtuar se çmimi Nobel për letërsi i duhet letërsisë shqipe aq sa i duhet Kadaresë.
Letërsia e Kosovës, e varfër
Lista e shkrimtarëve të nominuar për Nobel përmban një numër të madh autorësh që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Shumë vende kanë më shumë sesa një kandidat që garon për këtë çmim. Kosova, si në shumë fusha të tjera, edhe këtu është shumë mbrapa vendeve të tjera.
Matoshi thotë se letërsia kosovare është e re, ende e pafuqishme me u marrë me tema universale, pa kohë e hapësirë. Sipas tij, kjo letërsi asht ende e niveleve shkollore. Ai beson se një shkrimtar kosovar do të mund të jetë kandidat për këtë çmim atëherë kur letërsia nuk do të jetë e brumosur me patos patriotik-romantik, shpirtngushtë e ksenofobe ndaj tjetrit, pra kur të krijohet literaturë mbi kohën dhe hapësirën e rrudhur shqiptare dhe mbi konceptet shqiptare identitare. “Dhe mbi të gjitha kur në Kosovë të konsolidohet kritika letrare dhe estetike, pra kur kosovarët të mësohen të lexojnë dhe ta dallojnë artin monumental, ‘atë që mbetët’ (Heidegger) dhe autorët-ngjarje, që kanë sjellë të reja, që kanë krijuar universet e tyre, botët e tyre të pavarura nga botët reale, ekzistuese”, thotë ai. Matoshi shton se megjithëse ka autorë që ia kanë rikthyer shkëlqimin poezisë në Kosovë, ata as në librat zyrtarë të leximit nuk janë përfshirë ende, sepse, sipas tij, doktrinarët kosovarë vuajnë nga shija e keqe letrare dhe nga etno-nacionalizmi si dhe interpretimi ideologjik i historisë, ku historia asht albanologji, e albanologjia folklor dhe mjet mujshie me fqinjët dhe shpesh me tërë rruzullimin.
Në anën tjetër, Ukaj mendon se letërsia shqipe që krijohet në Kosovë, ka vështirësitë e saj në përkthim dhe plasim në tregun e përbotshëm. Kjo, sipas tij, është një pengesë serioze. “Mirëpo, në anën tjetër, letërsia që krijohet në Kosovë, është shumë e vobektë si shprehje e bukurisë artistike dhe nuk ka ndonjë emër të rëndësishëm që i thotë gjë letërsisë së përbotshme. Do të ishte mirë, sikur nga brezi i ri të krijohet ndonjë individualitet, që tejkalon botëkuptimet tona të ngushta për letërsinë, vetveten dhe botën rreth nesh, duke e kuptuar se arti për me qenë art, duhet të jetë shprehje e gjallë e bukurisë dhe duhet të komunikojë me gjuhën universale të së bukurës”, thotë Ukaj. Ai shton se do të ishim fatlum sikur ta kishim një kandidat për Nobel qysh tani, por fatkeqësisht s’e kemi. Sipas tij, autorët e mëdhenj dalin nga vende ku letërsia ka status të avancuar shoqëror dhe ku ka një atmosferë kulturore pozitive. Ndërkaq, thekson se dinjiteti i shkrimtarit te ne është në nivel përçmues.
“Është e vështirë ta themi kur do të kemi shkrimtarë të mëdhenj që mund të jenë kandidat për Nobel. Kosova ka një atmosferë kulturore shumë të zymtë dhe kjo krijon një ambient kulturor të tensionuar, që sillet kryesisht rreth disa klaneve, por që s’thonë gjë për letërsinë në rrafshin më të gjerë. Letërsia shqipe që krijohet në Kosovë, me përjashtime shumë të vogla, vazhdon të bëj jetë për vetvete dhe nuk ka ndonjë qëllim më të lartë e më sublim. Ajo nuk përkthehet dhe nuk është pjesë e tregut të përbotshëm letrar. Është e dhimbeshe ta themi, por letërsia që krijohet në Kosovë, është letërsia më e izoluar në Europë”, shprehet Ukaj. Në këtë izolim, sipas tij, kanë ndikuar edhe rrethanat sociale, gjendja politike, por asgjë nuk e justifikon këtë anemi kulturore dhe kapadaillëkun e disa grupeve që shtiren se bëjnë letërsi. “Ne vazhdojmë të vetëkënaqemi, të krijojmë idhuj të rremë, ‘shkrimtarë të mëdhenj’, vepra të përkryera, duke harruar parimin themelor të letërsisë, faktin se një vepër e mirë, është e tillë sikundër në Prishtinë, ashtu edhe në Paris, Londër, Romë, Stokholm etj. Letërsia tek ne duhet të transformohet, të emancipohet, të gjejë forma të reja të shprehjes, të lirohet nga primitivizmat, nga glorifikimet e panevojshme që e ngufasin atë”, shton Ukaj. Ai vlerëson se letërsia duhet të jetojë vetëm si art i së bukurës, i së këndshmes, i së dobishmes, të jetë shprehje e gjallë e bukurisë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk