Autonomia e kritikës dhe anatemës në letrat shqipe dhe libri i Behar Gjoka



Nga Albert Vataj
Kritika letrare, pavarësisht rrethanave mohuese dhe asgjesuese, zhurmës dhe pengimeve të shumta, në njëfarë mënyre ajo ekziston. Kjo merr përsipër me promovu sentencën e një tjetër ngasje qëmtuese, me të cilën studjuesi Behar Gjoka cek në nevojën e ngutshme për komunikim, duke beh në vitrinën e librarit me titullin “Autonomia e kritikës letrare”. Tankjo, për të mbetet ngulm, kjartësimi i pamjes së mjegullume, ku kritika letrare struket prej frikës së natemës. Ai mundet me “guxu” me dëbu, tançka ban që kjo mjegull me u ba ma e dendun, ma marrafrymëse. Ai pohon atë shumësi zërash që njiherësh kërkojnë me justifiku këtë mishmash botimesh, kultin e përbindshëm të antivlerës, duke u rrek me ia faturu fajin mungesës së kritikës letrare. Duke besu se kritika shpesh është gardian i vlerave, temjan në taftin djallzor të një tekstshkrimi, “gojët e liga” duke kqyrë nga kritika, shpresojnë se këto pena të thyme kanë me mujt me e vu nën fre pasionin e tyne.
Vramendja që ka ngucatun studjuesin Behar Gjoka, t’i përvishet një sipërmarrje, sa guximtare aq dhe të domosdoshme, ka shërby si vullnesë për gjallimin e gjanave që pasurojnë në ma t’mirën e vet, letrat shqipe. Kjo tollovi mendësie, ndër qëmtues të letërsisë në tansi, dhe tekstit në veçanti, ka rrek të jetë njiherash edhe ngulm i shumëkujt tjetër. Kjo ndoshta nga një lloj përjashtimi i vlerës, ku këto hamendje kundrojnë teksa gatuhet e tashmja e tekstshkrimit shqip. Gjithqysh, ky libër mundet me kjartësu shumë dyzime, trullosje dhe hapërdamje, ku shumë prej nesh e gjejnë veten, prej kurrçkaje tjetër, vetëm prej dëshirës së mirë, për me e pa letërsinë shqipe, teksa kumton e kungon për lexuesin bashkëkohësi dhe vlerë, e kurrsesi të ndjehet e përjashtume prej sofrës së madhe të letërsisë botnore.
Sikundër gjithçka tjetër, e vendosur në një terren ende nën rrezatimin e diktimit prej së djeshmes, nuk kanë mbet të përjashtum prej anatemës e botëkuptimit meskin, të një shoqnie ende të trullosur, edhe pasja ose jo e një kritike të mirfilltë, pranimi ose jo i saj si një “e keqe” e domosdoshme. Anipse kanë kaluar do shumë vjet prejkur, bashkë me ndryshimet politike, në Shqipëri, cekën edhe hazditë për të dalë prej gardhesh, për të thyer zinxhirët, ende ka pak gjas për tjetërqysh mëtimesh. Atmosfera, mbi të cilat është ngritun institucioni i vlerës së krjimtarisë, ka ba që edhe kritika, apo studimi i tekstit, të jetë në një farë mënyre në solidaritet, në njëmendësi me atributin e vlerësimit, nisun prej elementesh jashtëletrare. Gjithqysh letërsia ka ecur, e ka ba jetën e vet, pa e vrarë mendjen se është apo duhet të jet një qëmtues që e gjurmon, një urdhnesë që e ysht në rruginën e vet përnga kumti dhe vlera. Ajo ka ba me vetvedin çfarë ka dasht, pa e ditun se tuj u përpjek me ndërtu përmendoren e vet turravrap dhe shkel e shko, nuk ka ba gja tjetër vetëm se i ka heq të drejtën vetes për me u rrjeshtu me të tjerët në vijën e startit. Ato pak kumtues të tekstshkrimit shqip që bajnë përjashtim, ose ua kanë hequn zanin në tellallin mediatik, ose duke u mjaftu me vlerën, i kanë lanë lexuesit vullnesën e lirë të përzgjedhjes dhe pranimit. Në këto kushte, e tashmja e përceptimit të vlerave, e gjen vedin në rrugëkryq, e pakjartë për kahun e rrugtimit. Ky hutim bahet shkas që “kriminelër ekologjikë” të mos ndalen në turrin e tyne botues e promovues.
Gjoka nuk nguron të besojë se kritika letrare, vështrohet si humnera ku mundet të fshihen të gjitha mangësitë e shkrimit letrar, të harkut kohor, bashkëkohësisë, qoftë edhe të letërsisë së çmimeve, që në marrëdhënie me vlerën letrare, paraqitet me kaq shumë mungime krejt të rrokshme në tekste të shumta, të vlerësuara me çmime.
Fakti kokëfortë që natyra e ndërlikuar e shqiptarit, pavarësisht hapësirës ku jeton, simbas Behar Gjokës, jo vetëm nuk e pranon kritikën, si normë dhe mënyrë komunikimi, por as nuk shpreson se ajo ka ndonjë rol të dukshëm në jetë dhe veprimtarinë e saj mëtuese. Përkundër gjithëkësaj shtjelle të ngritun për mungesë të kritikës, si parathënie e mangësisë së vlerave të teksshkrimit.
Jo gjithherë, por bukur shpesh gjatë rrugëtimit për të depërtu nën lëkurën e sipërfaqes së letërsisë, doherë më kapërcy fasadën shndritëse, me të cilën propoganda stolis kontaktin fillmor të tekstit me lexuesin, kami ndeshun në pamundësinë, si e mbrama shtys. Anipse përherë kam hezituar të hedhi atë hap që më ka ngucatun, gjithnjë më është dashtun të ndeshem me pamundësinë, si rrugë e përmbushun.
Sipas “Autonomia e kritikës letrare”, kritika nër ne, më tepër kuptohet dhe realizohet si një betejë gladiatorësh, që ndeshen në përleshjen e madhe, si me thënë për jetë a vdekje, se sa në një debat të mirëpritun dhe të shumëpritur në lidhje me shumëçka. Varësisht mjediseve, ku duket se sikur gjallon njëfar kritike, ajo ka si tipar bazë të shpërfaqjes, me tepër mllefin, urretjen dhe sharjen, se sa debatin për praninë e vlerës së mirëfilltë letrare. Jo vetëm kaq, ajo është shndërruar një vullnesë çokash, dalëzotje të shtirura, ose trumbetim me ngulm për të kërku gjithnjë për një vend në pjedestalin e nderit për emna, jo tekste, për pikpamje sociale dhe kurrsesi për shije estetike. Kësisoj, ata tekstlexues sqim, të kandun prej dëshirës për me rrit protagonizmin tek pruresi më dorëmylmyer, nuk merakosen për pamundësisë së kohës që u duhet për me lëvru nënlëkurën e tekstit, por zatetin një kompjuter e hedhin turravrap do lajka e gajle, duke i stolis në një leksik jargavitës e të lyrosur prej shtirjesh dhe sajesash kumtuese. Autori e ka cek tërthor, dashtazi, këtë ngasje, ka punu në këtë ngastër, ku asht më e harlisun bima e vlerave promovuese dhe talenteve dhe gjenive të tekstit, të çilun tinzisht.

Gjithëpoaq, kritika e kësisojtë, qellon me së shpeshti të ngaterrohet me kritiken si një akt gjithëpamës dhe mënyrë shprehjeje e njimendtë e atyne që janë më të zotë, më me para, gjithherë të gjindshëm. Kritika letrare ketyre koheve, pra në qasjet moderne dhe pasmoderne, është tërhequr disi nga prania e saj në orientimin e zhdërvillimeve dhe evolucionit letrar, thotë Gjoka. Sipas tij, ajo si fushë specifike e verifikimit te vlerave letrare, ka mbetur  më fusheveprimi, kryesisht dhe vetëm në aspektin e afirmimit të botimeve të reja, kryesisht të tipit të vitrinës së librit. Autori tërheq vëmendjen gjithashtu dhe kumton se, vlerat e mirëfillta letrare, në mënyrë imediate, ekziston dhe funksionon si e tillë, veçmas prej tre faktoreve:
A - Autorit, që në artin e kultivuar, pra në ato shenjat e rrokshme autoriale, ka peshë thelbësore për të perjetuar dhe mandej edhe për të shpaluar letraren, pamëdyshje në të gjitha format e veta ekzistenciale, si poezi, prozë, dramatikë, si dhe si mënyrë e përcjelljes së saj me anë të metateksteve, kulturologjike, eseistike, kritike dhe studimore.
B - Lexuesi, i cili pa asnjë medyshje është tepër i larmishëm, por që tekembremja, prania e tij na vjen në tri forma kryesore, lexues i gjerë, që kryesisht lexon vetëm për dëshirë, lexues i specilizuar, pra kritik letrar, që zakonisht përcjellë vlerat e botimeve bashkëkohore, por ndonjëherë hedh vështrirnin për të intrepretuar edhe tekste të mëhershme, që për një arsye apo një tjetër nuk janë verifikuar si vlerë dhe shenjë e tillë, dhe studiues, që detyrirnisht merr në sitën e vetë, madje me anë të verifikimit të thelluar dhe tashmë argumenton praninë e vlerës dhe të mungesës së saj, në mënyrë e hollësishme.
C - Teksti, që zakonisht paraqitet i ngurtësuar në shkronja dhe që percillet me anë të teksteve, në të dyja format e pranisë së vetë, si dorëshkrim apo edhe si të botuara, i cili shtegeton nga njëra kohë në tjetrën, nga njëra hapësirë në tjetrën, duke patur vetëmse lidhje hipotetike, pamëdyshje me të dy faktorët e tjerë të mësipërme, pra me autorin dhe lexuesin, e ku me të parin lidhja e këtillë është e rrokshme, kurse me lexuesin është një hipotetike e lëvizshme dhe tejet dinamike.
 “Autonomia e kritikës letrare”, kremtohet në këtë komunikim me lexuesin, veçmas si një thirrje, që fillimisht kritika letrare, do të duhet të fitojë statusin e vet, pra mëvetësinë e paprekshme, tipar të cilin ajo e ka patur dhe e ka humbur nëpër shtjellat ideologjike dhe sociologjike. Sipas Gjokës, tanimë ajo po rreket më kot të rrëmihë nëpër rrugina, që nuk të shpien tek shtegu i pranisë së saj, si një trajtim i librave të botuar në bashkëkohësi, por edhe si një ndihmesë për të sjellë në skenën letrare, letërsinë në hije, ma tepër të përzënë për shkaqe jashtëletrare. Në një kuptim, si shtyse teorike, për të mbërritur tek ky qëndrim, pra në kërkim të mëvetësisë së trajtimit të letrares si e tillë, edhe në konceptimin e kritikës letrare, pa harruar as studimin e saj të thelluar, ka ndikuar edhe sugjerimi i Ibrahim Rugovës, pamëdyshje kur flet mbi trajtimin e letërsisë si vlerë dhe shenjë tekstologjike, duke theksuar: Bazën e veprës së hapur e përbëjnë shija dhe vlerësimi autonom të njeriut që i qaset artit, gjë e cila shquan kërkesën e artit të sotëm që të krijojë njeriun autonom përmes aktivizimit te aperativ.


Qasja e librit, rreket mbi të gjitha që të shpalojë nevojën për autonomi të kritikës letrare, pra të metatekstit kritik, syrit të nevojshëm për të dhënë një mendim parak mbi një tekst, nga koha dhe pakohësia, nga rrymimet dhe alterntaivat zyrtare, nga ndikimi i pranisë së personaliteteve dhe individualiteteve, pra mbase ka gjasa që të jetë, si një shtjellim i pandërvarshëm nga faktorët jashtëletrarë, për të dalë më në fund në shtegun e mëvetësisë së shpalimit kritik, si një metatekst i larmisë së shpalimeve të ekzistencës së letrares.
Duke u ndalun në fund të këtij kuvendimi, më kanda me besu e tuj besu me pranu se kritika ka nevojë për një autonomi, të cilën Behar Gjoka ka endun nëpër një terren çapraz për me e pru nër ne si një shkas komunikimi. Anipse ajo tash për tash, kurrçka tjetër nuk munet me kenë vetëm një anatemë, një qëllesë me gurë, një pendesë, një faj. E duke ken e till, ajo mundet me gjallu e lëndume dhe e përjashtume, e përndjekur dhe e leçitun. Kësisoj, u duhet pohu atyne që besojnë se kritika në letërsinë shqipe munet me ba diçka, me e ndal këtë shtaz të tërbume që asht injektu nëpër pasione pendthymish. Nuk ka kurrnji gjas qi kjo me ndodh, qyshse ajo ndjehet siç dhe mëton autori i “Anatomia e kritikës letrare” , kritika letrare, vështrohet edhe si humnera ku mundet të fshihen të gjitha mangësitë e shkrimit letrar, të harkut kohor të bashkëkohësisë, qoftë edhe të letërsisë së çmimeve, që në marrëdhënie me vlerën letrare, paraqitet me kaq shumë mungime krejt të rrokshme në tekste të shumta, të vlerësuara me çmime.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk