Eli Fara: “Romale”, këngë frymëzimi për lirinë dhe jetën



Ka qenë padyshim një surprizë për këdo, kur të dielën që lamë pas panë në “E diela Shqiptare” këngëtaren Eli Fara si konkurrente në Festivalin “Kënga Magjike”. Kjo pasi Eli Fara i hyn për herë të parë një gare të muzikës së lehtë dhe pikërisht një festivali tashmë të lakmuar nga gjithë këngëtarët e njohur shqiptarë, por edhe ata të rinj, kjo pasi është vërtetuar se çdo këngë që hyn në këtë kompeticion është e përzgjedhur mirë nga organizatorët dhe kthehet në një garanci suksesi. Por ajo që ka bërë edhe më shumë zhurmë është muzika që Eli sjell (kompozuar nga Adi Hila me tekst të Pandi Laços) në këngën “Romale” dhe ku shoqërohet nga grupi “Mangavatu”. Një gjetje interesante kjo që ka zhurmuar në publik, në shtypin rozë në rrjetet sociale, ku vetëm në rrjetin “Youtube” në 4 ditë të hedhjes së saj kanë klikuar mbi 20 mijë shikues. Enkas për këtë, Eli Fara tregon sot për suplementin “Koha Tjetër” arsyet që u bë pjesë e “Kënga Magjike” dhe ngacmimi që i dha muzika e Hilës.

Këngëtarja e mirënjohur e serenatave thyen tabutë, këndon për herë të parë në një festival të muzikës së lehtë “Kënga Magjike” dhe vjen me duet cigan në këngën “Romale”
Eli, pas më shumë se dy dekada që jeni pjesë e rëndësishme e muzikës, keni vendosur të merrni pjesë në një Festival të muzikës së lehtë. Cila ishte shtysa? Ngacmimi?
Nuk e kisha menduar asnjëherë që do të merrja pjesë në një Festival të muzikës së lehtë, pasi gjithmonë kam qenë komode me atë që bëj dhe jap për muzikën, për publikun. Arsyeja kryesore pse pranova të jem në këtë festival ishte pikërisht emri i Adrian Hilës dhe muzika që ai kompozoi. Më intrigoi mjaft materiali që kishte realizuar dhe pas një suksesi që patëm të dy në bashkëpunimin e fundit për këngën “Vetëm sonte”, isha mjaft entuziaste dhe optimiste në këtë vijimësi të bashkëpunimit tonë. Por, gjithashtu, të marrësh pjesë në një eveniment të tillë muzikor, një festival prestigjioz në vend është vërtet një kënaqësi e madhe.
Krijimi i bandës dhe prezantimi së bashku i këngës ishte mjaft interesant dhe është mirëpritur! Po për ju vetë?
Kjo është një gjetje, në fakt. Mendoj që asnjë artist nuk refuzon një rol cigan, sepse janë karaktere shumë të veçanta dhe asnjë këngëtare nuk do të refuzonte për të kënduar me ciganë, sepse do të përjetonte për një moment atë lirinë, atë dashurinë e tyre që kanë për jetën dhe për dashurinë. Sepse ata krijojnë çdo gjë të inspiruar nga dashuria. Është një gjë kaq e veçantë dhe është fakt që çdo artist frymëzohet nga jeta e ciganëve, çdo artist frymëzohet nga muzika e tyre. Dhe kjo mua më bëri që të vendosja me shumë dashuri për të bërë një gjë të tillë dhe shpresoj se është mirëpritur nga të gjithë.


E pëlqeni këtë natyrën e lirë të tyre?
Të gjithë kemi nevojë për dashuri, për një jetë të qetë, pa stres për dashuri të dëlirë si ajo e tyre.
Që në prezantimin që bëtë të dielën u duk se kënga u përqafua nga publiku i “E diela shqiptare” ...
Në fakt po, sepse kënga dhe muzika është entuziaste, por gjithashtu edhe miqtë e mi, por edhe njerëz të panjohur fare që më urojnë në rrugë më thonë që është këngë mjaft e dashur dhe të gjithë kanë kërcyer në shtëpinë e tyre, ndërsa kënga interpretohej. Dhe të gjithë kemi nevojë që të dëgjojmë muzikë që të ngre në këmbë, që kërcen dhe që harron çdo gjë.
Cilat janë pretendimet tuaja në këtë Festival?
Qëllimi i çdo artisti kur bën një këngë është që ajo të pëlqehet nga publiku, të kërkohet dhe të jetë e preferuar për të. Kjo ngelet e pandryshueshme edhe kur bën një klip, edhe kur merr pjesë në një festival mendon. Destinacioni dhe pretendimi i çdo këngëtari është të bëhet një këngë “hit”.
Eli, kjo pjesëmarrje në një festival të muzikës së lehtë është për ju një frymëzim për të vazhduar dhe eksploruar këngë të reja në këtë zhanër?
Varet. Varet nga ajo çfarë më ofrojnë kompozitorët. Unë asnjëherë nuk kam menduar që unë duhet të marr pjesë në festival, kur nuk kam pasur asnjë muzikë të ofruar për një destinacion të tillë. Jo, sepse mua kështu nuk më vjen për shtat të bëj, pra këngë me paramendim. Unë dua të bëj këngë që më burojnë natyrshëm, që më përshtaten mua, që më rrinë mirë, nuk mund të pretendosh të bësh një gjë që nuk është për ty. Evenimente ka çdo vit, festivale ka çdo vit. Por duhet të vij momenti, kënga e duhur dhe ta dashurosh këngën e ta bësh çdo gjë me dashuri jo me pretendim.
Të gjithë këngëtarët që marrin pjesë në gjysmëfinale e më tej në finale të “Kënga Magjike” sjellin performanca mjaft të kuruara, ju vetë keni menduar për këtë pjesë?
Besoj se do të impenjohem dhe mendoj diçka të veçantë kur të vijë momenti.
Jeni njohur me konkurrentët? Ju tremb konkurrenca?
Dihen emrat që marrin pjesë në këtë festival. Ka këngëtarë shumë modern, të rrymave të ndryshme, grupe, por unë them se secili ka bukurinë e vet, e që sigurisht që varet edhe nga materiali muzikor që ka.
Përveç këtij Festivali, keni ndonjë material tjetër në duar?
Është edhe një material tjetër, me të cilin do të prezantohem në Festivalin e Muzikës Qytetare që do të bëhet në datë 5 tetor nga Radio Televizioni Shqiptar dhe që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Është një këngë lirike, por shumë e bukur që më pëlqen dhe që po i përkushtohem aktualisht.
Ilda Lumani


Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk