Eliza Dushku: Shqipërinë e kam në gjak dhe temperament
Aktorja e Hollivudit
flet për lidhjet me Shqipërinë dhe projektet
Mirë se vini në studion e “Opinion”-it. Është kënaqësia ime t’ju kem këtu.
Faleminderit shumë.
Jam dakord për çdo gjë çdo gjë
që ju thatë.
Jeni përmirësuar akoma më shumë në gjuhen shqipe në krahasim me herën e parë
që keni qenë këtu në Shqipëri.
Faleminderit. Po, paksa.
Kjo është vizita juaj e tretë në Shqipëri?
Në fakt, është vizita ime e 5 ose
e 6. Por për dokumentarin kjo është hera jonë e tretë.
Kur keni qenë për herë të parë këtu?
Hera e parë besoj se ka qenë në
2005-n – 2006-n, kur jemi takuar një herë, sigurisht.
Jemi takuar në Dhërmi.
Kisha ardhur me Fadil Berishën.
Ai më gjeti në Nju Jork dhe më tha: “Ju duhet të vini në Shqipëri, vendi juaj
po ju thërret”. Unë nuk kisha qenë kurrë këtu. Im atë është shqiptar, por ne kryesisht
na ka rritur nëna. Prindërit tanë ishin të ndarë. Kishim shumë të përbashkëta
dhe ishim shumë të afruar me babin, por nuk dinim shumë gjëra për Shqipërinë. Kështu
herën e parë kemi ardhur me babin dhe më vonë pastaj jemi shoqëruar edhe nga
mami. Dhe atëherë jemi takuar edhe me ju.
Është shume interesante, sepse në SHBA ka komunitete të mëdha shqiptarësh.
Komuniteti më i madh para Luftës së Dytë Botërore dhe më pas komuniteti i ri pas
1990-s. Kam dëgjuar se babai juaj është nga Korça.
Po, gjyshërit e mi. Im atë ka
lindur në Boston.
Si shkoi familja e babait tënd nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara?
Gjyshi im ishte rreth 12 -13 vjeç
kur erdhi me anije në Boston.
Nga qyteti i Korçës...
Po, nga Korça. Ai nisi të punojë
në Boston për njëfarë kohe, hapi një biznes dhe më pas është kthyer përsëri në
Korçë për të gjetur një grua. Aty ai takoi gjyshen time Velarminin.
Siç bënin zakonisht të gjithë imigrantët shqiptarë në atë kohë. Ata ktheheshin
në vendin e tyre për të gjetur një grua.
Po, një grua të bukur, gjyshen
time Velarmini.
E keni takuar ju gjyshin dhe gjyshen tuaj?
S’e kam pasur mundësinë të
njihja gjyshin dhe gjyshen time se ata kanë ndërruar jetë para se të lindja unë.
Dhe kjo është një tjetër arsye se pse ky dokumentar është kaq i veçantë dhe kaq
i fuqishëm për ne. Sepse ne nuk i kemi njohur ata, nuk dinim shumë për vendin
nga i cili ata kishin ardhur dhe kurrë s’na u dha mundësia të dëgjonim historitë
e tyre, që ata t’i ndanin ato me ne.
As nga babai juaj?
Nga im atë i kemi mësuar pak gjëra,
sigurisht. Por është ndryshe t’i dëgjoje nga goja e tyre. Dhe tani që na jepet mundësia
të shëtisim në Korçë, të vizitojmë vendet ku ata lindën dhe kanë jetuar dhe kanë
ecur, është një ndjesi vërtet e fuqishme.
Babai juaj ka lindur në Boston, por a ka qenë ai pjesë e komunitetit shqiptar
atje, apo jo?
Besoj se ka qenë. Ata janë
rritur në një zonë të Bostonit, në Sauthend ku ka pasur shumë imigrantë nga e gjithë
bota. Gjyshi im kishte një dyqan me artikujt të ndryshëm. Dhe kjo është një nga
gjërat, për të cilat im atë është ndjerë krenar për babanë e tij. Në shumë vend
në Boston italianët bënin pazar vetëm në dyqanet italiane, irlandezët vetëm në
dyqanet irlandeze. Ishin ndarë sipas kombësive. Por gjyshi ynë thoshte: “Dyqani
im është i hapur për të gjithë. Të gjithë mund të vijnë të bëjnë pazar këtu.
Për të gjitha kombësitë...
Po, jo vetëm për shqiptaret,
por për të gjithë. Dhe mesa kam dëgjuar, ai nuk ka bërë kurrë një ditë pushim në
jetën e tij. Ai punonte çdo ditë edhe në ditët e festave. Im atë, vëllezërit
dhe motrat e tij e ndihmonin gjyshin në dyqan. Ata ishin 5 fëmijë.
Gjyshërit e tu nuk u kthyen kurrë në Shqipëri, as për vizitë?
Jo, mesa di unë.
Dhe babai juaj ka ardhur për herë të parë në Shqipëri me ju apo…?
Ai ka ardhur një herë i vetëm,
në fillimet e viteve ’90 dhe ishte një vizitë shumë e veçantë për të. Ai erdhi të
takonte xhaxhain i cili quhej Enesti. Ai jetonte këtu.
Ishte akoma gjallë atëherë?
Po, ai ishte akoma gjallë dhe
im atë shkoi drejt e tek shtëpia e tij. Edhe ne në këtë dokumentar kemi shkuar
tek e njëjta adresë. Ne kishim vetëm një adresë që nga vitit 1991. Im vëlla dhe
unë bashkë me grupin e xhirimit shkuam të kërkonim pjesëtarët e mbetur të kësaj
familje. Kishim një numër telefoni që nuk punonte dhe po ashtu edhe këtë adresë
të vjetër. Kështu ne shkuam dhe i trokitëm në derë. Ai kishte ndërruar jetë.
Po familja e tij jetonte akoma atje?
Po, vajza e tij, Elvira, kushërira
jonë dhe dy fëmijët e saj, Neli dhe Florian, gruaja e tij dhe fëmijët e tyre.
Ata u bënë pjesë e dokumentarit tonë. Ata na çuan të bënim pazar në dyqanet e
tyre. Kemi shtruar një darkë në shtëpinë e tyre. Ishte diçka e mrekullueshme.
Ju keni lindur në 1980. A ka qenë e pranishme Shqipëria gjatë fëmijërisë
suaj?
Ishte, duke e lidhur me ato
gjera që nëna jonë kishte mësuar nga gjyshja. Ato gjëra që ajo mendoi dhe e
ndjeu se ishin të rëndësishme t’i kalonte tek ne gjatë mungesës së gjyshes sonë.
Ishin gjëra të tilla si “byreku”. Ne e quanim byrek me spinaq. Për Vit të Ri,
ne përgatisnim një byrek me spinaq, mbështillnim një monedhë aty dhe e fusnim
brenda tek mbushja.
Po, traditë shqiptare kjo....
Po dhe kjo gjë na pëlqente shumë.
Unë kam tri vëllezër më të mëdhenj dhe të gjithëve na pëlqente shumë kjo gjë.
Pra, ishin tradita të ndryshme për të cilat kemi mësuar se gjyshja jonë i
ndiqte me shumë rreptësi.
A ju ka rënë juve ndonjëherë monedha?
Po, sepse unë haja sa më shumë
që të mundja vetëm që të më qëllonte monedha në të.
Sepse kjo do të thotë që ju atë vit jeni me fat....
Po.
Po a kishit ju ndonjë informacion për Shqipërinë në atë kohë. Akoma në atë
kohë, kur ju mund të keni qenë 10 apo 12 vjeçe, Shqipëria ishte një vend i
mbyllur. A kishit ju ndonjë informacion për Shqipërinë, se çfarë po ndodhte këtu?
Nëna jonë është pedagoge e
politikës krahasuese ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit. Nëna jonë
tregonte për ngjarjet që ndodhnin në vendet e ndryshme. Kështu ajo do të na
tregonte edhe për Shqipërinë. Siç e thatë edhe ju, ishte një vend i izoluar.
Ishte gjithmonë interesante sepse ne jemi rritur në Uotertaun, siç e përmendët
edhe ju, dhe atje ishte një komunitet shumë i madh me armene, shumë i madh. Ai është
komuniteti i dytë më i madh në vend. Ne kishim shumë shokë armenë. Por kur
ishim në shkollë, mësuesit na thoshin: “Ç’kombësi jeni ju”?
“Jemi shqiptarë, thoshim ne. Jo,
jo, thoshin ata. Ju doni të thoni se jeni armenë?
Ne thoshim jo, jemi shqiptarë.
Ekziston një vend që quhet Shqipëri, një vend i vogël.
Përsëritet e njëjta histori me shqiptarët në të gjithë botën. Disa herë ata
ngatërrohen me armenet. Po atëherë, kur nisët të merrnin më shumë informacione
për vendin?
Po si çdo fëmijë, kur fillon të
rritet, edhe ne filluam t’i bënim babait pyetje të ndryshme dhe ishim afruar
shumë me vëllezërit dhe motrat e tij. Me vëllain e tij më të madh, Nikolas. Ky
kishte dy fëmijë. Djali i tij erdhi me një mision në Shqipëri dhe vajza e tij
erdhi të kryente disa punë në Bullgari. Ata u përpoqën të krijonin lidhje me
familjen në Tiranë. Nuk ishte diçka sekrete, por në të njëjtën kohë gjërat nuk
ishin edhe aq të hapura sa ç’i kishim nga ana e nënës sime. Prandaj ishte i rëndësishëm
fakti… se unë jam një person që hyj drejt e në temë. Kështu sapo më ranë në dorë
burimet, krijova disa lidhje. Po ashtu edhe miqësinë me Fadilin e shfrytëzova
dhe si përfundim zbarkuam në Shqipëri.
Keni pasur ju kontakte me anëtarë të komunitetit shqiptar në Boston kur
ishit fëmijë?
Jo edhe aq shumë. Siç e thashë,
ne jemi rritur në familjen e nënës sime. Edhe im atë kishte një lidhje sipërfaqësore,
të vogël, por nuk ishte diçka e thellë me komunitetin shqiptar.
Unë për shembull kam më shumë
lidhje se ai tani. Me kalimin e viteve... Më kujtohet kur halla ndërroi jetë,
funerali i saj u bë në Kishën Ortodokse Shqiptare në Sauthend të Bostonit. Dhe
ne kemi shkuar atje. Para se të niste funerali, dukej si një dasmë e madhe. Aty
përreth kishte shumë shqiptarë dhe ne takuam njerëz të ndryshëm. Prifti sapo
kishte ardhur nga Kosova. Unë e ndiej se me kalimin e kohës po krijoj akoma më
shumë lidhje me shqiptarët.
Po, kjo është shumë
interesante. Kam dëgjuar se … nuk jam i sigurt nëse kjo histori është e vërtete
apo jo, por kam dëgjuar se…
Thashethemet kanë marrë dhenë....
Kam dëgjuar se kur i jeni futur
kinematografisë, ju keni pyetur Arnold Shvarzenegerin, nëse duhet ta ndryshonit
emrin tuaj në një emër arti, apo jo.
Është e vërtetë kjo gjë apo jo?
Më duket se ka qenë nëna ime.
Meqë ajo është profesore dhe nuk ia ka idenë biznesit të artit. Sepse në filmin
tim të parë unë kam qenë rreth 10 a 11 vjeçe.
Profesore dhe biznesi i artit, dy gjëra të ndryshme...
Po, tamam. Ajo as Arnold
Shvarzenegerin nuk e njihte, por kur shkuam atje të gjithë hasnin vështirësi me
emrin tim. Gjatë gjithë jetës më thoshin, “Dushku, Dushka’. Nuk ma shqiptonin
siç duhet mbiemrin. Kështu një ditë mami i tha Arnoldit. “Arnold, njerëzit po më
thonë se kemi një mbiemër shumë të çuditshëm. Mos duhet ta ndryshojmë këtë
mbiemër? Ai thotë: ‘Më beso mua, kanë për ta mësuar”. Kur mësuan
“Shvarzenerger, ve dorën në zjarr se kanë për ta mësuar edhe këtë”.
Mendoj se ishte një ide shumë e mirë që nuk e ndryshuat emrin?
Jo, unë s’do ta kisha ndryshuar
kurrë. Dhe mendoj se as ajo nuk e kishte seriozisht atë që tha.
Si e niset jetën tuaj në kinematografi?
Sinqerisht, ishte thjesht punë
fati. Im vëlla, ortaku im producent, kur isha 9 vjeçe, im vëlla ishte një aktor,
luante gjithmonë role kryesore në shfaqjet e shkollës . Ai kishte gjetur një
agjent tregtar. Kemi shkuar në disa prova
bashkë dhe unë si motër e shoqëroja. Gjatë provave unë pengohesha dhe rrëzohesha.
Drejtori i trupës më pa dhe më pyeti nëse do të vija në provat e filmit të tij
që ka qenë edhe filmi im i parë. Ishin marrë në prova nja 8 mijë vajza në të
gjithë vendin. Të gjitha vajzat ishin të veshura me fustane dhe unë isha si
djalë. Isha pis në fytyrë, kisha veshur pantallona të shkurta. Isha si një
trazovaç i vogël. Ata këtë kërkonin. Roli ishte për një fëmijë të prapë dhe
harrakat. Duhet të shkonim në Kaliforni për provat e filmit. I telefonuan nënës
sime dhe i thanë se duam ta marrim në prova vajzën tuaj për filmin dhe ajo u
tha: “Nuk e dua një jetë të tillë për vajzën time. Faleminderit Mirupafshim.
Kështu ajo e mbylli telefonin.
Im vëlla, tha; “Mami, është një udhëtim falas për në Hollivud. Çoje në Hollivud
falas.
Dhe e kështu ju shkoni në Kaliforni. Ishte filmi i parë që keni marrë pjesë.
“That Night”...
Po ishte i vëllezërve “Uorner”,
me Xhulia Luis, C Thomas. Ishte një film i shkurtër, por unë isha personazhi
kryesor....
Dhe pas atij filmi ju jeni shpërngulur nga Bostoni në Kaliforni?
Jo, kam jetuar në Boston derisa mbarova shkollën e
mesme. Pas atij filmi jam kthyer në Boston, por e njëjta zyrë xhirimi më kishte
regjistruar në kasetë për një film të Robert De Niros. Leonardo di Caprio dhe
Robert De Niro me titull “This boy’s life”. Aty më caktuan të luaja rolin e vajzës
së De Niros. Ata thoshin meqë je shqiptare…
Tani edhe De Niro po thotë se është shqiptar....
Po, në Uikipedia thuhet se nenën
ose babain e ka shqiptar, por shqiptar të Italisë së Jugut, ata quhen arbëreshë.
Po, çfarë ka thënë De Niroja?
Po në atë kohë ai nuk ka thënë
gjë se ishte shqiptar. Vetëm kohët e fundi tani i ka dhënë zë këtij informacioni.
Në atë kohë ata thanë: Ky është Italian, por edhe ti dukesh e tillë. Shqiptar,
Italian sikur jeni njëlloj. Prapë ti mund të luash rolin e fëmijës së tij. Kështu
unë kam luajtur rolin si vajza e tij.
Filmi tjetër i im ka qenë “True
Lies” ku kam luajtur rolin e vajzës së
Arnold Shvarcenerit dhe Xhemi Li Kertisit. Por gjithmonë pasi ka mbaruar filmi unë
kthehesha në Boston, vazhdoja shkollën., Nëna më ka mësuar të bëja një jetë
shumë normale.
Por në atë kohë në një farë mënyrë ju ishit e famshme....
Po, në një farë mënyre.
A ishte e vështirë të vazhdoje shkollën e mesme dhe në të njëtën kohë të
ishe një adoleshente e famshme?
Po, me raste. Ndonjëherë fëmijët
e tjerë ishin disi të ashpër. Por gjithsesi, familja ime, e cila ishte një
familje fantastike më mësoi të jetoja me këmbët në tokë. Unë isha motra e vogël
dhe pritej që unë të bëja pjesën time të punëve të shtëpisë, të respektoja
prindërit. Pra, nuk sillesha si një yll kinemaje. Kështu nëna ime më lejoi ta
vazhdoja këtë karrierë.
Po, por ju thatë në fillim se nëna juaj sikur nuk ishte dakord që ju të
nisnit karrierën si artiste. A është ajo e kënaqur tani me karrierën tuaj?
Mendoj se ajo është e kënaqur
tani pas atyre gjërave të tjera që kam
arritur të bëj në karrierën time dhe ato që po i arrij duke pasur një farq fame.
Nëna ime është presidente e një organizate jofitimprurëse në veri të Ugandes, për
ish-ushtarët fëmijë. Kjo organizatë quhet “ThriveGulu”. Kam shkuar atje me të
dhe… Kam dëgjuar se ajo ndonjëherë punon edhe në Senegal, në Dakar.
Tashmë ajo punon në
universitetin Safic, një kampus satelit në Dakar. Por ajo jep mësim “African
Politics” dhe “Ëomen studies” (studime gjinore për femrat) Por këtë organizatë jofitimprurëse
ajo e ka nisur në Ugande. Ajo është 70 vjeçe dhe ka nisur një Organizatë jofitimprurëse
dhe unë jam pjesë e bordit të saj. Pikërisht tani i jam kthyer shkollës dhe
studioj menaxhim e organizatave jofitmprurëse, aktivizmin social. Nëna ime s’e
vë në dyshim që s’i ka parë të gjithë filmat e mi. Ndoshta ka parë 4 a 5 nga 20
prej tyre, por e vlerëson shumë faktin që unë po arrij gjëra të mira. Ajo mezi
po e pret këtë dokumentar, sepse i pëlqejnë shumë gjërat që janë autentike dhe
që i shërbejnë dhe ndihmojnë të tjerët.
E ka parë ajo dokumentarin?
Jo, nuk e ka parë akoma.
Ndoshta do ta shohë në Nju Jork në nëntor. Për herë të parë do ta transmetojmë
këtu nesër në darkë. Kjo është shfaqja jonë e pare. Dhe më pas do ta transmetojmë
në Nju Jork, në nëntor.
Kam përshtypjen pas atij takimi të fundit që patëm në 2006, se ajo e njeh Shqipërinë
dhe di më shumë për të sesa babi juaj. Kjo ndoshta sepse ajo është profesoreshë,
di për historinë e Shqipërisë.
Sigurisht, ajo është shumë e dhënë
pas historive të vendeve të ndryshme të botës.
Cila ka qenë preferenca e nënës suaj për të ardhmen tuaj kur ishit fëmijë?
Mendoj se ajo shpresonte që unë
do t’i futesha shkencës politike.
Mos më thuaj doktor apo arkitekt, sepse shumica e prindërve e kërkojnë një
gjë të tillë....
Jo, unë mendoj shkenca politike
dhe aktivizimi social. M’u desh të bëja një rrugë me kthesa për të arritur
atje, por e gjeta rrugën. Gjithashtu, tani unë studioj edhe disa orë shkencë
politike. Pa dyshim që unë jam një kombinim i të dy prindërve të mi.
Po babai, është i kënaqur me karrierën tuaj?
Po, ai është mahnitës. Edhe im
atë ka qenë mësues.
Ka qenë që në fillim?
Im atë ka dhënë mësim në klasën
e 3-të dhe të 4-tërt në Boston. Për një farë kohe kam menduar edhe të bëhesha mësuese.
Më pëlqente shumë kur e shihja babain të jepte mësim. Shkoja ndonjëherë në
klasat ku ai jepte mësim. Ai kishte një aftësi të pazakontë për të krijuar një
lidhje me fëmijët. Ai kishte të bënte me fëmijë që vinin nga lagje vërtetë të vështira
dhe ishte i jashtëzakonshëm për t’u përshtatur me ta. Kështu, unë kam menduar
gjithmonë se ndoshta më vonë në jetën time unë mund të bëhesha mësuese si im atë. Por ai ka qenë gjithmonë shumë mbështetës dhe
krenar për karrierën time.
Cilat kanë qenë kontaktet tuaja të para me shqiptarët në SHBA? Ju më parë përmendët
Fadil Berishën. Cilat kanë qenë lidhjet e para që keni pasur ju me shqiptarët
apo me komunitetin shqiptar atje?
Ndoshta në vitin 2001 kam
realizuar një film me titullin “Wrong Turn”. Ishte një film horror. Gjatë gjithë
filmit ne kishim vetëm një veshje, sepse ne kishim humbur në pyll. Donin që unë
të vishja një bluze të bardhë. Kërkuan që të vendosja diçka në bluzë, por nuk e
dinin se çfarë. Një emblemë, një simbol. Dhe unë u thashë se mund të ofroja një
simbol shumë të lezetshëm. U thashë për flamurin shqiptar. Ishte shqiponja me
dy kokë. Ua tregova regjisorëve dhe ata thanë: “Shkëlqyeshëm, na pëlqen shumë.
Kështu, gjatë gjithë filmit kam mbajtur në kraharor shqiponjën me dy kokë. Pas kësaj,
pati një vërshim reagimesh nga shqiptarët kudo në botë.
Në atë kohë keni dalë në të gjithë gazetat shqiptare...
Kjo gjë më preku vërtetë dhe më
bëri të vetëdijshme për të qenë krenare që isha shqiptare. Ishte si një farë
zgjimi. Edhe im atë e thoshte shpesh, se ndonjëherë krijohej një farë ndjesie
turpi të ishte shqiptar.
Sidomos gjatë regjimit komunist....
Absolutisht. Dhe kjo gjë sikur
ma theu zemrën dhe e ndjeva sikur gjithmonë kam pasur dëshirën t’u dal në krahë
njerëzve për të mbrojtur identitetin e tyre, të jeni krenar dhe ta shprehin atë
me zë të lartë. Jo të thonë se ata janë më të mirët, por: “Ky jam unë dhe jam
shumë krenar për këtë dhe nuk më vjen turp”. Kur e mbajta atë, pati një reagim
të tillë dhe shumë të rinj filluan të thoshin “tani që ju jeni kaq krenare që
jeni shqiptare, edhe unë ndihem krenar që jam shqiptar. Kjo më krijoi një farë
dëshire për ta eksploruar më tej këtë gjë. Pothuajse disa vite më vonë, Fadil
Berisha erdhi në Nju Jork, në një shfaqje. Më takoi dhe me tha: “Unë nuk jam i çmendur,
por dua që ti të vish në studion time të të bëj fotografi dhe më pas t’i çoj
ato në Shqipëri. Unë I thashë: Prit t’u telefonoj vëllezërve. Dhe më pas ata
dolën dhe biseduan. Pastaj u prezantua ky…
Ky ishte takimi juaj i parë me Fadil Berishën? Shkuat në studion e tij?
Në fillim, nisa vëllezërit të
shihnin. Ata më thanë se çdo gjë ishte në rregull. Ai fotografonte Halley Berry
dhe shumë të famshëm të tjerë kështu që mund t’i besonim. Kështu shkuam dhe ai
më ka bërë disa fotografi fantastike. Menaxherët dhe agjentët e mi thanë se ato
ishin fotografitë më të bukura që kisha bërë ndonjëherë ato 15 vite. Ky ishte
një goxha bonus. Por kur ai tha se donte t’i çonte ato në Shqipëri, te lutem,
merr edhe familjen tënde. Kështu ne erdhëm dhe ishte diçka e jashtëzakonshme.
Cila ishte përshtypja juaj e parë kur ai ju tha se donte t’ju sillte këtu në
Shqipëri?
Isha shumë e emocionuar. Unë
gjatë gjithë jetës sime kisha udhëtuar nëpër botë me nënën time. Kishim shkuar
në Afrikë, Kinë, etj.
Por s’e kishit menduar ju më parë të vizitonit Shqipërinë?
Po, por në një moshë më të
hershme nuk ishte aq e lehtë të udhëtojë këtu dhe Shqipëria nuk ishte një vend
aq i hapur. Ishin krijuar disa ide negative për Shqiptarët, prandaj më vjen mirë
që m’u dha mundësia të njihja Fadilin dhe që më solli këtu.
Cila ishte përshtypja e babait tuaj pas vizitës së tij të parë në Shqipëri
në fillimet e viteve ’90?
Im atë ishte shumë sentimental,
shumë pozitiv. Kishin ndodhur shumë ndryshime. Sigurisht, nuk ishin aq moderne
sa ç’janë tani. Është diçka që s’mund ta përshkruash kur vjen në një vend dhe
sheh rrotull, ke ndjesinë se diçka të lidh me këta njerëz. E ke vërtetë atë
ndjesinë se je mes njerëzve, mes popullit tënd, gjakut tënd. Kështu unë mendoj
se ai e ka pasur atë ndjesi në një mënyrë shumë të thellë. Mbaj mend që ai u
kthye me një përshtypje vërtetë shumë pozitive.
Ju thatë se keni marrë shumë mesazhe nga Shqiptarët pas filmit “Wrong
Turn”. Por a është i njëjti reagimi ndaj jush tani kur të gjithë shqiptarët ju
njohin që ju jeni nga Shqipëria dhe ju shohin tatuazhin me shqiponjë?
Tani bëhet fjalë për diçka
akoma më të gjerë. Kur erdhëm këtu unë bëra tatuazh në shpinë shqiponjën, im vëlla
e beri tatuazhin në krahë dhe po ashtu edhe im atë në kyçin e këmbës. Ishte
organike, por ndodhi shumë shpejt. Por tani më duket shumë sureale. Unë ndihem
si një heroinë e këtij vendi dhe nuk e di se ç’kam bërë për të qenë kështu veçse
të ndihem krenare që jam nga ky vend dhe përpiqem të jem një shembull i mirë për
të rinjtë dhe të përkrah faktin se njerëzit duhet të ndihen krenar për
vendlindjen e tyre. Sigurisht duhet ta pranojnë të gjithë të tjerët, por unë
besoj tek kultura, besoj se në këto ditë bashkë me globalizimin, sikur po
humbet kultura dhe të gjithë sikur po bëjnë të njëjtën gjë. Mua më pëlqen të mësoj
për historinë e një vendi dhe ne pikërisht këtë gjë mund tua kalojmë brezave të
ardhshëm. Muzika, ushqimi, gjuha, letërsia. Është kaq bukur dhe ne kemi nevojë
për këtë gjë.
Emigrantët tanë, sidomos emigrantët e brezit të parë ndihen krenar për
karrierën tuaj dhe identitetin tuaj. A luani ju ndonjë rol në komunitetin
shqiptar tani? A keni në plan ndonjë gjë tjetër përveç këtij dokumentari, paraqitjes
së tij në fund të nëntorit në Nju Jork?
Në udhëtimin tim të fundit unë
kam marrë nënshtetësinë shqiptare. Kështu kam pasaportën shqiptare dhe kryetari
i bashkime, Basha më ka caktuar ambasadore për Tiranën për artet edhe për vendet e ndryshme. Kështu
më uronin mirëseardhjen si ambasadore për Tropojën, Korçën. Kemi harxhuar shume
kohë për përgatitjen e këtij dokumentari, sepse vërtetë është shumë i rëndësishëm.
Ky është vërtetë letra dashurie që ia nisim këtij vendi. Tani që ky dokumentar
përfundoi, duhet të gjej hapësira të tjera ku e ndiej se duhet të përfshihem
dhe ndoshta të tjera gjëra për të cilat duhet të punojmë.
Në fakt, dua të bisedojmë diçka në lidhje me dokumentarin tuaj i cili është
shumë interesant. Si ju lindi ideja që të xhironit një dokumentar për Shqipërinë?
Në dy vizitat e para, një njërin
me babain dhe në tjetrin me nënën time, ne u mahnitëm me bukuritë. S’e kishim
idenë për gjithë këtë diversitet, larmi gjeografike, bregdeti, plazhet. Askush
s’dinte gjë për Rivierën Shqiptare, veçse nëse ishte nga këtu apo e kishte
vizituar. Kështu që Fadili na tha “Po sikur të bënit një dokumentar?!” Të bëjmë
diçka të veçantë ndërsa vizitojmë vendin. Tashmë keni vizituar shumë qytete. Le
ta realizojmë, ndërsa vizitojmë vendin. Le ta filmojmë. I kam rënë botës kryq e
tërthor dhe më pëlqen shumë të udhëtoj. Brenda vetes gjithmonë e kam dashur një
diçka të tillë. Kam shumë fansa në çdo vend, nga media sociale.
Fillova të mendoj qe s’i kisha
me vete njerëzit ne udhëtimet e mia. Gjithçka u përputh the ndodhi në çast dhe
të gjithë thamë se duhet ta realizojmë. Fadil Berisha, miku ynë i ngushtë, Blerim
Destani, vëllai im Neiv, i dashuri im Rik Foks, ne të gjithë vendosëm të vinim
këtu. Na u deshën 15 ditë dhe vizituam 15 qytete në të gjithë Shqipërinë.
15 ditë në 15 qytete? Udhëtim shumë i ngarkuar, shumë intensiv...
Shumë i ngarkuar. Nuk kaluam më
shumë se një natë në secilin qytet
Cilat ishin përshtypjet pas dy javësh?
Isha shumë mallëngjyer. U
emocionova gjithë ato herë, pata një mori emocionesh. U kënaqa shumë, një farë
dobësie të brendshme. Kudo që shkonim kishte diçka të veçantë, diçka magjike,
diçka misterioze, diçka të re. U përqendruam në disa vende historike, ishim në
Butrint, Apolloni,
dhe patjetër shkuam në Korçë. Kudo
që shkonim përshëndeteshim nga njerëz aq mirëpritës
patëm aq shumë afrimitet dhe
mikpritje në aq shumë vende, që jo çdokush tjetër ndoshta mund t’i kishte pasur
domosdoshmërish. Kjo më beri përsëri të mendoj se kjo ishte një thirrje për diçka
që duhet ta bëja patjetër.
Keni vizituar disa vende në Shqipëri, cili ishte më interesanti sipas
mendimit tuaj?
E di që janë shumë për t’i mbajtur
mend. Veçanërisht nga stërgjyshërit tanë Korça ishte shumë speciale për ne.
A ishte i shijshëm byreku i Korçës?
Byreku i Korçës ishte shumë i
shijshëm. Kur ishim atje ishte edhe festa e birrës, qyteti ishte aq i gjallë.
Qytet shumë i bukur. Në Shqipëri më pëlqen kombinimi i të vjetrës me të renë, të
lashtës me modernen. Më pëlqen shumë ta shoh një kombinim të tillë në Korçë.
Gjithashtu më pëlqyen plazhet, Dhërmiu, Durrësi, etj. Ne gjithashtu ishim në
malësi. Malet ishin mbresëlënëse
Pritja ishte shumë e mirë. Njerëzit
më mësuan të kërcej, u binin daulleve.
Madje as shqiptarët nuk i njohin malet tona aq mirë. A ishin të bukura?
Mahnitëse! Iu ngjitëm lumit të
Valbonës. gjithçka e kemi regjistruar në dokumentarin tonë. Më mahnitësja që
mund të kem parë ndonjëherë.
Si ishte mikpritja e njerëzve? A ishin miqësor?
Përtej kufijve të mikpritjes.
Bujaria e tyre si askund tjetër në botë. Kur isha në malësi më shkruan një këngë.
Një këngë mirëseardhje për Eliza Dushkun. Poqën një dash në fërlik dhe na e vunë
para. Përtej bollëkut material ishte ngrohtësia, bujaria e dalë nga shpirti që
të bënte kaq shumë për vete. Kaq shumë emocionuese. Kam një kujtim të veçantë
kur sapo kisha vënë tatuazh shqiponjën. Shkova tek një dyqan i vogël ne cep të
rrugës për të marrë ca gjera të vogla.
Ishim në udhëtim dhe u ndala për
të marrë një Tylenol apo ndonjë aspirinë të ngjashme
Ishte një plak u ulur në një karrige
dhe gruaja nga banaku më tha: “Ju jeni Eliza Dushku, unë të njoh”. Dhe plaku që
dukej sikur kishte 20 vite pa lëvizur nga karrigia, erdhi ngadalë dhe më kapi
nga shpatullat dhe ktheu me kurriz dhe puthi shqiponjën në mes shpatullave të
mia. Dhe më ngjethet mishi sa herë e kujtoj dhe pati një ndikim të thellë
brenda meje.
A jeni e kënaqur me dokumentarin e përfunduar?
A jam e kënaqur?!
Po?
Tepër e kënaqur. Ndiej që kemi
xhiruar ato që kishim planifikuar të xhironim. Në fakt, u kthyem dhe bëmë edhe
disa xhirime të tjera të vendlindjes dhe shkurtuam disa të bërë na Mal të zi
dhe në Maqedoni. Sepse në vizitën e parë patëm vizituar Maqedoninë dhe Kosovën
por s’kishim vizituar Malin e Zi. Dhe ne ishim për ta plotësuar para një muaji
e gjysëm. Erdhën pa bujë dhe ishim në Ulqin dhe gjithashtu kaluam më shumë kohë
me familjen. Dhe kjo ishte përmbyllja e komplet dokumentarit. Jam në ankth dhe
shumë e emocionuar sepse tashmë është momenti i madh për t’ua treguar shqiptarëve,
miqve dhe personaliteteve dhe ne shpresojmë që do t’u pëlqejë.
Do të jetë absolutisht i suksesshëm....
Faleminderit shumë dhe ne ashtu
shpresojmë.
Po personat e tjerët amerikanë që të shoqëronin, duke përfshirë edhe të
dashurin tënd çfarë përshtypjesh patën për vizitën ne Shqipëri apo për
dokumentarin?
Stafi që punoi dhe xhiroi për
dokumentarin, shumë njerëz u befasuan.
Pse u befasuan?
Sepse Shqipëria kishte qenë një
vend i izoluar dhe misterioz. Një vend i rrethuar nga Greqia, Italia, Kroacia,
vende shumë të njohura dhe shumë të vizituara nga mbarë bota për shumë vite me
radhë. Si për çdo gjë që se njohim ishim disi të distancuar. Mund të kishte
stereotipa dhe stigmatizues në Amerikë që thoshin “je si shqiptar i çmendur”. Kurrë
se mora vesh se çfarë kuptimi kishte. Ishin gjithë ata stereotipa që se kishin
idenë fare dhe kur shikuan filmimet tona thoshin “dua të shkoj atje”, “do ta
vizitoj verës që vjen”. Donin të përjetonin ato që unë kisha përjetuar. Nuk e
imagjinonin që Shqipëria kishte kaq shumë për të ofruar. Shqiptarët janë shumë
mikpritës, janë të dashur, janë shumë të bukur. Nuk janë as të çmendur dhe as të
frikshëm.
Kanë një kulturë mjaft të bukur
dhe të pasur.
A është e vërtetë që filmi është arritur në sajë të mbështetjes se medias
sociale shqiptare?
Po, unë Fadili Berisha dhe Blerim
Destani themeluam produksionin fillestar të filmit dhe më pas na u desh ta
editonim të gjithë këtë projekt. Kështu që ne mblodhëm fonde, rreth 70 mijë
dollarë për 30 ditë nëpërmjet twitter dhe facebook dhe kam shumë të rinj
shqiptarë në twitter, rreth 1 milion e 3 miq në llogarinë time në twitter. Bëmë
një fushatë për mbledhjen e fondeve të përbashkëta. Ne donin që ata të
ndiheshin pjesë e kontributit për xhirimin e këtij dokumentari.
Duke dhuruar 1 dollar apo 5
dollarë, për të arritur diçka kolektive. Për të arritur diçka me kontributet e
njerëzve të ndryshëm. Dhe ia dolëm të mblidhnim fondet.
Sa ishte shuma përfundimtare?
72 mijë apo 73 mijë dollarë në
30 ditë. Shumë shqiptare deshën ta mbështesnin ketë dokumentar.
72 – 73 dollarë në 30 ditë?! Paska qenë mbështetja e shumë personave. Dhe të
gjithëve do ju pëlqejë ta shikojnë dokumentarin....
Po të gjithë ne atë shpresojmë.
Mezi po presim.
A do të jetë në media, televizionet shqiptare apo ato amerikane?
Do të shfaqet tek të dyja. Në Amerikë
po punojmë më televizionin Pbs dhe ata janë shumë të interesuar për të. Ndërsa
këtu kemi takuar disa persona ketë jave dhe po bëjmë disa marrëveshje mbi
distribucionin këtu si dhe në vendet e tjera. Duam që ta shohin sa më shumë
njerëz që të jetë e mundur. Të jetë kudo, të shihet edhe ne avion. Sapo ta
shohin ketë dokumentar njerëzit do bien në dashuri me këtë vend njësoj si unë.
Thatë se e e keni vizituar Shqipërinë 4 – 5 herë deri tani. A planifikoni të
vini përsëri në të ardhmen?
Patjetër! Tashmë janë shtetase
shqiptare. Do vi shumë herë të tjera. Kam kaq shumë miq këtu.
Pse të duhet pasaporta shqiptarë?
Shtetësia Shqiptare?
Sepse do kem kam çaste dhe lehtësira.
Nuk do kem nevojë për vizë për të shkuar në Stamboll. Sapo e mësova edhe këtë. Jam
shumë nikoqire, jam korçare. Jam e kujdesshme me paratë dhe më pëlqen të bëj
pazar të leverdisshëm. Gjithashtu i kam rrënjët tek ky vend. Është plotësisht
një ndjesi tjetër të jesh shtetase shqiptare krahasuar me një vizitore. Ku i
dihet, shumë shpejt Shqipëria mund të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Më bën
te ndihem më ndërkombëtare. Gjithashtu me bën te lëshoj rrënjë në atdheun tim.
Si po ju ecën karriera në Shtetet e Bashkuara?
Po ecën shumë mirë. Ka qenë më
ndryshe këto vite sepse kam filluar me produksion krahas aktrimit. Dhe kur je në
shfaqje televizive nuk ke shumë kohë të merresh me gjera të tjera. Por pasi
pata një periudhë 22-vjeçare në aktrim, filluam të kishim shumë ide e më pas të
merreshim edhe me produksion. Tashmë kemi një kompani produksioni, vëllai im Neit
dhe kemi dy filma me metrazh të plotë. Po punojmë me skriptet, në njërin luaj
edhe unë dhe tek tjetri jepi pas kamerave. Më pëlqen ta mbikëqyr procesin si regjisor.
A keni ditën e ngarkuar?
Po, shumë ë ngarkuar, kemi dy
projekte televizive, zhvillojmë dy programe televizive, dokumentarin, si dhe
kaloj kohë në punë jofitimprurëse. Mami ka një organizatë jofitimprurëse dhe një
të tillë ka edhe babai në Nju Inglend, për fëmijë që shkojnë në kampe fëmijësh.
Ka qenë kamp për djemtë për 112 vjet. Babi im dhe të gjithë vëllezërit e mi kanë
shkuar në këtë kamp dhe quhet kampi “HALE” (heil). Verën e kaluar hapëm
programin e parë për vajza. Që kur isha e vogël doja të shkoja dhe unë si babai
dhe vëllezërit e mi.
Ju jetoni në Kaliforni. A kaloni kohë edhe në Boston apo në Nju Jork?
Po shumë kohë, më pëlqen Bostoni.
Në mënyrë të ngjashme Bostoni më duket si vendi im. Shkoj në Boston sa herë që
mundem. Familjen e kam atje, nipat dhe mbesat.
Si po të ecën marrëdhënia me basketbollistin Rik Foks?
Po më ecën mirë. Është ulur këtu
në studio. Ai është mbështetës i mahnitshëm. Ne e mbështesim njëri-tjetrin,
jemi miq për kokë dhe mendoj se kjo është gjeja më e rëndësishme. Ai më jep një
mbështetje vërtet të madhe.
A i pëlqen edhe atij Shqipëria?
Po i pëlqen dhe bën atë shenjën
e shqiponjës me duar. I pëlqen ushqimi. Të dyve na pëlqen gatimi shqiptar. I pëlqen
të takojë njerëzit dhe shpesh thotë tani e kuptoj se nga e ke marrë vitalitetin
që ke. Tani ta kuptoj atë pjesën tjetër të karakterit tënd. Mendoj se Shqipërinë
e kam shumë në gjak dhe në temperament.
Ndonjëherë bëj pyetje të çmendura. Cili është filmi që të pëlqen më shumë?
Që kam parë apo që kam luajtur?
Filmi që ke luajtur...
Janë shumë filma. Mendoj se
filma të ndryshëm më kanë përfaqësuar siç kam qenë në kohë të ndryshme. Në njëfarë
mënyre ngjan me një kronikë jete. Jam argëtuar shumë kur kam luajtur tek “True
Lies”. Çdo fëmije do kishte qenë i lumtur. Isha vetëm 12 vjeçe dhe luaja me Jim
Cammeron. Arnold Zchvartzenegger ishte babi im në rol dhe unë kacavirresha në
vinça 30-katësh të lartë duke bërë gjitha ato veprime të guximshme. Më pas edhe
filmi “Bring it on” ku unë luaja njëfarë anti-nxitëse tifozash. Ishte një
film-komedi mjaft argëtuese. Më pëlqente shumë që luaja më Josh Suedden, një
nga regjisorët më të mirë në botë. Kam luajtur edhe tek “Vampire Salyer” dhe
tek “Doll House” . Me pëlqente shumë aktrimi për të sepse kishte role femrash të
forta. Mendoj se ka kontribuar shumë për të arritur këtu ku jam sot. Të shpalos
ketë atë pjesë të brendisë sime.
Cilët janë regjisorët e tjerë të preferuar?
O Zot! Jam fanse e Martin
Scocezze, fanse e Ann Lë dhe e një regjisori tjetër me të cilin kam punuar dhe
që konsiderohet komplet i çmendur dhe çuditshëm, Kevin Smith por jam fanse e
tij. Zot! janë të shumtë regjisorët që më pëlqejnë.
A është e vërtetë që u bëtë vegjetariane pasi patë një dokumentar?
Po, në fakt po, u bëra rreptësisht
vegjetariane për rreth një vit. Pasi pash një dokumentar që duhej “Forks over
Knives” dhe fliste kryesisht për një dietë të bazuar në perime. Dhe kthehet
prapa në qytetërimin e hershëm kur njerëzit hanin perime. Veçanërisht në
periudhat kur mishin nuk përpunohej. E pranoj që kur vij në Shqipëri mishi dhe
djathi janë aq të freskët saqë ndihem më komod të ha sesa në Amerikë, ku
ushqimi përpunohet aq shumë saqë mund të krijojë probleme shëndetësore. Kaq
rreth një vit që jam vegjetariane dhe vetëm tani ha ndonjëherë peshk. Tani që
jam në Shqipëri ha peshk.
Ky është problemi, të jesh në Shqipëri dhe të jesh vegjetarian është paksa
e vështirë...
Po, e di tashmë.
Ju falënderoj që ishit këtu sonte me ne. Faleminderit për intervistën dhe shpresoj
se herës tjetër kur të jesh në Shqipëri do kemi më shumë kohë për bashkëbisedim
më të gjatë.
Absolutisht po. Kisha kënaqësinë
e madhe që isha e pranishme dhe bisedova me ju. Siç e thash në fillim jam shumë
e emocionuar që jam këtu. Dua të falënderoj të gjithë Shqiptarët. Të gjithë ata
të cilët i takuam gjatë udhëtimit tonë. Të gjithë ata që na ndihmuan dhe që pa ndihmën
dhe dashamirësinë e tyre s’do ia kishim dalë. Shpresoj që gjithsecili të jetë
krenar për kontributin në realizimin e tij. Faleminderit shumë.
Comments
Post a Comment