Nëntë vjet nga Lumnimi i shenjtores shqiptare, Nënë Terezës, ceremonia ne foto
Me siluetën e saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë
prej pambuku të bardhë, me shirita ngjyrë blu, Nënë Tereza është bërë simboli i
ndihmës për "më të varfërit e të varfërve", të cilëve ajo u kushtoi
jetën e saj. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, në vitin 2003, ajo u shpall “E
Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, një moment që i ka hapur rrugë shënjtërimit
të saj.
Angje Gonxhe
Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u lind në Shkup më 1910,
nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare
"për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18 vjeç
hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me
arkipeshkvinë e Kalkutës.
Nënë Tereza nuk
mund të braktiste udhërin e saj pa pëlqimin e arkipeshkvit të Kalkutës, Ati
Ferdinand Periers, i cili nuk e vlerësonte sa duhet. "Eshtë një fillestare
që nuk do të ishte në gjendje të ndizte si duhet një qiri", mësohet të
ketë thënë prelati.
Nëna e saj
superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo. Dhe në fillim të
vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhëri.Motra Agnes bëhet atëhere Nënë
Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në
barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj te
murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua
tërësisht të varfërve.
Në vitin 1952,
takimi me një grua të braktisur që po jepte shpirt mbi një trotuar në rrugët e
Kalkutës, me këmbët të brejtura nga minjtë, e bënë atë të ndëmerrte një nga
detyrat për të cilat ajo u admirua më shumë, kujdesin për njerëzit duke dhënë
shpirt.
Siç ka kujtuar
Nënë Tereza "e morëm këtë grua në shtëpinë tonë, ku e ndihmuam shumë. Pas
pak orësh ajo u nda nga kjo botë, por vdiq në paqe. Sa ishte gjallë nuk pushoi
së uruari për ndihmën që i kishim dhënë. Une mund ta ndihmoj një njeri që të
vdesë në paqe dhe me dinjitet".
Pas këtij rasti
kritikoi ashpër autoritetet e Kalkutës dhe arriti të siguronte një ndërtesë të
shekullit të XIX, pranë tempullit Kali, Perëndesha hindu e vdekjes. Atje do të
priste të gjithë ata që vuanin nga tuberkulozi, nga dizanteria, ose tetanozi,
të cilët nuk i pranonin spitalet. Për 40 vjet, më se 30 000 persona vdiqën
atje. Për Nënë Terezën, garantimi i "një fundi të denjë" për ata që
kanë "jetuar si kafshë" është një detyrë.
Krahas kësaj,
misioni i saj punonte në ndihmë të strehimit të fëmijëve të braktisur në gjithë
botën, kurimit të leprozëve, në ndihmë të viktimave të Sidës dhe kishte hapur
një qendër për ta në Shtetet e Bashkuara.
E veshur gjithnjë
me mantelin e bardhë, me shirita blu të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë,
Nënë Tereza e kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse
"një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh". Por, shtonte ajo,
"nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t'i mungonte detit".
Në shtëpinë e
Lowe Circular Road, një rrugë e vogël në qendër të Kalkutës, ajo bënte jetën e
thjeshtë të postulateve të kongregacionit të saj, merrte pjesë në punët
shtëpiake të komunitetit. Dhoma e saj e vogël ishte e mbushur me dosje dhe
libra fetarë, të vetmit që ajo pranonte të lexonte.
E lidhur me
vlerat më tradicionale të Kishës, besimtarja kishte siguruar një ditë se nëse
do të kishte jetuar në periudhën e Galileut, ajo do t'i kishte dhënë të drejtë
Kishës kundër tij. Ajo kundërshtonte gjithnjë të gjitha format e abortit.
Grua e vendosur,
e guximshme, pragmatike dhe e pajisur me njohuri të mira për bizneset, një ditë
kur po kalonte në Romë, i kërkoi Gjon Palit II një pjesë të pasurive të
Vatikanit për të varfërit e saj. Papa i dhuroi makinën e tij Rolls Royce, që
ajo e shiti në ankand me një çmim shumë të leverdisshëm për të siguruar fonde
në ndihmë të të varfërve.
Disa e qortuan se
kishte siguruar fonde nga persona pak të pëlqyeshëm, si ish-diktatori haitian
Jean-Claude Duvalier. Nene Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se
gjithshka e bënte për hir të dashurisë së Zotit. Bëri një jetë të thjeshte pa
pasuri. Por fama e Nënë Terezë u përhap në vitin 1970, kur gazetari i njohur
britanik, Nugerigj, shkroi një libër dhe xhiroi një film për jetën e saj të
titulluar "Diçka e bukur per zotin". Ish-ateist ai tha se ajo kishte
influencuar jashtëzakonisht shumë në konvertimin e tij në katolik.
Në vitin 1979,
Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të
të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një
autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një
shenjtore.
"Shenjtore e
të varfërve", Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në moshën 87
vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë
botën. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000
motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të
botës. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta,
të cilin e formoi në vitin 1950.
Comments
Post a Comment