Tonin Tërshana: Askush nuk u dënua për shkak se këndoi në Festivalin e 11-të
INTERVISTË/ Këngëtari i mirënjohur, që fitoi festivalin e
cilësuar si famëkeq, i rikthyer pas 15 vitesh emigrim, tregon për herë të parë
për lexuesit e “Koha Tjetër”, se çfarë ndodhi më 1972
Yllka Selita
U bë një kohë e gjatë që i keni munguar skenës shqiptare,
mund të na thoni se ku keni qenë gjithë këto vite?
Do doja t’u falënderoja për
interesimin tuaj në radhë të parë. Unë prej 15 vitesh kam jetuar në emigracion.
Nga viti 1997 deri në janar të viti 2012 kam qenë në Greqi. Shkaqet që unë me
familjen time vendosëm që të largoheshim, ishin sepse kaluam një periudhë shumë
të vështirë tranzicioni. Mbeta për një periudhë të gjatë pa punë dhe u detyrova
të largohem pasi ekonomia ime ra shumë. Jo, se unë kisha dëshirë të punoja,
sepse jam detyruar që të bëj gjithfarë punësh atje, deri sa u stabilizua bashkëshortja
ime me një rrogë bazë, ishim në një gjendje shumë të keqe. Kjo ishte arsyeja e
ikjes sime. Sa i përket faktit që unë isha këngëtar, kam dalë pak herë atje në
skenë, nëpër mbrëmje mes shqiptarësh, por atje më shumë kishim kënaqësi që
ishim mes miqsh, pa ndonjë interes ekonomike, thjesht se na dukej sikur ishim
këtu. Sepse kur je jashtë e dashke vendin tënd më shumë se kur jeton në atdhe.
Kur ishte dalja juaj e fundit në skenat shqiptare,
në cilin vit?
Dalja ime e fundit në
skenë ishte në një festival estradash dhe unë u përfaqësova me estradën e Shkodrës.
Mund të ketë qenë viti 1996, por nuk më kujtohet saktë edhe aty u shpall si këngëtari
më i mirë. E mbaj mend atë konkurrim pasi çmimi që mora ishte 400 mijë lekë të
vjetra, dhe për mua ishte hera e parë, pasi gjithmonë kisha marrë nëpër
festivale, 3 mijë lekë të vjetra dhe m’u desh të merrja borxh edhe nja 2 mijë
lekë të tjera për të qerasur shokët. (Qesh). Pasi nuk kishte ndonjë vlerësim të
madh material në atë kohë. Ndërkaq në festivalet e Radios, kam qenë në vitin 1989
ndoshta, për herë të fundit.
Por ju jeni edhe fituesi i festivalit të cilësuar
si famëkeq, ai i 11-ti, ku disa nga kolegët tuaj kanë pohuar se u burgosën.
Kurse ju u vlerësuat, në mos gaboj me çmimin e parë...
T’ju them të drejtën, jam
dëshmitar vetë, se nuk është dënuar kush, pse ka kënduar në këtë festival.
Ndoshta ata kishin folur diku, por nuk u dënuan se kënduan në festival. Dihej
si ishte ai sistem, të ndalonte që të shpreheshe hapur, se të fusnin në burg. Unë
e kisha frikë burgun, se nuk ma kanë lavdëruar.
Po ju a kishit frikë të bënit performancë në
skenë, domethënë që të lëviznit, apo ashtu ndjeheshit më mirë sepse ju kujtoj
se si tipar kishit të kënduarit thuajse pa lëvizur?
Unë kam filluar që të këndoja
shumë i vogël, dhe atëherë kisha dëshirë që të lëvizja. Në fakt dhe vetë mosha
të bënte të ishe më alegro, por mbaj mend që kur këndova me Estradën e Ushtarit,
atje ishte një regjisor, që sa herë që lëvizja duart, më binte me shuplakë te dora,
duke më thënë “Uli duart”. Dhe qysh atëherë, u mësova me qenë si të thuash, gatitu
dhe u brymosa vetë ashtu. E sigurisht që ishte jo vetëm disiplina por edhe frika
në mes. Sidomos burrat, shumë rrallë kanë lëvizur në skenë, kurse femra nga vetë
natyra lozonjare ka qenë pak më e lirshme. Tani e kam më shumë fiksim apo zakon,
që të këndoj pa lëvizur, sepse nuk më pengon njeri. Mbaj mend një herë që pata
lëvizur, isha ende i ri, pa mbushur të 20-at. Dhe unë lëviza ndoshta ca si shumë
në një koncert në Shkodër, në Pallatin e Sportit. Spektatori kërkonte që të
dilja përsëri në skenë, ndërkohë nuk kisha më repertor dhe shfaqja u anulua. Të
nesërmen u hap fjala se Toninin e kanë futur brenda. Ndërkohë një gazetar kishte
shkruar në gazetë fjalë shumë të mira për mua. Atë kohë kisha për të kënduar në
Festivalin e Radios dhe kishin ardhur dy relacione për mua. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm,
Petrit Dume më thirri dhe më pyeti se çfarë kisha bërë në koncert. Unë i thashë:
Asgjë, thjesht kam lëvizur gjatë këngës. Më pa dhe pasi më njihte shumë mirë më
tha, “shko në punën tënde”. Ky ishte i vetmi incident në karrierën time dhe një
mësim shumë i mirë që të mos lëvizja më.
Tashmë jeni kthyer përgjithmonë në Shqipëri. Ku po
jetoni dhe si ju duket situata në Shqipëri?
Po, që nga janari siç e
përmenda jam kthyer në Shqipëri dhe po jetojmë me gruan, vajzën dhe
bashkëshortin e saj në Tiranë, në një shtëpi me qera. Banesa është mbi Kinostudio,
paguajmë pak pasi e kemi marrë paksa larg, por duke qenë se ne jemi me dy
pensione të ulëta, edhe ajo pak qera, na duket shumë, se të themi të drejtën
nuk na del. Ndonjëherë kam pasur ndonjë aktivitet ku kam qenë i ftuar dhe kam
marrë ndonjë honorar. Por kjo nuk është zgjidhje, sepse ato janë ftesa
sporadike.
A keni kërkuar mbështetje nga institucionet shtetërore,
pasi ju keni edhe titullin Mjeshtër i Madh i Punës?
Po dhe një ndihmë të
madhe kam marrë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha të cilin do të
doja që ta falënderoja shumë. Ai nuk e dinte që unë kisha shkuar në emigracion
dhe u habit kur shkova për ta takuar. Më pas më tha se do të më ndihmonte në
shumë gjëra, një pjesë të mirë të tyre të premtimeve i kam prekur me dorë. Ja
di për shumë faleminderit, kryetarit të bashkisë dhe të gjithë stafit të kulturës
në bashki.
Ju keni marrë shumë çmime nëpër festivalet e këngës,
mund të më thoni një numër të tyre?
Po mund të them se kam
marrë pjesë në 20 festivale dhe nga këto, katër i kam me fitore, çmime të para
dhe te të gjithë festivalet e tjera kam marrë çmime të dyta apo të treta. Nuk
ka ndodhur të kem marrë pjesë në një festival dhe të mos kem marrë ndonjë çmim.
Ju ka mbetur diçka peng sot?
Më ka mbetur peng se nuk
jam më i ri, se çdo ditë që ikën unë jam më plak se dje, dhe ka ardhur një kohë
shumë e bukur për artin dhe këngën, për t’u jetuar, por mosha nuk është më, për
të dhënë aq sa ka dhënë dikur.
A e ka trashëguar ndonjë nga vajzat tuaja talentin
tuaj?
Po vajza e madhe Anila,
ka mbaruar konservatorin për kanto dhe jeton në Selanik, ku aktivizohet në operën
e Selanikut. Ndërsa vajza e vogël Donatela nuk merret me muzikë, megjithëse e
ka shumë qef muzikën.
A keni ndonjë projekt, ndonjë CD tuajën?
Po njeriu mendon boll.
Por kur nuk ke mundësi që të bësh gjë, sepse gjithçka sot bëhet me lekë. Unë
ato nuk i kam, mendime kam për të bërë gjëra të bukura, por ku nuk janë mundësi
më duken si përrallë. Do më pëlqente që të gjeja ndonjë sponsor që të më
ndihmonte për të bërë një CD apo një videoklip. Do të kisha shumë dëshirë që ta
falënderoja me emër, por derisa nuk e kam ende një sponsor, do ta falënderoja
paradhënie, për ndihmën që do të më jepte, që të bëj një përmbledhje të këngëve
të mia.
Comments
Post a Comment