Kur talenti dhe vendi i mundësive të hap rrugët e jetës sikur shfleton një përrallë



+ + +
Një flautiste e re palestineze, ndonëse e rritur pa edukim klasik, ka fituar një vend në një nga shkollat më prestigjoze të muzikës në Gjermani, falë këmbënguljes së saj, por edhe besimit të mësuesve tek talenti i saj. E veshur më xhinse të ngushta dhe një pulovër ngjyrë rozë, flautistja Dalia Moukarker s'ka asnjë dallim nga studentët gjermanë. Por 20 vjeçarja nga Palestina, që shkurt e thërrasin Sol, ka një histori të mrekullueshme. Dy muaj më parë ajo banonte në Beit Jala, në Bregun Perëndimor, ndërsa tani pavarësisht se nuk ka një edukim klasik, ajo është një nga katër studentët që do të studiojë për flaut në Universitetin e Muzikës në Karlsruhe. "Është si një ëndërr", thotë ajo, ndërkohë që nxjer flautin dhe notat nga çanta e saj. Gjashtë vjet më parë, Moukarker nuk e kishte idenë se ç'ishte flauti, por një gjë e tillë nuk e ndaloi të regjistrohej në kurset falas të shkollës së saj për të mësuar këtë vegël muzikore, sepse ajo qe e vendosur për t'u marrë me muzikë.

@ Shkëputje nga realiteti
Moukarker ra menjëherë në dashuri me instrumentin dhe tingujt që lëshonte ai. Ndërsa flauti e lejoi të shpëtonte prej realtetit dhe jetës së vështirë në Bregun Perëndimor.  "Pa muzikën unë nuk mund të jetoj", shpjegon ajo.  "E urreja momentin kur binin bombat dhe luaja flaut për 12-orë me radhë sepse doja t'i ikja realitetit. Nuk kishte rëndësi se çfarë luaja dhe vazhdoja deri sa nuk kisha më fuqi." Ajo jetonte së bashku me prindërit dhe pesë vëllezërit e motrat, ndaj ishte e vështirë të gjente një vend të qetë për të luajtur. Shpesh herë ajo shkonte brenda një depozite të madhe uji, që ishte bosh e që ndodhej në çatinë e shtëpisë.  "Kishte shumë jehonë, por më pëlqente", thotë ajo me një buzëqeshje fëminore. Moukarker e kishte gjithashtu shumë të vështirë të gjente një mësuese flauti në Palestinë, sepse muzika klasike nuk ka traditë në këtë vend.  Pasi shkolla e saj i ndërpreu mësimet e falutit, ajo mori mësime nga disa mësues europianë që punonin në fondacionin Barenboim-Said.

@ Mësuesi izraelite i flautit
Më pas ajo gjeti një mësues nga Izraeli , i cili i jepte leksione flauti falas. Por kur Moukarker mbushi 18-vjeç, nuk kishte të drejtën për të udhëtuar drejt Jeruzalemit në anën tjetër të murit. Mësuesi Raanan Eylon nuk donte të humbiste nxënësen e tij dhe udhëtonte në Beit Jala për të vazhduar leksionet. "Unë mendoj se ai kishte besim tek unë",  thotë Moukarker kur e pyet se pse mësuesi i saj bëri një përpjekje të tillë.  "Unë isha shumë e lumtur që mund të mësoja sërish dhe ai ishte shansi im i vetëm që unë të vazhdoja." Mësuesi izraleit i flautit nuk ishte i vetmi që e ndihmoi Sol-in në rrugën e saj. Një vit më parë një grua gjermane që i kishte dhënë mësime flauti në Bregun Perëndimor e solli atë në Gjermani dhe e ndihmoi të gjente një vend ku të studionte.

@ Kultivimi i talentit të saj
 "Unë e pashë Sol-in një vit më parë dhe u mrekullova kur ajo luajti solo një pjesë të nga Johannes Sebastian Bach. Menjëherë e dallova që brenda saj fshihet një talent i madh", thotë  Renate Greiss-Armin, e cila është profesoreshë në konservatorin e Karlsruhes.  Duke qenë në dijeni për potencialin e saj Moukarker, u kthye në Palestinë për t'u përgatitur për provimin e pranimit në konservator. Ndërkohë mësuesja e saj gjermane në Bregun Perëndimor, e cila dëshiron të mbetet anonime, pagoi biletën e kthimit të vajzës në Gjermani për provimin. Sol e pati të vështirë ta besonte kur dëgjoi se ajo kishte mundur t'ia dilte mbane ndaj 100 konkurentëve të tjerë dhe vetëm katër ia dolën. "Qaja, bërtisja, vrapoja dhe telefonova e lajmërova të gjithë me e-mail. Ishte një çmenduri", thotë ajo. Universiteti dha edhe një bursë prej 800 Eurosh për Moukarker, sepse në të kundërt do të qe e pamundur për të, që të studionte këtu.
DW

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk