Serialët turq "pushtojnë" televizionin grek

"Sila", "Vajza që kam dashur", "Sulejmani i madhërishëm" janë disa nga serialët turq, që kanë pushtuar zemrat e grekëve: kuota e shikueshmërisë për këto serialë është mbi 40 për qind.
"Më vjen keq por tani nuk mund të flas, pas pak fillon "Sulejmani i Madhërishëm" - këtë fjali e ka dëgjuar shpesh kur ka dashur të lërë takim me dikë, tregon Vicky Bechraki. Arkitektja 40-vjeçare nga Athina në fillim tallej me vëllezërit, shoqet dhe prindërit e saj, që shihnin rregullisht në televizionin grek serialet turke.
Por dikur edhe ajo vetë nisi të shihte seri dhe që prej një viti çdo mbrëmje në orën 9 pret historitë aventureske plot intriga dhe zhvillimet e reja në dashurinë plot pasion mes Sulejmanit, sundimtarit turk në shekullin e 16-të dhe Ruksanës, skllaves së krishterë në haremin e tij.
"Ky prodhim është shumë më i mirë se serialët grekë të këtij lloji. Duhet pasur parasysh edhe se kanalet greke aktualisht ritransmetojnë serialë të vjetër grekë, disa nga viti 1985. Unë nuk kam dëshirë dhe interes të shoh gjithnjë të njëjtën histori. Serialet turke janë pra diçka e re", thotë arkitektja greke.
Mall i suksesshëm eksporti
Seriali i suksesshëm Sulejmani i MadhërishëmSeriali i suksesshëm "Sulejmani i Madhërishëm"
Serialet turke janë vërtet një produkt i ri dhe i pëlqyer për tregun grek të medieve. Seriali i parë u transmetua në verë 2005 nga kanali MEGA TV. Ai quhej "Kufiri i dashurisë" dhe transmetohej në orët qendrore të mbrëmjes. Filmi tregonte historinë e dashurisë së një turkeje dhe një greku. Seriali, që trasmetohej një herë në javë, ishte një sukses i madh dhe zgjati tre vjet.
Ky ishte fillimi: në vitin 2010 kanali  ANT1-TV filloi transmetimin e një seriali të ri: "1001 netë". Ky ishte edhe momenti i kthesës. Qysh atëherë tre kanalet e mëdha MEGA, ANT1 dhe ALPHA transmetojnë në orët qendrore vetëm serialë turq. Këtu vlen të thuhet edhe se 2010 ishte viti kur në Greqi filloi të ndihej qartë kriza.
"Në vitin 2010 kanalet e mëdha televizive greke u përballën me problemet e para serioze financiare: ata nuk kishin më para për të prodhuar seriale të rinj. Serialët turq ishin shumë më ekonomikë. Një seri mund të blihet për 5.000 euro dhe kuotat e shikueshmërisë janë mjaft të larta, shpesh mbi 40 për qind. Pra tre kanalet kryesore me programe zbavitëse filluan të blejnë në mënyrë masive serialë turq", thotë Nikos Voulalas, kritik televizioni në gazetën popullore "Athinorama".
Serialët turq megjithatë nuk janë të suksesshëm vetëm në Greqi. Vitin e kaluar firmat turke kanë marrë më shumë se 100 milionë dollarë nga shitja e të drejtave të transmetimit në më shumë se 70 vende. Serialët turq janë tashmë një mall fitimprurës eksporti.
Kujdes për përcjelljen e "vlerave të duhura"
Në serialet turke transmetohen pamje të një vendi ekzotik
Por suksesi i tyre nuk është vetëm ekonomik, edhe në aspektin politik ata po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi. Kështu Ministria turke e Kulturës ka në plan të mbështesë financiarisht prodhimin e serialëve televizivë. Arsyeja është përmirësimi i imazhit të Turqisë jashtë. Edhe revista britanike "Time" e ka zbuluar këtë dhe shkruante së fundi se serialët "janë arma e fshehtë e Erdoganit".
Sina Kologlu, gazetar dhe kritik i njohur në Turqi, beson se qeveria e ka kuptuar dhe synon ta shfrytëzojë potencialin e ndikimit kulturor që kanë serialët: "Këtë kujdes për imazhin e tregon në fakt çdo vend. Pra synimi mund të jetë të tregohet me anë të serialëve të tillë, sa e fuqishme është Turqia ose sa shumë ndikim ka pasur Perandoria Osmane. Fjala është për eksport të kulturës."
Por mbështetja financiare nga shteti lidhet me kushte. Më i rëndësishmi është që mbështeten ato histori, të cilat i kushtojnë vëmendje të veçantë "unitetit të familjes". Një serial që nuk i përmbush këto kritere është p.sh. pikërisht "Sulejmani i Madhërishëm", tejet popullor edhe në Turqi. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan është ankuar se kjo histori nuk i përgjigjet aspak të vërtetës historike dhe se "paraardhësit turq nuk kanë qenë ashtu si paraqiten në serial". Ai madje kërcënoi se do të ndërmerrte hapa ligjorë kundër serialit, por më pas u distancua, edhe për shkak të refuzimit të fortë në opinionin publik. Gazetari Sina Kologlu druan se ky është megjithatë vetëm fillimi dhe se politika konservatore e qeverisë mund të ndryshojë peisazhin e serialëve në Turqi.
"Mund të bëhen përpjekje për të shmangur tema të tilla që nuk shkojnë me të ashtuquajturën 'strukturë të familjes turke'. Për shembull tema si përdorimi i alkoolit, duhani, lidhjet jashtëmartesore, tradhëtia, etj. Tendenca shkon në këtë drejtim", thotë Sina Kologlu.
Ngushëllim në trishtimin e përditshëm
Aktualisht në televizionin grek transmetohen gjashtë serialë turq. Por jo të gjithë janë të kënaqur nga kjo. Disa aktorë grekë të papunë ankohen se prodhime të tilla me kosto të ulët u marrin atyre punën. Dhe gazeta "Dimokratia" nuk bën më reklamë për "Sulejmanin e Madhërishëm" në faqet e saj, me argumentimin se seriali është një përpjekje për të paraqitur si të padëmshëm pushtimin 400 vjeçar të Greqisë nga osmanët. Shqetësimin për serialët turq e shprehu në një letër të hapur në shtator edhe kompozitori i famshëm grek Mikis Teodorakis: "Qendrimi provokativ i kanaleve greke, që transmetojnë pa u turpëruar çdo mall të lirë që u servir propaganda turke, duket se nuk i intereson askujt".
Por teleshikuesit grekë nuk shqetësohen. Serialët turq vazhdojnë të jenë të suksesshëm. Edhe arkitektja Vicky Bechraki reagon me qetësi ndaj protestës: "Besoj se grekët do të ishin shumë të gëzuar, nëse një serial grek do të kishte kuota të larta në Turqi. Sot thjesht ndodh e anasjellta." 
Tani Vicky Bechrakit i duhet të nxitojë. Pas pak fillon një tjetër seri e "Sulejmanit të Madhërishëm", të cilën nuk do që ta humbasë në asnjë mënyrë. Dhe për të kjo është edhe një mundësi për të harruar të paktën për pak kohë se prej dy vjetësh është e papunë.
Autor: Maria Rigoutsou/Basak Özay / Eliana Xhani
Redaktoi: Auron Dodi

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk