Berisha rrëfehet në “Papafingon” e Leonard Bombajt: Kur isha fëmijë ëndërroja të bëhesha kritik letrar




Që nga dëshira e hershme për të shkruar, te hipizmi, fëmijëria mes natyrës së ashpër të Tropojës, marrëdhënia me prindërit, lidhja e ngushtë me motrën… Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, është rrëfyer në “Papafingon” e Leonard Bombajt. Kreu i qeverisë është një nga 22 të intervistuarit e librit më të fundit, me autor Leonard Bombajn, ku personazhe nga bota e politikës, artit, mjekësisë, shkrimtarisë… u përgjigjen pyetjeve të një adoleshenti. Berisha ka pranuar pa mëdyshje t’i përgjigjet “gazetarit” të vogël, Bonit, duke treguar për vete, jashtë politikës.
Junior Club: Ku e keni kaluar adoleshencën tuaj?
S. Berisha: Adoleshencën time e kam kaluar pjesërisht në Tropojë, në fshatin tim dhe pjesën tjetër në Tiranë, në shkollën e mesme mjekësore, në Politeknikumin Mjekësor.
Kjo ka qenë ëndrra juaj?
Jo, nuk ka qenë ëndrra ime! Ëndrra ime gjithmonë ka qenë e lidhur me letrat në atë periudhë. Në një moshë të hershme unë fillova të shkruaja vjersha e tregime, por problemi ishte se ato nuk më pëlqenin. Pse nuk më pëlqenin? Sepse e shihja që buronin më shumë nga mendja se nga zemra. Ia lexoja motrës sime, e cila ishte edhe “tutori” im universal. Në një moment vendosa të mos shkruaja asnjëherë vjersha, sepse thashë pse të bëhem unë një shkrimtar apo poet mediokër, dhe mbeta jashtëzakonisht ëndërrimtar se një ditë do të bëhesha një kritik letrar i vlerësuar, do të bëhesha filozof, gjë që nuk ndodhi kurrë!
Jemi kuriozë të dimë se si ka qenë mesatarja e notave…
Ka qenë shumë e mirë.
Nuk ka ndryshuar në gjimnaz, se zakonisht gjimnazi është më i vështirë?
Jo, nuk ka ndryshuar. Adoleshenca e asaj periudhe me këtë tuajën ndryshonte si nata me ditën. Nuk kishte as pabe, as disko. Nuk ekzistonin. Çfarë ekzistonte? Në fillim topi me lecka dhe më pas topi real. Çfarë ekzistonin nga veglat muzikore? Maksimumi fizarmonika, por shumë rrallë, kur ndonjë mësues që ishte nga Shkodra kishte ndonjë mandolinë ose kitarë. Kaq ishte gjithë arsenali i veglave muzikore që ekzistonin në fshat. Kishte edhe elemente të tjera. Unë kam qenë i pasionuar pas kalit. Nuk kam qenë njeri që kam luajtur shumë dhe shokët e mi nuk kishin dëshirë të madhe të merrja pjesë në lojë me ta, pasi nuk kishte ndonjë gjë që unë do t’i shtoja. Pra, ushtroja një lloj hipizmi mjaft të egër, sepse kali ishte pa shalë.
Jeni rrëzuar ndonjëherë nga kali?
Po, jam rrëzuar, dhe e vetmja shenjë që kam, ndodhet në kyçin e dorës së djathtë. Më rrëzoi kali me të cilin nuk isha shumë miqësor, nuk u bë kurrë mik i mirë me mua, pasi unë e mundoja më shumë se ç’duhej, por ishte shumë i sertë, jo i butë. Unë nuk lija rast pa e kalëruar sipas mënyrës sime, herë me shalë, herë pa shalë. M’u krijua përshtypja se më rrëzoi nga inati. Pasioni im absolut kanë qenë librat, dhe sidomos kur erdha në Tiranë në shkollë të mesme, pothuajse të gjitha paratë që më dërgonin nga shtëpia, pa përjashtim, unë i bëja libra ose shikoja filma, por dhe filmat i zgjidhja.
Ushqimi i preferuar?
Mishi, ka qenë më i miri!
Kur keni parë për herë të parë televizor?
Bukur! Kam parë për herë të parë televizor në një ekspozitë që hapi Republika Demokratike Gjermane, diku te sheshi “Italia”, te stadiumi.
Keni dëgjuar muzikë të huaj?
Kam pasur një shok që kishte televizor dhe shihja “Canconissima”.
Në atë kohë muzika që dëgjonit dhe preferonit më tepër ishte paksa e vështirë, por…
Këngëtarja që më tejshkonte gjithë trupin dhe shpirtin ishte Edith Piaf. Kam qenë gjashtë vjeç. Në një kohë që nuk kishte radio në shtëpi, po një radio në qendrën e komunës, dhe unë mbështetesha pas shtyllës ku ishte altoparlanti dhe dëgjoja “Padam, padam” dhe keqardhja ime ishte sa mbaronte kënga e saj. Kam qenë shumë i dashuruar pas saj, më vonë Zhak Brel, Tom Xhons, Elvis Presley, dhe “Beatles”. Të vetmit që ishin më shumë se muzikë, ishin filozofi, pushtuan të gjithë botën dhe në atë kohë edhe në Shqipëri, me aq sa mund të dëgjohej.
Librat që kanë ndikuar në adoleshencën tuaj?
Xhek London ka qenë me mjaft ndikim tek unë. Librat ishin pasioni im i parë. Ka pasur raste që bëja garë me veten për të lexuar edhe një libër në ditë, dhe jo pak voluminozë. Ato para që mblidhja nga shtëpia, i blija libra, dhe problemi më i madh në fundvit ishte transporti i tyre në shtëpi.
Po personazhet historikë që kanë udhëhequr adoleshencën tuaj?
Skënderbeu, pa dyshim ishte më i fuqishmi.
Çfarë na sugjeroni ne adoleshentëve, libra, biografi, histori, filozofi apo letërsi?
Ju duhet të lexoni letërsi të shkuar, por duhet të ruani raportin me letërsinë bashkëkohore, sepse ne nuk e kishim këtë mundësi. Po ju tregoj një histori të shkurtër. Kur shkova në Paris, diskutoja me profesorin tim për Hygoin, por ai kishte një tezë që vinte nga familja e Hygoit, dhe ajo sa herë hynte e dilte në shtëpi, fliste për të. Dhe një ditë më thotë: “Të lutem vetëm për Hygoin mos më fol se shtëpia ime është e mbushur plot me të”! Sugjerimi im miqësor është të lexoni klasikët, pasi janë trashëgimi e jashtëzakonshme e kulturës dhe mendimit, por të lexoni edhe aktualë sa më shumë.
A shihni ëndrra të çuditshme?
Nga të gjitha fenomenet, raporti im më i veçantë është me gjumin. Nuk ka në jetë më aleat se gjumi. Në tërësi bëj një gjumë pa ëndrra. Gjumi më prishet vetëm nga temperatura. Kjo nuk do të thotë që nuk shoh ëndrra. Shoh! Por, a mund të mbaj dhe unë ndonjë sekret?
Keni ndonjë talent të fshehur nga adoleshenca?
Jo, nuk them se kam! Librat, që përpiqem t’i lexoj! Po të më pyesësh mua se cili është trashëgimi më i madh, do thosha guximi. Pse guximi? Sepse jeta nuk ishte pa rreziqe. Në oborr të shtëpisë të dilte gjarpri dhe nëna të thoshte: “Mos e prek se është ora e shtëpisë” dhe ti si fëmijë nuk duhet ta shihje. Më tutje ishte ujku, po të shkoje me dele. Po të kaloje lumin, nuk kishte një urë të mirë, por kishte një tra në të cilin edhe mund të bije, po të mos ishe i vëmendshëm. Alpet pastaj janë gjigante, mahnitëse, por janë edhe të ashpra në mot. Në mjegull mund të humbasësh dhe, kur humbet orientimin, nuk di të gjesh destinacionin për ku je nisur. Në tërësinë e vet, ky është një mjedis që të kalit guximin. Guximi i duhet njeriut, sepse në çdo rrethanë, edhe kur nuk ka guxim, duhet ta krijojë. Guximi dhe shpresa janë gjërat më të mëdha në jetë.
Kur udhëtoni mbrapa në kohë, kujtoni ndonjë emër shoku?
Më vijnë ndër mend shokët që ishin shumë të rëndësishëm për mua. Kam pasur shokë në 8-vjeçare, shumica nuk e ndoqën shkollën, pasi të atilla ishin kushtet në atë periudhë. Kam pasur shokët e shkollës së mesme, me të cilët kam pasur fat të madh se me shumicën kam ndjekur Fakultetin dhe kam pasur një miqësi të përsosur. Janë shumë, njëri prej të cilëve ishte më i afërt, por nuk është më dhe më mungon. Pra, marrëdhëniet me shoqërinë ishin shumë solide dhe asnjëherë me sherre.
Po me shokët tuaj, kishit ndonjë monument kujtese?
Sigurisht, kujtoj shkollën, oborrin dhe në një mënyrë të përditshme, shtëpinë time. Motra ishte “universiteti” im. Ajo do të më mësonte shkrim dhe këndim dy vite përpara se të hyja në shkollë, do të dëgjonte recitimet e mia me dashurinë më të madhe, edhe kur nuk ishin për t’u duartrokitur. Nëna ime ka qenë e rreptë, grua që dominonte familjen, dhe kishte kujdesin absolut që në çdo gjë, motra të ishte e para. Ne ishim dy vëllezër, unë i vogli dhe vëllai im, 10 vjet më i madh se unë. Nëna arriti të vendoste përparësi më të madhe ndaj vajzës. Babai ishte i butë, i urtë, më inkurajonte shumë për shkollën, i qetë dhe punëtor.
Dy gjëra që i kishit më mirë dhe ju diferenconin nga motra dhe vëllai tjetër?
Motra më dukej e sakrifikuar. Pse e sakrifikuar? Vajza në atë periudhë nuk ndiqnin shkollën, dhe kjo ishte dobësia ekstreme e nënës sime, që vajza të ndiqte shkollën, dhe të mos ishte kaq e sakrifikuar. Edhe vëllai kishte një barrë të madhe, pasi ishte mbështetësi im kryesor në shkollën e mesme.
Po cilësitë më të mira në adoleshencë?
Kur shoh mbrapa, them që guximi. Guximi ka qenë motoja ime në jetë. Keqardhjet që mund të kem, janë kur nuk kam guxuar. Çka dua të them, është që duhet të guxoni dhe nuk duhet të ngurroni të guxoni. Edhe po e pësove duke guxuar, arrin të riparosh dhe guximi të shërben në jetë.
Meqë guximi ishte një nga pikat më të mira, dy gjërat më të këqija?
Babai im, i cili ishte edhe besimtar, në dijeninë time nuk gënjente dhe kishte vendosmëri absolute të mos gënjente, këtu mendoj se ka ndikuar fuqishëm. Jashtë çdo lloj diskutimi, që unë të mos kem gënjyer, kulti im ka qenë sinqeriteti dhe këtë ia detyroj më shumë se kujtdo babait tim!
Ju ka ndodhur t’ju kenë keqkuptuar, siç ndodh shpesh me ne?
Edhe mund të ndodhë! Nëse keqkuptoheni nuk është faji juaj, por i të tjerëve që nuk arrijnë t’ju kuptojnë. Ka një të vërtetë të madhe, që sot në shumë aspekte përbën një horizont tjetër. Unë shoh mbesën time, ajo është 13 vjeç, dhe absolutisht në disa aspekte përbën një horizont tjetër.
Po të ktheheshit pas në kohë, kujt do t’i kërkonit falje?
Po të kthehesha mbrapa në kohë, pa diskutim do t’u kërkoja falje prindërve të mi, nëse mund t’i kem lënduar në mënyrë jo të merituar. Kam pasur një mbështetje shumë të madhe prej tyre. Falja ime është se ata kanë sakrifikuar shumë. Imagjino, vëllai im, ishte edhe ai në shkollë, unë në shkollë, dy prindërit që duhet të kujdeseshin për të dy. Mbaroi vëllai shkollën dhe kujdesej për mua. Nuk mund të them se sakrifica e tyre e jashtëzakonshme për shkollimin ka arritur të marrë shpërblimin që meritonte.
Një ngjarje botërore që tronditi adoleshencën tuaj?
Pushtimi i Hënës nga Gagarini, për mua ka qenë një nga ngjarjet më impresionuese!
Po ndonjë ngjarje që ju tronditi dhe bota nuk e mori vesh kurrë?
Ka kaq shumë gjëra që mund të më kenë tronditur mua dhe bota nuk i mori vesh. Ne jemi për botën një pikë në oqean!
Thuhet se keni një memorie fantastike, cili është kujtimi më i hershëm dhe cilës moshë i përket?
Nga 3 deri në 5 vjeç. Kam filluar në kohën kur unë përpiqesha të mësoja Fishtën pa ditur të lexoja. Kam qenë shumë i apasionuar pas Fishtës. Ju duhet ta dini se pothuajse në çdo familje ekzistonte lahuta, dhe në darkë, pasi hanim, atij që dinte më shumë i kërkonin të recitonte Fishtën. Unë përpiqesha ta memorizoja, se nuk dija të lexoja.
Për ta stërvitur memorien, a ka ushtrime?
Harresa është ushtrimi më i mirë.
Po për ta pasuruar më tepër memorien tonë?
Them se leximi. Nuk jam shumë i sigurt se sa e vërtetë është kjo që them, por për mua ishte pasioni im kryesor.
Po punët e shtëpisë, a ju mërzisin?
Jam borxhli ndaj të gjithëve, nga nëna ime, te bashkëshortja, vajza, djali, te të gjithë që nuk arrita t’i ndihmoj.
Një histori nga familja, që keni qeshur me lot?
Janë të shumta. Pse? Djali është me shumë humor. Ai edhe i vogël krijonte momente humori dhe të qeshura. Humori dhe të qeshurat në familjen time janë të zakonshme.
Na thoni një gjë që ju vjen keq që nuk jeni më adoleshent?
Më vjen keq që nuk mund të shëtis në ato horizonte ku mund të shëtisja. Lexoja shumë letra, filozofi, pra një periudhë e parikthyeshme në jetën e njeriut. Tani gjithçka është më e kodifikuar dhe e përcaktuar në jetën e njeriut.
Cili ka qenë aktori më komik i preferuar?
Çaplini.
Po njeriu i famshëm që takuat për herë të parë?
Helmut Kol, në vitin 1991. Ndodhi që Shqipëria nuk kishte pranuar të anëtarësohej në OSBE, sepse e dënonte si institucion. Pas hapjes, Gjermania kishte kryesinë e radhës, erdhi zëvendëskancelari në Tiranë dhe kërkoi takim me mua. Më pyeti nëse duhet të anëtarësohej Shqipëria në OSBE dhe a e dëmton opozitën. I thashë që nuk e dëmton, dhe ai më kërkoi të shkoja në delegacion. Për të më dhënë mesazhin, Helmut Kol më fton në zyrë dhe më bën një pritje zyrtare. Ky ishte personi i parë dhe më i rëndësishëm që kam takuar deri atëherë.
Cili ka qenë mësuesi i preferuar?
Mësuesi i klasës së parë është i paharruar, si për të gjithë, edhe unë e kam dashur shumë. Kanë qenë dy mësuese shkodrane, dy motra që ishin të shkëlqyera dhe kishin ardhur me nënën e tyre në një vend të paurbanizuar. Ishin të dashura dhe serioze. Njëra quhet Kudrete dhe tjera Fatime.
Po viti më i bukur i adoleshencës?
Shkolla e mesme ka pasur mbresëlënien e madhe për mua. Kam pasur dy mësues të jashtëzakonshëm, mësuesin e gjuhës shqipe dhe mësuesin e gjuhës latine, që më donin dhe i doja shumë dhe nga kjo unë bëhesha copë. Latinishtja është një gjuhë e vdekur dhe në shkollë mësohet vetëm për të vënë prapashtesën në receta. Gaz Përposhi, mësuesi im i latinishtes, arrinte të rrezatonte një mirësi njerëzore në klasë me nxënësit dhe unë ia shpërbleja duke mësuar sa më mirë.
Cilët njerëz do të falënderonit në ato vite?
Vëllain tim që më mbështeti mua dhe prindërit. Pavarësisht se kisha një bursë, por nuk përballohej shkolla vetëm me bursën, se isha konviktor. Sigurisht, edhe mësuesit e mi të shkollës së mesme. Petër Elezi për gramatikën dhe gjuhën shqipe. Ai ishte një personalitet që kishte tekstet e veta të gjuhës shqipe. Bëja hartime, po ngaqë e-ja pa zë në veri nuk ekziston, në gegërisht çdo fjalë do ta shkruaja me e-në e zëshme dhe nuk ishte në rregullat e shqipes. Ai i vinte kryq, po nuk më ulte notën, pasi fjala dhe shprehja ishin në rregull. Kam pasur fat që mësuesit e mi kanë qenë shumë të mirë dhe i kam adhuruar.
Mendoni se uniforma në shkollë është ide e mirë?
Ana e mirë është se në një mënyrë zhduk një pabarazi që është e pashmangshme, së dyti ka anën tjetër që mosha juaj nuk e pëlqen.
A duhet të punojnë adoleshentët?
Po, por duhet të bëjnë ato punë që u takojnë.
A e ndryshojnë adoleshentët botën?
Vetëm ata e ndryshojnë botën! Projekti i botës që vjen, është në mendjen e adoleshentëve dhe bëhet realitet.
Një këshillë para se të jetë vonë për ne, adoleshentët?
E vetmja këshillë që kam për ju, është që të mos pranoni kurrë që e keqja t’ju marrë përpara. Mosha, pasionet dhe dëshirat janë të tilla që mund t’ju shtyjnë drejt gabimeve, pasi të gjithë gabojnë. Mosha është pak delikate dhe ndonjëherë krijon dëshpërim mbi dëshpërimin, krijon përshtypjen e pamundësisë. Kjo nuk duhet të ndodhë me asnjë adoleshent, sepse çdo adoleshent ka gjallërinë e jashtëzakonshme, moralin e padiskutueshëm dhe shanset që, sa herë të rrëzohet, të ngrihet përsëri.
A mund të bëjmë disa nga pyetjet më të vështira që bëjnë adoleshentët në botë?
Patjetër.
A është gabim sikur ta provoj një herë drogën?
Është një agjent, që është faktuar vetëm i dëmshëm. Nuk ka një të dhënë që droga ka një efekt pozitiv, atëherë qëndrimi larg saj është në të mirë të jetës dhe të ardhmes së çdo adoleshenti.
Adoleshentët thonë: Nuk më pëlqen fytyra, luku, si t’ia bëj?
Është në natyrën e njeriut që të kërkojë për mirë dhe të shohë si bëhet më mirë.
Si përballohen frikërat dhe pasiguritë?
Kjo është e rëndësishme, por këtu duhet vullnet dhe vetëdije, guximi është i domosdoshëm në jetë, është instrument kryesor i suksesit të njeriut. Kurrë nuk mund të kesh sukses, po nuk guxove.
Një adoleshent thotë: Çfarë të bëj kur konfliktohen prindërit e mi?
Konfliktimi i prindërve është një moment shumë i padëshiruar në familje. Mendimi im është se përpjekja për të bërë arbitrin, është e pasuksesshme në këtë rast.
Si ta zgjeroj shoqërinë?
Së pari, shoqëria ka ecur shumë në drejtimet kur kemi pasur pasione të njëjta. Për shembull, një herë mua më thyejnë një notë në sjellje dhe shokut tim gjithashtu, sepse gjatë gjithë vitit një mësues na merrte librat jashtëshkollorë dhe u bë një numër i madh librash që më kishte marrë. Unë i shkoj në zyrë dhe i them se do shkoj në Tropojë, dhe i futa një fjalë që nuk duhet t’ia thosha, por shoku im më doli krahë dhe mësuesi na theu notën në sjellje.
Besimi te Zoti më ka ikur, si t’ia bëj?
Besimi te Zoti është burim force. Librat e shenjtë duhet t’i lexoni, pavarësisht se cila është shkalla e praktikimit, ato janë kodet morale më të mrekullueshme. Nuk mund të them se çdo rresht i tyre është i mundshëm, por mësimet janë absolutisht më të dobishmet që udhëheqin moralin njerëzor.
Si ta përballoj humbjen e prindërve?
Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa të humbasësh prindërit, por ke mundësi që të përpiqesh të nderosh kujtimin e tyre me avancimin e ambicieve të tua.
Po e ardhmja ime, si të kujdesem për të?
Leon Tolstoi ka thënë diku, se njeriu mëson më shumë në periudhën 2-3 vjeçare, ku mëson çdo nocion, por në drejtim të formimit të tij, adoleshenca është mosha në të cilën njeriu merr të gjitha përgatitjet për t’u përballur me sukses në jetën e ardhshme.
Jeni person mëngjesi apo nate?
Në princip jam njeri nate, çka do të thotë se e mbyll ditën nga ora 2:00 e natës.
I çajit apo i kafes?
E filloj me çaj.
E ëmbël apo e kripur?
E kripur.
I lajmeve apo i muzikës?
I lajmeve kryesisht, por pëlqej edhe muzikën.
I lëngut të portokallit apo i rakisë?
I qitros.
Numri që ju pëlqen?
Dhjeta.
Aroma që ju pëlqen?
Vjollca.
Çfarë ju ofendon?
Mosbesimi.
Në avion, e doni sediljen afër dritares?
Jo, nuk ka asnjë problem.
Nëse shtëpia do të merrte flakë, tri gjëra që do të merrje?
Xhaketën, pantallonat dhe këpucët.
Filmi që e keni parë dhe doni prapë ta shihni?
Kam pëlqyer filmin “Hair”, por edhe filma të tjerë.
Sa herë shihni televizor?
Çdo ditë shoh televizor.
Për cilin anëtar të familjes jeni krenar?
Nga Laidoni te bashkëshortja ime, të gjithë më mbushin me krenari.
Përmendet bashkëshorten, a është ajo modeli ideal që keni preferuar në adoleshencë?
Të them të drejtën, Lili ka qenë për mua një mbështetje e paimagjinueshme. Sepse edhe në periudhën përpara se të angazhohesha në politikë, jeta e një mjeku nuk ka qenë e thjeshtë, por me shumë sakrifica. Sot rri deri në dy të natës, por edhe në ato vite ishte e zakonshme që të nisja një punë dhe të mbaroja afër orës një të natës. Kështu që pa këtë mbështetje, nuk do të kisha realizuar as gjysmën e qëllimeve dhe projekteve të mia. Më ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme.
Kështu si flisni ju, ajo ka qenë personi që keni ëndërruar?
Jo vetëm i ka plotësuar, pasi pa mbështetjen e saj unë do të kisha qenë në gjysmën e projekteve të mia, ose më pak.
Nëse një i famshëm do ju merrte në telefon nga bota tjetër, me kë do donit të flisnit?
Natyrisht me prindërit e mi. Kam qenë shumë i lidhur me familjen.
Për çfarë doni t’ju kujtonin brezat?
Në të gjithë përpjekjen time, mbaj për bazë të përditshmen. Unë përpiqem dhe jam përpjekur gjithë jetën t’u shërbej njerëzve. Vij nga mjekësia, fushë shërbimi tërësore, nuk kam dalë kurrë nga koncepti. /panorama/

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk