Nën masa të rrepta sigurie i jepet lamtumira “Zonjës së hekurt”, Margaret Thatcher
Në katedralen e Shën Palit në Londër u zhvillua ceremonia
mortore për ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher. Ceremonia u mbajt në
praninë e Mbretëreshës Elisabeth, të personaliteteve nga e gjithë bota dhe
gjithë kryeministrave të tjerë britanikë që pasuan Zonjën e Hekurt.
Kryeministres së parë grua të Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, iu
rezervua një funeral me nderime të plota ushtarake. Arkivoli me trupin e zonjës
Thatcher u soll në Katedralen e Shën Palit me një procesion solemn, i vendosur
mbi një shtrat topi të tërhequr nga gjashtë kuaj të zinj. Në rrugët ku kaloi
procesioni sot mbretëronte qetësia.
Nën masa të rrepta sigurie, në Katedralen e Shën Palit ishin
mbledhur më shumë se 2,300 të ftuar. Mes tyre kishte rreth 30 anëtarë të
kabineteve të drejtuar nga Zonja e Hekurt mes viteve 1979 dhe 1990, duke
përfshirë lordët Heseltine dhe Houv, të cilët e sfiduan zonjën Thatcher, duke
çuar më në fund në largimin e saj nga pushteti. Në ceremoni morën pjesë të
gjithë anëtarët e kabinetit të tanishëm të kryesuar nga Kryeministri David
Cameron. Në Katedrale erdhi edhe Mbretëresha Elisabeth me bashkëshortin,
Princin Philip. Mes pjesëmarrësve ishin 11 kryeministra dhe dy krerë shtetesh
nga e gjithë bota. Ndodheshin gjithashtu ish-Sekretari amerikan i Shtetit Henry
Kissinger dhe ish-nënpresidenti amerikan Dick Cheney. Por ra në sy mungesa e
ish-udhëheqësit sovjetik Michail Gorbaçov dhe e zonjës Nancy Reagan, e veja e
Presidentit amerikan Ronald Reagan, aleati i madh i zonjës Thatcher, të cilët
nuk ndodheshin për arsye shëndetësore.
Disa mungesa të tjera në listën e të ftuarve u bënë shkak
për zëra se mospjesëmarrja ishte për arsye diplomatike. Një zëdhënës i
Kryeministrit Cameron mohoi se Shtetet e Bashkuara po tregonin mospërfillje
duke mos dërguar ndonjë zyrtar të lartë të kabinetit Obama. Kur arkivoli arriti
në katedrale, në krye të procesionit ecnin nipi dhe mbesa e Baroneshës
Thatcher, Michael dhe Amanda. Qëllimisht, në fjalimin e tij Peshkopi i Londër,
Richard Chartres, nuk foli për trashëgiminë politike të Zonjës Thatcher por tha
se ceremonia mortore ishte një vend ripajtimi ku flitet për të vërtetat e
thjeshta që e kapërcejnë debatin politik. Por jashtë Katedrales atmosfera u
kujtoi njerëzve ndarjet e hidhura politike gjatë viteve të Thacherit, kur një
numër protestuesish iu afruan procesionit. Disa prej tyre shprehnin zemërim për
koston e lartë të ceremonive mortore që thuhet se kapnin 10 milion stërlina,
megjithëse sipas zyrtarëve, shifra e vërtetë ishte shumë më e vogël. Ndonëse
Zonjës Thatcher nuk iu rezervua funeral shtetëror si Winston Churchillit në
vitin 1965, një pompozitet i tillë nuk është parë në Londër që nga vdekja e
Nënës Mbretëreshë në vitin 2002. Cameron
tha se ceremonia ishte një nderim i merituar për një figurë të madhe kombëtare,
kryeministrja e cila qëndroi më gjatë se askush tjetër në këtë post gjatë
shekullit të 20. Zonja Thatcher vdiq javën e kaluar në moshën 87-vjeçare.
Comments
Post a Comment