Shkodër, je ba kaq e bukur e unë jam tu vujt se nuk kam ma shumë dashuni me t’falë
Nga Albert Vataj
Me kamt e laguna në Kir, sytë e lamun në Bunë, e kundrimin e
njomun në Liqen, çapit në të sotmën tande si atëherë edhe tash. Me më shumë
thinja, rrudha e peshë vitesh hapin lshoj ngadalë mbi ty Shkodër loce, si mbi
pasqyrën e reflektimit tem, tuj u drashtë se mos thuhet e mes pa u pa me ty e
me vedin e asokohershëm. Mes zanave e hapave që vërshojnë përpiqem me ndigju
ndonjë turra a vrap, ndonjë thirrmë a dihamë. Dhe eci. Kqyr rreth e rreth, për
me mujt me gjet ndonji copë të mbetun të mozaikut tand, pamjen e thërmume të
ikjes teme. Për me mujt me e njit me lotin e mallit e me ba një kujtim. Zemra jote
dashnishumë e njerëzit e tu tamël t’amël më presin me zjarmin ma t’zjarmt të
pasionit të mirëseardhjes, zjarmin që vetëm ata munen me e nez.
Po të shoh e mes lotëve të mallit po përpiqem me të pa ma të
kthjellët, Shkodër. Mbi ty ec e si mbi re më bahet se po shkoj rrugëve dhe
kujtimeve të mija. Shkodrën tash e kam kundru ma ambël e kanda ma kishte edhe
tjetërherë me pas mujt me e pa kështu, si një zonjë hirëplotë e ballnalt. Por ani,
ajo gjithherë ka ken njaja që zemra jeme ka mbrujt në maxhën e vet të dashnisë
dhe kujtimeve. Këtë qytet e kam jetu e ka jetu në mu me tançka aja ka patun për
vedi, e unë për të. Jena pa nadjeve të murrme, dritëpakë e reshumë. Me
Taraboshin kqyreshim sa herë që gajlen e shiut merrnim me vedi për me nis
shfletimin e përditshmërisë rutinore. Nadja e mirë, porsi një apoteozë prekte
shojishojn në ecejaket e fillimit të ditëve që ndryshonin njana me tjetrën vetëm
kur tufat e kalimtarëve i njellte morti si tufa sorrash në vendlajmërimet e
vdekjeve. Paheshin e ndaheshin, pëshpërisnim e shportitnim, e me një nur hidhërimi
e grimca mendimesh pikëlluese shpërndaheshin sekush në punën e tyne. Me Shkodrën
gjithherë pa jena dhe shihna e nigjohna me plot gajle. Na kanë ndjek nga mbas kambanët
e kishave e zani i xhamive, tubimet politike, e gostitë modeste të artistëve në
kafenetë e strukuna. Vdekjen dhe lindjen kena prit e përcjellë. Pushkën në mes
të pazarit e kangën në maje të gjuhës kena pas, jetu e nigju. Me kohët dhe
historinë, me të kalumen e të tashmen, me andrrat e pasionet, me tançka që ka
ken vetëm e vedja, jena pa e jana dasht sot e mot. Shihna e nigjohna, me
krejtçka Shkodra ka pas me na dhanë e na kena pas me tan zemër me ia dhanë. Emnin
dhe krenarinë e saj pasaportë na asht ba në aeroporte përballjesh dhe sfidash.
Me të madhe e kena pohu botnisht atë si vendlindjen tonë, e aja si një nanë zemërmadhe
e gazplotë, e përkushtume e ngadhnjyese, nuk asht kursy me na mush. Të shpërndamund
në të katër anët, e të çapërlumun në shumë copa prej nevojës për me mbijetu,
jena përpjek për me metun shkodran, për me e kungu bukën e shpirtit, gojëve të
unshme, e tamlin e limfës, buzëve të thame për qiej dhe liri. Kena gjet përditë
një fije përkushtim, ndërmëndje e përmallim, e jena nis për me ardh te ti, e me
ikun prej teje ashtu siç e ke patun zakon, të mirë, zemërbardhë, besimtarë, diellplotë,
hanëndritun, e tançka tjetër na vetvedi kena patun si ngulm me e kumtu.
Sot ndërsa e djeshmja e tymit dhe absurdit kanë metun njolla
të errata në ndërmendje dhe dhimbje prore, përmendemi prej këtij nuri qi i ka
ra si dritë prej Zojës së Shkodrës, si breror prej krenarisë. Ndërsa hapat
hedhim në rrugët që strukin kujtimet, syni na mushet përplot me velin që ka
hedhun, me shkëlqimin që përshkëndit. Ka ndryshu kaq shumë Shkodra, asht ba kaq
e mirë, e unë po vuaj, mbasi nuk kam ma shumë dashuni me i falë, e zemër vetëm
një më ka dhanë nana dhe kjo tokë, njatë zemër që më rrah përditë për të. Shkëlqen
përditë e ma shumë, e unë shoh përditë e ma thellë në qiellin tand, në dallëndyshet
e pranverave që vijnë për me m’su në kthjelltsinë tande flutirimin e pafundsisë.
Gëzo Shkodër ma t’bukurën nur që të ka ra. Shfleto në kangët tuja, harenë e
akshihaneve e namin e pëtbotshëm të bijve të tu, ma t’bukurën prej tyne këndoje
me za, pa u drujt e pa gajle. Tankush kje me ty, asht me shpirt e zemër aty,
vjen në prehnin tand e ikën, si prej prehnit të nanës, përplot me gazmend e dëshira.
E ti metesh tamli ma jetdhanës, Rozafa legjerndare.
Comments
Post a Comment