Si i mblodhi rreth vetes punëtorët regjimi nazist
Sindikatat e lira kundërshtare të regjimit ishin të papërfytyrueshme për regjimin nazist. Me një përzierje të populizmit, propagandës dhe terrorit, nazistët futën punëtorët nën kontrollin e tyre.
Në prill të vitit 1933, në mbarë Gjermaninë sundonte ngutja dhe nxitimi. Fëmijët dhe të rriturit mësonin këngë, shtëpitë dhe rrugët ishin të zbukuruar në mënyrë festive. 1 Maji i vitit 1933 u zgjodh nga ministri i propagandës Jospeh Goebbles si një "ngjarje masive unike". Dita tradicionale e punës duhet t'i shërbente qëllimit të nacionalsocialistëve që të bëjnë për vete klasën punëtore. Bërja për vete e klasës punëtore ishte një hap i rëndësishëm për kancelarin Adolf Hitler të pajisur ndërkohë me kompetenca diktatoriale. Deri më tani, një pjesë e madhe e klasës punëtore ishte përkrahëse e rivalëve social-demokratë apo komunistë.
Një ditë feste me pagesë
Që nga fundi i shekullit të XIX Lëvizja Internacionale e Punëtorëve festonte 1 Majin si "Ditën e Punës". Por dita e parë e muajit maj nuk ka qenë festë shtetërore deri sa pushtetin në Gjermani e morrën nacionalsocialistët. Kush dilte këtë ditë në parada dhe festime, ai mund të merrte një ditë pushimi. Ose të hiqte dorë nga mëditja. Me fillimin e diktaturës naziste, kjo ndryshoi. Qysh më 7 Prill të vitit 1933, kabineti i Hitlerit e shpalli 1 Majin "Festë kombëtare të punës." Kështu që 1 Maji u bë një festë shtetërore dhe në këtë mënyrë ditë pushimi në Gjermani. Dhe Hitleri kishte edhe një "dhuratë" tjetër për punëtorët: edhe pse nuk do të punonin mëditja e tyre do të paguhej për 1 Maj.
Më 1 Maj Partia nacionalsocialiste gjermane e Punës (NSDAP) ofroi një spektakël gjigant për t'iu bërë përshtypje njerëzve: u organizuan parada të mëdha, në ballë të tyre marshonin organizatat e Partisë Naziste. Në Berlin, u mbajt tubimi qendror në të cilin foli personalisht edhe Adolf Hitleri. Fjalimi u transmetua përmes radios edhe në cepin e fundit të Gjermanisë. Parada, muzikë, shfaqje e pilotëve akrobatik, dhe në fund fishekzjarre të mëdha: nazistët i ofruan qindra e mijëra berlinezëve një spektakël të vërtetë. Joseph Goebbels ishte shumë i kënaqur: "Spektakël i mrekullueshëm. I pakapshëm edhe në përmasat e tij .."
Plani i vërtetë
Pothuajse askush nuk e kishte hetuar që Hitleri me festimet e 1 Majit ishte duke ndjekur një krejt tjetër plan. Për këtë Goebbels ka shënuar në ditarin e tij: "Më 1 maj, festa do të jetë e madhe. Më 2 maj, ne do të fusim në dorë shtëpitë sindakaliste .." Ai ishte duke iu referuar shtëpive të Sindikatave të Lira, në të cilat organizoheshin punëtorët. Pavarësia e tyre nga shteti ishte halë në sy të nacionalsocialistëve, ata donin të kenë pushtetin e vetëm të përfaqësimit të punëtorëve. Sepse Hitleri llogariste që një klasë punëtore e organizuar mirë përmes grevave të ndryshme mund ta pengonte instalimin e diktaturës.
Megjithatë, ky rrezik nuk ishte i madh: Federata e përgjithshme sindikaliste gjermane (ADGB), si organizatë ombrellë e Sindikatave të Lira, ishte deklaruar në shkurt të vitit 1933 si politikisht neutrale - megjithëse në të njëjtën kohë njësitë sulmuese (SA) si organizatë paraushtarake luftarake e NSDAP ndiqnin në rrugë si komunistët ashtu dhe kundërshtarët e tjerë të regjimit nga radhët e klasës punëtore. Bile në festimet e 1 Majit morri pjesë edhe ADGB. "Punëtorët gjermanë duhet të tregohen të vetdijshëm dhe me 1 Maj të protestojnë duke kërkuar që të jenë anëtarë me të drejta të barabarta në shoqërinë gjermane", u bënte thirrje punëtorëve kryesia e Sindikatave të Lira.
Prandaj Goebbels mund të ishte mjaft i sigurt për fitoren e tij: "Ca ditë përplasje, pastaj ata na përkasin neve." Të organizuara mirë, trupat sulmuese SA goditën më 2 Maj. Pothuajse pa rezistencë ato pushtuan zyrat e sindikatave, bankat e punëtorëve dhe redaksitë e revistave të Sindikatës së Punëtorëve. Shumë oficerë të lartë u dërguan në burgje dhe kampet e përqendrimit, u konfiskuan llogaritë dhe fondet. Punëtorët e pranuan "goditjen" e misioneve të tyre - pothuajse askund nuk ka pasur rezistencë. Goebbels i kënaqur shkruan në ditarin e tij: "Puna shkon si sahat."
Fronti gjerman i punës
Nacionalsocialistët në vend të sindikatave të lira krijuan strukturën e tyre organizative: Më 10 Maj 1933 ata themeluan Frontin gjerman të punës, DAF. Tani e tutje ai duhej të përfaqësonte interesat e punëtorëve. Objektivi primar i DAF ishte kontrollimi i punëtorëve dhe edukimi i tyre në frymën naziste. Edhe punëdhënësit janë inkurajuar për t'iu bashkuar DAF-it. Kështu, punëtorët dhe punëdhënësit tani ishin të bashkuar, në një organizatë të vetme, të kontrolluar nga nazistët. Anëtarësimi ishte "vullnetar, por i dëshirueshëm." Në vitin 1942 DAF kishte 25 milionë anëtarë, duke e bërë organizata më e madhe në të të ashtuquajturin Rajhu i Tretë. 1 Maji i vitit të ardhshëm nuk u festua më si Dita e Punës. Ajo tani ishte festë kombëtare e popullit gjerman, fjala punë u hoq pa zhurmë. Hitleri kishte arritur qëllimin e tij gjithsesi: me sindikatat e lira nga 2 Maji i vitit 1933 u paralizua një institucion tjetër që mund të ishte i rrezikshëm për nazistët.
DW
Comments
Post a Comment